Gëzim Saliu
Kreu i PD: Deromemaj vjen në këtë garë si vlonjati për vlonjatët që kërkon besën tuaj
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, prezantoi dje kandidatin për kryetar të Bashkisë së Vlorës, Genc Deromemaj, ku gjithashtu ndau me banorët shqetësimin për eksodin masiv të qytetarëve që ka prekur çdo fshat dhe qytet të vendit, nga jugu në veri. Kreu i opozitës theksoi se përgjegjës për këtë eksod është dyshja sundimtare Rama-Meta, që çdo ditë po varfërojnë shqiptarët dhe pasurojnë veten. “E vetmja gjë që bën ky palo kryeministër është një version i dobët dhe i pagëlltitshëm i “Portokallisë”, me leje legalizimesh që vetëm falas nuk janë. Si erdhën deri këtu? Pse po ikin shqiptarët? Erdhën deri këtu sepse varfëria është pesëfishuar, numri i shqiptarëve që jetojnë me 1 dollarë në ditë është pesëfishuar, është rikthyer në gjendjen ku ishte në vitin 2005, erdhën deri këtu sepse 20 mijë familje shqiptare nuk marrin më ndihmë ekonomike, nuk kualifikohen më për ndihmë ekonomike dhe e di pse?! Sepse iu gjendet një karrige në shtëpi, një tavolinë në shtëpi dhe kur gjen tavolinë e karrige nuk kualifikohesh më për ndihmë ekonomike, sepse duhet të jetë si në mesjetë që të përfitosh ato 16 mijë lekë të mjera”, – tha Basha. Më tej, kreu i PD-së theksoi se arroganca, arbitrariteti, paligjshmëria, mjerimi, skamja dhe papunësia janë arsyet e eksodit. “Eksodi i shqiptarëve është denoncimi më i fuqishëm i keqqeverisjes, dështimeve, është prova më e saktë se sa u përket shqiptarëve dhe halleve të tyre, këta e kanë lëshuar timonin, pa duar. Po për vete?! Për vete janë zhytur në luks të shfrenuar. 600 milionë euro të shqiptarëve po i bëjnë rrush e kumbulla, palma dhe kulla”, – tha ai.
Gara në Vlorë
Për kryedemokratin nuk mund të jetë zgjidhje largimi nga vendi por dënimi me votë i keqqeverisjes për të bërë të mundur largimin e saj në njësitë vendore. Komiteti ekzekutiv është përgjigjja. Jo vetëm kaq por në traditën më të mirë të byrosë, i caktojnë vetë kryetarët e kandidatët për komitetin ekzekutiv. E kanë vendosur dhe këtu se kë do të sjellin për kryetar të komitetit ekzekutiv. Do të sjellin dikë që do të zbatojë urdhrat e shefit e shefi kësaj radhe është Koço Kokëdhima. Nuk i mjaftojnë sarajet e Qeparoit, do t’i ngrejë sarajet edhe këtu, në mes të Vlorë, t’ua përplasë në fytyrë vlonjatëve. E kanë zgjedhur kandidatin që do të marrë urdhrat nga Koçua, do të punojë për Koçon, do të japë hesap te Koço”, – tha Basha. Nga ana tjetër duke prezantuar Deromemaj që ka propozuar PD për bashkinë e Vlorës, Basha tha se kandidati vjen për të ndryshuar qytetin. “Ky djalë, ky burrë, ky vlonjat nuk vjen para jush, thjesht dhe vetëm si kandidat i një partie politike por vjen si qytetari, si djali, si burri, si vlonjati për vlonjatët që kërkon besën tuaj, punën tuaj, djersën tuaj, mundin tuaj, për t’ia marrë Vlorën tuaj oligarkëve për t’ia kthyer njerëzve që e kanë me tapi, dem bama dem, vlonjatëve”, – deklaroi ai. Nga ana e tij kandidati për kryetar i Bashkisë së Vlorës, Genc Deromemaj u shpreh i bindur se vlonjatët do të votojnë për alternativën që do të punojë për ta. “Si përfaqësues politik dhe individ, krenar dhe me vlerat që na karakterizojnë moshën dhe integritetin tone, ju premtoj se do të jem një administrator i juaji, i popullit tonë, i Vlorës. Kam besimin se Vlora dhe vlonjatët janë fisnikë, i karakterizon një mençuri e rrallë, kësaj radhe do të jenë të aftë dhe të zgjuar të vendosin për veten e tyre, t’ia kthejnë Vlorën vlonjatëve, t’ia kthejnë Vlorën dhe pjesa më e munguar e saj, t’ia kthejnë Vlorën neve qytetarëve, të gjithëve bashkë, të mirës tonë”, – theksoi Deromemaj.
PD: Skemë mafioze për blerjen e votës. Inspektorët e tatimores “LSI-në ndihmoje”
Partia Demokratike denoncoi atë që e cilësoi si skemë tipike mafioze për blerjen e votës në 21 qershor. “Nga përgjigjet e realizuara nga Prokuroria të cilat media i bëri publike, rezulton se inspektorët e shtetit janë në shërbim të partisë në pushtet ku në mënyrë të organizuar favorizohen biznese të caktuara për t’u marrë votën për Lëvizjen Socialiste për Integrim.“LSI-në, LSI-në ndihmoje”. Këto janë fjalët e inspektorëve të lojërave të fatit që kishin ngritur një grup mafioz të gjobave ndaj disa bizneseve dhe favorizimeve për vota për biznese të tjera”, – tha zëdhënësja e PD-së Nebijaj. Sipas saj kjo skemë është e shtrirë në çdo qelizë të shtetit, ku pushtet gjobit biznese e kryen favorizime për të blerë votën. “Mijëra biznese sot e kanë lakun në fyt nga kjo frymë mafioze ndërsa mijëra biznese të tjera janë mbyllur. Sot shumica e shqiptarëve janë në kufijtë e mbijetesës, ndërsa mijëra prej tyre kanë marrë rrugët e eksodit për shkak të kësaj qeverisje oligarkike që nuk llogarit qytetarët. I bëjmë thirrje prokurorisë që këtij hetimi ti shkojë deri në fund për të zbardhur çdo përgjegjësi në këtë skeme mafioze të blerjes së votës e cila dënohet rëndë sipas ligjit shqiptar”, – u shpreh Nebijaj.
Në grupin parlamentar/ Kreu i PD-së: Rama ka mbyllur derën e pilotit dhe po hedh vendin në pikiatë
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, bëri përgjegjës qeverinë e majtë dhe Kryeministrin Rama për largimet masive të qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të BE-së. Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Basha tha se Rama ka mbyllur derën e kabinës së pilotit dhe po hedh vendin në pikiatë. Sipas numrit një të opozitës, ky vit është kthim mbrapa në kohë me 16 mijë shqiptarë që kërkojnë azil në BE dhe kjo situatë sipas tij ka ardhur për shkak të dështimit të qeverisë “Rama-Meta”. “Asnjë reformë reale në letër apo në horizont, asnjë pritshmëri pozitive që do të zbuste sadopak sakrificën e zgjatur dhe padurimin e qytetarëve në vështirësi. Prognoza është po ajo që kemi nënvizuar vazhdimisht në takimet tona: përkeqësim dhe rënie. E tha bukur zotëria nga Vlora sot: Ka mbyllur derën e kabinës kryeministri, dhe e ka lëshuar avionin në pikiatën e përplasjes. O burra të turremi të gjithë ta hapim derën se përndryshe na piu e zeza”, – deklaroi Basha. Më tej kryedemokrati pohoi se eksodi është duke e tundur vendin si tërmet, ndërsa i ka rikujtuar qeverisë premtimin për hapjen e 300 mijë vendeve të reja pune. “Eksodi është pasqyra e varfërisë, pasi është pesëfishuar numri i shqiptarëve që jetojnë në kushtet e varfërisë ekstreme. 300 mijë vende të reja pune, kaq premtoi Edi Rama. Por përgjatë qeverisjes së tyre nga 12% papunësia është rritur në 19%, pasi ata vetëm mbyllin vende pune”, – deklaroi ai. Në këtë kontekst, Basha u bëri thirrje qytetarëve që të mos largohen nga vendi por të ndryshojnë me votë më 21 qershor situatën në Shqipëri. “Thirrja e opozitës drejtuar qytetarëve është që të kërkojmë dhe të vendosim zgjidhjen e problemeve tona këtu me votë të lirë. Me votë të lirë më 21 qershor do të diktojmë uljen e çmimit të energjisë dhe karburanteve. Kur gjërat shkojnë aty ku nuk mban më, nuk duhet të largohen qytetarët por qeveria. Mesazhi i këtyre zgjedhjeve do të jetë vendimtar për rrugën që do të zgjedhë Shqipëria”, – tha Basha.
Takimi me Kosovën, të rinjtë: Tarifat e mëdha dhe ligji i arsimit të lartë, shqetësim kryesor
Kandidati i opozitës për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Halim Kosova, bashkëbisedoi dje me një grup studentësh nga universitetet e Tiranës, publike dhe private. Në qendër të bashkëbisedimit ishte njohja me shqetësimet e të rinjve dhe thithja e mendimeve të tyre për atë që mund të bëjë bashkia për ta. Ligji për arsimin e lartë dhe tarifat e larta mbeten shqetësim i studentëve të cilët shpresojnë që kryetari i Bashkisë së Tiranës si qyteti që mirëpret numrin më të madh të studentëve në Shqipëri, të bashkojë zërin me ta për të kundërshtuar politikat e qeverisë. “Kjo reformë që po bëhet në arsim sjell shumë pakënaqësi për ne si student, dhe disa nga këto pakënaqësi janë rritja e tarifave që siç e dimë është rritur rreth 35% vjet për shkollim, pa dashur ta politizojmë situatën. Kjo bën që shumë studentëve t’u pritet ëndrra universitare që është dhe qëllim ynë kryesor”, – u shpreh studentja e masterit shkencor në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës, Gejsa Valiterna.