Gëzim Saliu
Debati për largimin e shqiptarëve,Kryeministri: Ne nuk kemi marrë përsipër ta bëjmë vendin parajsë, por kemi bindje të plotë se shqiptarët nuk janë dele që ju të bëni bariun
Berisha, Ramës: Ti u preve kotheren e bukës shqiptarëve, sarajet në Surrel shkojnë lart e më lart
Eksodi i shqiptarëve drejt Evropës ka sjellë përballje të fortë dje në seancën parlamentare mes mazhorancës dhe opozitës. Për herë të parë, Kryeministri Rama foli përpara deputetëve lidhur me këtë çështje, duke argumentuar se numri i lartë i largimeve të shqiptarëve ka ardhur për shkak të një keqkuptimi të kërkesës së shtetit gjerman për 45 mijë të huaj me profesione të caktuara. Kjo nuk u mirëprit nga ana e Partisë Demokratike, e cila, përmes ish-kryeministrit Berisha, deklaroi se varfërimi dhe mjerimi i shqiptarëve falë politikave të ndjekura nga qeveria po sjell eksodin drejt vendeve të BE-së. Në debat u përfshi edhe ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, i cili në fjalën e tij të fundit në Kuvend, akuzoi drejtuesit e pushtetit lokal të së djathtës se qëllimisht nuk po shpërndajnë ndihmën ekonomike, për t’i shtyrë shqiptarët të ikin. Por demokratët ashpërsuan akuzat, duke theksuar se pikërisht një ndër ndryset kryesore të largimit të shqiptarëve është vetë ministri Veliaj, i cili u ka hequr ndihmën ekonomike dhjetëra mijërave shqiptarëve në vend.
Rama-Berisha
Duke marrë fjalën në Kuvend pas shqetësimeve të vazhdueshme të ngritura nga opozita për eksodin e shqiptarëve, Kryeministri Rama tha se kjo situatë ka ardhur për shkak të dezinformimit të qytetarëve. “Pse ikin shqiptarët? Është fyerje për inteligjencën e shqiptarëve t’u thuhet se ajo çka po ndodh në këto javë të fundit është e lidhur me ndonjë rënie të ekonomisë, rrënim që është lehtësisht i lexueshëm, po të krahasojmë me 1 -2 -3 vjet më parë, ashtu sikundër pas dy-tre muajsh do të themi që kjo që po ndodh u kthye në normaliteti, sepse u vendos normalitet ekonomik. Kemi të bëjmë me një moment kur ka një keqkuptim të madh nga njëra anë i krijuar nga një raport me një nevojë të shpallur të Gjermanisë për 45 mijë të huaj me specialitete të caktuara dhe dëshirës së njerëzve për të pasur një mundësi më të mirë. Mbi këtë keqkuptim ka hyrë në veprim elementi kriminal”, – tha ai, duke shtuar se e njëjta situatë ndodhi edhe në rajon, edhe në Kosovë. “Atje tani është frenuar fluksi i stimuluar nga elementë kriminalë. Serbia ka një trend rritjeje shumë më masiv në ikje edhe sot që po flasim. Fakti që ka zona të varfra dhe njerëz që e kanë shumë të vështirë të nxjerrin bukën e gojës është i pamohueshëm. Askush nuk e ka mohuar dhe është turp që këtë fakt ta lidhni me këtë qeveri”, – deklaroi Kryeministri. Në këtë kontekst ai tha se qeveria e tij po ndryshon vendin dhe se akuzat e opozitës janë të padrejta. “Ne nuk kemi marrë përsipër ta bëjmë parajsë, nuk kemi shkop magjik të bëjmë atë që ju shkatërruat dhe e bëtë copë ta ribëjmë në këto muaj, por kemi bindje të plotë se shqiptarët nuk janë dele që ju të bëni bariun. Gjykimi negativ i shqiptarëve do bjerë sërish mbi ju pasi jo vetëm e latë këtë vend aty ku e latë po nuk reflektuat asgjë”. Në reagimin e tij, ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, nga foltorja e Kuvendit tha se Rama është përgjegjësi kryesor për ikjen e qytetarëve nga Shqipëria, ndërsa ndalimi i tyre me anë të policisë, theksoi ai, nuk është zgjidhje. “Sot edhe shifrat e Gjergjit tënd që e vërtit sipas qejfit tënd janë që papunësia u rrit nga 12-18.6%. Sot dhe shifrat e KE-së që ne duhet t’i pranojmë, thonë se papunësia e të rinjve ka arritur nga 22-33%. Sot ka një tregues tjetër, deficiti i llogarisë korente. Merre dhe studioje pak, se do të krenohesh shumë me të, sepse është rritur nga 12.6-25.6. E di çfarë do të thotë kjo, apo jo? Ekonomia është në prag të rrokullisjes. Mendon se me policë do ta zgjidhësh këtë. Absolutisht. Merr llogarinë korente, është dyfishuar në mënyrë katastrofale dhe do të trefishohet, se ka arsye të forta”, – deklaroi Berisha. Duke marrë shembullin e Kryeministrit Tsipras për reformat sociale, të cilin tha se nuk e mbështeste në deklaratat e tij, ish-kreu i qeverisë tha se Rama ka shkatërruar vendin. “Shikon çfarë beteje po bën Kryeministri në Greqi. Nuk jam dakord me asgjë që ai thotë, por jam dakord për të lehtësuar dhimbjet, lehtësim të këtyre shtresave. Ti u preve kotheren e bukës, ua ndërpreve ndihmën, shkatërrove bizneset. Sarajet e tua në Surrel lart e më lart. Rrugën e ndërtove vetë. Të duhen dy batalione për të ruajtur. Të gjitha këto janë të këqija të mëdha, por ti ke një problem të madh, se nuk ke ndjeshmëri ndaj të varfërve”, – përmbylli deklaratën e tij Berisha.
Debatet pa mikrofon në Parlament/ Nga makinat luksoze të mamave të deputetëve tek dasmat dhe “kulla e plazhit” e Ramës
Albana Vokshi: S’po kryeni asnjë investim, s’keni bërë asnjë rrugë.
Ndërhyn Rama nga vendi: Mendjen ke rrugët e ka edhe kjo.
Berisha nga vendi: Mos i ndërhy kur flet!
Rama: Jo, po thosha qe është njësoj si ti, e ka mendjen te rrugët.
Vokshi: Erioni është arsye e varfërisë së shqiptarëve.
Ndërhyn Ahmetaj nga vendi: Cili Erion?
Vokshi: Veliaj, nuk ka sjelle asnjë reformë.
Ahmetaj: Po ç’janë këto…?
Rama i tërheq vëmendjen ministrit: Po lëre o burrë të flasë, mos i ndërhy!
Vokshi: Tani s’po na lini as me fol, jam edhe femër.
Rama: Është spektakolare të dëgjosh se si përgjegjësit për gjendjen e trashëguar të sektorit kanë kurajën të flasin njësoj sikur vrojtojnë nga kullat e plazheve horizontin dhe jo sikur deri dje kanë pasur në dorë t’i bëjnë gjërat që thonë sot.
Berisha: Në Surrel ke ndërtuar sarajet ku vetëm pigmenti i mureve kushton 70 mijë euro, mureve të jashtme pa llogaritur batalionin që ke aty për të të mbrojtur.
Deputetët e mazhorancës kundërshtojnë Berishën
Berisha: E dini pse po ikën Crown Agents? Sepse kapën kontrabandë duke futur në makinën e mamasë së deputetit. Mamatë tuaja marrin 300 eurot e Tsiprasit, pensionin e Tsiprasit.
Balla: Edhe Argita babanë me makinë luksoze e ka. 70 vjeç e flet kshu. Nuk u ngope me mamatë.
Berisha, Ramës: S’ke turp nxjerr papagallin këtu. Ti ke alergji ndaj arsimit, je fatkeqësi kombëtare. Po kur ka ndodhur një dasmë me dy raunde në kështjellë e stërkështjellë. Na rroftë mamaja! Vetë e tha që ma bëri mamaja dasmën, nuk e thashë unë.
Balla: Ti e ke shumë problem, se s’ke bërë dy herë dasmën.
Noka, Metës: Do ta pushosh ketë ti këtë?
Berisha: Pse dënohet Liza dhe nuk dënohet Moza pikaloshe (drejtoresha në Tiranë)?
Deputetët e PS-së qeshin
Berisha: Qeshni, qeshni…
Balla: Ah, ti ke maru mer.
Rama: Rrugët i keni lënë rrugëve vetë, atë në Surrel e keni bërë se thonë për një biznesmen që e donte.
Berisha: Lëri këto na fol për CEZ-in
Rama: Na latë me borxhe, prandaj s’ka investime. Po ju jeni të pafytyrë.
Noka, Ballës: Po ky çe fjalori është?
Noka, Metës: Pse s’i flet këtij për fjalorin ti, Kryetari i Kuvendit bën sikur s’dëgjon dhe flet në tel, po tani nuk e theu etikën ky.
Rama: …Jo, nuk është rritur papunësia, por është rritur numri i punëkërkuesve që drejtohen në zyrat e shtetit.
Vokshi: Po pse po ikin shqiptaret pra…?
Rama: …Për ta mbyllur, meqë nga kulla e plazhit më erdhi një pyetje. Pse ikin shqiptarët? Fakti është se kemi të bëjmë me një moment kur ka një keqkuptim të madh, nga njëra anë, i krijuar në raport me një nevojë të shpallur të Gjermanisë për rreth 45000 të huaj, por me profesione të caktuara. Nga kjo kanë përfituar trafikantët. Nuk kemi marrë përsipër ta bëjmë Shqipërinë parajsë, s’kemi shkop magjik.
Berisha: Kushti i parë është që të kesh fytyrë. Problemi është që kur nuk ke fytyrë, nuk di çfarë thua. Shifrat e KE thonë se papunësia u rrit. Ekonomia është në prag të rrokullisjes. Iku, ia mbathi (Rama lë për pak seancën), e vërteta e përzë nga salla kreun tuaj krenar.
- Bushati: Si Luli që iku nga Tirana.
Berisha: Është një anije 100-tonëshe cigaresh që vërtitet nga njëri port në tjetrin, se është e një deputeti.
Majko: Na thuaj emrin!
Berisha: Midis jush është, gjejeni vetë. I juaji është. I “lumturuat” shqiptarët.
Berisha: Lexo sot gazetën e sivllaut tënd Kokëdhima. E ka me germa kapitale. I vdiq i vëllai, se s’kishte ilaçe. O krenar me atë në diell!
Veliaj: S’kam ndërmend të merrem me familjen e Doktorit as me dasmat. Për sa i përket atyre që u thanë për dasmën time, unë martohem si shqiptar, nuk e di si martoheni ju. Të paktën kemi një të mirë, që nuk martohemi me kushërinjtë.
Deputetët e opozitës kundërshtojnë nga vendi
Veliaj: Ju lini paratë e ndihmës ekonomike në bankë e s’i shpërndani në njësitë që drejtoni ku keni shumicën në këshill e drejtoni njësinë. Shqiptarët lanë leshtë në firmat piramidale.
Noka, Ramës: Ky është i çmen, s’është mirë.
Rama: Dëgjoje aty, dëgjoje!
Noka kërkon fjalën
Vokshi: O Flamur, po e kisha radhën unë.
Noka, Veliajt: Je më i pafytyrë se pafytyrësia. Ky papagalli që kakarisi këtu (Veliaj).
Braçe: Nuk kakaris papagalli Flamur.
Noka: U ke heq 10 mijë familjeve asistencën. Ky karagjozi këtu (Veliaj) flet për luks.
Meta: Dje isha në Kalabri, edhe atje i njëjti fenomen ishte, po nuk politizohet si këtu.
Vokshi: Janë 18 mijë shqiptarë që ikin, shifër alarmante. Tani kam një replikë me ministrin…
Meta: Kjo nuk shkon, se s’ju përmendi.
Vokshi: Më përmendi, m’u drejtua me gisht, madje më tha “e dashur”.
Rama: I ka fol shpirti.
Vokshi: Ju rrëzuat nismën e Dodës dhe Idrizit që dekomunistizonte vendin.
Braçe: Po ju e shpallët armike të partisë Mesilën moj Albana.
Shkëlzen Berisha, Veliajt: “Zogu i Ramës” ta dijë se në fisin tonë s’martohemi me shokët e grave
Djali i ish-kryeministrit të vendit, Shkëlzen Berisha, reagoi dje ndaj deklaratave të ministrit Veliaj në Kuvend, sipas të cilave ai ishte i martuar si shqiptarët dhe jo me kushërinjtë. “Një sqarim i shkurtër për “Zogun e Ramës”. Në farefisin tonë Erion, as për dashuri, as për lekë, as për bukë, as për bursë, as për fonde e as për karrierë, askush nuk është lidhur/martuar me kushuri/ra, me burra, me gratë e shokëve apo me shokët e grave. E kuptoj që pasi ke shitur e prekur fiq gjithë jetën (që i vogël) për t’ia dalë e ke të vështirë ta besosh, por është e vërtetë”, – shkruante Shkëlzen Berisha në rrjetin social “FB”.