Info/Kult, Nis sot në Tiranë PriFest – një format proteste e Filmit

0
164

një format proteste e FilmitNis sot në Tiranë edicioni i shtatë i PriFest – Prishtina International Film Festival, i cili këtë vit ka ndërruar vendndodhjen e gjendet në kryeqytetin tjetër shqiptar si një format proteste me emrin PriFest in Exile dhe do të mbahet për dy dite rresht me datat 24 dhe 25 prill. Për dy ditë rresht do të shfaqen një numër filmash të gjitha premiera nga Kosova, Mali i zi, Estonia, Koracia, Gjermania, SHBA etj. “Janë këto një numër i vogël filmash nga programi origjinal I festivalit që ishte përzgjedhur të ndodhte në po të njëjtat data në Prishtinë, por për shkak të një gjesti te Ministrit te ri të Kulturës, z. Kujtim Shala që vendosi të shkurtojë fondet për shumë aktivitete të ndryshme kulturore që ndodhin në qytetin e Prishtinës, dhe festivalit në fjale i shkurtoi fondin për 78% si dhe i pamundësoi mbajtjen e tij në Teatrin Kombëtar ku ky eveniment i rëndësishëm mbahej që nga krijimi i tij, beri që organizatorët e festivalit shumë të revoltuar të marrin vendimin për të protestuar në këtë mënyrë, aq më shumë kur ky lajm iu dha nga Ministria e Kulturës vetëm një muaj para se te ndodhte festivali.

PriFest është një ndër ngjarjet më të mëdha të filmit në Kosove që çdo vit ka mbledhur një numër të madh të kienastëve nga rajoni, Evropa dhe bota duke sjellë shumë orë filma premiera botërore, ndërkombëtare dhe regjionale të filmave të metrazhit të gjatë, të mesëm dhe atij dokumentar. Festivali po ashtu ka sjellë një numër të madh workshopesh dhe ekspertësh që kanë mbajtur leksione për kineastët e rinj nga rajoni dhe Kosova.

Në Tiranë ky festival vjen në format të shkurtuar prej dy ditësh duke sjellë disa projeksione filmash në kinema. Festivali do të hapet sot në orën 19:00 me projeksionin special të filmit “Tri dritare dhe një varje” nga regjisori Kosovar Isa Qosja, ndërkohë në mbrëmje në një tjetër mjedis, do të shfaqen filmi “Estonian” i metrazhit të mesëm dhe filmi artistik i regjisores Jasmila Zbanic “Ishulli i dashurisë”.

 

 Kongoli me “Jetë në një kuti shkrepësesh” në Itali

Romani i Fatos Kongolit “Jetë në një kuti shkrepësesh” (La vita in una scatola di fiammiferi), i sapobotuar në italisht, pati këto ditë një përurim të veçantë në Festivalin e Letërsisë, organizuar për herë të parë në vilën “Borromeo d`Adda”, në Arcore, Milano.

Veprimtaria, me pjesëmarrjen, ndër të tjera, të 28 shkrimtarëve vendas dhe të huaj, do të vazhdojë deri më 13 maj 2015. Më 18 prill, dita e parë e Festivalit, u hap pikërisht me paraqitjen e romanit të Kongolit nga koordinatori i Festivalit Alberto Moioli, personalitet i njohur i kulturës në Itali, si dhe nga botuesi i librit, Luigi Rubbettino. Para një publiku të shumtë që mbushte sallën e madhe të vilës “Borromeo d`Adda”, ku merrnin pjesë edhe shqiptarë me banim në Itali, folësit vlerësuan lart veprën dhe autorin e saj, tashmë i njohur për lexuesit italianë përmes një vargu romanësh.

Në fund Kongoli iu përgjigj pyetjeve të të pranishmeve dhe firmosi libra për mjaft lexues të interesuar.

 

 55 milionë lekë për muzeun “Marubi”

 Restaurimi dhe muzealizimi i Fototekës Kombëtare “Marubi” synon futjen e saj në një rrjet të përbashkët me trashëgimi të tjera kulturore të rajonit të Adriatikut.

Qeveria shqiptare do të kontribuojë me 55 milionë lekë për rikonstruktimin e muzeut “Marubi” në Shkodër. Vendimi për bashkëfinancimin e projektit “Rikonstruksioni i muzeut Marubi”, u mor sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

“Bashkëfinancimi, në vlerën e përgjithshme 55 000 000 (pesëdhjetë e pesë milionë) lekë, për realizimin e zbatimit të projektit “Rikonstruksioni i muzeut “Marubi”, si pjesë e projektit HERA – menaxhimi i turizmit të qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore në zonën e Adriatikut, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet komponentit IPA të bashkëpunimit ndërkufitar, dhe nga Fondi Shqiptaro-Amerikan”.

Më herët kryeministri Edi Rama kishte premtuar se, “më në fund, thesari i ‘Marubit’ do të dalë nga burgu i harresës dhe lagështirës”. Më datë 15 prill, në Shkodër u firmos memorandumi i mirëkuptimit për restaurimin e Muzeut “Marubi”, duke i hapur rrugën financimit të projektit dhe nisjes së punimeve. Restaurimi dhe muzealizimi i Fototekës Kombëtare “Marubi” synon futjen e saj në një rrjet të përbashkët me trashëgimi të tjera kulturore të rajonit të Adriatikut.