Reagimi/ Sokol Balla: Sulmi ndaj meje, një akt terrorist, nis betejën ligjore

0
161

Nga Sokol Balla

 Sokol BallaGazetari dhe drejtuesi i emisionit “Top Story” ka folur për herë të parë publikisht pas videos private. Emisioni do të mbyllet për disa kohë

Disa ditë më parë u publikuan disa pamje filmike dhe foto personale të gazetarit të njohur Sokol Balla, drejtues dhe autor i emisionit “Top Story”. Videot ishin rezultat i një sulmi ndaj jetës private të gazetarit. Sokol Balla, i cili duhet të drejtonte mbrëmjen e djeshme emisionin, si çdo javë ka folur për herë të parë për ngjarjet, motivet dhe qëndrimin e tij për të.

 

Mesazhi i plotë i Sokol Ballës:

Përshëndetje!

Besoj shumë prej jush janë informuar për sulmin e paprecedentë bërë ndaj jetës time private në një aksion të mirorganizuar nga një grup, që pa frikë unë do ta quaja grup terrorist kibernetik. Ky grup hyri në dhomën time të gjumit, ku unë jetoj i vetëm, dhe bëri publike disa pamje të jetës time private. Këto pamje më pas u botuan nga një portal ‘online’ në Kosovë dhe më pas nga disa të tjera në Tiranë.

Qëllimi i këtij sulmi ishte shantazhi dhe presioni, me gjasë, ndaj punës dhe profilit tim publik. Shantazhi vazhdoi disa ditë, por unë refuzova kërkesat e këtyre terroristëve të internetit, refuzova duke qenë i ndërgjegjshëm mbi pasojat që do kisha, por dhe i qetë në ndërgjegjen time se gjithçka mbi privatësinë time si qytetar është e shenjtë dhe për më tepër e mbrojtur me ligj. Për këtë falënderoj autoritetet shqiptare, të cilat kanë nisur për këtë një hetim edhe ndërkombëtar për këtë çështje.

Unë nuk jam vetëm qytetar, jam edhe gazetar. Misioni im për të vërtetën nuk më lejon mua të parin që të fshihem pas gishtit, ndaj mirëkuptoj edhe ata që janë ndjerë jo mirë nga pamjet e jetës time private, të marra me përdhunë, ndjej keqardhje për stresin që i kam krijuar fëmijëve të mi dhe nënës të tyre, viktimat kryesore në këtë atentat me pagesë ndaj jetës time private dhe publike, familjarëve të mi, por edhe familjes time tjetër, Top Channel dhe shikuesve tanë. Ndjesë të gjithëve! Por nuk ishte zgjedhja ime.

Në shenjë respekti për lëndimin e shikuesve nga botimi i dhunshëm i pak sekondave të jetës time private, “Top Story” nuk do të transmetohet për një periudhë të shkurtër kohore.

Falënderoj gjithë kolegët e mi, edhe ata me të cilët kam pasur replika, apo qëndrime të kundërta, të cilët mbajtën një pozicion të qartë dhe profesional për këtë çështje. Dikush këto ditë tha se nuk kishte rast më të mirë sesa një gazetar që të binte viktimë e gazetarisë së keqe. Unë jam plotësisht dakord me këtë. Më mirë unë, një gazetar, sesa dikush tjetër viktimë, e ndoshta, aktit më të dhunshëm ndaj jetës private të një individi.

Gjatë këtyre ditëve jam ndjerë mirë nga mbështetja e shumicës dërrmuese të opinionit publik, çka na tregoi të gjithëve se shoqëria shqiptare është më e hapur dhe më moderne sesa mendohej dhe se di të ndajë mirë publiken nga privaten, të ligjshmen nga të paligjshmen, moralen nga amoralen.

Këto ditë që nuk do të jem në ekran do t’u rri më pranë të afërmve të mi, sepse ata janë viktimat e vërteta të këtij sulmi. Po gjatë ditëve që do të jem larg ekranit, do të nis betejën e madhe ligjore kundër gjithë aktorëve të këtij atentati mbi privatësinë e individit. Unë nuk e di nëse do t’i fitoj të gjithë këto beteja, por si qytetar dhe taksapagues i këtij vendi më duhet të kem besim tek ligji, Prokuroria dhe gjykatat në përpjekjen time që qytetari Sokol Balla të jetë viktima e fundit e këtij sulmi të paprecedentë ndaj privatësisë së individit.

Faleminderit dhe shihemi së shpejti!

 

 

Arrestohet avokati durrsak që

kërcënonte gazetarin Sokol Balla

 

Një avokat nga qyteti i Durrësit u vu në pranga, pasi në mënyrë të vazhdueshme përndiqte me mesazhe gazetarin Sokol Balla. Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë së Durrësit arrestuan në flagrancë avokatin 62-vjeçar Ilir Malindi, banues në qytetin bregdetar. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, i ka dërguar mesazhe të shumta kërcënuese përmes telefonit gazetarit të njohur Balla. Burime zyrtare nga policia e qytetit bregdetar thanë se “nga specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, është bërë arrestimi në flagrancë i Ilir Malindit, 62 vjeç, banues në Durrës, me profesion avokat”. “Arrestimi i tij është bërë pasi: Ky person në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur duke i dërguar SMS nëpërmjet telefonit celular shtetasit Sokol Balla, me profesion gazetar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale të “përndjekja”, thuhet në njoftimin e Policisë së Durrësit. Sipas burimeve nga Policia e Durrësit, avokati kërkonte të kishte akses në emisionin politik që Balla drejton në “Top Channel” për disa çështje të tijat, por gazetari ka refuzuar. Nga ky moment kanë nisur edhe mesazhet e avokatit drejt Sokol Ballës. Së fundi, gazetari i njohur Sokol Balla është në qendër të opinionit publik pas nxjerrjes së një videoje private.

 

 

Naço-Nishanit: Pezulloni nga detyra gjyqtarin Osman Aliu

 

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i drejtohet Presidentit Bujar Nishani me cilësinë e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke kërkuar pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Kavajës, Osman Aliu. Sipas ministrit, Prokuroria e Tiranës gjyqtarin Aliu e ka dërguar në gjyq me cilësinë e të pandehurit për akuzën e “Refuzimit për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë të pasurive”. Gjithashtu zyra e ministrit Naço thotë se është kërkuar edhe nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë të përfshi në rendit e ditës kërkesën për pezullimin e gjyqtarit në mbledhjen më të afërt të KLD-së. Sipas akuzës, gjyqtari i Kavajës nuk ka arritur të justifikoj një shumë prej rreth 11 mijë euro të dërguar në Itali dhe të ardhurat për blerjen e një apartamenti.

 

 

Tjetër kanabis shkatërrohet në Dhërmi, pronarët në kërkim

Një tjetër sasi droge e mbjellë në kubik dhe gati për të lëshuar rrënje në tokë është shkatërruar gjatë ditës së djeshme. Policia e Vlorës ka kryer në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme një operacion antidrogë, gjatë të cilit ka zbuluar dhe asgjësuar 812 bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Sipas një njoftimi për shtyp, bimët janë gjetur dhe asgjësuar në fshatin Dhërmi, në vendin e quajtur Lamgadh, në një zonë të thellë pyjore. Në njoftimin zyrtar saktësohet se bima narkotike, me gjatësi nga 3 deri në 10 cm, ishte e vendosur në kubikë gati për t’u mbjellë. Aktualisht po punohet për identifikimin e pronarëve të kanabisit, ndërsa materialet i janë kaluar prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.