Të rinjtë në “Dasmën e Figaros”

0
249

Të rinjtë në “Dasmën e Figaros”Dasma e Figaros, opera gazmore nga Moxarti rikthehet në skenën e TKOB, por këtë herë protagonistë do të jenë këngëtarë të rinj lirikë. Ky produksion shënon një fillim për institucionalizimin e projektit të të rinjve të cilët nën kujdesin dhe drejtimin e autoriteteve artistike të TKOB do të angazhohen në projekte të plota ku pjesëmarrja e tyre do të jetë jo thjeshtë episodike por në role kryesore. “Objektivi final i kësaj rruge do të jetë formimi i plotë i të rinjve në debutimin në një opera. Duke qenë se ata do të interpretojnë në krahë të artistëve të TKOB dhe artistëve të tjerë të ftuar nga jashtë, atëherë rezultati do të jetë i dyfishtë pasi nga njëra anë krijohet fenomeni i shkëmbimit të shkollave dhe profesionalizmit midis të rinjve të huaj dhe atyre shqiptarë dhe nga ana tjetër krijohet një brez i ri, shumë i përgatitur dhe i kualifikuar, i cili do të jetë gati për futjen në botën e profesionistëve”, thuhet në njoftimin për mediat.

Dasma e Figaros, duke qenë një produksion i rëndësishëm dhe impenjativ do të prezantojë tek publiku këta artistë të rinj, të cilët vijnë nga Universiteti i Arteve. “Kjo mbështetje do të jetë një motivim i fuqishëm për karrierën e tyre dhe ne shpresojmë dhe urojmë që emra të tillë si Enkelejda Kamani, Erinda Agolli, Marina Kurti, Olta Juba, Marigona Qerkezi, Maria Prifti do të qëndrojnë gjatë në mendjen e spektatoreve por edhe në produksionet e ardhshme qe do të vendosen në skenën e TKOB. Ky është projekti i pare pilot, i cili në vijim ka një plan të detajuar që do shkojë drejt një zhvillimi më të plotë, në platformën “Edukimi përmes Artit””.

Akti I:Në një dhomë pjesërisht të mobiluar, në një kështjellë afër Siviglia-s, Figaro e Susanna, shërbyes të Kontit dhe konteshës së Almaviva-s, po përgatiten për dasmën e tyre. Kur Figaro mëson nga gruaja e tij e ardhshme se Konti ka tentuar ta joshë, zemërohet dhe betohet për hakmarrje ndaj tij. Shfaqen Don Bartolo e Marcellina. Kjo e fundit është e vendosur të martohet me Figaron. Kur Marcellina e Susanna takohen, nuk i kursejnë ofendimet për njëra-tjetrën. Cherubino ndjek nga pas Suzanën dhe i rrëfen se është i dashuruar me të sikurse edhe me të gjitha gratë e tjera të shtëpisë. Me të parë Kontin duke ardhur, Cherubino fshihet dhe bëhet dëshmitar i përpjekjeve të tij për të joshur Susanna-n. Por, edhe Kontit i duhet të fshihet me ardhjen e Basilios, mësuesit të muzikës. Ai i rrëfen Susanna-s se Cherubino është dashuruar pas Konteshës dhe këtu Konti nuk përmbahet, del shumë i inatosur nga vendi ku ishte fshehur. Ai tërbohet kur zbulon se Cherubino ka asistuar në propozimin e tij galant kundrejt Susanna-s dhe urdhëron menjëherë rekrutimin e djaloshit në ushtri.