Artan Cena
Deputeti Mark Frroku nuk ka dhënë shpjegime të reja, duke u qëndruar thënieve të mëparshme në Prokurori. I dorëzohen sendet e sekuestruara
Deputeti Mark Frroku dyshohet të jetë ai që ka filmuar pamjet tek lokali “Viva” në ish-Bllok, ku gjendej edhe prokurori Eugen Beci. Në këtë përfundim paraprak është arritur nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë. Edhe gjatë ditës së djeshme ai është marrë në pyetje nga institucioni i akuzës, në spitalin privat ku është shtruar për shkak të problemeve me zemrën. Mësohet se edhe ai i ka qëndruar thënieve të mëparshme në prokurori. Një orë kamera, telefon, laptop, stilolaps kamera i janë dorëzuar deputetit në spital dhe mësohet se ato nuk janë përdorur. Por në USB e deputetit tjetër Tom Doshi është gjetur videoja e lokalit që besohet se është filmuar nga Frroku apo njerëz të tij. Pritet që javën e ardhshme Prokuroria t’u komunikojë akuzën dy deputetëve dhe Durim Bamit, të cilësuar nga Doshi si “vrasësi i penduar” dhe dosja të shkojë në Gjykatën e Lartë. Sipas avokatëve, Mark Frroku do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje në zemër.
Dëshmia e Frrokut
Ashtu siç ishte njoftuar, në ora 8:30 minuta dy avokatët e Mark Frrokut dhe oficeri Arian Muça erdhën pranë spitalit privat ku ndodhet i shtruar deputeti pas problemeve shëndetësore. Ata iu drejtuan dhomës së deputetit që ndodhet në katin e 3 ku ruhet 24 orë me punonjës policie. Vetëm pak minuta ka zgjatur takimi mes deputetit Frroku dhe oficerit të Prokurorisë, pyetjeve të të cilit deputeti nuk ka preferuar t’u përgjigjet. Mësohet se ai u ka qëndruar besnik deklarimeve të dhëna në fazën paraprake, duke mohuar se kishte një komplot për vrasjen e kolegut Tom Doshi. Oficeri Muça mësohet se i ka vënë në dispozicion edhe akt-ekspertimin e orës dhe stilolapsit me kamera të cilat iu sekuestruan ditën e arrestimit deputetit Frroku. Këto pajisje rezultuan se nuk janë përdorur. Ndërsa USB-ja e gjetur në banesën e deputetit Tom Doshi rezulton se ndodhej një video, që mendohet se është bërë nga të afërt të deputetit Frroku të cilët kanë filmuar në lokalin “Viva” në zonën e ish-Bllokut, ku pretendohej se është organizuar skenari i vrasjes.
Avokatët e deputetit
Në dalje të spitalit, avokatët thanë se ishte një veprim procedural dhe se gjendja shëndetësore e deputetit Frroku është e rëndë. “Deputeti refuzon të përgjigjet pa u njohur me akuzat. Sot ishte një seancë komunikimi i akteve të ekspertimit. Por për momentin interesohemi për gjendjen shëndetësore të klientit pasi është e rëndë”, – thanë avokatët Saimir Visha dhe Genc Gjokutaj në përfundim të seancës së njohjes me aktet e ekspertimit në spitalin privat ku Mark Frroku ndodhet i shtruar prej dy ditësh, pasi la ambientet e paraburgimit në 302. Sipas pretendimeve të deputetit Tom Doshi, në këtë lokal është përgatitur dhe skenari i vrasjes së tij dhe deputetit Mhill Fufi. Por deputeti Frroku ka mohuar të ketë dijeni në lidhje me këtë ngjarje, duke thënë në prokurori se nuk kishte qenë ai që e kishte njoftuar Doshin në lidhje me atentatin që ishte duke iu përgatitur.
Ja gjyqtarët që do të gjykojnë Arben Frrokun në Apel
Janë përcaktuar edhe 5 gjyqtarët që do të gjykojnë Arben Frrokun në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, i cili akuzohet për “Vrasje”. Gjykatësit janë Nertina Kosova, Nure Dreni, Albana Boksi, Dhimitër Lara dhe Amarildo Laçi. Me caktimin e trupës gjyqësore këta të fundit do të caktojnë datën dhe orën e nisjes së seancës gjyqësore ku i pandehuri Arben Frroku akuzohet për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Për këtë ngjarje, gjykata e shkallës së parë për Krimet e Rënda e cilësoi të pafajshëm Frrokun, me arsyetimin e mungesës së provave.
Tom Doshi kërkon lirinë në Gjykatën Kushtetuese, akuza Llallës
Deputeti Tom Doshi e kërkon lirinë me çdo kusht dhe për këtë ka bërë një tjetër kërkesë. E ndërsa Gjykata e Lartë ia ka shtyrë gjykimin e kërkesës për në datën 28 prill, ai ka bërë një tjetër kërkesë, këtë herë në Gjykatën Kushtetuese. Mesditën e djeshme avokatët e deputetit të Shkodrës kanë dorëzuar pranë Gjykatës Kushtetuese padinë ku kërkohet shfuqizimi i vendimit të Gjykatës së Lartë, që e ka izoluar në banesë me masën “Arrest shtëpie” deputetit Doshi. Avokatët thanë se ky vendim është antikushtetues pasi atij nuk i lejohet të ushtroj detyrën e ligjvënësit në Kuvend. Avokatët e deputetit Tom Doshi kanë replikuar në distancë edhe me kryeprokurorin e Adriatik Llalla në lidhje me deklaratat e bërë në mediet gjermane, ku sipas Prokurorit të Përgjithshëm hetimi ka zbuluar një pistë të re të arsyes së komplotit për vrasjen e deputetit Doshi. Çuditërisht edhe dje në Gjykatën Kushtetuese u shfaq Spartak Braho, por këtë radhë nuk dihet cila ishte arsyeja. Sipas prokurorisë, javën e ardhshme të dyshuarve Mark Frroku, Tom Doshi dhe të pandehurit Durim Bami do t’i komunikohen akuzat e “Kallëzimit të rremë” dhe “Deklarimit të rreme para prokurorit”, të gjitha në bashkëpunim dhe dosja do të dërgohet për gjykim pranë Gjykatës së Lartë.
Shitnin 1800 euro një diplomë, në gjyq 6 ish-punonjës arsimi
Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq 6 ish-punonjës të një universiteti privat, drejtorin, mësuesin dhe një sekretare të një gjimnazi në Fieri, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin shisnin diploma false kundrejt 1800 eurove. 3 të pandehurit nga Tirana kontaktonin me personat që kërkonin diploma të shkollës së mesme dhe më pas komunikonin me drejtorin dhe sekretaren e gjimnazit publik në Fier. Këta të fundit i pajisnin me dokumente që dëshmonte se kishin përfunduar studimet e mesme dhe më pas në mënyrë fiktive i regjistronin në shkollën e tyre, duke ju nënshtruar edhe Provimit Shtetëror të Maturës. Për këtë shërbim, të gjithë personat e përfshirë ndanin shumën prej 1800 eurosh për person.