PS e PD përplasen sërish për Tiranën

0
160

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike janë përplasur sot në lidhje me investimet e bëra nga Bashkia e Tiranës gjatë 4 viteve të qeverisjes së Lulzim Bashës.

Ishin socialistët me anë të Ervin Bushatit që hodhën akuzat ndaj Bashës, duke sjellë edhe reagimin e PD-së.

Më poshtë ndiqni deklaratat e dy partive politike për Tiranën.

Deklarata e PS:

“Lulzim Basha s’ka mbajtur asnjë premtim në këto 4 vite. E megjithatë sot e ka hapur thesin duke premtuar çudira që nuk ia besojnë më as kandidatët e Partisë së tij Demokratike.

Dje, ishte kandidati i tij për Tiranën zëri më i fundit që iu bashkua kritikave duke denoncuar premtimin e pambajtur të Lulit për ndërtimin e terreneve sportive në kryeqytet.

“Problemi kryesor është infrastruktura e sportit dhe e terreneve sportive, problemi fillon që nga A-ja”, – tha dje Halimi.

A i mbani mend premtimet e Lulit për sportin? Për investimet në terrene sportive dhe ndërtimin e të paktën një qendre sportive për çdo njësi bashkiake?

Siç e tha dhe vete Halimi, Luli jo vetëm që s’e ka mbajtur këtë premtim, por nuk e çoi dot as nga A-ja tek B-ja.

Premtoi çudira për sportin, por sot në fundin e mandatit të tij e ka katandisur dhe ekipin e Tiranës në ditë të hallit.

Lulzim Basha i di dështimet e tij më mirë se kushdo.

Prandaj zgjodhi të fshihet pas një kandidati si Halimi për t’i shpëtuar përballjes me votë në 21 qershor; Prandaj i shmanget qytetarëve të Tiranës tamam si një frikacak, ashtu siç i është shmangur si frikacak çdo përballje me dështimet dhe abuzimet e tij.

Vota e 21 qershorit do të jetë një mesazh i qartë për Lulin dhe Partinë Demokratike se qytetarët dinë t’i dallojnë mire mashtruesit.

Në 21 qershor qytetarët do të bëjnë zgjedhjen e drejte për ta çuar Tiranën dhe mbarë Shqipërinë në drejtimin e duhur”, deklaroi deputeti i PS-së, Ervin Bushati.

Reagimi i PD

“Sot nuk ka qytetar të Tiranës apo shqiptar që nuk e di se Lulzim Basha  i ka dhënë Tiranës vizionin e një qyteti modern dhe europian me Bulevard të ri, terminal multimodal, transport modern pasagjerësh me tram, 200 projekte të realizuara në infrastrukturë, kopshte, shkolla e çerdhe, 25 mijë vende të reja pune, etj.

Ndërsa Edi Rama si kryebashkiak betonizoi Tiranën, si kryeministër është përgjegjës për papunësinë, varfërinë, mjerimin, pasigurinë dhe eksodin. Por përgjigjen më të mirë do ta japin qytetarët më 21 Qershor.  Qytetarët shqiptarë pyesin sot ku është Edi Rama?

Pse nuk ballafaqohet me popullin e tij? Pse fshihet pas papagajve të tij? Pse fshihet nëpër salla të errëta ku prezanton kandidatët larg syve të qytetarëve? Revolta popullore e ka futur sot në depression Edi Ramën por është e sigurt se me ndëshkimin që do marrë me 21 Qershor, nuk do të ketë doktor që ta marrë në dorë”, tha përfaqësuesja e PD-së, Reila Bozdo.