Korçarët kanë mundur në transfertë verilindorët me rezultatin minimal 0-1 falë golit të Lilajt në minutën e 64-t
Skënderbeu merr hak ndaj Kukësit. Pasi verilindorët i eliminuan nga kupa, korçarët përfituan nga ndeshja në kampionat për t’i nxjerrë nga gara për titull. Një gol i Sabiel Lilajt u dha fitoren kampionëve në fuqi, që lënë 6 pikë mbrapa rivalët verilindorë, duke i mundur për herë të parë në histori në kampionat, brenda në fushën e tyre. Dalja me të kuq e Smajlit në pjesën e dytë kushtëzoi lojën e formacionit të Shaqirit, që në inferioritet nuk arriti të ruante barazimin dhe për shkak të Berishës, që, në fakt, ishte futbollisti kryesor i korçarëve në këtë 90 minutësh. Tensioni i një ndeshjeje direkte për titullin dhe i rezultatit u ndie që në minutën e parë, me lojtarët që patën një moment nervozizmi mes tyre, i cili gjithsesi kaloi shpejt duke ia lënë vendin futbollit, me Radasin që në të 3-ën për pak sa nuk gjeti epërsinë me një goditje me efekt që u largua nga Stazhilla. Kukësi pati më shumë iniciativën, por rasti edhe një herë tjetër iu paraqit Skënderbeut, vetëm se këtë herë Progni goditi jo mirë. Pit, që ishte një ndër më të mirët për verilindorët, në të 37-ën udhëhoqi vetë një aksion personal, por goditja e fortë përfundoi jashtë. Pjesa e dytë nisi sërish e barabartë me ekuilibrin që u prish vetëm në të 61-ën, kur Smajli mori kartonin e dytë të verdhë, duke lënë me 10 vetë Kukësin. Vetëm 3 minuta i mjaftuan Skënderbeut për të shfrytëzuar epërsinë numerike në fushë, me Berishën, që pasi nxori jashtë loje Smajlin, hyri mirë në zonë, duke pasuar për Lilajn golin e fitores. Kukësi, edhe pse me 10 vetë, nuk u dorëzua dhe dy minuta më pas Dushku erdhi mirë pas shpine për të goditur me kokë, por gjeti gati Shehin. Gjithsesi, Skënderbeu dy minuta pati mundësinë për të mbyllur ndeshjen, me Stojkovin dhe Berishën, por në të dyja rastet Stazhilla reagoi mirë, duke mbajtur në lojë vendasit. Në të 85-ën, mundësia iu paraqit sërish Dushkut që nuk i besoi hapësirës që kishte përpara tij duke gabuar në pasim. Mundësinë e fundit Kukësi e shpërdoroi në minutën e 93-të, moskonkretizimi i së cilës pothuajse largon nga gara për titullin verilindorët, duke i dhënë një fitore tejet të rëndësishme Skënderbeut që e sheh gjithmonë e më shumë veten lider të Superiores. Suksesi përballë një rivali të fortë e direkt, si Kukësi, për më tepër në shtëpinë e tij, e bën të vështirë për Mirel Josën që të fshehë emocionet. Për trajnerin e Skënderbeut, edhe barazimi mund të ishte i pranueshëm, por duke analizuar lojën e kundërshtarit, Josa këmbëngul se fitorja ishte detyrim. “Ishte fitore e rëndësishme për ne. Kemi parasysh që vinim në Kukës për dy rezultate. Bëmë një vendosje tjetër të skuadrës, duke pasur parasysh lodhjen e ndeshjeve të kupës. Skuadra u shpreh mirë, ishim racionalë në qarkullimin e topit. 1 pikë sot, me lojën e Kukësit nuk do të ishte sukses”. Nëse për Josën Skënderbeu nuk mund të konsiderohet ende kampion, më pak diplomat është kapiteni Bledi Shkëmbi, për të cilin korçarët janë pa diskutim më të mirët. “Ishte ndeshje në momentin më të vështirë, ndoshta më e rëndësishmja deri në fund. Mendoj që bëmë ndeshje të mirë. Arritëm atë që dëshironim dhe treguam se jemi më të mirët. Veten e kemi ndier kampionë nga ndeshja e parë deri më sot”. Siç tha edhe Mirel Josa, gjithçka mund të ndodhë deri në fund, por Artim Shaqiri e ka të vështirë të besojë te mrekullia për Kukësin e tij, me fokusin që përpiqet ta kalojë te finalja e Kupës. “Ndeshja mbaroi, gjithçka duhet të ndodhte para fundit që mos të humbnim. E humbëm nga një gabim, e nisëm keq ndeshjen. Kartoni i kuq na dëmtoi shumë, pastaj erdhi edhe goli. E vërtetë që Skënderbeu luajti me taktikë tjetër, mbrohet më shumë. Në pjesën e parë kishim mundësi. Tani kemi finalen, të përgatitemi për atë”.
Kliçko mbron titullin kampion
Mbreti i peshave të rënda mbetet po i njëjti Vladimir Kliçko. Në duelin e zhvilluar në tempullin e boksit botëror “Madison Square Garden”, Brajant Xhenings, pavarësisht nga rezistenca e admirueshme, në fund iu desh të dorëzohej përpara gjyqtarëve dhe pikëve në favor të ukrainasit. Fitorja e 64-t në karrierë për “çekiçin e hekurt”, një rekord vërtet mbresëlënës për një nga personat që më së miri e kanë interpretuar dhe vazhdojnë ta interpretojnë një sport mjaft të vështirë si boksi. 39-vjeçari e kontrolloi betejën nga fillimi deri në fund, duke mos i lejuar hapësira boksierit nga Filadelfia, i cili vinte në këtë sfidë pa e provuar shijen e humbjes si profesionist, por nuk ishte e thjeshtë t’i qëndronte përballë një super-boksieri si Kliçko. Ukrainasi u përqendrua tek disa goditje në trupin e amerikanit, për të shkaktuar luhatjet e para e më pas nuk i kurseu edhe goditjet që i sollën pikët nevojshme, megjithëse në disa momente Xhenings reagoi madje duke dhuruar një boks të admirueshëm, por gjithsesi jo mjaftueshëm për të shqetësuar Kliçkon, dhe pas 12 raundeve gjyqtarët me vendim unanim i dhanë fitoren 39-vjeçarit. Hera e 18-të që Vladimir Kliçko mbron titullin kampion dhe aktualisht është zotëruesi i gjerdanit të artë në 4 federata WBO, WBA, IBF dhe IBO. Një dominim absolut, i cili vazhdon prej 10 vitesh dhe tashmë në shënjestër është sfida e radhës kundër kampionit të Evropës në fuqi, Tajson Furi.
Van Gal: Evertoni e meritoi fitoren
Menaxheri i Mançester Junajtidit, Luis van Gal, thotë se skuadra e tij nuk meritoi asnjë pikë në takimin ndaj Evertonit. “Djajtë e kuq” u mposhtën nga Evertoni me rezultat 3-0 dhe, sipas holandezit, lojtarëve të tij u mungoi shpirti luftarak. “Gjithmonë kemi pasur më shumë shpirt luftarak në fushë dhe mendoj se kjo është ndeshja e parë që skuadra kundërshtare luftoi më shumë se ne”, – citon “BBC” fjalët e tij. “Kjo është hera e parë që e kam parë një skuadër më të motivuar dhe më agresive se ne. Nuk është mirë, por ne jemi qenie njerëzore. Evertoni e meritoi fitoren, rezultati është i drejtë dhe duhet të pranojmë”, – ka theksuar Van Gal.
Shqipëria në vazon e katërt për Rusi 2018
Shqipëria do të jetë në vazon e katërt në shortin e eliminatoreve të Botërorit të ardhshëm. Shorti do të hidhet në Shën Petërsburg, më 25 korrik, ndërkohë që eliminatoret do të nisin në shtator të 2016-ës. Shumica e grupeve do të jenë me gjashtë skuadra dhe duke qenë në vazon e katërt, i jep mundësinë Shqipërisë të ketë në letër dy skuadra më të dobëta në grup. Duhet kujtuar se vetëm e para e grupit dhe e dyta më e mirë shkojnë në Botëror, ndërsa të dytat e tjera bëjnë ndeshje play-off, transmeton “sportal”. Shqipëria ka një shans teorik të jetë në vazon e tretë, por që të ndodhë kjo duhet të mundë Francën në qershor, si dhe të paktën shtatë ekipe kombëtare të humbasin ndeshjet e tyre, gjë që është praktikisht e pamundur. Në shortin e Evropianit Shqipëria ishte në vazon e pestë, por rezultatet pozitive e ngritën në renditjen e përfaqësueseve sipas UEFA-s për zonën e Evropës.
Avdijaj merr pasaportën shqiptare
Sulmuesi i talentuar, Albion Avdijaj, më në fund është pajisur me pasaportë shqiptare. Anëtari i skuadrës gjermane Volfsburg II, ka qenë i grumbulluar me kombëtaren U21 të Shqipërisë, por nuk ka mundur të luajë në ndeshjet zyrtare. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i ka dhënë nënshtetësinë shqiptare sulmuesit gjakovar. Avdijaj më parë ka luajtur edhe për grupmoshat e Zvicrës, ndërsa ka përfaqësuar edhe Kosovën në ndeshjet ndaj Turqisë dhe ndaj Senegalit. Ai tani do të jetë i gatshëm për kombëtaren U21 të Shqipërisë në të gjitha ndeshjet.
Hysaj: Synimi, Francë 2016
Elseid Hysaj, mbrojtësi i fuqishëm shkodran i Empolit në Serinë A, ka folur për kombëtaren kuqezi për gazetën “Il Tirreno”, edicioni i Empolit. “Me kombëtaren shqiptare shpresojmë të kualifikohemi në Evropian, do të ishte një rezultat historik, pasi Shqipëria nuk ka arritur kurrë të marrë në fazën finale të një kompeticioni ndërkombëtar. Ka akoma për të luftuar, por shpresojmë që të mund ta arrijmë këtë objektiv të madh, para së gjithash për tifozët tanë”, – tha Hysaj për gazetën italiane. Elseid Hysaj e ka të qartë se tek Empoli ka një konkurrencë të madhe, por kjo nuk e tremb atë. Mbrojtësi shqiptar është gati të sfidojë shokët e tij të repartit për një vend titullari. “Fakti që ka më shumë konkurrencë është diçka e mirë. Ne nuk duhet të mendojmë se kush luan apo jo, por duhet të stërvitemi më mirë dhe të japim një kontribut të rëndësishëm për skuadrën në këtë moment final të sezonit”, – tha Hysaj për gazetën “Il Tirreno”, edicioni i Empolit.