Jacques Chessex
Jacques Chessex (1934-2009) në mars 2005 fiton çmimin Bursa e Goncourt-it për veprën e plotë poetike, çmim prestigjioz ky, të cilin e kanë fituar dhe poetë të tjerë të famshëm si Philippe Jaccottet në 2004 dhe Andrée Chedid në 2003. Poezitë që po i paraqitim lexuesit janë shkëputur nga vëllimi “Si koskë”. Ato mbartin një fajësim përpara mëtimit të vazhdueshëm të mishit dhe “enigmës së gabimit”
Ujk je aty
Vrapojmë në pyjet e kujtimeve
Meqë vdekja nuk është aty
Po të qe vdekja bubu
Do të na mbante si pre
E pra meqë s´është aty
Ne s´do të shkalafitemi
Ujk ku je ti
Ujk ç´bën aty
E çvoksh lëkurën prej njeriu
E fringëllij mishin vdekësor
Ujk ku je ti
Ujk ç´bën aty
E braktis ç´më ka mbetur prej flokëve
Me tabanin e kafkës sime zbavitem
Duke i lënë eshtrat të shpërbëhen
në xëx
Ujk ku je ti
Ujk ç´bën aty
Tani jam me të vërtetë cullak
Më së fundi gëlltit përjetësi
Dashuri e zbrazët kjo epshëri
Në skeletin prej bishe të panjohur më parë.
Nata e dëborës
Dëborë, diell, mjaltë i zi i grackave
E qeshura e Tjetrit, lypësit të thërrimeve tona
Atij që nuk rresht
Në fund të plasave të padukshme.
Jam një fshat i braktisur mbi kodrinën pa ujë
Një rrugë kërnallë që s´të çon kërkund
Kur erdhi dëbora
Vetëm syliqokat
Me qerthujt e ngjirur
E kanë ngjatjetuar vetminë time
Prita Krishtlindjen
Gjeta të keqen, të vrugtën, dëbora nuk mundëte hiç
Dhe e keqja, e qeshura e atij që nuk flinte
Ka pështyrë lindjen time në buzë të greminave
Pro fano
Kam ngjëruar bukën e mykur të modernëve
Dhe mëshirën e një dromce agsholi kam patur
Buka e Filistinëve ishte nata e allçinjtë
Thërrmija ka ndriçuar një ditë të zjarrtë
S´kam zgjedhur sinore, tha gomari
Kam për t´u hapur
Si një mjekër profeti, tha gjëmbaçi
Prej përkryeshmërisë në modë dhe shemimit të vdekjeve
Mbretërisë diellore i përkisnin si njeri dhe tjetri
S´është e vërtetë, dua të flas, tha profeti
Vuvosuni dhe damllosuni pa bërë fare gëk
Një pikë limoni aguridh do të shtrydh mbi floririn e rremë
të gënjeshtrave tuaja
Hënë e plotë
Edhe një natë tjetër kam fjetur në fqinjëri
me varrezën
E kthjellët qe koha, ëndërrova
Pesha e tuleve dhe arratia e gjarpërit
nën firifiun e erës
Janë tek kjo ëndërr, në zonën gjethedendur
Poshtë kullusmës së urthit të zi
Ku nuk qesh më zogu i profecive
Kam ëndërruar sikur ëndërroja peshën e tuleve
Nën kubenë e kullusmës dhe urtheve të zinj
prej kurthesh të moçëm
Kurrfarë e qeshur ironike zogu nuk më zgjonte
Asnjë paralajmërim në zgrip të plagës
O mazgallë vdekëtare
E hapur poshtë lumit dritësues të hënës
Pesha e urthit pa tule, kullusma fajtore
manaferrash
Dhe ti gjarpër bredharak mbi gurin e zi
këngëzon në gjethet cullake, plor i rërës
Por në përkohshërinë e asnjë oguri puplor
Çfarë qetësie në vështimin fosforeshent
Ja ku është bërë, ëndërroj, kam ëndërruar
Hëna e plotë qesëndis këto mbrapuri
Humbas gjurmën, rrugën e bardhë
Humbas hapësirën dhe dritën
O trishtim i mishrave tona, vurrata
Përrenjsh të zemrës, gërmadhat e ditës
zgjohen
Unë humb hapësirën e krahëve të shpalosur
Duke u burgosur në fashëza ngjitëse
Si një mumje që qesh gjithë ditën me
gllënjka trishtimi.
Drejt mbrëmjes
Gjak mëndafshëror që kullohet
Kur vajza kruspulloset në gjelbërim
(dega e mbron, thotë ajo)
Duket e kuqja grafulluese
Të rrjedhë prajshëm prej kofshëve të saj
Në feçkën e motmoçme të pyllit
Pikat avullojnë në plehun e zi
O shtëpi e pendimeve
Që matanë mureve të padukshme
Vera gjithmonë përkëdhel rrëznajën
Ku të bindur për mëkatet e mia
Të gjen drita e trëndafiltë
Këshilla e drurit
-Po ti, o dru,
në rrëzë të natës?
-Dëgjoj recitimin e zogut
Mçehur në hije mbi degën e ulët
-E çfarë thotë zogu përpara natës
Dru i njëmendët
Kur kënga është kaq ngashënjyese
Për t’ u marrokotur prej pyetjes tënde?
-Kundroj gjumin të buthtojë prej tokës
Dhe ty të kapllon, kuvendues
Kur ti fle recitoj gjerdanin e lotëve
të tu
Në degët e mia, në mugullimë.
-Po ti, o dru
Dritë e hapërdarë
Kurth i çastit
Ç’ këshillë ke për kalimtarin e vonë
Ç’ farë ligjërimi për të dashurin?
-Ajgëtoj ëndrrën e shapllamosur të orëve
Të mbërrijë si gjaku në trup
Prej tokës së damllosur dhe rioshe
Ku pi reja e kohës
-Po ti, o dru
Vith i palëvizshëm
Mbi kodrinën ku rreh rrebeshi
Çfarë thotë era e skajit
Mërzia e lagësht, zgafella e lotëve?
-Unë s’ kam strehë, apo orë
Kundroj punën e ëngjëjve shpëtimtarë
Të ngritur rrudhën e shiut
Dhe koha shkrihet me mua.
Dhe ti, o dru
Djersë e natës
Gënjeshtër e ëndrrës
Do ta shëosh vallë pyetësin?
-Kumbisu, mik, këndelle shpirtin
Prej diskutimeve tona rri larg
(E cili dru i hapur në venat e tua
mund të t’ i gruponte dredhimet sakaq?)
I përktheu: Balil Gjini