Artan Cena
Deputeti i Shkodrës, edhe pse është lënë i lirë, është shfaqur i pakënaqur. Ditën e nesërme do t’i komunikohen akuzat e Prokurorisë
Gjykata e Lartë ndryshoi masën e sigurisë për Tom Doshin. Kolegji Penal argumentoi se në gjendjen ku ndodhen aktet e dosjes së deputetit, mund të hetohet në gjendje të lirë, me masën e sigurisë detyrim paraqitjeje dhe se nuk është e nevojshme mbajtja e tij në arrest shtëpie. Doshi duhet të paraqitet çdo të hënë në Prokurori në orën 10. Në përfundim të seancës, deputeti i Shkodrës u shpreh i pakënaqur me vendimin dhe tha se Gjykata vendosi nën presionin e kryeprokurorit Llalla, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Kuvendit, Meta. Megjithëse i lirë për të lëvizur, Doshi sqaroi se këtë të enjte nuk do të shkojë në Parlament, por paralajmëroi se do të jetë aty shumë shpejt për t’u thënë shqiptarëve të vërtetën.
Lirimi i Tom Doshit
Ajo e djeshmja ishte hera e fundit që deputeti Tom Doshi shoqërohej nga efektivë policie drejt dyerve të Gjykatës së Lartë në lidhje me çështjen e atentatit ndaj tij. Kolegji Penal i kësaj Gjykate urdhëroi lirimin e deputetit shkodran nga “Arresti shtëpiak”, duke i caktuar një masë më të butë sigurie, “Detyrim për paraqitjeje”. Seanca gjyqësore zgjati për më shumë se dy orë, ku palët parashtruan argumentet e tyre, kundër dhe pro lirimit të deputetit Doshi. Avokatët ishin të parët që folën para Gjykatës, duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë. Ata thanë se Prokuroria nuk ka prova që implikojnë deputetin shkodran në kryerjen e tri veprave penale. Avokatët i kujtuan Gjykatës se ekspertimet e kryera nga Prokuroria në aparatin celular të deputetit Doshi, dy USB-të dhe kompjuteri personal nuk provuan pretendimet e Durim Bamit për kanosje. Vetë deputeti tha se asnjë akuzë ndaj tij nuk qëndron duke kërkuar lirimin nga arresti shtëpiak. Prokurorët kundërshtuan pretendimet e mbrojtjes, duke kërkuar nga Gjykata të mos i ndryshojë masën e sigurisë deputetit, pasi ende nuk janë marrë të gjitha provat e akuzës. Me dëgjimin e palëve, Gjykata u tërhoq për vendim, duke lënë në sallë deputetin Doshi, i cili nuk ngurroi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve. Ai tha se në Shkodër nuk do të fitojë Partia Socialiste dhe kandidatja e tyre Keti Bazhdari, pasi shkodranët, sipas tij, nuk kanë ujë e bukë në shtëpitë e tyre, sepse qeveria nuk ka investuar. Doshi ironizoi disa herë Erion Veliajn, kandidatin e përzgjedhur nga PS-ja për Bashkinë e Tiranës, duke treguar qartë se nuk do të jetë mbështetës i tij. 30 minuta pas këshillimit, Gjykata e Lartë vendosi ndryshimin e masë së sigurisë nga “Arrest shtëpiak” në “Detyrim paraqitjeje”, duke lejuar kështu deputetin edhe të marre pjesë në Kuvend apo në fushatë elektorale.
Akuzat ndaj Ramës
Për herë të parë para medieve që pas arrestimit të tij, deputeti Doshi, u shpreh i pakënaqur me vendimin. Ai tha se Kryeministri Edi Rama ka braktisur socialistët dhe po i shërben kreut të LSI-së, Ilir Meta. Në dalje të Gjykatës, edhe avokatët shprehën rezerva për vendimin, duke thënë se Gjykata vazhdon të jetë nën presionin e politikës. “Jam i pakënaqur me vendimin e parë dhe atë të sotëm, sepse akuza nuk ekziston. Gjykata ka qenë nën presionin e Edi Ramës dhe Ilir Metës”, – ka thënë Doshi, i cili ka hedhur akuza direkte ndaj Ramës. “Rama po shijon pushtetin, nuk i interesojnë zgjedhjet lokale. Ai i ka braktisur të gjithë socialistët dhe po i shërben vetëm LSI-së”, – ka thënë ai. Doshi ka shtuar se do t’u qëndrojë deklaratave të tij në adresë të krerëve të koalicionit qeverisës deri në fund të kësaj çështjeje. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe avokati i tij, Vladimir Meçi. “Gjykata duhet të zbatonte parimin e ligjshmërisë dhe jo atë të oportunitetit. Gjykata tregoi hapur se është nën presionin e politikës, ndaj ne do të vazhdojmë betejën tonë”, – ka deklaruar Meçi. Ai bëri të ditur se trupa e avokatëve do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të shpallur të paligjshme veprimet e Parlamentit ndaj klientit të tij, ndërsa ka paralajmëruar se do t’i drejtohen edhe Strasburgut. “Strasburgu mbetet objektivi ynë, nëse Kushtetuesja nuk miraton kërkesat tona. Faktori ndërkombëtar na ka inkurajuar në sipërmarrjen tonë për të mbrojtur jo vetëm deputetin Doshi, por të atyre standardeve të sanksionuara në konventat ndërkombëtare”, – ka shtuar Meçi. Edhe pse u lirua nga arresti shtëpiak, deputeti Doshi do të vazhdoje të jetë nën hetim. Të enjten në orën 10:00, deputeti Doshi është thirrur në Prokurori për t’iu komunikuar akuza dhe vendimi i dërgimit të dosjes në gjyq.
Petrit Çinari padit Vasilin, kërkon 150 mijë euro dëmshpërblim
Personi që akuzoi babain e Ilir Metës se e kishte kontaktuar për të vrarë Tom Doshin, Petrit Çinari, ka paditur Petrit Vaslin për shpifje. Shkak për këtë padi është një deklaratë e deputetit të LSI-së, ku shprehet se Tom Doshi i ka dhuruar gruas së Çinarit një apartament 80 metra katrorë si shpërblim për dëshmi të rreme. Në një shënim në “Facebook”, Tom Doshi është shprehur se Petrit Çinari është porositur nga babai i Ilir Metës për ta vrarë, duke qenë se sipas Doshit, Çinari ishte një snajperit shumë i mirë, e veç kësaj edhe i njohur me babain e Metës. Pas këtij komenti në “Facebook”, deputeti i LSI-së, Petrit Vasili, gjatë një deklarate për mediet tha se Tom Doshi kishte njohje me Petrit Çinarin. Për të vërtetuar këtë Vasili publikoi dy dokumente, një certifikatë familjare të Çinarit në të cilën zbulohej emri i gruas së këtij të fundit dhe një dokument hipotekor ku, sipas Vasilit, vërtetohej se Doshi i kishte dhuruar një banesë 80 metra katrorë gruas së Çinarit pak para dëshmisë për atentatin. Çinari thotë se kjo është shpifje dhe për këtë arsye ka paditur Vasilin. Ai kërkon nga Vasili 150 mijë euro dëmshpërblim.
Pas Doshit edhe Mark Frroku kërkon lirinë në Kushtetuese
Avokatët e Mark Frrokut i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar lirimin e tij dhe lejimin e pjesëmarrjes në aktivitetin parlamentar si deputet. Në kërkesën drejtuar institucionit më të lartë të drejtësisë në vend, që mban datën 27 prill, avokatët Saimir Visha dhe Genc Gjokutaj kërkojnë interpretimin e nenit 71, pika 2 të Kushtetutës, në lidhje me vlefshmërinë e mandatit të deputetit Mark Frroku dhe me lejimin për pjesëmarrjen e tij në punimet e Kuvendit. Sipas avokatëve deputeti që ka mandat, por që është me masë sigurimi “Arrest në burg” apo “Arrest shtëpie”, për sa kohë nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi, ka të drejtë të marrë pjesë në seanca plenare apo në mbledhjet e komisioneve parlamentare në Kuvend. Mark Frroku është në arrest me burg që në datën 2 prill, pas caktimit të kësaj mase nga Gjykata e Lartë për një vepër penale në Belgjikë.