Ervin Kaduku
– Shifrat për të ardhurat nga akciza dhe taksat e punës janë dramatike dhe tregojnë, ose një ekonomi praktikisht të asfiksuar, ose një kontrabandë që po gëlon si asnjëherë tjetër
– Qeveria bëhet gati të tejkalojë 300-milionëshin e eurobondit
Deri tani, kurrë më parë, në historinë e Financave publike shqiptare, edhe në ditët më të zeza të tyre, Buxheti i Shtetit nuk ka përjetuar mosrealizim të ardhurash tatimore prej 6.2 miliardë lekësh vetëm në tre muaj. Këto janë, fatkeqësisht për banorët e këtij vendi, nivelet e krizës buxhetore, e cila, nëse nuk do të adresohet në kohën e duhur, do ta marrë ekonominë “përpara”.
Pas një vonese rekord, Ministria e Financave publikoi të dhënat e detajuara të realizimit të zërave të Buxhetit për tremujorin, niveli i të cilave dukshëm shpjegon vonesën e publikimit të tyre.
Të ardhurat totale janë 2.6 miliardë lekë më pak se plani. Por, ato kanë shpëtuar mirë me kaq, vetëm në sajë të pagesës së kompanisë celulare për të fituar licensën e 4G, si dhe nga rritja voluminoze e tarifave që duhet të paguajnë studentët dhe familjet e tyre, tarifa këto, të rritura në kurriz të tyre për të mbushur një arkë gjithnjë e më problematike.
Por janë të ardhurat tatimore per 3-mujorin, ato që tregojnë performancen e fiskut dhe ekonomisë, e këto shënojnë 6.2 miliardë lekë apo 50 milionë dollarë më pak se planifikimi për këtë periudhë të vitit. Tatimet dhe doganat paraqiten kështu për 3-mujorin me 5.3 miliardë lekë të grumbulluara më pak se plani.
Sipas statistikave fiskale të Ministrisë së Financave të ardhurat nga tatimet dhe doganat shënuan për periudhën janar- mars, një mosrealizim prej 8.6 për qind në krahasim me planin e këtij viti dhe 2 për qind më pak në krahasuar me faktin e një viti më parë. Ministria e Financave i kishte parashikuar këto dobësi në muajt janar dhe shkurt të paktën për tatimet, për shkak të aplikimit të sistemimit të ri online duke pritur një rikuperim në muajt e mëvonshëm. Por duket se, edhe marsi solli të njëjtën situatë.
Rezultatet për të ardhurat nga akciza dhe taksat e punës janë dramatike dhe tregojnë, ose një ekonomi praktikisht të asfiksuar, ose një kontrabandë që po gëlon si asnjëherë tjetër. Për ata që e njohin buxhetin, këto janë statistika krize.
Ja si paraqitet mosrealizimi nga Tatimet e Doganat në tre muaj vitet e fundit:
Viti Mosrealizimi
2011 -2 mld lekë
2012 -2.5 mld lekë
2013 -4.7 lekë
2014 -0.5 lekë
2015 -5.3 lekë
Doganat në rënie të lirë
Dobësitë e shfaqura qysh vitin e shkuar në mbledhjen e të ardhurave doganore arritën kulmin në muajin mars, ku të ardhurat ranë me 32,5% në raport me planin, duke shënuar një rekord në mosrealizimet e njohura deri më tani. Rënia është e madhe edhe krahasuar me faktin e vitit që shkoi. Në muajin mars 2015 doganat grumbulluan 14.7 për qind më pak të ardhura se një vit më parë.
Si tre mujor, të ardhurat shënuan rënie 11.5 për qind në raport me planin e 2015 dhe 6.9 për qind krahasuar me faktin e 2014. Siç shihet nga zërat e veçantë rënien më të madhe e kanë të ardhurat nga renta dhe të ardhurat nga akciza. Të ardhurat nga renta shënuan një rënie me 61.1 për qind për shkak rënies së çmimeve të naftës dhe minerale në tregjet ndërkombëtare. Rënia e akcizës në dogana për janar-mars ishte 28 për qind krahasuar me planin dhe 15% krahasuar me faktin. Arsyet lidhen me rënien e importeve të mallrave të akcizës. Por shoqata e hidrokarbureve pohon se pavarësisht se, importet e hidrokarbureve kanë rënë , konsumi në vend nuk ka rënë po është rritur për periudhën në fjalë me 5 mijë tonë, pasi ka hyrë në treg nafta e vendit. Doganat mbledhin akcizë si për naftën e vendit ashtu edhe për naftën e importit, ndaj dhe rënia e importeve të naftës nuk justifikon mangësitë në vjeljen e akcizës. Dobësi janë shfaqur edhe në grumbullimin e TVSH në dogana, ku të ardhurat rezultuan 9% më pak se, fakti i 2014 dhe vetëm 1.7% më shumë se plani i këtij viti.
Tatimet groposen nga TAP
Të ardhurat nga tatimet shënuan rënie me 5,5 për qind në raport me planin e tremujorit të parë, por një rritje 3.7% me faktin e 2014. Plani u ndikua nga mosrealizim i thellë i tatimit mbi të ardhurat personale, të cilat shënuan rënie 30.3 për qind në raport me planin dhe minus 5 për qind në krahasim me faktin e vitit 2014. Të ardhurat nga TAP dhe sigurimet shoqërore po hasin dobësi këtë vit. Sektori privat duket se, ka deklaruar paga më të ulta referencë e për rrjedhojë arkëtimet në buxhet kanë rënë, si për TAP dhe Sigurimet shoqërore. Tatimi fitimi shënoi një rritje të lartë me 22.4% në raport me planin dhe 37.6% krahasuar me një vit më parë. Tejkalimi në këtë masë kanë dhënë suportin më të madhe në totalin e të ardhurave tatimore. Dobësi po shihen edhe në grumbullimin e TVSH. Gjatë tremujorit të parë tatimet arkëtuan 9.1 për qind më pak se, fakti i 2014 dhe 3.5% më shumë se, plani i këtij viti. Dobësitë vijuan edhe tek taksat nacionale të cilat ishin 12% më të ulëta në raport me planin dhe 5.6% më të ulta në raport me faktin e vitit 2014.
Qeveria do të rritë borxhin
Ndodhur përballë mosrealizimeve buxhetore, qeveria duket se ka gjetur rrugën më të lehtë për të dhe më të keqen e mundshme për taksapaguesit shqiptarë: të rritë borxhin me ritme edhe më të shpejta se sa deri tani. Zëvendësministri i Financave Erjon Luçi deklaroi në media se qeveria do të marrë sërish borxh në tregjet ndërkombëtare, përpara se eurobondi i emetuar në vitin 2010, të maturohet në nëntor të këtij viti. Por, sipas tij, edhe shuma, që do të merret hua, mund të jetë mbi 300 milionë euro, shifar kjo që ishte deklaruar më parë.
Eurobondi shqiptar preku interesa të larta në gjysmën e dytë të vitit 2011, që përkon edhe me kulmin e krizës së borxheve në Eurozonë. Por tejkalimi i më të keqes së krizës dhe programi i blerjes së bonove nga Banka Qendrore Evropiane, ka sjellë një qetësim të situatës dhe ulje të interesave, në nivelet minimale historike.
Kërcen sërish çmimi i naftës me pakicë
Rritja e çmimit të naftës gjatë javës së fundit, e cila ndodhi në “sinkron”, me një kërcim të çmimit 3 lek në të gjitha pikat ku tregtohet karburant, ka vënë në lëvizje edhe një herë Autoritetin e Konkurrencës. Në bazë të vendimit që mori në muajin shkurt, komisioni i konkurrencës i rekomandoi ministrisë së Energjisë që të nisë punën për ngritjen e njësisë së transparencës së këtij tregu. Në këtë letër, nisur në datën 9 prill, kryetarja e Autoritetit, Lindita Milo, i kërkon ministrit Gjiknuri ngritjen e një grupi pune të përbashkët për këtë çështje.
Ekspertët pranojnë si deri diku të justifikueshme rritjen e çmimit, si pasojë e rritjes së çmimit të naftës Brent në bursë, por edhe të asaj të Teksasit. Por më të shqetësuarit për këtë çështje mbeten konsumatorët. Ata shprehen se nuk është normale që çmimi i naftës në Shqipëri të jetë më i lartë edhe se në shumë vende të tjera të zhvilluara, të cilat kanë edhe cilësinë më të mirë. Njehsimi i çmimit të naftës në kohën që ai rritet në bursë dhe reflektimi i tij në kohë reale edhe në pikat e pakicës në Shqipëri ka lënë dyshime për marrëveshje të fshehta mes firmave që tregtojnë karburante. Por, ndonëse hapi një hetim, që zgjati 4 vjet, Autoriteti i Konkurrencës nuk arriti dot të konstatonte nëse ka situatë oligopol apo jo në tregun vendas. Për këtë arsye, ai tani kërkon ngritjen e një njësie, e cila t’i detyrojë tregtarët të raportojnë online çmimet në momentin që i ndryshojnë ato.
Nuk ndalet rënia e eksporteve, -2% si tremujor
Eksportet në total shënuan një rënie prej 2% për periudhën janar-mars 2015, duke zbritur në 58.3 miliardë lekë, sipas të dhënave të raportuara dje nga INSTAT. Ndikimin kryesor në këtë tendencë rënëse e kanë dhënë shitjet shumë të dobëta të mineraleve lëndëve djegëse e energjisë dhe performancë e dobët e tekstileve, ndërsa shpëtimtarët e eksporteve kanë qenë materialet e ndërtimit dhe makineritë e pajisjet.
Eksportet e mineraleve e lëndëve djegëse ranë me 30% në 14.3 miliardë lekë. Ndikimin kryesor këtu e ka dhënë rënia e eksporteve nga Bankers Petroleum, si për shkak të çmimeve më të ulëta ashtu dhe të faktit që, gati 40% të prodhimit Bankers po e shet në tregun e brendshëm. Shitje të dobëta kanë regjistruar dhe metalet e mineralet, këto të fundit për shkak të koniunkturës së pafavorshme të tregjeve ndërkombëtare. Pesha e këtij grupi, që deri një vit më parë ishte motori i eksporteve shqiptare, ka zbritur në 27%, nga rreth 35%, që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Eksportet e tekstileve e këpucëve kanë shënuar një performancë të dobët, duke u rritur vetëm me 1.3%, në 21.8 miliardë lekë, ndrysh nga viti i kaluar kur kjo industri u zgjerua me rreth 25%, duke dhënë ndikimin kryesor në rritje në 2014-ën.
Aktorët e tregut e kishin paralajmëruar këtë situatë, teksa industria, që ka si avantazh kryesor koston e lirë të fuqisë punëtore, po bëhet më pak konkurruese për shkak të rritjes së kostos së punës (energjia, shtimi i taksave etj), që po largojnë partnerët italianë. Tekstilet dhe këpucët kanë kaluar në grupmallin kryesor të eksportuar, me 37% të totalit. Materialet e ndërtimit dhe metalet kanë bërë kthesën duke u rritur me 36% në 10 miliardë lekë. Ky grup ka pasur si destinacion kryesor Italinë. Ky grup zinte 17% të totalit për tre mujorin.
Një tjetër grup që po shënon revolucion këtë vit është ai i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, që është rritur me 82% në 3.6 miliardë lekë. Sipas burimeve nga Doganat, eksportuesi kryesor i këtij grupi është kompania turke FMT, e cila monton gjeneratorë në Shqipëri dhe më pas i eksporton jashtë vendit, kryesisht në Itali. Gjithsesi, kjo kompani nuk është prodhues-eksportues i drejpërdrejtë, por punon në fushën e materialit të porositësit për produktet industriale.
Ulet me 12 për qind numri i abonentëve të telefonisë fikse
Numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse në fund të vitit 2014 arriti në rreth 247 mijë, që përbën një reduktim me 12% në krahasim me vitin 2013. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike (AKEP) rënia ka ardhur për shkak të vazhdimit të reduktimit të numrit të pajtimtarëve të Albtelekom, me 13% si dhe rënies me 9% të numrit të pajtimtarëve të operatorëve alternativë.
Norma e penetrimit për telefoninë fikse arriti në 8.7%, që është shumë më e ulët se në vendet e BE apo edhe të rajonit.
Gjatë vitit 2014 ka vazhduar tendenca viteve të fundit të operatorëve të telefonisë fikse për promovim të paketave tarifore me përfshirje minutash thirrje telefonike në pajtim mujor (bundles of minutes) si dhe kombinim të shërbimeve të telefonisë dhe aksesit në internet (bundles of services).
Sipas AKEP, dy operatorët më të mëdhenj alternativë, Abcom dhe ASC, tradicionalisht janë ofrues të shërbimeve akses në internet, telefoni dhe transmetim të shërbimeve televizive, dhe ofrojnë dhe paketa të integruara më të tre shërbimet në një shportë dhe me tarifë mujore të përbashkët.
Gjatë vitit 2014 edhe Albtelecom filloi ofrimin e paketave trefishe, Telefoni, Akses në internet dhe IPTV, dhe vihet re se në fund të 2014 rreth 20% e pajtimtarëve familjarë me akses broadband të Albtelecom ishin përdorues të këtyre paketave 3-fishe.
AKEP ka publikuar edhe tabelën që paraqet ecurinë e numrit të pajtimtarëve të telefonisë fikse të operatorëve kryesorë në periudhën 2010-2014. Nga të dhënat vihet re se Albtelecom dhe AMC (telefoni fikse nga rrjet celular) kanë pasur reduktim me 13% dhe 63% respektivish.
Të dhënat për numrin e pajtimtarëve sipas qarqeve tregojnë se rreth 41% e të gjithë pajtimtarëve të telefonisë fikse janë në Tiranë. Qarqet me penetrim më të madh të telefonisë fikse janë Tirana, Vlora, Gjirokastra dhe Korça me 11-13.4%, ndërsa qarqet me penetrim më të ulët janë Kukësi dhe Dibra me më pak se 3%.
Greqia kërcënon me referendum
Kryeministri grek, Alexis Tsipras, deklaroi se populli i tij mund t`i drejtohet referendumit për të vendosur nëse janë dakord ose jo me marrëveshjen e kreditorëve që mund të mos jetë në të njëjtën linjë me premtimet e fushatës elektorale kundër masave të shtrëngimit. Sipas Tsipras, grekët i kanë dhënë atij një mandat për të rinegociuar me kreditorët një marrëveshje që nuk do të përsërisë të njëjtin rreth vicioz mjerimi, dhe masash shtrënguese, por një zgjidhje prosperuese brenda kornizës evropiane. ”Nëse marrëveshja, e tejkalon këtë mandat, atëherë populli grek do të duhet të vendosë. Sigurisht jo nëpërmjet zgjedhjeve të reja” nënvizoi kreu i ekzekutivit helen. Gjithsesi, Tsipras u shpreh i bindur se situata nuk do të shkojë deri në këtë pikë, duke nënvizuar se pozitat e Greqisë brenda Eurozonës janë një çështje jetë a vdekje për Evropën, me implikime serioze gjeopolitike. Ditën e djeshme kryeministri grek urdhëroi riorganizimin e grupit të punës për negociatat, me shpresën se gjërat do të ndryshojnë. Në intervistën e tij rreth 2 orë e gjysmë të gjatë në një ndër televizionet greke, Tsipras akuzoi gjithashtu kreun e Eurogrupit Jeroen Dijsselbloem si dhe Bankën Qendrore Evropiane se e kanë trajtuar Greqinë në mënyrë aspak të barabartë me vendet e tjera duke thyer madje edhe premtimet. Lëvizja e Bankës Qendrore Evropiane e disa muajve më parë për të ulur tavanin e asistencës së likuidtetit ndaj bankave greke, ka marrë gjithashtu një kritikë të fortë nga kryeministri grek, i cili deklaroi se diçka e tillë i dha një goditje të fortë sektorit financiar grek. Për sa i përket kreut të Eurogrupi, Jeroen Dijsselbloem, Tsipras, deklaroi se ai ka thyer premtimet e dhëna. “Faji jonë i vetëm është që nuk kërkuam që këto premtime të nënshkruheshin” theksoi ai. Nga ana tjetër, Tsipras theksoi se kancelarja Merkel është e gatshme të gjejë rrugën e përbashkët, në mënyrë që të shpëtojë jo vetëm Greqia por e gjithë Evropa. Për sa i përket marrëveshjes përfundimtare, ai deklaroi se deri më tani Greqia ka përshkuar 70% të rrugës. ”Ne kërkojmë nga partnerët evropiane të plotësojnë 30% e mbetur”, nënvizoi Tsipras.