Rama: Veliaj do ta kthejë kryeqytetin në drejtimin e duhur, duke bërë shumëçka që padrejtësisht ka mbetur pa u bërë në 4 vite
Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se në 2 vjet qeverisje kabinetit të tij duhet t’i njihet merita se shqiptarëve iu rikthyen aspiratat. Ai pohoi se ka trashëguar një ekonomi të dërrmuar nga varfëria e aspiratave, që sipas tij është edhe më e rëndë se varfëria ekonomike. “Ne jemi të vetëdijshëm se kemi trashëguar një Shqipëri të dërrmuar, jo nga varfëria ekonomike, por në radhë të parë nga varfëria e aspiratave, sepse varfëria e aspiratave është varfëria që sjell të gjitha varfëritë e tjera. Varfëria e aspiratave ka bërë që në vend se ndihma ekonomike të shkojë tek ata që e meritojnë dhe të jetë më e lartë, të shpërndahet mes atyre që nuk e meritojnë në formën e një bakshishi politik”, – tha Rama. Në këtë kontekst ai pohoi se varfëria e aspiratave ka bërë që mbështetja për personat me aftësi të kufizuar të jetë si ajo shprehja “më ka çu nana me la gojën” dhe, “ndërkohë të mos ketë asnjë politikë për t’i integruar dhe për t’i mbështetur realisht, për dinjitetin e tyre personat me aftësi të kufizuar”. Sipas kreut të qeverisë, varfëria e aspiratave ka bërë që në Shqipëri për vite të tëra, të rinjve dhe të rejave t’u jepej si i vetmi destinacion i mundshëm universiteti. “Për universitet t’u servirej shpeshherë thjesht një fabrikë që prodhonte diploma, ku diplomat bliheshin dhe nuk merreshin përmes dijes, ku paratë e prindërve, të kursimeve të tyre, të sakrificave të tyre, shkonin dëm, me iluzionin se fëmija bëhej ekonomist, bëhej jurist, bëhej inxhinier e kështu me radhë. Në fakt, pas përfundimit të studimeve fëmija ishte një i papunë”, deklaroi Rama duke theksuar se ishte krena që i kishte shpallur luftë në radhë të parë varfërisë së aspiratave. “Ne i kemi shpallur luftë në radhë të parë varfërisë së aspiratave që e ka ushqyer këtë vend në mënyrë të vazhdueshme me iluzione, me gënjeshtra dhe në fund fare me atë shprehjen “hë se Shqipëri është dhe Shqipëria kështu e ka”, – deklaroi kryeministri.
Kandidati për Tiranën
Kryeministri Edi Rama prezantoi dje me ministrin e Mirëqenies Sociale projektligjin e fundit që mban firmën e Erion Veliajt, atë të zejtarisë, që parashikon çeljen e një dhome mjeshtrash, zanati i të cilëve sigurohet përmes certifikimit. Një ditë para dorëzimit të detyrës, pasi ditën e sotme Veliaj do të japë dorëheqjen si ministër për t’iu përkushtuar garës për kryebashkiak, Rama nuk kurseu lëvdatat për kandidatin e së majtës. “Do bëjmë më të mirën që të gjejmë një zëvendës të denjë për një ndër ministrat më të suksesshëm, më të vullnetshëm dhe më punëtor të qeverisë tonë, i cili pas pak ditësh do t’i përkushtohet plotësisht një përpjekjeje të re për ta kthyer kryeqytetin në drejtimin e duhur dhe për të bërë për Tiranën në 4 vitet e ardhshme shumëçka që padrejtësisht ka mbetur pa u bërë në 4 vitet e shkuara, por edhe më shumë se kaq. Për të bërë për Tiranën në 4 vitet e ardhshme, së bashku me qeverinë kombëtare, atë që nuk është bërë në 20 vjet të marra së bashku”, – tha Rama. Ndërkaq kreu i qeverisë dhe ministri Veliaj lëshuan edhe një herë thirrje për të kthyer sytë nga arsimi profesional, i cili u jep të rinjve më shumë shanse për të gjetur një vend pune.
Deputetja në linjë me Blushin/ Arta Dade: Qeveria të krijojë shpresë për qytetarët, nëse nuk do largime nga vendi
Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade, e pranishme në tryezën me temë “Shqipëria dhe Kosova, e ardhmja e përbashkët” foli dje për eksodin e shtetasve të Shqipërisë e Kosovës, duke e vënë gishtin tek qeveritë. Sipas Dades, u takon qeverive të krijojnë shpresë për qytetarët. “Qeveritë të krijojnë shpresë te qytetarët, qeveritarët të mos justifikohen me deklarata. Të krijohet klimë pozitive për bizneset, të krijohet perspektivë për qytetarët tanë”, – tha Dade. Sipas deputetes socialiste, duhet të kufizohen tentativat për largime nga vendi. “Nëse s’duam largime, t’u sjellim qytetarëve Evropën”, – shtoi Dade. Ndërsa deputeti demokrat Aldo Bumçi deklaroi në këtë tryezë që bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të vijë përmes SHBA-BE. “Shqiptarët avancuan shumë pas rënies së komunizmit. Rruga e Kombit është urë e mire lidhëse me Kosovën. Ka shumë rëndësi bashkëpunimi parlamentar”, – deklaroi ai.