“Ende s’kemi vendosur për bashkëpunimet, të hapur për PD e PS. Kandidati në Himarë s`ka probleme që lidhen me rekorde kriminale”
Kreu i PBDNJ-së, Vangje Dule, deklaroi dje se anëtari i Kryesisë së PS-së, i cili së fundmi ka shprehur një sërë kritikash ndaj qeverisë së majtë është ndër të vetmit që ia vlen të dëgjohet në sallën e Parlamentit. I ftuar në emisionin “Studio e hapur” e gazetares Eni Vasili në “News 24”, Dule tha: “Blushi ka këndvështrimin e tij dhe ai është i vetmi që mund ta dëgjosh me vëmendje në sallën e Parlamentit, edhe atëherë kur je dakord, edhe atëherë kur nuk je dakord. Aty ka një problematizim te politikanëve”, – tha Dule. I pyetur se çfarë është bërë mirë dhe çfarë ka ngecur me qeverinë e majtë, kreu i PBDNJ-së theksoi se problemi kryesor qëndron tek krahasimi me qeverinë e kaluar. Pika e referimit për shumë anëtarë të kabinetit është se çfarë ndodhte me qeverisjen e parë. Ata që na votuan, na votuan për të ndëshkuar paraardhësit. Por tek jo qeveri mungon kryefjala, e cila është çelja e negociatave me BE-në. Pse nuk kemi diskutime, pse nuk kemi shpresë për t’u hapur negociatat”, – theksoi ai. Ndërkaq, pyetjes së gazetares për komentet që flasin për qeveri amatore, Dule iu përgjigj duke pohuar: “Ka ministra amatorë, por jo qeveri amatore”.
Koalicioni
I pyetur në lidhje me koalicionin që ka me PS, Dule tha se ai po rishikohet. “Po, do ta rishikojmë koalicionin. Kjo s’ka lidhje me Idrizin, kemi platforma të ndryshme me të. Nuk jam kundër askujt, por kundër fenomeneve dhe praktikave që nuk kanë asgjë të përbashkët me frymën evropiane”, – tha Dule. Duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit si me PD ashtu edhe me PS në këto zgjedhje, kreu i PBDNJ tha se ka ende kohë deri ditën e shtunë, që është afti i fundit për dërgimin e kandidatëve në KQZ. “Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjitha ato parti që kanë parasysh edhe dimensionin human. Ftoj për bashkëpunim edhe PS, edhe PD, ndaj nuk shtrohet çështja tek drejtimi i vendit, por tek bashkitë. Do dëshironim që PS të mbështeste kandidaturën dhe programin tonë, se janë adekuat. Por ka kohë deri ditën e shtunë”, – pohoi ai. Po ashtu Dule foli edhe lidhur me fenomenin e eksodit në vend, ku tha se situata ekonomike është problematike. “PS duhet të jetë më afër këtyre shtresave sesa atyre që nuk e kanë problem. Duhet të ishte folur me një terminologji më të plotë me qytetarët”, – u shpreh ai. Sa i takon kandidatit në Himarë, i cili është përfshirë në listën e atyre kandidatëve me probleme me inkriminimin, Dule tha se në këtë çështje nuk ka asgjë të vërtetë. “Në vitin 2007 në Himarë kandidoi Vasil Bollano dhe u manipulua procesi. Në 2003-shin ndodhi e njëjta gjë. Në qoftë se do t’i bënim Bollanos një profil mbi bazën e shkrimeve në gazetë sot do kishim shkruar një libër me akuzat ndaj tij. Beleri ka një dëshmi penaliteti të bardhë në Republikën e Shqipërisë dhe nuk ka asnjë çështje të hapur penale”, – deklaroi kreu i PBDNJ.
Meta, pjesë e përgjimeve të opozitës maqedonase, transkripti i bisedës me Thaçin
Publikimi i materialeve të përgjimit nga opozita maqedonase ka zbuluar se edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, është përgjuar gjatë një bisede telefonike që ai ka pasur me kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi. Bëhet fjalë për një bisedë në nëntor të vitit 2012, gjatë kohës që Ilir Meta në koalicion me PD-në, mbante vetëm postin e deputetit në Kuvend. Mediat shqiptare në Maqedoni kanë përkthyer materialet e përgjimit të Metës me Thaçin: “Thaçi: Mos po të pengoj? Meta: Jo, jo. Tani e pashë. Kërkoj falje, sepse tani pashë. (paraprakisht Thaçi i ka shkruar një SMS). Si je? Thaçi: Mirë, mirë. Të shtunën do të organizoj një manifestim modest dhe kam dëshirë që të vish. Kam ftuar vetëm Daut Haradinajn dhe ty. Ke mundësi të vish? Meta: Në Tetovë? Thaçi: Po, po, rreth orës 4. Nuk do të ftoj askënd tjetër. Kam dëshirë të vish. Meta: Do të vij patjetër, do të lë të gjitha obligimet e tjera. Thaçi: Faleminderit shumë. Domethënë të shtunën, ora 16:00. Meta: Mirupafshim”. Transkriptet po ashtu përmbajnë edhe një bisedë të ish-ambasadorit shqiptar në Maqedoni, Arben Çejku, me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi. Prej disa muajsh, partia opozitare LSDM po publikon përgjimet e kryera nga Shërbimi Sekret Maqedonas dhe qeveria e Nikolla Gruevskit.
“Kathimerini”: Rama injorant në histori, aleatët investuan tek ai, por u zhgënjyen
Gazeta greke “Kathimerini” i ka kushtuar një artikull të ashpër Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe deklaratave të tij për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Sipas kësaj gazete, Rama hyri në skenën politike shqiptare si një lider modern, i cili pasqyronte një tjetër model nga ai i ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilin evropianët dhe amerikanët investuan. “Investuan tek Edi Rama me besimin se ai do të udhëhiqte përpjekjen që ‘vendi i shqiponjave’ të hapte një faqe të re, duke përshpejtuar reformimin e strukturave anakronike dhe autoritariste të një shteti partiak dhe të korruptuar”, – shkruhet në artikullin e gazetës greke. Më tej në artikull shkruhet se aleatët janë zhgënjyer me Ramën, jo vetëm për deklaratat e tij nacionaliste, por edhe për klimën politike që ekziston në Kuvendin e Shqipërisë, të cilën gazeta greke e konsideron si “atmosferë rruge”. “Por kur ndërhyn me predikime për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, duke kërcënuar se ‘kjo do të ndodhë ose si një proces i kuptueshëm në kuadrin e integrimit të dy vendeve në Bashkimit Evropian, ose do të realizohet si një reagim ndaj verbërisë dhe plogështisë së Bashkimit Evropian’ atëherë ai bëhet i rrezikshëm për stabilitetin rajonal”, – shkruan “Kathimerini”. Gazeta greke e cilëson Ramën një injorant në histori, i cili luan më kot me tezën e bashkimit me Kosovën, pasi me të tilla krekosje nuk hyn dot kurrë në BE. “Nuk mundet që një kryeministër të jetë injorant në histori, se nëse për t’u hakmarrë ndaj evropianëve shkrin kufijtë dhe bashkohet me Kosovën dhe komuniteti ndërkombëtar e pranon, pse mos ta bëjnë këtë edhe shqiptarët e Maqedonisë, serbët e Veriut të Kosovës apo serbët e Bosnjës dhe Kranjës të krijojnë Serbinë e Madhe”.
Gjobit dhe kallëzon penalisht/ ILDKP “rrethon” 14 zyrtarë: 1.5 milionë USD pasuria e ish-drejtores së Doganave Sarandë
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka kallëzuar penalisht 14 funksionarë publikë për fshehje dhe mosjustifikim të pasurisë. ILDKPI ka kërkuar në veçanti për Kryetaren e Degës Doganore Sarandë, Linda Vaso, që të nisin hetimet nga Prokuroria për pasurinë e saj të pajustifikueshme që shkon rreth 1.5 milionë dollarë. Lina Vaso kishte mbajtur dhe postin e drejtoreshës së Arsimit Sarandë më pas u emërua drejtoreshë e Degës Doganore Sarandë, 6 muaj para se qeveria e PD-së të largohej me zgjedhjet e 2013. Në vend të saj aktualisht është Rajmonda Gjoni. Po kështu Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, vendosi masa administrative dhe paraqiti pranë organit të akuzës kallëzim për ndjekje penale edhe ndaj 13 zyrtarëve të tjerë, mes tyre 2 gjyqtarë të ciëlt janë: – Aleks Neçaj, për funksionin Inspektor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve; Tomorr Kullolli, për funksionin Gjyqtar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan; Alma Starova, për funksionin Inspektor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve; Halit Xhafa, për funksionin Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë; Albert Mihaj, për funksionin Inspektor, Drejtoria Rajonale Tatimore, Tiranë; Haxhi Ismaili, për funksionin Përmbarues, Zyra Përmbarimore, Tiranë; Afrim Çupi, për funksionin Specialist, Drejtoria Rajonale Tatimore, Dibër; Admir Behari, për funksionin Inspektor, Drejtoria Rajonale Tatimore, Fier; Alfred Tusha, për funksionin Përgjegjës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve; Dritan Manaj, për funksionin Drejtor, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes;Afrim Bakaj, për funksionin Drejtor i Përgjithshëm, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;Kanan Shakaj, për funksionin Kryetar, Komuna Novoselë, Vlorë dhe Besnik Qira, për funksionin Gjyqtar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin.
Vendimi/ Mazhoranca tërhiqet nga sekuestrimi i banesës për debitorët e energjisë, riformulohet neni
Mazhoranca tërhiqet nga neni i projektligjit për energjinë, që parashikon sekuestrim të banesave për debitorët e operatorit të shpërndarjes së energjisë. Pasa debateve të forta që solli jo vetëm në publik dhe tek opozita, por edhe vetë brenda së majtës, duket se qeveria ka vendosur të rishikojë këtë nen të projektligjit. Kështu, mësohet se të hënën në mbledhjen e grupit parlamentar Gramoz Ruçi u kërkoi 3 kryetarëve të komisioneve parlamentare, konkretisht Fatmir Xhafës si kreu i Ligjeve, Erjon Barçes që drejton Komisionin e Ekonomisë dhe Eduard Shalsit të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese të nisin diskutimet me Ministrinë e Energjetikës dhe atë të Financave për të parë mundësinë e heqjes së këtij neni nga drafti që do të miratohet të enjten në Kuvend. Në këto kushte, tre krerët e komisioneve pritet të diskutojnë për të marrë një vendim final që do t’i propozohet Parlamentit në seancën e ditës së nesërme. “Me iniciativën e Kryeministrit është zhvilluar një konsultë shumë e gjerë, qoftë mes drejtuesit të grupit parlamentar të PS, anëtarëve të qeverisë, drejtuesve të Komisioneve të PS, e kemi marrë në shqyrtim jo vetëm nenin 92, por dhe atë 93 të ligjit për energjinë elektrike. I kemi shkuar deri në fund idesë që do të ishte një penalizim apo mbivendosje me Kodin e Procedurave Civile, ajo e historia e vendosjes së barrës hipotekore, jo të sekuestrimit”, – tha dje Braçe. Të enjten e shkuar ky projektligj u votua në parim vetëm me 67 vota, pasi mungesa e kuorumit, por edhe kundërshtitë e deputetëve Erjon Braçe dhe Koço Kokëdhima detyruan mazhorancën të shtynte miratimin nen për nen për seancën e kësaj jave.