Në Gjermani aktualisht paraqiten kaq kërkesa për azil, sa nuk janë paraqitur prej kohësh. Cilët janë konkretisht hapat e një lutjeje për azil
Ai që vjen si refugjat në Gjermani, duhet të paraqesë fillimisht ose te një autoritet i kufirit, te policia ose te autoritete të tjera një lutje për azil. Pastaj personi dërgohet në një kamp ku mblidhen refugjatët, në një të ashtuquajtur institucion të parë të regjistrimit. Në cilin institucion shkon dhe në cilin land të Gjermanisë, kjo varet zakonisht nga i ashtuquajturi çelës i Königsteinit. Në bazë të tij, azilkërkuesit duhet të shpërndahen në Gjermani në mënyrë të barabartë në të 16 landet gjermane. Sa më shumë banorë ka një land, aq më shumë refugjatë i duhet të pranojë. Në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë (NRW) dërgohen, për shembull, 21 për qind e refugjatëve, në Brandenburg vetëm 3 për qind e refugjatëve. Megjithatë, ndarja nganjëherë bëhet edhe në bazë të faktit se në cilin institucion ka ende vende të lira. Këto janë elemente të rëndësishme për të ditur të drejtat dhe detyrimet që ke si azilkërkues.
Stacioni i parë
Në institucionin ku regjistrohesh për herë të parë të duhet fillimisht të banosh. Shpesh kemi të bëjmë me një territor të rrethuar me tela, me polici, mjek, mensë dhe salla gjumi për shumë vetë. Çdo azilkërkues ka vetëm 6,5 metra katrorë në dispozicion për të banuar. Për ushqim, në rast nevoje për veshje, vaksinim ose ndihmë tjetër kujdeset institucioni. Fëmijët marrin ndihmë shtesë, në mënyrë që të shkojnë në shkollë. Në kampet e regjistrimit të parë merren edhe të dhënat personale, bëhen fotografi dhe merren gjurmët e gishtave. Gjurmët e gishtave i dërgohen pastaj Zyrës Federale të Policisë Kriminale. Atje, me anë të një baze evropiane të dhënash, shqyrtohet nëse ke paraqitur kërkesë për azil në ndonjë vend tjetër. Punonjësit e Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF), përgjegjës për çështjet e azilit, të pyesin në kamp për shkaqet e azilit, sepse në çdo lutje që paraqitet në plan të parë është fati i individit. Në marrjen jopublike në pyetje duhet t’i paraqesësh me gojë shkaqet për një azil – një përkthyes është i pranishëm. Për bisedën, të dyja palëve u jepet një protokoll. Pastaj vendoset nëse hapet procesi i azilit. Nganjëherë nuk ke fare të drejtë të kërkosh azil, sepse për kërkesën është përgjegjës një shtet tjetër i BE-së. Në këtë rast të dërgojnë menjëherë atje.
Stacioni i dytë
Pas tre muajsh merr fund detyrimi për të banuar në një kamp të regjistrimit të parë. Pastaj azilkërkuesit – rreptësisht në bazë të kuotës së konstatuar nga kompjuteri – dërgohen në qarqet e secilit land federal. Atje banojnë shumicën e herëve në banesa të përbashkëta, të cilat financohen nga financues privatë ose nga shoqata të bamirësisë. Ka komuna që vënë edhe apartamente në dispozicion. Ka refugjatë që kërkojnë të strehohen atje ku jetojnë edhe të afërmit e tyre. Kjo duhet respektuar vetëm në rastet e bashkëshortëve ose të fëmijëve të mitur.
Që prej fillimit të vitit ke të drejtë të lëvizësh lirisht në Gjermani, përpara ekzistonte detyrimi për të qëndruar në një zonë të caktuar. “Strehimet pasuese” nuk financohen më nga landet federale, por nga qarqet dhe komunat. Ato marrin një shumë të caktuar afrofe nga landet federale për strehimin e refugjatëve. Këtu ka ndryshime të mëdha. Landi i Bavarisë, për shembull, thotë se i përballon vetëm 100 për qind të shpenzimeve. Lande të tjera, nga ana tjetër, përballojnë vetëm 20 për qind të shpenzimeve. Tani lejohet edhe të punosh. Shanset që të gjesh një vend pune zakonisht nuk janë të mira. Por pa punë merr maksimalja 352 euro në muaj, të paguhen edhe shpenzimet për një banesë eventuale dhe shpenzimet e ngrohjes. Por edhe pas kësaj ka ndihmë financiare, për të cilën nuk janë më kompetente komunat, por federata.
Vendimi
Në të vërtetë, proceset për azil nuk duhet të zgjasin më tepër se tre muaj. Por mesatarisht procedurat vazhdojnë të zgjasin më shumë, nganjëherë më shumë se një vit. Shkak për këtë janë, ndër të tjera, shifrat e rritura shumë të refugjatëve. Përjashtime aktualisht bëhen vetëm për refugjatët nga Siria dhe Iraku, zakonisht ata pranohen pas një kohe të shkurtër. Edhe në rastin e refugjatëve nga të ashtuquajtura shtete të sigurta, si Serbia dhe Maqedonia, pra në shtete ku si rregull nuk ka shkaqe politike për një kërkesë për azil, koha e përpunimit të kërkesës është më e shkurtër, “disa ditë”. Vendimin për një kërkesë për azil ta njoftojnë gjithmonë me shkrim, së bashku me argumentimin dhe në rast nevoje me një udhëzim si të marrësh ndihmë juridike dhe një përkthim të tyre. Kur lutja për azil pranohet, të japin leje qëndrimi për tre vjet dhe ke të drejtë të përfitosh nga shërbimet sociale. Pas kësaj kohe, rasti shqyrtohet sërish. Por ka edhe raste të veçanta, “mbrojtja subsidiare”: ai që kërcënohet në atdhe seriozisht, për shembull nga tortura, dënimi me vdekje ose lufta civile, konsiderohet si “person me të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare” dhe lejohet të qëndrojë fillimisht për një vit, pas kësaj kohe rasti i tij rishqyrtohet.
Refuzimi i kërkesës
Kur një kërkesë për azil refuzohet, “të kthejnë pas”. Vitin e kaluar këtë në Gjermani e përjetuan më shumë se 10.000 vetë, shumicën i kthyen me avion. Por mund ta çosh çështjen para gjykatës administrative. Për këtë të duhet të kesh një avokat. Ka raste kur megjithëse të kanë refuzuar, mund të qëndrosh në Gjermani: kjo ndodh në rastet kur vendi yt është në luftë civile dhe drejt tij nuk fluturojnë avionët, atëherë “të durojnë”. Edhe ai që ka një fëmijë me një gjermane, nuk lejohet të dëbohet pa e zgjatur. Ka raste kur një refugjat mund të paraqesë edhe pas refuzimit sërish një kërkesë të re për azil. Një kërkesë pasuese për azil shqyrtohet vetëm atëherë kur ka ndryshuar gjendja juridike (për shembull kur situata në vendin e origjinës tanimë vlerësohet ndryshe) ose kur shfaqen dëshmi për përndjekjen e një refugjati, dëshmi të cilat nuk qenë të pranishme në rastin e parë. /DW/
Anglia dhe disa vende të BE-së kthejnë 70 shqiptarë, pa dokumente
Britania e Madhe, Franca dhe disa vende të tjera të BE-së kanë kthyer gjatë ditës së djeshme 70 shqiptarë të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Shengen. Mësohet se shumica e të rikthyerve kanë kërkuar azil, ndërkohë që janë penalizuar që të mos shkelin më asnjë vend të Shengenit për një periudhë 5-vjeçare. Vetëm 1 javë më parë u rikthyen 58 persona të tjerë pasi kishin shkelur rregullat e qëndrimit. Burimet thanë se këta persona kishin thyer periudhën e qëndrimit prej më shumë se 3 muajsh në Francë, ndërsa ata të kthyerit nga Britania e Madhe ishin kapur pa dokumente të rregullta. Sipas Ministrisë së Brendshme, 35 prej tyre ishin së bashku me familjet dhe kërkonin azil kryesisht në Gjermani. Mes të rikthyerve 16 vinin nga Gjermania 6 nga Franca, 12 nga Finlanda dhe 24 persona nga Suedia. Shqetësimin për rritjen e kërkesave për azil e shprehu dhe Ministri i Brendshëm Gjerman Thomas de Maziere. Gjatë një takimi të disa ditëve më parë me ministrin Saimir Tahiri ai tha se, “shqiptaret nuk do të kenë asnjë shans për të përfituar azil politik në Gjermani”. Të gjitha vendet e Bashkimit Evropian ku kanë mbërritur shqiptaret muajt e fundit kanë deklaruar se do t’i kthejnë ata mbrapsht. Fluksi i largimeve ka prekur disa zona të Shqipërisë. Ndërkohë që sipas agjencive ligjzbatuese ky fenomen ka riaktivizuar grupet kriminale qe mashtrojnë qytetaret.