Gëzim Saliu
Doda: Rama ka graduar xhelatët. Majko: Ministra të Alisë ka si tek ne ashtu dhe te PD, ka dosje që s’do hapen asnjëherë. Patozi: Më mirë mos i hapni dosjet, se do ta shpallni Blushin sigurims
Me 84 votat e mazhorancës u miratua dje në Parlament ligji i qeverisë për hapjen e dosjeve, i cili ka në themel informimin. Në diskutimin në seancë nuk munguan debatet mes shumicës dhe opozitës, ku kjo e fundit e akuzoi të majtën për sjellje hipokrite, pasi sipas të djathtëve me ligjin e qeverisë fshihet e vërteta e komunizmit. Ndërkaq, ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, i cili doli dje për herë të fundit në Kuvend me këtë status, tha se ligji i qeverisë ka në themel transparencën dhe jo lustracionin, i cili, sipas tij, bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë. Nga ana tjetër, nisma e deputetëve Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi, e mbështetur edhe nga ana e shoqërisë civile, që kishte në themel të saj lustracionin, u rrëzua nga mazhoranca, e cila e cilësoi atë si antikushtetuese.
Debati
Deputetja demokrate Mesila Doda deklaroi dje se vetëm lustracioni mund të sjellë drejtësi për këtë shtresë të shoqërisë. Por, sipas saj, mazhoranca është kundër projektligjit të shoqërisë civile, pasi kërkon të mbrojë anëtarët e saj që kanë pasur rol të veçantë në kohën e regjimit. “Kjo është farsë dhe shantazh i zbardhur me germa në letra. Ke kryetar grupi parlamentar, ke kryetar të Komisionit të Ligjeve dhe deputetë në grupin parlamentar pjesë të ish-funksionarëve të lartë të regjimit. Z. Kryeministër i ke në Parlament, qeveri, zyrat e policisë, një ushtri xhelatësh që ti i ke graduar”, – u shpreh Doda. Ndërsa kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se pavarësisht faktit se mazhoranca po e rrëzon lustracionin, çështja do të vazhdojë. “Si flasim ne për persekutimin komunist dhe kërkojmë të bëjmë edhe ligj për të hapur dosjet, kur sot e kësaj dite mbajmë diktatorin Enver Hoxha si hero të popullit. Lustracioni është një domosdoshmëri dhe pavarësisht votimit sot, kjo histori nuk mbyllet”. Në kundërpërgjigje të demokratëve, deputeti socialist Pandeli Majko deklaroi se fajtorë për atë që ka ndodhur në Shqipëri nuk janë ato që do t’u hapen dosjet, por, sipas tij, ekziston një vertikale e madhe dhe të gjithë duhet të pranojnë pjesën që u takon. “Ministra të Ramiz Alisë ka edhe këtë edhe andej. Ka dosje që as janë hapur e as do hapen e as fëmijët e mi nuk do ta marrin vesh se çfarë ka ndodhur. Ne do hapim dosjet e spiunëve, por nuk besoj se brenda tyre do të zbulojmë të gjitha të vërtetat”, – tha ai. Ndërkaq, deputeti tjetër socialist Armando Subashi nuk kurseu ironinë dhe batutat me kolegët demokratë ku pohoi: “Kolegët e PD-së u bënë qengja dhe ne ujku. Por është një shprehje, ujku, ujku, por çakalli ka bërë kërdinë, ju çakallin e keni mes jush”. Nuk mungoi ironia as tek fjala e deputetit të PD-së, Astrit Patozi, i cili duke akuzuar të majtën si hipokrite me këtë ligj, preku edhe çështjen e kritikave të Blushit brenda PS-së. “Mbase do t’ju interesonte më shumë të mos i hapnit dosjet, sepse mund ta kishit shpallur agjent të Sigurimit të Shtetit edhe Ben Blushin apo ndonjë deputet tjetër që do guxonte t’i prishte gjumin Kryeministrit”, – tha Patozi.
Debati për dosjet
Doda: S’hapen dosjet me Ruçin e Xhafën. Mediu: Pse ende Enveri “hero i popullit”? Subashi: Çakalli është tek ju
Jozefina Topalli: Situata në vend është dramatike, sipas shifrave të Gjermanisë vendi jonë po shpërbëhet. Çfarë po ndodh, përse ky eksod? Pse duhet të përsëritet ajo që ka ndodhur në kohën e Ramiz Alisë.
Mesila Doda: Ti zoti Kryeministër ke një ushti xhelatësh që ti i ke graduar. Ke kryetar grupi parlamentar, kryetar të komisioneve të ligjeve dhe të sigurisë, ke deputetë në grupin tënd parlamentar pjesë e ish-funksionarëve të lartë regjimit. Ponc Pilatin sot nuk e bën dot. Një këshillë për ty, kur të mundohesh të sjellësh ndër mend kohën e refleksioneve me Dan Klosin dhe kur ven firmën në dokumentarët e Pritjes Papnore… mos harro, thuaji vetes që po gënjen… teatri jot i vetëm sot luhet me Gramozin dhe Xhafën, ato të venë ato të heqin.
Bashkim Fino nga vendi: Harrove Saliun Mesila, të kishe fol edhe për Saliun do të mbështesja, por ti se përmende.
Fatmir Mediu: Sot e kësaj dite mbajmë akoma Enver Hoxhën hero të popullit, me argumentin se e ka marrë me ligj, është e turpshme.
Majlinda Bregu: Kur ishim në një takim në Bruksel pashë se Shqipëria nuk ishte ngjyrosur me të kuqe në hartën e vendeve që kishin pasur regjim komunist. Mora buzëkuqin dhe e ngjyrosa me të kuqe. Kjo vjen prej asaj se ne nuk po merremi me të vërtetat e të kaluarës.
Pandeli Majko: Mos të bëjmë sikur në këtë vend nuk është qeverisur me patetizëm lidhur me atë që ka ndodhur para viteve ’90. Dekoratat që ka mbajtur Enveri, Mehmeti etj., etj. këtu ishit, nuk erdhët nga hëna, t’i kishit hequr, të gjithë presidentët i keni propozuar ju. Ministra të Ramiz Alisë ka edhe këtë edhe andej. Ka dosje që as janë hapur e as do hapen e as fëmijët e mi nuk do ta marrin vesh se çfarë ka ndodhur. Ne do hapim dosjet e spiunëve por nuk besoj se brenda tyre do të zbulojmë të gjitha të vërtetat.
Eduard Halimi: Motra e babit tim u internua në Mokërr, sepse u arratis kunati i saj. Ata u internuar në Karbanjos për 10 vite. Deri këtu mund të them se faji ishte i Enver Hoxhës, por gjykatësit e vendosën internimin e 3 fëmijëve të tij të mitur. Vëllai im dhe dy shokë donin të arratiseshin në Greqi, ndërsa një prej tyre e vranë. Të dyja historitë njerëzore kanë njerëz e emra. Tërheqja e trupit të Fatmirit (djali që u vra) u bë nga një hetues. Nuk mund ta pranojë kurrë që ai gjyqtari dhe prokurori i djeshëm të jetë sot në zyrat e shtetit. Nuk jam kurrë për hakmarrje ndaj tyre, por s’mund të jem dakord që ata të paguhen dhe promovohen nga taksapaguesit tanë. Me votën tënde i dashur Pandi, me votën tënde ka shkuar sot anëtar i Këshillit të Drejtësisë gjykatësi i diktaturës.
Armando Subashi: M’u duk sikur ishim në teatër kukullash. Kolegët e PD-së u bënë qengja dhe ne ujku. Por është një shprehje, ujku, ujku, por çakalli ka bërë kërdinë, ju çakallin e keni mes jush.
Erion Veliaj: I nderuar që e mbyll në Kuvend me prezantimin e projektligjit për hapjen e dosjeve. Çdo nismë tjetër që kalon caqet e përcaktuara nga ky projektligji do të përbënte thjesht një spekulim politik dhe do të ishte mënyra më e mirë për ta sabotuar.