Dhuna në Kukës reagon policia: Shefit të krimeve po i merrnin armën

0
206

Pas shtypjes së tubimit me dhunë në Kukës gjatë mesditës së sotme, më në fund në orët e mbrëmjes ka reaguar edhe Policia e Shtetit. Këta të fundit i kanë justifikuar veprimet e dhunshme si kundërpërgjigje e policisë ndaj protestuesve.

Për policinë shefi i krimeve në Kukës, Albion Gjetani ka nxjerrë armën nga brezi pasi persona të paidentifikuar kanë tentuar të ja marrin nga brezi. Në fakt pamjet e bërë publike tregojnë komplet një tjetër situatë.

Ja pamjet e dhunës:

Reagimi i Policisë së Shtetit:

Më datë 04.05.2015  nga shërbimet e Drejtorisë  së Policisë së Qarkut Kukës janë marrë masa për mbarëvajtjen e aktivitet politik të subjektit Partia Demokratike, në prezantimin e kandidatit për kryetar Bashkie që do zhvillohej në qytetin e Kukësit, në ora 10-00.

Nga ana e Policisë së Shtetit janë marrë masat për dislokimin e shërbimeve për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti në qytetin e Kukësit në vendin e quajtur “6-katshi”.

Gjithashtu nga shërbimet e komisariatit Kukës, janë marrë masat për mbikëqyrjen policore të qytetarit Nderim Lushi përfaqësues i Shoqërisë Civile, Kukës, i cili  me 01.05.2015 kishte kërkuar leje për të zhvilluar një protestë në rrugën e Kombit, me qëllim përmirësimin e kushteve social-ekonomike.

Kjo leje i është refuzuar këtij qytetari me argumentin se policia ishte e angazhuar për krijimin e kushteve normale për mbarëvajtjen e aktivitetit politik të subjektit Partia Demokratike dhe gjithashtu ky refuzim është bërë duke u nisur edhe nga thelbi i kërkesës që bëhej nga qytetari Nderim Lushi mbi bllokimin e Rrugës së Kombit.

Njëkohësisht nga informacionet policore ky individ kishte tendenca për të nxitur qytetarët që thërriste në tubim në akte dhune ndaj pronës publike dhe private.

Megjithëse kjo kërkesë i është refuzuar qytetarit Nderim Lushi, ai përsëri ka konsumuar veprën penale të “Organizimit dhe pjesëmarrjes në tubime të paligjshme”, në sheshin para Prefekturës “Hasan Prishtina”në qytetin e Kukësit, ndërkohë që në vendin e quajtur “6-katëshi “po zhvillohej aktiviteti politik i Partisë Demokratike.

Në vijim nga shërbimet policore të DPQ Kukës, në zbatim të planit të masave për parandalimin e aktivitetit të paligjshëm që po kërkonte të organizonte Nderim Lushi, janë marrë masa duke dislokuar shërbime policore, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Drinit te Zi “, në Kukës.

Pikërisht në këtë vend rreth orës 12 :00, nga qytetarë të cilët kishin qenë pjesëmarrës në tubimin që kishte zhvilluar në mënyrë të paligjshme Nderim Lushi para Prefekturës Kukës, është bërë bllokimi i rrugës hyrëse në Kukës afër Urës së Drinit të Zi.

Ndërkohë që nga forcat policore është bëre ndërhyrja për lirimin e aksit rrugor dhe shoqërimin e organizatorëve të këtij tubimi të paligjshëm, qytetarët e tubuar kanë ushtruar akte dhune ndaj punonjësve të policisë me mjete dhe sende të forta (gurë ,drunj etj) megjithëse ju është bërë thirrje nga policia se veprimet ishin të paligjshme.

Gjatë shoqërimit të shtetasit Nderim Lushi si organizator dhe nxitës i tubimit dhe dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të policisë, nga personat që ishin pjesëmarrës në këtë tubim, (të paidentifikuar ende për shkak të konfuzionit) është tentuar t’i merret arma e shërbimit Shefit të Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë së Kukësit, i cili për parandalimin e këtij akti ka nxjerrë armën nga brezi dhe është shmangur nga turma.

Në vijim të veprimeve policore nga ana jonë është negociuar me përfaqësues të personave pjesëmarrës në këtë tubim, të cilët kanë ndërprerë tubimin dhe si rezultat qytetarët janë shpërndarë, duke sjellë në normalitet situatën e krijuar.

Ndaj organizatorit Nderim Lushi është marrë masa e arrestit në flagrancë për konsumim të veprave penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme“ dhe “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here