Artan Cena
Prokuroria e Apelit kërkon nga Gjykata e Lartë prishjen e vendimit për pafajësinë e dhënë ndaj kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika
Në rekursin prej 40 faqesh, argumentohet se me ankimin për vendimin e pushimit të Shkallës së Parë, Prokuroria e kundërshtonte atë vendim, pasi nuk kishte të argumentuar pse disa prova ishin pranuar dhe përse disa të tjera ishin rrëzuar, gjë që është detyrim ligjor i gjykatës. Pikërisht, për këtë mungesë arsyetimi, Prokuroria e Apelit, ndër të tjera, kërkoi edhe shpalljen e pavlefshme të vendimit të Shkallës së Parë, pasi “cenon parimin e kontradiktorialitetit në proces gjyqësor”. Por, Gjykata e Apelit, pas leximit të kërkesës, ka kërkuar edhe mendimin e palës tjetër dhe është tërhequr për vendim. Pas pak minutash është kthyer në seancë, duke u shprehur se mbi kërkesën e bërë nga Prokuroria “do të shprehej në vendimin përfundimtar”.
Pretendimet e Prokurorisë
“Një disponim të tillë të Gjykatës së Apelit e konsiderojmë në kundërshtim me ligjin kushtetues dhe atë procedural-penal. Gjykata e faktit, siç është edhe Gjykata e Apelit, ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të disponojë me vendimmarrje të arsyetuar mbi kërkesat e palëve në proces, shprehje e cila nuk rezulton se duhet të bëhet me vendimin përfundimtar. Kjo gjë e bën vetë vendimin e Gjykatës së Apelit një vendim nul, pasi nuk ka ezauruar një ndër elementët më të rëndësishëm të një procesi, që është vendimmarrja mbi një kërkesë pavlefshmërie të bërë nga njëra palë në proces, duke i mohuar në thelb të drejtën e apelit një pale në proces”, – thuhet në rekursin e organit të akuzës. Në rekursin e paraqitur para Gjykatës së Lartë, Prokuroria e Apelit vlerëson se vendimi gjyqësor i Gjykatës së Apelit është tërësisht i pabazuar, me shkelje dhe zbatim te gabuar të ligjit material penal.
Pafajësia e Gjikës
Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për kreun e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili akuzohej për shpërdorimin e detyrës me lejet e ndërtimit. Shpëtim Gjika, edhe sipas Apelit, është i pafajshëm për akuzën e ngritur ndaj tij, disa javë më parë. Në fund të vendimit, Gjika ka deklaruar se e priste këtë vendim, pasi ishte i bindur në pafajësinë e tij. “Do të jem në krye të detyrës deri në fund të afatit. Nuk është dita të flas nëse do të rikandidoj për Bashkinë e Vlorës”, – tha Gjika ditën kur mori pafajësinë edhe nga shkalla e dytë e gjyqësorit. Gjykata e Apelit shpalli të pafajshme edhe zyrtaren e Bashkisë së Vlorës, zonjën Eleni Dardhaj. Prokuroria e akuzon kreun e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjikën, se ka falsifikuar përmbajtjen e dy procesverbaleve të Këshillit të Rregullimit të Territorit që i përkasin vitit 2010, në një kohë që këto leje nuk kishin qenë objekt i këtyre mbledhjeve.
Prokuroria e Apelit Tiranë kërkon nga Gjykata e Lartë prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë për pafajësinë e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika dhe ish-drejtoreshës Urbanistike, Eleni Dardhaj dhe rikthimin e çështjes për rishqyrtim nga një tjetër trup gjykuese në Gjykatën e Apelit.
Argumentet e Prokurorisë
- Gjykata e Apelit në keqzbatim të ligjit procedural penal, konkretisht nenet 129 të Kodit të Procedurës Penale dhe 354/3 të Kodit të Procedurës Penale nuk disponoi me vendim mbi kërkesat paraprake të parashtruara nga Prokuroria e Apelit Tiranë, duke sjellë për pasojë cenim flagrant të së drejtës së palës në proces për të pasur një vendimmarrje në procesin gjyqësor ku merr pjesë, duke zhvilluar një proces gjyqësor, i cili deri në përfundim të tij edhe me marrjen e vendimit përfundimtar, nuk ka dhënë argumente për kërkesën e ngritur, duke e bërë kështu procesin në Apel një proces të pavlefshëm në vetvete.
- Nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë, por në vijim, pa asnjë ndryshim edhe nga Gjykata e Apelit, disponohet me një vendim përfundimtar, pa konkluduar mbi ndërtimin e faktit të rezultuar nga procesi i shqyrtimit gjyqësor, në kundërshtim kjo me nenin 383 te Kodit të Procedurës Penale. Gjithashtu konstatohet nga të dy gjykatat se nuk janë çmuar aspak prova të rëndësishme të kërkuara nga Prokuroria dhe të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, në kundërshtim kjo me parashikimet e nenit 129, 152 dhe 380 të Kodit të Procedurës Penale.
- Vendimi gjyqësor i Gjykatës së Apelit është tërësisht i pabazuar, me shkelje dhe zbatim të gabuar të ligjit material penal, konkretisht nenit 186 te Kodit Penal.
Energjia elektrike, 8 pronarë biznesesh në pranga për 1 javë
Të tjerë qytetarë janë arrestuar për energjinë elektrike. Edhe kësaj jave ka vijuar puna e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe OSHEE-së, në të gjithë vendin për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike. Janë kryer kontrolle në 3.897 raste dhe si rezultat janë evidentuar 29 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 29 autorë. Nga këta janë arrestuar në flagrancë 8 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, të gjithë pronarë biznesesh. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim 13 persona, ndiqen në gjendje të lirë 8 të tjerë, si dhe një faturist në Shkodër. Po gjatë kësaj jave janë ndërprerë 2.167 lidhje të abonentëve debitorë dhe 29 lidhje të paligjshme.