Deputetit Kristian Demokrat, Mark Frroku, i është komunikuar akuza “kallëzim i rremë” për çështjen e komplotit të inskenuar për vrasjen e deputetit Tom Doshi.
Frrokut i është komunikuar akuza në spitalin e burgut, ku ndodhet prej disa kohësh i shtruar për shkak të problemeve shëndetësore në zemër. Për çështjen “Doshi”, Frroku po ndiqet në gjendje të lirë, por ai hetohet nga Prokuroria për një vrasje të kryer në Belgjikë në vitin 1999 dhe fshehje të pasurisë, ndaj dhe është në masë “arrest me burg”.
Dy avokatët e tij, Saimir Vishaj dhe Genc Gjokutaj kanë kundërshtuar akuzat e Prokurorisë.
Sipas tyre, Mark Frroku ishte dëshmitar në këtë çështje, kështu që një vepër e tillë nuk mund të konsiderohet krim.
“Për dy akuzat e tjera është vendosur pushimi. Akuza për kallëzim të rremë nuk qëndron kur nuk ka krim. Nuk ekziston një skenar për vrasje, ndërkohë që nga ana tjetër prokuroria e kallëzon për deklarim të rremë”, – thanë Vishaj e Gjokutaj.