A po vuan për njerëz e majta?/ Qeveria me një ministër minus dhe një zv.ministre që bën edhe drejtoren e Doganave

0
168

Gëzim Saliu

Irena-BeqirajNjë javë nga dorëheqja e Veliajt, Rama ende s’ka përzgjedhur një emër për ministrin e ri të Mirëqenies Sociale. Zv.ministrja Beqiraj prej dy muajsh mban edhe postin e drejtores

Ndonëse Kryeministri Rama ka deklaruar shpesh se duhet më shumë kohë për të parë rezultatet e Rilindjes, i njëjti justifikim nuk mund të qëndrojë sa u përket lëvizjeve të domosdoshme në qeveri si edhe në institucionet kryesore të administratës shtetërore. Prej një jave, ish-ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ka dhënë dorëheqjen nga posti si anëtar i kabinetit për t’iu përkushtuar garës në Bashkinë e Tiranës. Edhe pse emri i kandidatit të majtë është zyrtarizuar dy javë më parë, duket se kreut të qeverisë nuk i kanë mjaftuar kjo kohë për të vendosur për emrin e pasardhësit të Veliajt. Shqetësues në këtë çështje mbetet fakti se prej një jave Ministria e Mirëqenies Sociale po drejtohet nga zv.ministri, kur ndërkohë nuk mund të thuhet se e majta po “vuan” nga mungesa e njerëzve që mund të marrin postin e lënë bosh nga Veliaj në kabinetin “Rama”. Deri më tani nuk kanë munguar emrat e kandidatëve që qarkullojnë në selinë e PS-së lidhur me këtë lëvizje, ku janë përfolur deputetët Blendi Klosi dhe Olta Xhaçka. I pari ishte në garë me Veliajn për Bashkinë e Tiranës dhe “shpërblimi” i Ramës për mos zgjedhjen e tij mund të jetë vendi në qeveri. Por edhe emri i Xhaçkës shihet si favorit në këtë garë, jo vetëm se daljet e saj në këto dy javë janë shtuar kundër kryebashkiakut Basha, por edhe se ajo njihet si një person i afërt me Veliaj, pas bashkëpunimit në organizatën “Mjaft”.

 

Rasti i zv.ministres

Një tjetër rast edhe më shumë i pakonceptueshëm në emërimet në administratë është edhe ai i zv.ministres së Financave Irena Beqiraj, e cila prej dy muajsh mban njëkohësisht edhe postin e drejtores së Përgjithshme të Doganave. Pas dorëheqjes së Elisa Spiropalit nga ky post, qeveria vendosi të komandonte në këtë post për një kohë të shkurtër deri në gjetjen e emrit zëvendësues, zv.ministren e Financave. Por duke mos u marrë më cilësinë e punë së Beqirajt, e cila ndryshe nga drejtoresha e mëparshme po tregohet shumë herë më e hapur për të pranuar edhe mangësitë në sektorin që drejton, duket e vështirë për tu besuar që në krahun e së majtës paska mangësi në individë me njohuri adekuate për të marrë postin e drejtorit të Doganave. Një tjetër arsye që krijon probleme në vijueshmërinë e punës është se Beqiraj mban edhe postin e zv.ministres së Financave, një dikaster ku posti i numrit dy ka një rëndësi specifike. Dy muaj më parë Elisa Spiropali vendosi të japë dorëheqjen nga posti i Drejtoreshës së Doganave me arsyetimin e angazhimeve personale për shkak të lindjes së vajzës së saj. Mbi këto arsyetime nuk munguan edhe diskutimet si në parti ashtu edhe në media, ku sipas zërave në PS dorëheqja e Spiropalit lidhej me rezultatet e fundit negative në dogana. Ndërkaq dy ditë më parë emri i Spiropalit ishte i përfshirë në listën e PS-së për këshilltarë në “parlamentin” e Tiranës, ku ish-drejtorja falënderonte forcën më të madhe në pozitë për zgjedhjen si edhe shprehte vlerësimin se do punonte sërish me Veliajn, nëse ky i fundit do zgjidhej kryebashkiak. Si Xhaçka ashtu e dhe Spiropali ka qenë pjesë e organizatë Mjaft të drejtuar nga Veliaj dhe më pas janë bërë pjesë e PS-së, ku ish-drejtoresha e doganave ka mbajtur edhe postin e kryetares së FRESH-it.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here