Nderim Lushi organizatori i protestës në Kukës për faljen e kamatvonesave të energjisë elektrike, e cila degjeneroi në dhunë do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve.
Gjykata pranoi kërkesën e Prokuroisë për ta mbajtur në qeli 34 – vjeçarin me akuzën e tubimit të paligjshëm.
Jashtë Gjykatës ku ishin mbledhur mbështetësit e tij, Nderim Lushi u shpreh se nuk do ta ndalë protestën.
Nderim Lushi u arrestua në datën 4 maj gjatë tentativës së nje grupi protesuesish për të bllokuar rrugën e kombit. Ai u keqtrajtua nga shefi i krimeve Albiol Xhitoni, i cili u filmua duke e qëlluar me grushta pasi e kishte prangosur dhe e kishte futur në një makinë policie. Xhitoni u filmua edhe duke kërcënuar protestuesit me pistoletë, një veprim i paprecedent ky, për të cilin ai u pezullua nga detyra dhe po hetohet nga Prokuroria.
Familjarët e Nderim Lushit akuzuan policinë një ditë më parë se e kishte dhunuar atë edhe në qelitë e paraburgimit. Ata nuk u lejuan që ta vizitonin atë përgjatë 3 ditëve që u mbajt në qeli.