Mes batutash me në qendër kandidatin e së majtës Erion Veliaj u shpërndanë dje lejet e legalizimit në Tiranë. Kryeministri e prezantoi deputetin Pandeli Majkon si njeriun që solli Erion Veliajn në Partinë Socialiste e ndërsa ish-kreu i qeverisë nuk ngurroi t’i kthente reston kryetarit të partisë ku theksoi se Rama e trajton edhe Erionin si ndërtim pa leje. “Ftoj tani Pandeli Majkon që futi Erion Veliajn në Partinë Socialiste. Legalizimi që i bëri Pandi duke e futur në PS është një ogur i mirë. Kush ka lidhje shpirtërore me Pandin ka vetëm mirë”, – tha Rama. I menjëhershëm në reagimin e tij, Majko pohoi: “E qartë e qartë, e kuptojnë dhe këtë. Edhe Erion Velinë e trajton si godinë pa leje. Unë bëra katin e dytë të atij që Erioni është sot”. Në përgjigjen e tij, kreu i qeverisë pohoi,: “Unë nuk e trajtova si godinë pa leje. Unë desha të them se kush e legalizoi dhe jam i sigurt që legalizimi që i bëri Pandi ka qenë një ogur shumë i mirë”. Nga ana e tij, kreu i ALUIZN-it Artan Lame vazhdoi me batutën e tij, ku refuzimit për “ëndrrën e garës së Tiranës” iu përgjigj me rëndësinë e punës që do ketë sipas tij me kreun e ri të bashkisë së kryeqytetit. “Punën do ta vazhdojmë zoti Kryeministër. Gjithë ky staf me 15 drejtoritë vazhdojnë t’i hanë duart për ta mbaruar këtë punë”, – tha ai. Nga ana e tij, Rama vazhdoi me batutat duke pohuar se ishte “katundar prej Dajti”. “Me sa duket, edhe organizimi sot është bërë për të kujtuar se PD ju ka lënë gjithë këto vite në diell, është dita e fundit që do rrini në diell. Do merrni legalizimet falas e do jeni nën çatinë e pronës tuaj të patundshme. Unë si katunar i Dajtit e mbështes plotësisht e ne si Dajt mezi pres të bashkohemi me Tiranën e të jemi pjesë e bashkisë”, – theksoi ai. Duke iu rikthyer fushatës për Tiranën, kreu i qeverisë tha se Veliaj do të bëjë shumë më tepër për Tiranën dhe modeli që do të sjellë do të jetë edhe më i suksesshëm sa kur vetë Rama drejtonte bashkinë më të madhe në vend. “Vota shprehje e ambicies që çdo person ka për qytetin e tij, për shërbimin që ai do të ofrojë. Duke votuar Erionin më 21 qershor do të jenë shumë e shumë më tepër njerëz që do ta shohin këtë si model suksesi. Do të bëhet shumë e më shumë për se çfarë bërë unë për Tiranën. Pasi Erioni do të ketë në krah një qeveri që do ta mbështesë. Për 4 vite Bashkia e re do të jetë një model suksesi. Më i suksesshëm se modeli që solla unë në Tiranë”, – pohoi Rama.