Debati në Parlament/ Blushi kritikëve të PS: Ja programi im. Topalli: Dëshmitar dhe sehirxhi

0
152

Gëzim Saliu

seanca votimRama: Në takim, drejtorët e PS-së. Paloka: Do të vjedhësh zgjedhjet. Berisha: Videoja do çohet në BE

Kryeministri: Mëshiroj Palokën, Berisha i fundmi i pleqve që spiunon çiftet nga liqeni dhe pastaj i denoncon dhe disa të tjerë, duke i parë bën veprimet e tjera të nevojshme

Shpërthen Paloka: Rama, hipokrit i pafytyrë, shpifës i shpifarakëve dhe mashtrues i neveritshëm

Audio-regjistrimi i fshehtë i takimit të Kryeministrit Rama me strukturat e partisë në Shkodër i publikuar nga ish-kreu i qeverisë, Berisha, ka sjellë debate dhe akuza të forta dje në seancën parlamentare. Kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka shpërtheu me akuza të ashpra ndaj Kryeministrit të vendit, duke e cilësuar atë si mashtrues dhe shpifës. Ndërkaq, në reagimin tij Rama tha se e mëshironte Palokën e ndërsa nuk nguroi të shprehte akuza ndaj ish-kreut të qeverisë, Berisha, duke e cilësuar atë si të fundmin e pleqve që spiunon çiftet tek Liqeni Artificial. Nga ana e tij, Berisha deklaroi në foltoren e Kuvendit se regjistrimi u bë publik vetëm pasi në atë takimi, sipas tij, Kryeministri kishte shprehur hapur shkeljen e ligjit ku u kishte pohuar drejtorëve të shtetit se nëse nuk mbushnin kutitë e votimit do të humbnin vendin e punës në 22 qershor.

 

Debati

Në fjalën e tij, kreu i grupit parlamentar demokrat deklaroi se në audio-regjistrimin e publikuar nga Berisha bëhet e qartë, sipas tij, se Rama po kërkon të vjedhë zgjedhjet. “Tregon se si ky hipokrit i pafytyrë, që u jep urdhra drejtorëve të administratës jo të bëjnë fushatë, jo pjesë në mitingje por të vjedhin votat e shqiptarëve. Janë mashtrime, shpifësi kur doli pjesa e parë, më i shpifur i shpifarakëve e mashtruesi më i neveritshëm. Se aty kishte drejtorë fushate. Kë të besojmë Ilir Metën që ishin drejtorë administrate, apo Ramën që thotë drejtorë fushate. Si mund t’i marrin votat kur këtyre u ka dalë boja, u kanë nxjerrë edhe atyre drejtorëve bojën. Nuk bëhet fjalë të shkohet shtëpi më shtëpi, por për të blerë votat e shqiptarëve. Dhe thotë se ne shpifim, ne jemi mashtrues”, – tha ai. Në reagimin e tij nga foltorja e Kuvendit, Kryeministri Rama tha se në takimin e Shkodrës ishin të pranishëm drejtorët e administratës që janë pjesë e strukturave të PS-së. “T’ia japim gjithë mirëkuptimin parafolësit, që ka mëshirën time si një qenie që del para gjykatës dhe thotë e drejta e shpifjes është e drejtë e njeriut. Ne nuk bëjmë mbledhje me administratën për fushatë. Ne nuk i mbledhim drejtorët që t’u themi, tani ju shteti jeni partia, ne partia jemi shteti, ju duhet të mbushni kutitë tona. Në mbledhjet tona janë edhe drejtorët e administratës që nuk vinë aty se janë drejtorë, por se janë pjesë e PS-së. Në Shkodër, para se të shkonim në takimin prezantues me kandidaten, ne kemi patur një vizitë në një nga sektorët e suksesshëm të administrimit dhe aty drejton një djalë, i cili quhet Flaurs Shoshi, që e keni vendosur ju, po e kemi mbështetur se është një menaxher i shkëlqyer. Mund ta pyesni, a ishte në mbledhje me strukturat apo jo, si dhe çdo drejtor që ka ardhur më pas që nuk është pjesë e PS-së”, – pohoi Rama. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë nuk ka ngurruar të sulmojë Berishën, i cili publikoi audion e takimit të Shkodrës, duke e tepruar edhe fjalorin e përdorur në seancën parlamentare. “Ju do mbeteni e shkuar për sa kohë do i besoni dikujt që është i fundmi i pleqve që shkojnë nga liqeni për të vënë syrin dhe për të parë çifte kur bënin dashuri dhe pastaj i denonconi çiftet e sigurimit dhe disa të tjerë duke i parë bëni veprimet e tjera të nevojshme”, – pohoi Rama. Ndërkaq, ish-kreu i qeverisë, Berisha, tha se në jetë s’kishte përdorur asnjëherë asgjë private të njeriut, por, sipas tij, rasti i Shkodrës ishte tërësisht i kundërt. “Por kjo nuk është privatësi, këtu kemi të bëjmë me një gjë tjetër, një proces të cilin mazhoranca e ka filluar me kriminelë dhe akte kriminale si në Durrës dhe në Kolonjë. Është jonormale të akuzosh se e bëri Edi Rama, por s’mund të akuzosh kurrë Edi Ramën kur nxjerr banditët e tij dhe thotë se banditi qëlloi xhaxhanë e vet. As edhe një presje nuk kam manipuluar nga regjistrimi. Ky regjistrim do shkojë në çdo zyrë të Evropës dhe botës. A e dini ju që dje i kanë kontrolluar qytetarët derisa i kanë zhveshur për të hyrë në Durrës në mbledhjen e PS-së. Të gjithë në 22 qershor do keni një fat, fatin e Hasanit. Të gjithë do jeni Hasan!”, – përmbylli reagimin e tij Berisha.

 

Akuzat dhe replikat e plota/ Debati mes Ramës, Berishës, Palokës, Nokës, Metës, Topallit dhe Blushit. Batutat pa mikrofon

Fino, Mediut: Se ti na je mburr që ke dhënë dorëheqjen. Vetëm ti s’duhet të flasësh se në 8 vite në pushtet s’bëre asgjë. Qeveria “Rama” t’ia kthejë shtëpinë në Durrës Bylykbashit.

Mediu: Ti ia ke fshi numrin edhe Nanos. As kam diskutuar ndonjëherë me ty se kam dhënë apo jo dorëheqjen.

Fino: Aman vetëm ke telefoni mos na hy Fatmir, nëse e kam apo jo Nanon.

Rama: E vetmja alternativë juaja ishte një faturë e PR-së që ishte një shprehje e mosmbetjes në rrugë të fugonit të tyre elektoral. Një faturë që do ishte e papërballueshme për më shumë gjenerata se ç’ka anëtarë PR-ja.

Mediu: Po shoku Enver, po.

Rama: Ju kujtohet debati në kohën e shkuar për listat…

Noka nga vendi: Shiko Hasanin, Hasanin në Kukës.

Meta: Hasani nuk pranoi të vinte të inauguronte ujësjellësin me ju kur ti ishe ministër i Brendshëm dhe i bëjë presion dhe ai tjetri ishte Kryeministër.

Noka nga vendi: Shko se e ka firmos ai, i dhe xhixhat atij ti…

Meta: Edhe Kukësi nuk ka ujë, edhe pse janë hedhur miliona investime atje apo jo…

Rama: Ju do mbeteni e shkuar për sa kohë do i besoni dikujt që është i fundmi i pleqve që shkojnë nga liqeni për të vënë syrin dhe për të parë çifte kur bëjnë dashuri dhe pastaj i denonconi çiftet e sigurimit dhe disa të tjerë duke i parë bëni veprimet e tjera të nevojshme.

Paloka: Shqiptarët e panë edhe një herë se kë kanë Kryeministër, mirë e bëri që doli… Ne Erionin nuk e dinim për budalla jo por për hajdut… Doli një material se si ky hipokrit i pafytyrë u jep urdhra drejtorëve të administratës të vjedhin votat. Pse e bën këtë?

Sadri Abazi nga vendi: Se s’keni vota prandaj.

Paloka: Janë mashtrime, shpifësi më i shpifur i shpifarakëve e mashtruesi më i neveritshëm.

Rama: Parafolësi ka mëshirën time si një qenie që del para gjykatës dhe thotë e drejta e shpifjes është e drejtë e njeriut.

Stërkaj: Dëgjuam doktorin se nuk e ka seriozisht ma je duke na bë shërbimin ne. Ka një kryetar partie PD-ja po s’po e pyet kush. Në takimin në Shkodër kanë qenë mbi 12 doktora të angazhum në PS, pse mos jenë ato. Ju ka shqetësu në Shkodër vrulli i mirë i Keti Bazhdarit. Keni fut disa kandidatë që vijnë nga radhët e burgjeve e jo të shoqërisë së mirë për të përfaqësuar të djathtën.

Berisha kërkon fjalën, Meta: Po e kishte z. Braçe, gjithsesi meqë ju përmendi.

Braçe: Aman do rrimë këtu ne tani.

Meta: Po s’ishte as javën e kaluar prandaj, na mungoi.

Berisha: Je i paaftë në përgjigjet që jep, je bajat dhe mobilizon mercenarë këtu. Pasuria e Bazhdarit është bërë me tytë revolesh. Kujt ia mori Keti pasurinë?! Si na lindi Keti pasunare e madhe?! Si na u bë?! E bija e një ish-të përndjekuri?! Me revolen ndaj kujt? Jua them unë: Me revole ndaj të dashurit të vet që e kishte me depresion.

Ruçi: Këto ditë edhe mazhoranca, edhe minoranca kanë në dorë një dokument, raport i fokus-grup të institutit amerikan ku ka një rubrikë për parlamentarët. E dini kush është konkluzioni i parë: më shumë baltosje sesa debat. Konkluzioni i dytë është se shprehet interes shumë i ulët për të ndjekur Parlamentin si edhe ndjesisë së zhgënjimit. Ka mungesë kontakti të deputetëve me votuesit.

Topalli: Ruçi deri në ekstrem përpiqet të mbrojë PS-në, por ajo që lexon për deputetët që kërkohen në rrethe dhe i mungon kontakti, nuk është për të opozitë, por është një problem i madh i rilindjes së sotme.

Berisha: Shoh në media Edi Ramën e nxjerrin, me numër, vetëm ai, me 28 kostume.

Beqaj nga vendi: I blen ke “Myslym Shyri”.

Berisha: 25 policë ndaj 7-8 demonstruesve, njëri prej tyre, drejtori i qarkut është tezaku i Saimir Tahirit, shefi i komisariatit është tezaku i Hasan Halilit.

Shkjau nga vendi: Çe thotë…

Berisha: Tezak zonja Shkjau është djali i tezes… A e keni parë një sjellje që bëri drejtorja e Lojërave të Fatit ndaj Fatmir Xhafës? Mirë ia bëri, se ka protege (mbrojtës) ajo, vetë Kryeministrin… ajo është ndrikulla që i tregonte bërrylin Fatmir Xhafës në Parlament.

Balla nga vendi: Mbaroi koha…

Berisha: Mbaroi koha, po jam në kohen time prapë unë. Ai krushku që bredh në krah të Velisë dhe të Ramës (Bregasi) në çdo takim dhe bën be, shikoni se sa është në tatim tek taksa e birrës, 700 tonë më pak nga fabrika e tij… Të dini ju bëmat dhe gjëmat e Salarianit apo si quhet ai, burri i drejtoreshës (Elisa Spiropali), ai u bë mbreti i doganës. Sa herë dal unë këtu mbrapa do të ndërsejë një çakall, në konflikt të hapur interesi, sepse ky çakall ka motrën të pa përmbajtur në konflikt interesi të qeverisë, famoze. Ka motrën që i ndërron kompanitë dy herë brenda ditës (për motrën e Taulant Ballës). Dhe bërtet ky këtu, kush është ky, (Ilir Beqja), ky është njeriu që me kushërirën e tij po vjedh 7 milionë euro për depistim.

Balla merr fjalën, Berisha ikën nga salla: Mos ik mos ik më dëgjo.

Berisha: Po pse për tu ngju je ti…

Balla: Shikojeni, është më e madhe se Shtëpia e Bardhë. Kjo është vila e Saliut në bregdet. Të shtunë dhe të diel mund ta shikoni Saliun duke bërë plazh aty. Ish-ministri i Financave për 8 vjet rresht, është në hetim nga Prokuroria për fshehje pronash. Ai rezulton të jetë ministri më i pasur i rajonit për pasuri të deklaruara….

Braçe, opozitës: Flisni për të drejta njeriut ju që vratë në mes të bulevardit.

Flamur Noka: E përmendi Braçja 21 janarin, e përmendi për ty (Metës) por po reagoj unë. Ajo zonja që dha pafajësinë është sekretare e përgjithshme në ministri.

Majko: N.q.s. Bushati citoi Xhon Lukun unë do citoj kolegun tim Anastas Angjeli që tha mbylle shpejt se u çmendëm. Dhe unë po them votojeni ligjin.

Blushi, PD-së: Ju jeni marrë shumë me Hasanin. Por mos e harroni Hasani qe i juaji, jo yni. Ju e kishit pantofël ne e bëmë kapele… Ai që jeton me 400 lekë të vjetra në ditë është i mjerë. Të ketë një paketë për këtë. Është totalisht e mundshme që 40 mijë lekë,apo 50 mijë lekë të bëhen 100. Këto lekë mund të dalin nga ky tre mujori i fundit, e keni parë besoj? 50 mln euro mungesë realizimi në 3 muaj? Për çfarë? Për performancë të keqe, për abuzim, për mungesë parashikimi

Topalli, Blushit: Hedhja e fajit ke politika për këtë gjendje është hileqare. Ka diplomatë të huaj që kanë gjetur ministra në kazino. Ti nuk fole në kohën kur Rama futi në Parlament deputetët kriminelë e vrasës. Në 2013 fitues ishte Ilir Meta, ai që u zu në bllok në dorë. Sa do lejojmë ne të blihen votat me para në dorë. Ka më turp se të kesh Kryetar Parlamenti Ilir Metën, jep para në gjykata, i detyron punonjësit që të regjistrojnë familjarët e tyre.

 

Përplasja me batuta/ Rama: Grida fle poshtë krevatit të dajës. Berisha: Bazhdari e pasur pasi i vuri revolen të dashurit

Çështja e transferimit të qytetarëve në qytetin e Durrësit u bë objekt debati dje në Kuvend, ku Rama tha se mazhoranca me këtë proces elektoral po vepronte krejt ndryshe nga qeveria e kaluar. Madje sa i takon lëvizjeve të njerëzve, Rama tha se Grida Duma ishte një ndër ato që kishin bërë transferimin në Durrës me një kontratë qeraje tek daja me 4 fëmijë. “Jeni peng I dikujt që thotë bën sikur nuk kupton. Jo vetëm kaq por po ju them se nëse ju në 2011 ngritët një industri të tërë dhe sollët nga Durrësi mijëra njerëz dhe i regjistruat në Tiranë sigurisht ka dhe njerëz që mund të kthehen por për ne nuk ka pikë problemi. Por kam shumë merak për ju se ju prapë do lini fytyrën në këtë histori sepse do të shikoni mirë nëse doni ta shikoni, pastaj nëse e keni parë dhe e bëni propagandë, dhe e dini mirë atëherë është punë tjetër. Në atë lëvizje historia është krejt tjetër. Histori që mbaron me regjistrimin e kandidates tuaj me kontratë qeraje tek daja që ka 4 fëmijë…. Tani, normal, s’ka problem. Ka të drejtën e vet ti japë qeranë dajës. Ka të drejtën e vet të flejë me kalamajtë e dajës ose poshtë krevatit të dajës”, tha Rama. Ndërkaq ish-kryeministri Berisha në kundërpërgjigje të akuzave të kryeministrit si edhe kritikave të deputetit Paulin Stërkaj për qeverisjen e djathtë në Veri të vendit, theksoi se kandidatja socialiste në Shkodër Keti Bazhdari se e ka vënë pasurinë duke kërcënuar të dashurin e saj. “Unë nuk dua të merrem me kandidaten por meqë po sheh Bazhdarin po e them këtu, ia kam thënë dhe më përpara. Pasuria e saj është me tytë revolesh. Kujt ia mori Keti pasurinë?! Si na lindi Keti pasunare e madhe?! Si na u bë?! E bija e një ish të përndjekuri?!Me revolen ndaj kujt? ! Jua them unë: Me revole ndaj të dashurit të vet që e kishte me depresion”- theksoi Berisha. Më parë deputeti socialist Paulin Stërkaj kishte deklaruar se kandidatja e së majtës ishte favorite për garën në Shkodër, ndërsa sulmoi kandidatët e përzgjedhur nga PD në garën për zgjedhjet vendore. “Ju ka shqetësu në Shkodër vrulli i mirë i Keti Bazhdarit. Ka mundësi që Keti do të jetë kryetare e bashkisë Shkodër. Më 21 qershor do flasim. Keni marrë ca axhenda. Keni fut ca bashkëpunëtorë. Keni fut disa kandidatë që vijën nga radhët e burgjeve e jo të shoqërisë së mirë për të përfaqësuar të djathtën. E rëndësishme është që më 21 qershor do flasim krejt ndryshe. Do na mirëkuptojë krejt veriu”, tha ai.

 

Batutat për Gridën/ Shkëlzen Berisha, Ramës: Po ti kur rrije ke shtëpia e Dashnorit në Pezë?

Djali i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, ka reaguar dje pas deklaratave të kreut të qeverisë, Rama, për kandidaten e PD-së në Durrës Grida Duma. Duke ironizuar me komentet e Kryeministrit, Berisha theksoi se Rama duhet të kujtojë kohët kur rrinte tek shtëpia e deputetit socialist Dashamir Peza. “Daja i Gridës dhe Dashnori i Ramës. Me fjalorin që i shkon më shumë për shtat Rama sulmoi sot Grida Dumën meqë paska bujtur tek daja e saj gjatë fushatës që po bën në Durrës duke thënë: Ka të drejtën e vet t’i japë qeranë dajës, te flerë me kalamajtë e Dajës ose poshtë krevatit te Dajës”. Mbase nuk e ka pasur me të keq, pasi edhe kur ishte kryebashkiak, por banonte np Pezë, ka pasur nderin t’i jepte qeranë Dashnorit, të flinte me fëmijët e Dashnorit, poshtë ose sipër krevatit të Dashnorit. Dhe të mendosh që kjo histori nuk ka zgjatur 60 ditë por me vite. (P.S behet fjale për Dashnor Pezën ne shtëpinë e te cilit Rama ka kaluar vitet e fundit te beqarisë dhe te parat e moshës se trete)”, – shkruante Berisha.

 

Incidenti në Ersekë/ PD: Rama-Meta, autorë të sulmit, pushtet që godet me karrige kreun e PD-së. Policia arreston Liçon

Kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka akuzoi dje mazhorancën nga salla e Parlamentit se pas sulmit ndaj kreut të PD-së në Ersekë qëndron sentenca e së majtës se për pushtet mund të bëjë gjithçka duke përfshirë sipas tij edhe përplasjen civile. “Nuk po bëjnë gjë tjetër po tregojnë se për pushtetin e tyre janë gati ta çojnë këtë vend në përplasje civile. Urgjentisht u bëjmë thirrje institucioneve të përgjegjshme të këtij vendi të ndërhyjnë, edhe ndërkombëtarëve se duket që kjo mazhorancë nuk ka përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë. Në 21 qershor do i tregojmë se vetëm në drejtimin e duhur nuk është’, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD-së, nga foltorja e Kuvendit”, – tha Paloka. Ndërkohë kreu i Kuvendit Meta tha se i bashkohej shqetësimit të Palokës për ngjarjen e ndodhur dhe kërkoi që të merren masa për çdo person që synon të dëmtojë qytetarët. “Do doja të bashkohesha me shqetësimin që ngriti z. Paloka. Nuk dua të vë në diskutim që ka ndodhur një ngjarje e rëndë, përderisa PD ka reaguar dhe policia ka arrestuar personin përgjegjës. Të merren masat për çdo person që synon të dëmtojë çdo qytetar”, – deklaroi Meta. Ndërkaq, në Parlament PD paraqiti disa foto ku vërtetohej se Suel Liço ishte pjesë e skuadrës së Rilindjes dhe ishte çuar në takimin e mbrëmshëm në Ersekë për të sulmuar opozitën. Por nga fotot që u bënë publike nuk u shfaq në Parlament një foto ku Suel Liço kishte dalë me Pandeli Majkon. Një foto të tillë ia vuri në dispozicion kreu grupit parlamentar të PD-së Edi Paloka vetë Pandeli Majkos tek tavolina e tij. Fotoja ishte në albumin e fotove që Bylykbashi kishte në dispozicion, por foton e la në tavolinë, duke mos e marrë me vete në foltore. Nga ana e saj Partia Demokratike përmes një deklarata theksoi: “Dënojmë me forcë përpjekjet e dështuara të dyshes Rama-Meta për të kamufluar dhunën politike të urdhëruar dhe orkestruar nga kjo dyshe në aktivitetin elektoral të kryetarit të opozitës në Ersekë. Përpjekja mjerane për të kamufluar identitetin e autori të dhunës, nxjerr edhe më zbuluar autorët e vërtetë të dhunës në Ersekë, dyshen Rama-Meta”.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here