Në Parlament/ Blushi: PD e kishte Hasanin pantofël, ne e bëmë kapele. Përgjigjja për ata që kërkojnë alternativë

Gëzim Saliu

blushi ne parlament“Diskriminim klasor që 400 mijë shqiptarë jetojnë me 400 lekë në ditë, nëse s’merremi me ta do falimentojmë. Taksa progresive u deformua, ne taksojmë më shumë atë që punon sesa atë që bën biznes”

Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, iu përgjigj dje të gjithë kritikave të brendshme të të majtëve, duke paraqitur në seancën parlamentare edhe alternativën e tij se si mund të ndryshohet situata aktuale në vend. Duke iu referuar pyetjes së bërë nga deputeti socialist Eduard Bejko në seancën e kaluar, i cili kërkoi nga Blushi që krahas kritikës ndaj qeverisë të jepte edhe alternativën e tij, anëtari i Kryesisë së PS-së parashtroi qëndrimin ku, sipas të cilit, duhet dyfishim i pagës minimale. “Unë jam pjesë e grupit ku jam zgjedhur dhe besoj se lufta kundër varfërisë nuk është për të pasuruar të varfrit duke pasuruar të pasurit. Ne sot nuk na kërcënojnë luftërat, por varfëria. Mendojmë se duhet të bëjmë një zgjedhje duhet të ndihmojmë më shumë ata që janë në nevojë. Do të jenë vetëm e vetëm me ata që na sollën në pushtet dhe me ata që janë në nevojë”, – tha Blushi. Më tej, deputeti socialist deklaroi se sot janë 400.000 persona, të cilët jetojnë me 400 lekë dhe për të kjo është e papranueshme. Sipas tij, nëse shoqëria nuk do të mësojë të bashkëjetojë me këta 400.000 persona atëherë vendi do të shkojë drejt falimentimit. “Jam i bindur se ka më shumë mundësi për të garantuar më tepër harmoni. Janë 400.000 vetë që jetojnë me 400 lekë. Për këtë më vjen turp. Kjo shumicë ka më shumë mundësi që të nxjerrë 400.000 vetë nga tortura. Janë këta që kërkojnë azil. Proporcionalisht duhet të shpërndajmë më shumë për ta. Kjo shoqëri ka për të falimentuar nëse nuk mëson që të bashkëjetojë me të 400.000 të varfrit”, – u shpreh Blushi.

 

Taksa progresive

Për Blushin është e papranueshme që taksa progresive e qeverisë së majtë është deformuar dhe sot taksohet më tepër mendja sesa pasuria sipas tij. Duke qëndruar te sistemi i taksimit Blushi e cilësoi si të papranueshme që një nëpunës Banke taksohet më shumë se sa pronari i një banke. “Taksa progresive u deformua, ne taksojmë më shumë atë që punon sesa atë që bën biznes. Ai që fiton 1.000 euro taksohet 23%, ai fiton 1 mln taksohet 18%. Kë taksojmë ne më shumë pasurinë apo mendjen. S’na mungon asnjë pasuri. Na mungon mendja. Taksojmë më shumë mendjen se sa pasurinë. Unë dua që të taksohet mendja më pak se sa pasuria. Jam i bindur se ka më shumë mundësi për të garantuar më tepër harmoni”, – theksoi Blushi. Ndërkaq deputeti socialist iu përgjigj edhe demokratëve në sallën e parlamentit, të cilët, sipas tij, shpeshherë këto kohët e fundit kanë përdorur kritikat e tij ndaj mazhorancës si argumente për të paraqitur keqqeverisjen. “Meqë jeni marrë me atë punën e Hasanit, po ju them dy fjalë. Hasani është produkti juaj, edhe kjo punë e di si ishte? Ju e kishit pantofël ne e bëmë kapele… po prapë është produkti juaj”, – tha Blushi.

 

Topalli, Blushit: Dëshmitar i heshtur dhe sehirxhi, nuk fole kur Rama futi kriminelët në Kuvend

Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, reagoi dje në Parlament ndaj deklaratave të deputetit Ben Blushi. Ish-kryeparlamentarja tha se nuk binte dakord me qëndrimet relative të Blushti, sipas së cilave, faji kryesor për gjendjen e vendit sot është i politikës. “Nuk bie dakord me Blushin kur thotë se e gjitha kjo që po ndodh është faj i klasës politike. Pse po ikin sot shqiptarët e jo dje? Diku iu referuar shifrave nga ministria gjermane, rezulton se në 2006 kanë ikur 140 shqiptarë, në 2011 kanë ikur 87 shqiptarë, bë 2013 1295, në 2014 kanë ikur 8113; dhe 6 486 shtetas kanë ikur vetëm në 4 muajt e këtij viti. Shifrat nuk janë njësoj zoti Blushi. Ne rrisnim rroga, pensione, ndërtonim rrugë, gjë që ju nuk e bëtë. Ju sollët vetëm eksod”, – u shpreh Topalli. Nga ana tjetër duke u ndalur tek dekriminalizimi i Kuvendit, Topalli tha se Blushi që e akuzon tani kryeministrin për këtë gjë, nuk foli në kohën kur këta deputetë u futën ën listat e PS-së. “Ti i dije kandidatët e PS për deputetet në 2103, po nuk fole në atë kohë. Gjatë kësaj kohe ke qenë dëshmitar i heshtur dhe sehirxhi, Blushi nuk është i sinqertë. Ti i dije kandidatët e PS për deputetet në 2103, po nuk fole në atë kohë. Gjatë kësaj kohe ke qenë dëshmitar i heshtur dhe sehirxhi. Në 2013 nuk fitoi PS, sa kishit po aq vota sa në 2009. Fituesi ishte Ilir Meta, ai 3­fishoi votat e veta, pikërisht ai që u zu me bllok në dorë”.

 

Ambasada e SHBA-së, qytetarëve: Në zgjedhje votoni persona pa rekorde kriminale

Gjatë një takimi me studentë ekselencë, zv.ambasadori amerikan Henri Jardine u kërkoi qytetarëve që të pyesin kandidatët për gjëra konkrete, sepse në këtë mënyrë ata kanë mundësi të zgjedhin njerëz të pastër dhe pa rekorde kriminale në të shkuarën. Për integrimin e Shqipërisë në BE, zv.ambasadori tha se zgjedhjet janë të rëndësishme po ashtu edhe lufta ndaj korrupsionit. Ndërsa azilin nuk e sheh si zgjidhje për qytetarët dhe për vendin. “Ne duam të japim një mesazh se këto zgjedhje janë të rëndësishme sepse ju do të votoni për të ardhmen e komunitetit tuaj. Qytetarët duhet të pyesin vetë kandidatët për veten dhe për gjërat konkrete që ata kanë në projekt për vendin. Dhe ata kanë të drejtë të zgjedhin persona të pastër pa rekorde kriminale në të kaluarën e tyre”, – pohoi Henri Jardine. Në takim me studentët ai tha se Shqipërinë duhet ta bëjnë të talentuarit ndërsa për largimin e shqiptarëve zv.ambasadori tha se nuk është zgjidhje dhe kjo nuk e ndihmon aspak vendin. “Përpjekjet e SHB mund të ndihmojnë Shqipërinë në integrimin evropian. Inkurajojmë për zgjedhje vendore të lira dhe për çështje të rëndësishme si lufta ndaj korrupsionit. Por të kërkosh azil në Gjermani nuk është zgjidhje për shqiptarët sepse largimi nuk do ta ndihmojë Shqipërinë. Ata duhet të qëndrojnë në vendin e tyre dhe të punojnë për ta ndryshuar atë”.

 

 

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko