Shpërthimi/ Bankers: Do dëmshpërblejmë banorët, por do hapim edhe 11 puse të tjera

0
156

Artan Cena

shperthimet e marinzesKompania Bankers Petroleum ka reaguar pas raportit paraprak të Prokurorisë dhe institucioneve të tjera që e nxjerrin fajtore për Marinzën

Kompania Bankes Petroleum ka deklaruar se do të kompensojë të gjithë banorët e zonës së Marinzës që janë dëmtuar nga shpërthimi i fontanës. Gjatë ditës së djeshme, pasi Prokuroria e Fierit në bazë të analizave të disa institucioneve doli në përfundimin se shkaktarja kryesore e shpërthimeve në Marinzë është kompania Bankers Petrolium dhe pasi thirri për të dhënë sqarime administratorin shqiptar të kësaj kompanie, Leonidha Çobo, ka ardhur edhe reagimi i kompanisë. Në një komunikatë për mediat ku kompania bën një rezyme të bilancit financiar të tremujorit të parë të këtij viti, kompania zotohet për të dytën herë se do paguajë dëmshpërblimet. Ndërkaq kompania ka bërë publike gjithashtu edhe faktin se do të hapë edhe 11 puse të reja në zonën e Patos-Marinzës, aty ku edhe doli gazi duke dëmtuar dhjetëra shtëpi e duke e bërë zonën të pabanueshme.

 

Premtimet e Bankersit

Ka qenë data 1 prill kur janë regjistruar shpërthimet e kompanisë Bankers Petroleum e pavarësisht kësaj banorët ende nuk janë dëmshpërblyer për dëmet që u janë shkaktuar. Kjo është hera e dytë që kompania premton dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara. Në lidhje me incidentin e çlirimit të dioksidit të karbonit të ndodhur në 1 Prill 2015 gjatë shpimit të një pusi horizontal, Bankers është fokusuar në dy objektiva kryesorë. Së pari, të koordinohet me zyrtarët e komunitetit lokal për të rehabilituar zonat e dëmtuara dhe për të kthyer banorët në jetën e tyre normale përmes punëve rehabilituese dhe kompensimit të çdo dëmi. Thuhet ne njoftimin e kompanisë Bankers. Ndërkohë kompania sqaron se ka ndërmarrë një vlerësim teknik të praktikave të shpimit për të garantuar që kjo mos të ndodhë më në të ardhmen. Sipas Prokurorisë së Fierit rezultatet e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, dolën në përfundimin vlera e matur e acidit sulfurik në zonë (SO2), e tejkalon me 56.1% normën e Organizatës Botërore të Shëndetit, ndërsa dioksidi i azotit (NO2) masën 49% mbi normën e OBSH-së. Ndërkohë ministria e shëndetësisë doli në përfundimin se uji i Ujësjellësit të fshatit nuk mund të përdoret për furnizim publik.

 

Puset e reja

Pavarësisht nga dëmi i shkaktuar në zonën e Marinzës dhe presioni i shtetit e opinionit publik për të ndërprerë aktivitetin deri në bonifikimin e pasojave, kompania Bankers Petroleum nuk ka ndërmend ta pezullojë aktivitetin e saj. Në raportin e veprimtarisë gjatë tremujorit të parë të këtij viti, kompania njoftoi se planifikon të shpojë 11 puse horizontalë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2015, nëntë puse horizontale në fushën e Patos-Marinzës, pikërisht aty, ku ndodhi edhe katastrofa mjedisore, një pus horizontal në Kuçovë dhe një pus horizontal për depozitimin e ujit. “Bankers do të vazhdojë të zgjerojë programin e injektimit të polimerit dhe ujit me konvertimin e katër puseve të planifikuara në tremujorin e dytë. Shumica e konvertimeve të 2015-ës janë planifikuar për gjysmën e dytë të vitit, pas instalimit të pajisjeve”, – thuhet në njoftimin e kompanisë koncesionare kanadeze.

 

I kërkuari për tritolet e Tahirit, Bruka kreu i një celule terroriste në Itali

Baftjar Bruka, autor i shpërthimit me tritol në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, është drejtues i një celule xhihadiste në Venecia. Lajmi bëhet i ditur nga revista italiane “L’Espresso”, e cila u referohet burimeve nga Ministria e Brendshme në Romë. Autoritetet italiane thonë se grupi i identifikuar prej tyre ka në përbërje shtetas shqiptarë. Ndaj dhe qyteti i qetë, mjaft tërheqës për turistët e huaj, mund të jetë streha e Baftjar Burkës.

Revista italiane e konsideron 24-vjeçarin shqiptar, një teknik të aftë për të krijuar bomba me celularë. Këto metoda i ka përdorur edhe në 3 atentatet e 10 Shkurtit në Tiranë, një prej tyre ndaj farmacisë së Bashkim Tahirit. Ndërsa atentati i tretë dështoi. Për këto atentate ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar. “L’Espresso” shkruan gjithashtu se Bruka nuk është i panjohur për hetuesit italianë. Ai ka shkelur në vendin fqinj më shumë se një herë dhe u është nënshtruar disa kontrolleve të policisë. Revista italiane ka zbuluar se në 2013, ai është ndaluar për kontroll nga autoritetet në Piza. Ndërsa një vit më vonë, i është nënshtruar kontrollit të radhës në Venecia. Në këtë qytet mund të jetë edhe vendndodhja e tij aktuale, pas identifikimit të një rrjeti terrorist, të drejtuar prej tij.

 

Gjykata lë në burg Nderim Lushin, mbështetësit protesta

Nderim Lushi, organizatori i protestës në Kukës për faljen e kamatëvonesave të energjisë elektrike, e cila degjeneroi në dhunë do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. Gjykata e pranoi dje kërkesën e Prokurorisë për ta mbajtur në qeli 34-vjeçarin me akuzën e tubimit të paligjshëm. Jashtë Gjykatës ku ishin mbledhur mbështetësit e tij, Nderim Lushi u shpreh se nuk do ta ndalë protestën. Nderim Lushi u arrestua në datën 4 maj gjatë tentativës së një grupi protestuesish për të bllokuar rrugën e kombit. Ai u keqtrajtua nga shefi i Krimeve, Albiol Xhitoni, i cili u filmua duke e qëlluar me grushte, pasi e kishte prangosur dhe e kishte futur në një makinë policie. Xhitoni u filmua edhe duke kërcënuar protestuesit me pistoletë, një veprim i paprecedent ky, për të cilin ai u pezullua nga detyra dhe po hetohet nga Prokuroria. Familjarët e Nderim Lushit akuzuan policinë një ditë më parë se e kishte dhunuar atë edhe në qelitë e paraburgimit. Ata nuk u lejuan që ta vizitonin atë përgjatë 3 ditëve që u mbajt në qeli.

 

Alarmi vazhdon! Gjermania hap qendra të reja për pritjen e shqiptarëve

 Shtimi i jashtëzakonshëm i valës së refugjatëve në Gjermani i ka detyruar autoritetet gjermane të përgatisin me shpejtësi disa qendra të reja pritjeje për to. Krahas refugjatëve nga vende në luftë, si Iraku, Siria apo edhe Libia, për gjermanët po shndërrohet në një problem vala e refugjatëve shqiptarë (nga Shqipëria, Kosova apo Presheva), përfshirë këtu edhe romët që flasin shqip. Qendra më e fundit e pritjes është hapur në qytetin Ellwangen në Landin e Baden-Vyrtenbergut. Kjo qendër u hap në ish-kazermat e Bundenswer-it (Ushtrisë Federale Gjermane) në fillim të muajit prill dhe aktualisht në këtë qendër janë strehuar 343 refugjatë. Brenda datës 10 maj numri do të shkojë në 500 refugjatë. Kapaciteti maksimal i kësaj qendre është 1000 refugjatë. Deri tani në qendër ka kryesisht refugjatë shqiptarë. Për grupet familjare veçanërisht ato me fëmijë të vegjël, kushtet e jetesës në qendër janë dukshëm më të mira se për refugjatët meshkuj dhe jo familjarë. Gazetari gjerman i “De Welt” madje e ilustron shkrimin me foton e një çifti shqiptar Gazmir dhe Esmeralda Malajt së bashku me djalin e tyre rreth 5 vjeç. Fotoja është bërë brenda kampit të refugjatëve, në zonën ku autoritetet gjermane kanë vendosur disa lodra të thjeshta për të zbavitur fëmijët e refugjatëve. Vetëm 2 km larg kampit të refugjatëve, bashkia e qytetit ka instaluar në një park publik zonë me Wi-Fi (internet) falas, kështu që refugjatët që disponojnë smart-phone komunikojnë pa pagesë me familjarët e tyre të mbetur në Atdhe.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here