Ekonomia, ndryshe flasin ekspertët e ndryshe flet ministria

0
165

Ekonomia– Qëndrime të kundërta lidhur me ecurinë. E vërteta qëndron në mes, apo qëndron tek ekspertët dhe jo te politikanët?

Do të jetë e vështirë, me sa duket, që të ketë një qëndrim të përbashkët dhe të gjithëpranuar mbi situatën ekonomike në vend.

E vetmja gjë që mund të bëhet është të vëmë përballë ato që raportohen nga institucionet e specializuara dhe sondazhet e pavarura nga institucione të besueshme, me deklaratat politike të ministrisë dhe të aleatëve politikë të saj.

Nga ato që ka thënë ministri por edhe një diplomat i rëndësishëm i huaj në Shqipëri, rritja ekonomike dhe klima e biznesit vazhdojnë të jenë në rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme. Edhe Instat gjithashtu ka raportuar për një rritje të eksporteve, por edhe të importeve.

Deri këtu duket gjithçka në rregull. Për shembull është thënë se është rritur ekonomia 1.9% dhe ka qenë 2014 një nga vitet më të vështirë ekonomikë për të korrektuar atë që u la pas dhe do duhet akoma edhe një vit tjetër për të korrigjuar atë që është bërë në 8 vite rresht të qeverisjes së kaluar.

Doza e optimizmit është shtuar edhe më tepër kur nga një partner i rëndësishëm dhe mik i Shqipërisë është deklaruar se “…klima e biznesit këtë vit (është) më e mirë se vjet apo parvjet… dhe ky është një lajm i madh”. Sipas këtij optimizmi, një gjë të tillë e tregon rritja e indeksit të biznesit dhe se për këtë duhet vlerësuar qeveria shqiptare dhe ministrit Ahmetaj që kanë mbështetur bizneset.

Por nuk e mendon kështu për shembull Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHA).

Sipas saj, në bazë të një sondazhi të kryer, vetëm 23% e bizneseve deklarojnë se situata e tyre është përmirësuar, ndërkohë që në vitin 2014 kjo shifër arrinte në 36%. Për 48% të të anketuarve situata ka qëndruar e pandryshuar, ndërsa 29% e tyre e shohin si të përkeqësuar.

Kë të besojmë, gjermanët, amerikanët, apo shqiptarët? Zgjedhja është e lirë, fatmirësisht.

Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike ra me 4.6 pikë në tremujorin e parë të vitit 2015, duke frenuar kështu prirjen rritëse, të regjistruar që prej tremujorit të katërt të vitit 2013. Treguesi qëndroi mbi mesataren historike gjatë tre tremujorëve paraardhës, por aktualisht është 0.5 pikë nën mesataren afatgjatë.

Ky tregues përfshin sektorë të rëndësishëm të ekonomisë si Industria, Tregtia, Shërbimet dhe besimi i konsumatorit, besimi i të cilave ka shënuar rënie, me ndërtimin që kryeson me 5.2 pikë përqindje, i ndjekur nga tregtia me 4 pikë përqindje.

Për ta mbyllur më konkretisht me tregtinë, sikurse përmendëm më lart, treguesit e eksporteve dhe importeve kanë shënuar të dy rritje gjatë muajit mars 2015, si në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, ashtu edhe me muajin paraardhës të këtij viti. Megjithatë është rritur edhe deficiti tregtar i këtij muaji, që rezulton në masën 22 mld lekë, duke u rritur me 3.7% krahasuar me marsin 2014 dhe 7.2% në krahasim me shkurtin 2015.

Dhe nuk duhet harruar se rritja ekonimike prej 1.89%, është gjithsesi më e ulët se sa parashikimi i qeverisë dhe FMN-së për rritje 2.1 për qind.

Ç’të thuash, e vërteta qëndron në mes, apo qëndron tek ekspertët dhe jo te politikanët?

 

Turizmi përdor mjetet e NATO-s për shëtitje (?!)

Në datat 28-31 gusht ka mbërritur në Shqipëri një shoqatë e agjencive të huaja të turizmit, e cila sipas Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT) është elitare.

Mirëpo, sipas KLSH, sikurse është referuar nëpër media, të cilat janë cituar dhe nga APPA, udhëtimi i rreth 30 shtetasve të huaj për në vendin tonë është mbuluar financiarisht nga AKT, në shkelje të ligjit, i cili nuk e parashikon një gjë të tillë.

Bëhet fjalë për dhjetëra mijëra euro të taksapaguesve shqiptarë.

Por nuk mbaron me kaq. Qeveria aktuale me të drejtë lëshoi kritika të forta ndaj qeverisë së kaluar për përdorimin e disa helikopterëve të Forcave Ajrore shqiptare, të cilat kishin përfunduar si dekor i një kënge RnB nëpër televizionet lokale. Këto mjete përdoren për qëllime ushtarake dhe misione të fisme paqeruajtëse dhe humanitare në kuadër të NATO-s nëpër botë dhe që kushtojnë miliona euro.

Por turizmi (AKT) i qeverisë së re ka mundur të shkojë edhe përtej kësaj, duke përdorur mjetet (anijet) e Rojes Bregdetare shqiptare për shëtitje turistike të shtetasve të huaj.

Në asnjë ligj nuk parashikohet një gjë e tillë. Përkundrazi, roli i Ushtrisë Shqiptare dhe i Forcave të Armatosura është krejt i ndryshëm. Ai ka lidhje me qëllime ushtarake, me mbrojtjen kombëtare dhe me dhënien e ndihmës civile, por kurrsesi me dëfrimin dhe shëtitjen e shtetasve shqiptarë apo të huaj.

Me këtë shkelje, nuk mund të ngarkohet gjithsesi vetëm turizmi, i cili nuk i ka të reja aventura të tilla, siç ka raportuar një televizion kombëtar së fundmi, por edhe vetë elita ushtarake e cila e ka lejuar një gjë të tillë të ndodhë.

 

(marrë nga APPA – Albanian Platform for Policy Advovacy)

 

Inflacioni ngre kokën, 2.3% në muajin prill

Çmimet e larta në prodhimet të stinës që po vijnë për shkak të limitimit të prodhimit nga përmbytjet, tarifat më të larta të shërbimeve arsimore dhe çmimi i lartë i naftës kanë ndikuar në rritjen e inflacionit në muajin prill në 2.3%. Ky ndryshim vjetor është më i larti që prilli i vitit të kaluar. Në muajin Prill 2015 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 2,3%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,7%.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit. Rritja vjetore në muajin Prill 2015 është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +2,06 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,14 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me -0,16 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,09 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” dhe “Mallra e shërbime të ndryshme” kanë kontribuar secili me -0,05 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Prill 2014, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 10,1%, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 6,5%, grupi “Komunikimi” me 2,3%, etj. Çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 5,2%. Brenda këtij grupi çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 18,5%, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet” me 15,9%, “peshk” me 2,5%, “qumësht, djathë e vezë” me 0,7%, etj. Çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 3,3%, pasuar nga nëngrupi “kafe, çaj e kakao” me 2,5%, etj. Ndërsa ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “Shëndeti” dhe “Transporti” me 1,5% secili, pasuar nga grupi “Veshje dhe këpucë me 1,3%, grupi “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,1%, etj.

Ndryshimi mujor i indeksit është – 0,5%. Krahasuar me muajin Mars 2015, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Qera, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,5% pasuar nga grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,8%.

Rritja më e madhe mujore vërehet në grupin “Transporti” me 0,8%. Krahasuar me një muaj më parë çmimi i eurodiezelit u rrit me 1,9% dhe çmimi i benzinës u rrit me 2,6%.

 

 

Riaktivizohet deri në 15 korrik skema lehtësuese nga OSHEE

Skema lehtësuese e ofruar nga OSHEE për të gjithë konsumatorët debitorë që shlyejnë menjëherë detyrimet e prapambetura është riaktivizuar deri më 15 Korrik. Në vendin tonë numërohen diçka më shumë se 800 mijë abonentë familjarë, ku 500 mijë prej tyre rezultojnë debitorë. Duke marrë shkas nga kërkesat e abonentëve, por edhe nga reagimi i tyre për shlyerjen e detyrimeve, është vendosur që skema lehtësuese të shtyhet deri më 15 Korrik. 200 mijë abonentët që do të mund të përfitojnë nga kjo skemë kanë një borxh të akumuluar prej 39 miliardë lekë. Ndërsa të ardhurat shtesë në arkën e kompanisë OSHEE, bënë që këshilli mbikqyrës të vazhdojë të marrë vendime në favor të konsumatorëve. Skema lehtësuese për debitorët do të funksionojë nga data 15 Maj deri më 15 Korrik, ndërkohë që, do të përfshihen vetëm detyrimet e krijuara deri më datë 31 Dhjetor të vitit 2014.

 

 

Rrjeti rrugor në Shqipëri pengon ndërtimin e gazsjellësit

Rrjeti rrugor shqiptar përveçse është i papërshtatshëm për të transportuar makineritë dhe tubacionet e rënda që kërkon projekti TAP, rrezikon të amortizohet edhe më tej.

Burime shqiptare pranë grupit Metka S.A. bënë me dje se, sistemi rrugor shqiptar është mjaft i papërshtatshëm për transportin mjeteve dhe makinerive që duhen për gërmimin dhe shtrimin e tubacionit. Veta tubat disa tonelata do të hasin vështirësi në transportimin e tyre drejt destinacioneve, po më e rënda është se ato mund të krijojnë probleme të rënda amortizimi në rrugët ekzistuese.

Të njëjtat burime pohuan se inventari i deri tanishëm i rrugëve rurale nuk është i saktë. Pasi shumë prej këtyre segmenteve pasi janë verifikuar në terren kanë rezultuar në gjendje më të mjerueshme se sa është raportuar fillimisht. Burimet pranë kontraktorit potencial e thonë me bindje se, llogaritë e

TAP për infrastrukturën mbështetesë do të rriten të paktën edhe me 20 për qind, për shkak se, realiteti në rrjetin rrugor që të con të vija e tubacionit është shumë më e rëndë se sa është raportuar.

Ndërtimi i rrugëve ndihmëse dhe urave në Shqipëri është një hap vendimtar në përgatitjet e TAP-it për ndërtimin e tubacionit,i parashikuar për të filluar në vitin 2016. Fushëveprimi i punës për këtë kontratë mbulon ndërtimin dhe rehabilitimin e mbi 100 kilometrave rrugë përgjatë trajektores së tubacionit: në Vishoçicë, Trestenik, Vithkuq dhe Shtyllas në rajonin e Korçës, Çorovodë, Kakrukes si edhe në rrethinat e Potomit në rajonin e Beratit dhe Seman dhe Topojë në rajonin e Fierit dhe Ndërtimin e dy urave të reja dhe rehabilitimin e rreth 50 urave ekzistuese në rajonet e Korçës, Beratit dhe Fierit. Punimet pritet për këto rrugë pritet të fillojnë në tremujorin e dytë të vitit 2015.

TAP ka përzgjedhur një sipërmarrje të përbashkët formuar si konsorcium nga Gener 2 sh.p.k dhe Sicilsaldo s.p.a për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve ndihmëse dhe urave në Shqipëri.

Gener 2 sh.p.k është kompania udhëheqëse në këtë konsorcium kompanish . Ajo është një kompani shqiptare me një përvojë 20 vjeçare që merret me ndërtim dhe zhvillim. Kompania ka zbatuar një numër të madh projektesh si në pronësi private ashtu dhe të financuara nga shteti ku janë përfshirë punime dhe shërbime të ndryshme si punime inxhinierike, projektim menaxhim, koordinim dhe mbikqyrje e ndërtimeve si dhe aktivitete të tjera.

 

 

Rritet tregtia me Kosovën

Tregtia me Kosovën duket se, po përjeton një periudhë paqeje në zinxhirin e tejzgjatur të konfliktit tregtar, pasi eksportet shqiptare drejt Kosovës u rriten me 53 për qind në tremujorin e parë të vitit 2015.

Gjatë periudhës janar-mars të vitit 2015 eksportet drejt Kosovës shënuan një vlerë prej 4.8 miliardë lekësh nga 2.8 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave të INSTAST peshën kryesore e zuri eksporti i grupit minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike me 59 për qind të totalit të tremujorit.

Më pas vijnë materialet e ndërtimit, ku tullat hekuri dhe çimentoja i janë rikthyer trendit normal pas bllokimeve nëpërmjet rritjes së tarifave doganore që Kosova aplikoi në vitin 2013.

Në gupet e tjera të mallrave thuajse nuk ka ndryshime. Madje këtë vit mësohet se, Shqipëria ka humbur totalisht Kosovën si treg për veshjet ë këmbës dhe artikujve të tjerë të lëkurës

Në vitin 2014 eksportet me Kosovën zunë 7,3% të eksporteve nga 6,2% që zinin në vitin 2010.

Gjatë harkut kohor 2010-2014, në eksportet me Kosovën kemi një tendencë në rritje deri në 2012, e cila shkon në ulje në 2013 dhe pëson rritje në 2014 dhe vijon më tendencë të madhe rritjeje edhe më 2015.

 

 

Të dhënat personale të shqiptarëve janë të pasigurta

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe postare konstaton se shumica e operatorëve nuk respektojnë rregullat për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve. Me një letër zyrtare, AKEP ju ka bërë të ditur operatorëve se masat mbrojtëse të nevojshme për të realizuar sigurinë e rrjeteve elektonike nuk janë të plota dhe në përputhje me detyrimet ligjore dhe aktet rregullatore. Për këtë arsye, AKEP ka urdhëruar të gjithë operatorët që, brenda datës 1 Shtator 2015, të sigurojnë që të dhënat personale të përdoruesve të jenë të aksesueshme vetëm nga personeli i autorizuar për qëllime ligjore të autorizuara. Gjithashtu, operatorët duhet të marrin masa që të mbrojnë të dhënat personale të ruajtura ose të transmetuara nga shkatërrimi humbja apo nga përdorimi i tyre në mënyrë të jashtëligjshme. Së fundmi, të gjithë operatorët e komunikimeve elektronike duhet të zbatojnë politika të sigurisë, lidhur me përpunimin e të dhënave personale. Operatorët kanë afat deri në 1 Dhjetor 2015 të dorëzojnë në AKEP kopje të raportit të auditit të sigurisë të kryer nga një organ i certifikuar dhe i pavarur, mbi rezultatet e masave mbrojtëse të sigurisë. Mbrojtja e të dhënave personale është një problem që lidhet sidomos me operatorët e shërbimit të internetit. Informacioni që përmbajnë komunikimet përmes internetit mund të aksesohet nga persona të paautorizuar dhe të keqpërdoret, me qëllim për përfitime ekonomike apo për të shkaktuar dëme morale.

 

Pritet aktivizimi i aeroportit të Kukësit

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, deklaroi se vënia në punë e Aeroportit të Kukësit do të krijojë mundësinë e ofrimit të një shërbimi me kosto më të ulët për qytetarët shqiptarë, ndërsa evidentoi rëndësinë që ka ky projekt për zonën. Gjatë inspektimit të Aeroportit të Kukësit, ministri Haxhinasto theksoi se vënia në punë e këtij aeroporti është një mundësi zhvillimi dhe punësimi për zonën e Kukësi. Po ashtu, ai evidentoi se është një vepër dinjitoze e realizuar me financimin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Nga inspektimi i kryer, ministri konstatoi se mirëmbajtja dhe kushtet e aeroportit të ndërtuar rreth 11 vite më parë, janë në gjendje të mirë. “Duhet të sigurojmë gatishmërinë për fluturime ndërkombëtare, sidomos ato Low Cost. Operimi i këtij aeroporti është një mundësi zhvillimi dhe punësimi për zonën e Kukësit dhe do të ofrojë mbi 200 vende pune”, deklaroi Haxhinasto. Ministri më pas inspektoi edhe urat që po ndërtohen përgjatë rrugës së Kukësit. Aktualisht, tha ai, qarkullohet vetëm në gjysmën e veprës. Ai theksoi se qeveria e ka prioritet financimin e këtij segmenti rrugor, veçanërisht për rëndësinë që ka në lidhjen me Kosovën dhe vetë banorët e zonës dhe rrjetit kombëtar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here