Gëzim Saliu
Meta: Qeveritë i kanë borxh Gjirokastrës, pasi e kanë lënë në harresë. Kemi besuar te emancipimi dhe gratë në drejtim
Kryeministri Edi Rama së bashku me Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta vijoi prezantimet e kandidatëve për kryetarë bashkish në jug të vendit, ku u ndal dje në qytetin e Gjirokastrës. Në këtë takim, ku u prezantua kandidatja e majtë për Bashkinë, Zamira Rami, kreu i qeverisë vuri në dukje atë që e cilësoi si emancipimin e Aleancës për Shqipërinë Evropiane në përzgjedhjen e më shumë kandidateve femra sesa në zgjedhjet. “Jemi të bindur që shumica dërrmuese e shqiptarëve na mirëkuptojnë dhe e mirëkuptojnë dhimbjet që shkaktojnë reformat që duhet të ishin bërë vite e vite të tëra, dhe sot janë operacione mbi plagë shumë e shumë më të thella. PSLSI e mbështesin 65 për qind e grave dhe femrave shqiptarëve. Fakti që na mbështesin shumë gra në një shumicë të madhe, tregon emancipim. Ndaj është tamam siç thotë ai poeti i madh për gratë. Dhe pika atyre burrave që rrinë dhe kuvendojnë nën hije. Ashtu sikur dhe Bime dhe Stefan Çipa në Sarandë, duhet ta kuptojnë forca e gruas është më e madhe, ndaj nuk morën dot mandat tjetër. Këto janë shembuj të denjë se jemi në “Drejtimin e Duhur”, – tha kryeministri. Nga ana e tij Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha se kandidatja Zamira Rami ka vlerat më të mira për të drejtuar qytetin e gratë dhe për ta ndryshuar atë. “Qeveritë i kanë borxh Gjirokastrës, pasi e kanë lënë në harresë, pasi Gjirokastra është një pasuri e madhe jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vizitorët e huaj dhe kjo do të thotë se duhen shtuar investimet për të nxjerrë në pah vlerat e mëdha që ka Gjirokastra. Ju duhet ta mbështesni, pasi është edhe një mbështetje emancipimi, pasi edhe në Sarandë prezantuam një kandidate, po ashtu edhe në Libohovë një zonjë tjetër dhe ne jemi krenarë si Aleancë për Shqipërinë Evropiane që kemi besuar te emancipimi dhe gratë në drejtim”, – tha Meta gjatë fjalës së tij.
Rama
Për kreun e qeverisë, në këto zgjedhje vendore ka shumë arsye për të votuar kandidatët e mazhorancës së majtë. Sipas Ramës, vota e dhënë Aleancës për Shqipërinë Evropiane më 23 qershor, bëri të mundur fillimin e kthesës në drejtimin e duhur, pas shumë vitesh rrënimi dhe braktisje të Gjirokastrës. “Për gjithë ato vite që Shqipëria u qeveris nga PD, Gjirokastra mori peshën e tmerrshme të një padrejtësie të madhe që shkon përtej qytetarëve të Gjirokastrës, të qeverisësh me kurrizin kthyer nga Gjirokastra do të thotë të jesh i padrejtë me vetë identitetin, historinë dhe trashëgiminë, sepse Gjirokastra nuk është vetëm e gjirokastritëve, por e gjithë shqiptarëve. Ne jemi të vendosur që projektin e transformimit të Gjirokastrës në perlën e ëndërruar nga ata që hodhën themelet e këtyre shtëpive, ta çojmë deri në fund dhe Gjirokastra të jetë një zonë ku varfëria të mos ketë fare vend”, – u shpreh Rama.
Në Himarë/ Rama: Në 21 qershor nuk zgjidhet flamuri i partisë, po njeriu që bën punë
Kryeministri Edi Rama deklaroi dje nga Himara se qeveria i ka kthyer sytë dhe vëmendjen nga bregu, duke i kushtuar të gjithë kësaj zone një volum të madh investimesh. Ai tha para qytetarëve se në 21 qershor nuk do të zgjidhet flamuri i një partie apo i një tjetre gjatë zgjedhjes së kandidatëve, por do të zgjidhet njeriu që bën më shumë punë. Sipas Ramës, programi i qeverisë është për të rilindur bregdetin dhe për ta kthyer të gjithë këtë zonë, nga një zonë të braktisur dhe të varfër, në një motor të zhvillimit ekonomik, jo vetëm për zonën por për të gjithë vendin. “Të jeni të sigurt që kjo jo vetëm është e mundur por ne do ta bëjmë këtë realitet. Vetëm kërkojmë nga ju që ti jepni një mbështetje shumë të fortë partnerit të qeverisë këtu në Himarë. Qeveria ka dedikuar shumë fonde duke filluar që nga Bypass-i i Vlorës, duke vazhduar me Transballkaniken e Vlorës, me lumin e Vlorës, me Lungo Maren në Vlorë dhe pastaj këtu vazhduar me një sërë projektesh që fillojnë me ujësjellësit e Dhërmiut, për herë të parë mbas 1 mijë vjetësh Dhërmiu do të ketë 24 orë ujë. Dhe vazhdojmë me ujësjellësin këtu, që nga Kuçi që do ti jap ujë zonës nga Vunoi në Qeparo dhe që ne do ta financojmë në bazë të projektit”, – u shpreh Rama.
.