Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim ka publikuar emrat e 7900 mjekëve, farmacistëve dhe dentistëve që kanë plotësuar kreditet gjatë viteve 2010-2014. Kjo ishte faza e parë e ricertifikimit, ku profesionistët e shëndetësisë duhet të grumbullonin kreditet e kërkuara nga QKEV. Profesionistët që nuk e kanë emrin në listën e QKEV do të kalojnë në provim ricertifikimi. Provimi i ricertifikimit kryhet për të vlerësuar nivelin e njohurive dhe kompetencave të profesionistëve që nuk janë angazhuar plotësisht në edukimin e tyre në vazhdim gjatë një cikli ricertifikimi dhe për të garantuar përputhjen me kërkesat bashkëkohore të praktikës profesionale. Përmbajtja e provimit hartohet nga Komisioni i Provimit të Ricertifikimit në përputhje me fushën e veprimtarisë profesionale dhe me zhvillimet e reja shkencore në këtë fushë. Provimi i ricertifikimit për profesionistët e së njëjtës fushë specialiteti kryhet në të njëjtat data. Pas përfundimit me sukses të provimit, pjesëmarrësit në provim i jepet dëshmia përkatëse, e cila dorëzohet pranë Urdhrit Profesional. Përjashtohet nga detyrimi për të dhënë provimin:
– Profesionisti i punësuar në shërbim publik shëndetësor, i cili për 2 vjet ose më pak arrin moshën e pensionit.
– Profesionisti, i cili ka marrë lejen e ushtrimit të profesionit për herë të parë 2 vjet përpara përfundimit të ciklit të ricertifikimit.