Indeksi/ Shqipëria nuk është vend për pleqtë. Reforma e pensioneve na ktheu pas

0
181

Ervin Kaduku

Reforma e pensioneve na ktheu pas–  Indeksi global i pensionit tregon se dy vitet e fundit Shqipëria ka humbur 16 pozicione. Reforma e pensioneve e çon vendin në postin 71, ndër 150 shtete të ekzaminuara, në 2013-ën ishte në vendin e 55-të

Reforma e ndërmarrë me kaq zell e bujë nga ish-ministri i Çështjeve Sociale, Erion Veliaj, tashmë kandidat për kreun e Bashkisë së kryeqytetit, mund të ketë gënjyer shumë shqiptarë, por nuk mund të mashtrojë ekspertët që përgatitin Indeksin Global të Pensioneve. Sipas këtij indeksi, tregohet se ku është mirë të jetosh në fund të jetës, pasi ke punuar për shumë dekada, duke qenë se në to kushtet e jetesës për një pensionist janë më të mira. Ky indeks tregon se Shqipëria, në dy vjet, ka bërë hapa gjigantë… prapa!

Indeksi global i pensionit 2015 e rendit Shqipërinë në vendin e 71-të ndër 150 shtete të ekzaminuara. Në total ky indeks vlerësohet me 57% të pikëve të mundshme, të arritura nga vendi ynë, duke e pozicionuar vendin tonë në të njëjtat ujëra me vende si Moldavia, Salvadori, Bahrejni, Turqia apo Algjeria. Pra, të dalësh në pension në Shqipëri do të thotë të jetosh me të njëjtat kushte si në Moldavi apo Algjeri!

Kriteret mbi të cilat bëhet edhe përllogaritja përfundimtare e indeksit i referohen, shëndetit, mirëqenies materiale, financave personale, si dhe cilësisë së jetës. Pozitat thuajse në mes të tabelës për vendin tonë vijnë pikërisht falë sub­indeksit që i referohet cilësisë së jetës, pasi ky i fundit grumbullon 69%. Ndërkohë, financat personale dhe mirëqenia materiale vlerësohen si aspak pozitive, pasi grumbullojnë vetëm 52% në këtë indeks, duke u pozicionuar madje ndër vendet e fundit në Evropë. Që prej vitit 2013, vendi ynë ka humbur plot 16 vende në këtë renditje. Në vitin 2013 Shqipëria zinte vendin e 55­të në nivel global duke grumbulluar 65%, ndërsa në vitin 2014 pozicionohej në vendin e 65, duke grumbulluar 60%. Në rang global, në vend të parë pozicionohet Zvicra e ndjekur nga Norvegjia dhe Australia.

Ajo që vihet re në listën e dhjetë vendeve të para është edhe përfaqësimi mjaft i lartë i shteteve evropiane, të cilat zënë 8 vende. Diçka e tillë i lë sërish në dorë stafetën evropianëve, si shtete të mirëqenies. Për sa i përket vendeve të fundit në renditje, ato vijnë të gjitha nga kontinenti afrikan. Togoja, Republika Demokratike e Kongos si dhe ajo e Afrikës qendrore janë shtetet më pak të vlerësuara nga ky raport.

 

Përkeqësohet niveli i jetesës

Rritja e inflacionit është frenuar ndjeshëm nga faktorë të ndryshëm që lidhën me krizën e vitit 2008, duke u luhatur nga 1-2%, por pak kush e di se zarzavatet dhe frutat janë rritur me ritme dyshifrore, sidomos vitin e fundit.

Instituti i Statistikës (INSTAT) ka raportuar se zarzavatet duke përfshirë edhe patatet nga prilli i vitit 2014 deri në prillin e vitit 2015 janë rritur mesatarisht me 14.3%.

Rrija më e lartë ka qenë në muajin korrik të vitit 2014 ku çmimi i zarzavateve dhe patateve u rrit me 27 % ndërsa niveli më i ulët shihet të në muajin dhjetor të vitit 2012 ku çmimet e grupit në fjalë ranë në krahasim me të njëjtën periudhë të 2013.

Gjatë vitit të fundit rritje dyshifrore të çmimeve kanë pësuar edhe frutat. Ndryshimi vjetor mesatar i grupit nga periudha prill 2014-prill 2015 ka qenë me një rritje 11.4%.

Rritja më e lartë e çmimeve të frutave u vu re në muajin dhjetor të vitit 2014, ndërsa ritmet më të ulëta të rritjes u vunë re gjatë muajit shtator 2014 me vetëm 2.2%

Ekspertët në Ministrinë e Bujqësisë pohuan se çmimet e larta të frutave gjatë vitit të fundit i dedikohen mungesës së prodhimit vendas. Kushtet e papërshtatshme klimaterike me temperatura të ulëta gjatë vitit që shkoi shkaktuan dëme të rënda në prodhimin e pemëtarisë në të gjithë vendin.

 

Kriza greke dhe ndikimi i saj mbi Shqipërinë

Raporti i fundit ekonomik rajonal i Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) i publikuara nga FMN ka bërë ndër të tjera dhe një analizë të ndikimit që mund të ketë një përshkallëzim i krizës greke, kryesisht në vendet e Ballkanit.

Sipas raportit, disa vende të Evropës Juglindore (SEE) mund të ndikohen nga një përkeqësim i situatës në Greqi, përmes lidhjeve bankare.

Lidhjet financiare mes Greqisë dhe ekonomive të SEE janë më domethënëse sesa ato tregtare:

-Lidhjet tregtare: Pesha e eksporteve ndaj Greqisë në raport me PBB është e ulët në vendet e SEE, me ekspozimin më të lartë në Bullgari, në 3.5% të PBB-së. Kjo peshë është ulur që nga 2008-a, duke reflektuar dobësinë e ekonomisë greke.

-Lidhjet financiare: Ekspozimi i sektorit bankar—megjithëse më i dobët sesa në fillim të krizës financiare—është ende domethënës në një sërë vendesh. Degët e bankave greke në vendet e SEE zënë nga 14 në 22% të aktiveve të sektorit bankar (shiko grafikun në fund). Raporti hua/depozita në degët e bankave greke ka rënë gjithashtu me kalimin e kohës, duke reflektuar kërkesën e dobët të brendshme për hua dhe më pak varësi nga fondet e bankës mëmë. Niveli i lartë i kredive me problem në disa degë, gjithsesi, çon në rreziqe shtesë.

Raporti thekson se në rast se situate në Greqi përkeqësohet, ajo mund të shkaktojë përhapje në sektorin financiar përmes humbjes së besimit, daljes së depozitave dhe ndoshta presion mbi monedhat—veçanërisht në shtetet me regjim të varur të kursit të këmbimit dhe nivel të lartë euroizimi.

 

Pozicionimi i Shqipërisë

Sipas grafikëve të publikuar nga FMN, Shqipëria është e treta pas Bullgarisë e Maqedonisë për lidhjet tregtare, me eksportet që zënë rreth 1.5% të PBB-së.

Vendi ynë renditet po i treti në ekspozimin financiar, me aktivet e bankave greke që zënë rreth 17% të totalit të sistemit bankar shqiptare, me një rënie me rreth 6 pikë përqindjeje në raport me katër vite më parë. Maqedonia është vendi ku bankat greke zënë peshën më të madhe.

Shqipëria paraqitet më mirë se gjithë vendet në rajon në treguesin e huave ndaj depozitave të bankave greke, që është rreth 55-60%, çka tregon se bankat greke në vendin tonë janë më pak të varurat nga fondet e mëmave. Serbia dhe Rumania psh e kanë këtë tregues në rreth 150%, që tregon se rreth gjysma e huave të dhëna janë nga fondet e mëmave.

 

BSH: Rrezik minimal

Bankat me kapital grek e mbyllën vitin 2014 me fitim dhe ekspozimi i tyre ndaj subjekteve e instrumenteve financiare greke, ka zbritur aktualisht në nivele mjaft të ulëta. Mbështetur edhe në rezultatet e ushtrimeve të provës së rezistencës, GKSF-ja vlerëson se këto masa i mbrojnë efektivisht këto banka, në rastin e zhvillimeve të pafavorshme në Greqi…

Në datën 4 maj 2015, u zhvillua mbledhja e radhës e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Në këtë mbledhje morën pjesë Ministri i Financave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve. Mbledhja iu kushtua analizës së treguesve më të fundit të sektorit bankar dhe zhvillimeve që i ndikojnë ato. Diskutimet e të pranishmëve u mbështetën nga prezantimet e përgatitura nga Banka e Shqipërisë dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave.

GKSF-ja vlerësoi se gjendja financiare e sektorit bankar paraqitet e mirë. Gjatë vitit 2014, sektori bankar shënoi një fitim prej 11.2 miliardë lekësh, i shpërndarë më mirë midis bankave në krahasim me një vit më parë. Treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit janë dukshëm mbi nivelet minimale të kërkuara nga kuadri rregullativ mbikëqyrës. Kështu, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit shënoi vlerën 16.8%, ndërsa aktivet likuide u ngjitën në 40.4% të detyrimeve afatshkurtra. Ritmi i kreditimit ka qenë më i mirë se një vit më parë, ndonëse është ndikuar edhe nga faktorë statistikorë dhe vlerësohet ende i ulët. Raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 22.8%. Pritshmëritë për ecurinë e gjendjes financiare të sektorit bankar gjatë vitit 2015, mbeten pozitive.

Për të vlerësuar ndikimet e mundshme mbi sektorin tonë bankar, në analizën e tij, GKSF-ja u ndal edhe tek vlerësimi i zhvillimeve më të fundit në Eurozonë dhe tek negociatat që po zhvillohen për financimin e borxhit të Greqisë. Duke u përqendruar tek bankat me kapital nga vendi fqinj që operojnë në Shqipëri, GKSF-ja konfirmoi se fakti që këto banka i nënshtrohen tërësisht kuadrit rregullativ mbikëqyrës në vendin tonë ka ndikuar në ndjekjen e një politike aktive nga Banka e Shqipërisë dhe nga vetë këto banka për të realizuar një ristrukturim gradual të veprimtarisë dhe për të arritur aktualisht nivele mjaft të mira të kapitalit dhe të aktiveve likuide. Si rezultat i veprimeve të përbashkëta të ndërmarra në vazhdimësi, këto banka së bashku e mbyllën vitin 2014 me fitim dhe ekspozimi i tyre ndaj subjekteve e instrumenteve financiare greke, ka zbritur aktualisht në nivele mjaft të ulëta. Mbështetur edhe në rezultatet e ushtrimeve të provës së rezistencës, GKSF-ja vlerëson se këto masa i mbrojnë efektivisht këto banka, në rastin e zhvillimeve të pafavorshme në Greqi.

Në përfundim, GKSF-ja vlerësoi se gjendja aktuale financiare e sektorit bankar në tërësi, kuadri ligjor e operacional për administrimin e rreziqeve dhe bashkëpunimi efektiv me industrinë bankare dhe palët e tjera të interesuara, kanë forcuar rezistencën e sektorit bankar ndaj rreziqeve të ndryshme në veprimtarinë e tij. Në përputhje me objektivin e tij, GKSF-ja do të vazhdojë të monitorojë dhe të analizojë rregullisht zhvillimet në sektorin bankar dhe në të gjithë sistemin financiar.

 

 

Ende 39 miliardë lekë të papaguara për energjinë

Arrin në vlerën 39 miliardë lekë borxhi që konsumatorët i detyrohen OSHEE-së për mospagesat e faturave të energjisë elektrike ndër vite.

Për këtë arsye, shtyrja me 2 muaj deri në 15 korrik të skemës lehtësuese të shlyerjes së borxheve tё prapambetura nga OSHEE, përfshin vetëm detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor tё vitit 2014, thonë burimet e operatorit të shpërndarjes së energjisë.

Këto detyrime përfshijnë konsumatorë familjarë, që janë debitorë për detyrimet e energjisë dhe që duhet të paguajnë si detyrimin bazë bashkë me kamatë-vonesat, pasi fatura e energjisë përbën titull ekzekutiv. Për këtë arsye, borxhlinjve me skemën e re u krijohet mundësia e ekzekutimit me këste të detyrimit ndaj OSHEE-së.

Nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes për pagesën me këste të detyrimeve, OSHEE nuk do të llogarisë kamatë-vonesat për periudhën kohore që parashikohet në marrëveshje për ekzekutimin e plotë të detyrimit.

OSHEE do të përcaktojë si kusht në marrëveshje detyrimin e konsumatorëve familjarë, që brenda afateve, të shlyejnë faturën korrente të energjisë dhe një vlerë përkatëse për një pjesë të detyrimit të prapambetur, ku vlera mujore nuk do të jetë më e vogël se 2.500 lek/muaj.

Përjashtim do të bëjnë familjet e përfshira në ndihmën ekonomike, ku vlera e këstit mujor gjithsesi nuk do të jetë më e vogël se 1.000 lek/muaj. Nëse konsumatorët familjarë debitorë shlyejnë menjëherë gjithë detyrimin e prapambetur, për ta OSHEE do të aplikojë zbritjen me 80% të vlerës së detyrimit të kamatë-vonesave.

Skema për lehtësimin e pagesave për konsumatorët familjarë që kanë detyrime të prapambetura ndaj OSHEE-së nisi vjeshtën e kaluar dhe deri në 31 mars, kur mbaroi afati, përfituan 300 mijë konsumatorë në gjithë vendin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here