Kur ka (do) marrë fund lufta?

0
141

Nga Christian F. Trippe

Christian F. TrippeMerkel dhe Putin përkujtuan me nderime të rënët e Luftës II Botërore. Ata vendosën një urë emocionale, që duket se nuk do të jetë e qëndrueshme, për ta zgjidhur konfliktin në Ukrainë, – mendon Christian F. Trippe.

Kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore? Ajo që duket si një pyetje e rëndomtë quiz, në fakt merr përgjigje të ndryshme në Lindje e në Perëndim: për evropiano-perëndimorët dhe për amerikanët është 8 maji, për rusët 9 maji 1945. Udhëheqja sovjetike pati insistuar për një ceremoni të vetën të kapitullimit përpara komandantëve të saj, por kjo u vonua, dhe përderisa Moska ndodhet në zonën gjeografike dy orë përpara asaj evropiano-qendrore, Lindja e Perëndimi e përkujtuan në ditë të ndryshme të njëjtën ngjarje vendimtare historike.

Gjermanët në Republikën Federale festonin më 8 maj dhe gjermanët në ish-Republikën Demokratike të Gjermanisë si rrjedhojë më 9 maj. Perdja e hekurt shënoi kësisoj edhe një linjë ndarëse mes përllogaritjeve të ndryshme politike të kohës dhe të zonave historike të kohës. Edhe këtë ndarje Gjermania e kapërceu me rënien e murit, ndërsa Evropa ende nuk e ka kapërcyer atë. Sepse në krizën e Ukrainës bëhet e qartë, që Rusia nuk e ka përpunuar të shkuarën e vet sovjetike, ajo përdor atribute marciale të pushtetit të ushtrisë dhe të shtetit, dhe shtyp angazhimin kritik ndaj historisë të shoqërisë civile. Kulti i Stalinit, që e shoqëron në disa vende të Rusisë 70 vjetorin e fundit të luftës, është më shumë se sa thjeshtë folklor.

Sikur të mos mjaftonte komplikimi me dy ditët e majit, kancelarja gjermane tani futi edhe 10 majin – si ditën e përkujtimit në heshtje të të vdekurve të luftës. Në paradën ushtarake sivjet ajo nuk donte të shkonte për arsye të kuptueshme. Për aq kohë sa Rusia vendit fqinjë Ukrainës vazhdon t’i imponohet brutalisht, për aq kohë sa udhëheqja ruse vazhdon ta izolojë vetveten dhe të thyejë normat diplomatike – për aq kohë as në të ardhmen asnjë kryetar shteti perëndimor nuk do të shkojë në paradën e fitores në Moskë.

Kancelares nga qarqet e shoqatat e shumta në Berlin që vazhdimisht mbështesin bashkëpunimin gjermano-rus iu fut në zemër me këmbëngulje që të mos konfrontohet me rusët. Merkel anuloi 9 majin për të shkuar një ditë më vonë pas paradës pompoze, për të vendosur bashkë me presidentin Putin një kurorë me lule në varrin e ushtarit të panjohur. Ajo donte të “përkulej” para viktimave, tha Merkel, dhe Putin u shpreh, se Gjermania ka qenë viktima e parë e nazizmit. Këto ditë s’ka si bëhen më shumë se kaq tone pajtuese.

Gjermanët u matën mirë, për të mos rrezikuar me krijimin e një imazhi, sikur për shkak të koniunkturave politike komportohen ndaj barrës së të shkuarës së vet me mendjelehtësi duke e harruar historinë. Ministri i Jashtëm Steinmeier shkoi në Volgograd, që nën emrin e vjetër “Stalingrad” është kthyer në simbol të betejave dhe vdekjeve masive – e kjo në të dyja vendet. Presidenti Gauck vizitoi dy memoriale të luftës në Gjermani, për të nderuar të vrarët e Ushtrisë së Kuqe. Këto gjeste kanë simbolikë dhe Rusia i ka lexuar ato. Edhe Vladimir Putin i ka kuptuar ato.

E ndërkohë Putin dhe Merkel kanë një raport të ndërlikuar politik ndaj njëri-tjetrit. Qysh para krizës së Ukrainës ka qenë kështu. Në këto kohë të tensioneve me muaj të tërë dukej se mes tyre s’kishte mbetur më asgjë veç një respekti reciprok që buronte me pahir prej arsyes. Parë në këtë këndvështrim përkujtimi bashkërisht i të vdekurve në murin e Kremlinit të dielën ishte një hap i madh emocional

Kancelarja dhe presidenti shfrytëzuan ditën e përkujtimit për të folur për Ukrainën. Sërish rrëfimet e ndryshme, sa u përket shkaqeve të krizës, ishin diametralisht të kundërta. Sërish u shkëmbyen rezerva dhe kërkesa. Asgjë nuk ishte e re, ndoshta vetëm toni. Është më shumë sesa thjesht një pyetje e rëndomtë quiz, se kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore. Përgjigjet edhe në të ardhmen do të jenë të ndryshme. Është edhe një pyetje emergjente këto ditë, se kur do të mbarojë lufta në Ukrainë. Përgjigja për këtë mund të jepet vetëm në Moskë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here