Propaganda naziste si shembull për propagandën komuniste shqiptare

Ilir Hashorva

hitleri-2(vijon nga numri i së shtunës)

Në artet pamore u hoqën pjesët abstrakte e moderniste të cilat u quajtën të degjeneruara. Në to, rol me rëndësi luajti shija e vetë Hitlerit. Për të, duhej të kishte një art të ri gjerman. Arti duhej të reflektonte shpirtin arian të popullit. Ideja se arti ishte ndërkombëtar duhej hedhur poshtë si dekadente dhe si shpikje hebreje. Artistët hebrenj u larguan menjëherë nga punët, po ashtu, u larguan artistët e artit abstrakt, artistët e krahut të majtë, në përgjithësi artistët që kishin njëfarë njohje ndërkombëtare si dhe artistët që në të shkuarën kishin krijuar vepra jo në pajtim me frymën nacionalsocialiste. Të gjitha galeritë e arteve e muzetë si dhe koleksionet personale artistike do të pastroheshin nga “krijime monstruoze e të degjeneruara” të cilat do të konfiskoheshin pa pagesë.

Hitleri ishte më i afërt me arkitekturën, sesa me pikturën. Në vitin 1938, ai deklaronte: “Çdo epokë e madhe e gjen shprehjen e vet te ndërtimet. Kur popujt ndiejnë së brendshmi se po jetojnë në epoka të mëdha, i japin asaj ndjenje edhe një pasqyrim të jashtëm. Atëherë fjala e tyre është më bindëse: ajo është fjalë në gur”. Të gjitha ndërtimet që u projektuan apo u ndërtuan gjatë Rajhut të Tretë ishin, apo do të ishin, gjigante, të stilit pseudoklasik monumental.

Në verën e vitit 1933, nazistët shpërbënë të gjitha organizatat e rinisë, me përjashtim të asaj katolike. Tashti, vajzat dhe djemtë duhej të bashkoheshin me “Rininë e Hitlerit”. Djemtë futeshin në atë organizatë në moshën 6 vjeçare, por anëtarësia e plotë dhe stërvitja sistematike fillonte në moshën katërmbëdhjetë vjeçare dhe përfundonte në moshën 18 vjeçare. Prej të rinjve kërkohej bindje e plotë dhe mësimi me vështirësitë.

“Rinia e Hitlerit” shkonte rregullisht në kampe verore ku stërvitej fizikisht e ideologjikisht si dhe mësonte të parakalonte në parada. Të rinjtë kishin për detyrë të raportonin para eprorit të tyre çdo gjë që dëgjonin në familje e që ishte në kundërshtim me vijën naziste.

Terrenet sportive ishin vetëm për Të Rinjtë e Hitlerit. Në vitin 1939, “Rinia e Hitlerit” kishte 8.7 milion anëtarë, gati aq sa ishte popullsia që përbëhej nga grupmoshat 10-18 vjeç. Të gjithë anëtarët e “Rinisë së Hitlerit” bënin një betim personal për besnikëri ndaj Hitlerit. Këngët që këndonin ishin këngë naziste, librat që lexonin ishin libra naziste. Propaganda naziste për të rinjtë bëhej në shkollë. Në çdo klasë shkolle duhej të ishte vendosur fotografia e Hitlerit. Mësuesit dhe nxënësit përshëndeteshin në çdo fillim dhe mbarim mësimi në mënyrë naziste. Të gjitha fjalimet politike dëgjoheshin përmes altoparlantëve nga të gjithë nxënësit në shkollë. Të gjithë mësuesit duhej të ishin anëtarë të Ligës Nacionalsocialiste të Mësuesve dhe nxënësit – anëtarë të “Rinisë së Hitlerit”. Tekstet e historisë silleshin rreth konceptit se heroizmi në formën e tij gjermane lidhesh me idenë e udhëheqësit. Detyra e historisë ishte t’u mësonte nxënësve se jeta dominohej nga beteja, nga lufta, se raca dhe gjaku ishin në thelb të gjithçkaje të ndodhur në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen dhe se udhëheqja përcaktonte fatin e popujve. Tema qendrore të mësimit ishin kuraja në luftë, sakrifica për një çështje të madhe, admirimi i pakufishëm për udhëheqësin dhe urrejtja për armikun e gjermanëve – për hebreun. Në biologji mësoheshin ligje të trashëgimisë, të racës, të higjienës raciale. Mësimet e fizikës kishin të bënin me çështjet që hynin në punë në luftë si balistika, aerodinamika dhe telekomunikacioni. Librat e aritmetikës përfshinin “aritmetikën sociale” e cila kishte të bënte me llogaritjen se sa do t’i kushtonte shtetit gjerman, po të shpenzonte për mbajtur gjallë në azil persona me probleme të ndryshme të shëndetit. Gjeografia, po ashtu, mësohej sipas termave naziste, duke theksuar konceptet e atdheut dhe racës. Studimi i orientit lidhej me studimin e hebrenjve.

Temat e hartimeve të nxënësve do të lidheshin me nacionalsocializmi dhe me Hitlerin. Ja një pjesë hartimi nga një nxënës: “Si fëmijë, Hitleri nuk ishte prej atyre që qëndronin në shtëpi. Ai pëlqente të ndeshej jashtë me fëmijë të tjerë. Një ditë ai qëndroi jashtë më gjatë se herë të tjera. Nëna u shqetësua, shihte orën dhe po mendonte se mos i kishte ndodhur gjë djalit. Disa orë më parë e kishte parë atë tek ikte me disa shokë të tjerë më të mëdhenj… Më pas dera u hap, Hitleri i vogël hyri me kokën me bullunga e me fytyrën të gërvishtur, por me sy që i shkëlqenin. Nëna u frikësua, por ai bërtiti: “Nënë, shokët sot më bënë gjeneralin e tyre”.

Një numër çështjesh që diskutoheshin në mësime kishin lidhje me hebrenjtë dhe me antisemitizmin. Një nxënëse që hartimin e shkollës ia dërgoi edhe revistës “Der Stürmer”, shkruante: “Hebrenjtë janë fatkeqësia jonë. Fatkeqësisht, edhe sot thonë se hebrenjtë janë krijesa të Zotit dhe prandaj duhen respektuar. Por ne themi se edhe parazitët janë krijesa të Zotit dhe, megjithatë, duhen asgjësuar”. Librat me piktura për fëmijët e vegjël i paraqisnin hebrenjtë me pamje të djallit që shfaqesh në qoshe të errëta, gati për t’iu turrur fëmijës biond gjerman.

Nuk ishte shumë e rëndësishme që i riu të merrte njohuri akademike në shkollë, ai duhej të përgatitej fizikisht. Mësimi intelektual kalonte në vend të dytë, pas atij fizik. Stërvitja fizike ishte e detyrueshme. Gjithashtu rëndësi kishte ndërtimi i karakterit, kalitja e vullnetit dhe pastaj stërvitja për të marrë përgjegjësi. Çështjet akademike do të mësoheshin të shkurtuara dhe do t’i përshtateshin interesave të racës. Edukimi fizik dhe ndërtimi i moralit përfundonin me stërvitjen dhe shërbimin ushtarak. Hitleri thoshte: “Edukimi i gjermanit fillon kur ai është foshnje dhe mbaron kur ai bëhet luftëtar veteran. Asnjë nuk duhet mendojë se gjermani duhet lënë për njëfarë kohe krejt vetëm”.

Disiplina ushtarake, theksimi i forcës fizike, theksimi i garës, i bëri fëmijët të bëheshin të dhunshëm dhe agresivë. Sa më shumë gjak që të derdhej në ndeshje boksi, aq më shumë entuziazmoheshin shikuesit.

Nga të rinjtë e universiteteve u krijua “Liga Naziste e Studentëve”, megjithatë universitetet mbetën më pak të ndikuar nga ideologjia naziste. Kjo e bënte Hitlerin të deklaronte në vitin 1938, se intelektualët ishin të pabesueshëm dhe të dëmshëm: “Klasa intelektuale është e nevojshme, për ndryshe, do ta shfarosja”, – deklaronte ai. Numri i studentëve në universitete erdhi duke rënë si pasojë e largimit të hebrenjve, por, edhe nga largimi femrave, për shkak të propagandës naziste që theksonte shtëpinë si vendin e femrave dhe lindjen dhe rritjen e fëmijëve si detyra të femrës gjermane. Gjithashtu, numri i studentëve erdhi duke rënë, sepse u kërkua që të gjithë ata që mbaronin shkollën e mesme, duhet të bënin njëfarë stazhi pune para se të fillonin studimet në universitet. Gjatë kohës së studimeve, studentëve u kërkohej të bënin dhjetë javë punë në kampe pune, ku do të punonin në ndërtime rrugësh, në tharje kënetash, apo në bujqësi. Ndonëse universitetet e kishin ulur nivelin e dijeve, kompani të mëdha merreshin me punë kërkimore nga persona të specializuar mirë dhe të paguar mirë. Vetë shteti shpenzonte shuma të mëdha për institute studimesh, sidomos në degë të tilla që i shërbenin armatimit dhe luftës, që nga armët e deri tek karburanti sintetik.

Nazistët inkurajuan me të gjitha mundësitë lindjen e sa më shumë fëmijëve, në mënyrë që fuqia ushtarake e Gjermanisë të shtohej dhe popullsia të ishte kryesisht e re, gjë që do të ishte esenciale për shëndetin kombëtar. Emancipimi i gruas do të sillte dashje pa dashje uljen e numrit të fëmijëve të lindur, prandaj nazistët kërkuan që vendi i gruas të ishte në shtëpi, te fëmijët, te familja. Nazistët udhëzonin që çdo grua të lindte një herë në dy vjet dhe gjatë jetës së saj të kishte mundësi të lindte deri në pesëmbëdhjetë fëmijë. Për shtimin e numrit të lindjeve, nazistët jepnin inkurajime materiale e morale. Kryetarja e Grarisë Nacional Socialiste ishte Gertrud Sholtz-Klink, e cila ishte krenare që kishte lindur njëmbëdhjetë fëmijë. Në vitin 1934, për nënat u caktua një ditë feste që quhej Dita e Nënës. Në Ditën e Nënës në vitin 1939, tre milion grave që kishin lindur mbi katër fëmijë, me ceremoni të posaçme të mbajtura kudo në Gjermani, iu dha titulli “Nënë e Rajhut”. U shtypën medalje të posaçme të quajtura “Kryqe Nderi të Nënës”, që ishin prej bronzi për nënat me katër deri pesë fëmijë, prej argjendi për nënat me gjashtë deri shtatë fëmijë dhe prej ari për nënat me tetë ose më shumë fëmijë. Nënat që mbanin këto medalje mund të blinin pa radhë në dyqan dhe anëtarët e Rinisë së Hitlerit ishin urdhëruar t’i përshëndetnin në rrugë. Nënat që kishin lindur dhjetë e më shumë fëmijë kishin një nder më shumë, pasi Hitleri do të bëhej nun për fëmijën e dhjetë që, po të ishte djalë, do të quhej Adolf. Përpjekjet të mëdha u bënë për të përjashtuar gratë nga puna. Çifteve të reja u jepej kredi nga shteti me afat shlyerje të gjatë, në qoftë se bashkëshortja nuk do të kërkonte punë. Për Hitlerin, ideja e emancipimit të femrës ishte hedhur nga hebrenjtë dhe ishte në thelb jo gjermane. Në Gjermani, deklaronte Hitleri, bota e burrit është shteti, ndërsa e gruas është burri i saj, familja e saj, fëmijët e saj dhe shtëpia e saj. Si rezultat i këtyre masave, numri i lindjeve në Gjermani u ngrit nga 14.7 për 1000 banorë para ardhjes së nazistëve, në 20.4 për 1000 banorë në vitin 1939. Gjermanisë gjatë asaj periudhe iu shtuan rreth tre milionë shtetas të rinj, si pasojë vetëm e masave të mara për inkurajimin e lindjeve.

Emblemat naziste, fjalët dhe konceptet, mbushnin jetën e përditshme. Jo vetëm filmi, radioja, gazetat, revistat, skulpturat, pikturat, letërsia, arkitektura, muzika i shërbenin idealit nazist, por edhe çdo mjet tjetër përdorej për të mbytur ndjenjat dhe mendimin individual dhe për t’i kthyer gjermanët në një masë unike, të vetme, të bindur e të disiplinuar.

Më 27 shkurt të vitit 1933, u dogj godina e parlamentit gjerman, Rajhshtagu. U arrestua një komunisti danez dhe, ndonëse u vërtetua se ai kishte vepruar vetëm, shteti filloi një sulm kundër të gjithë komunistëve. Mijëra telegrame i shkonin gjoja qeverisë nga populli i cili kërkonte masa të forta kundër komunistëve.

Më 20 mars të vitit 1933, në një fabrikë të braktisur në periferi të Munihut, në Dahau, nisi terrorin kampi i parë i përqendrimit. Këtu do të mbylleshin të burgosur politikë.

Më 24 prill të vitit 1934, filloi punën gjyqi special, “Gjyqi i Popullit”, që do të merrej me shpejtësi me “krimet’ politike. Fillimisht, dy gjyqtarë të këtyre gjyqeve ndihmoheshin nga tre persona të tjerë: një nga SS-ët, një nga trupat SA (Sturmabteilung – trupat e sulmit, këmishë kafet, organizatë paramilitare aktive) dhe një nga Partia Nacionalsocialiste.

Informacione për ata që do të konsideroheshin si armiq të regjimit merreshin kryesisht nga agjentë të partisë si dhe nga populli në përgjithësi. Raportet shkonin nga njerëz të kafeneve, pijetoreve, restoranteve, hoteleve, nga kolegë pune, nga berberët, nga njerëz që kishin dëgjuar ndonjë bisedë në rrugë, nga fqinjët, nga njerëz të familjes. Spiunllëku u përhap gjerësisht. Raportet në Gestapo ishin të pafundme, saqë ajo nuk mund t’i përballonte dhe t’i përpunonte të gjitha. Shumica e denoncimeve kishin motive personale, apo s’kishin fare motive. Nxënësit apo studentët shpesh spiunonin profesorët e tyre, zyrtarët spiunonin shefat të cilëve donin t’u zinin vendin, tregtarët spiunonin tregtarë të tjerë konkurrentë. Sipas Ligjit të Thashethemeve, mund të dënoheshin dhe të burgoseshin ata që thoshin se nazistët po kufizonin lirinë e njeriut, se nëpunësit civilë paguheshin më mirë, se revista naziste antisemite “Der Stürmer” po turpëronte kulturën gjermane, se të burgosurit rriheshin në kampe, se Hitleri ishte një dezertor austriak, se figura me rëndësi të Rajhut të Tretë ishin të korruptuara, për shakara të ndryshme që lidheshin me politikën etj.

Qeveria filloi të vëzhgonte jo vetëm kundërshtarët, disidentët dhe të pakënaqurit, por edhe ata të cilët nuk tregonin entuziazëm për Rajhun e Tretë dhe politikën e tij. Në çdo bllok banimi ishte vënë një “Roje blloku”, detyra e të cilit ishte të vëzhgonte se kush hynte e dilte në shtëpitë e bllokut, të shihte e të vëzhgonte se mos ndonjëri nuk vendoste flamurin në ditë feste, apo se nuk shkonte në parada a mitingje. Çdo degë lokale e partisë kishte nën komandë tetë qeliza, çdo qelizë kishte 15 blloqe dhe çdo bllok kishte nën vëzhgim rreth 50 familje. Në fillim të luftës, rojet e bllokut arritën në rreth 2 milionë vetë. Ata që denonconin fqinjët, kontaktet e para i kishin me kryetarin e bllokut. Një organizim i ngjashëm funksiononte edhe në ndërmarrjet e prodhimit. Vëzhgimet ishin veçanërisht të ashpra në ditë zgjedhjesh dhe plebishitesh. Zgjedhjet dhe plebishitet ishin si njëfarë stërvitje në propagandë, në të cilat qeveria mobilizonte elektoratin me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion për të shfaqur pamjen e një sistemi legjitim. Në këto lloj zgjedhjesh asnjë nuk guxonte të mos votonte dhe asnjë nuk guxonte të thoshte “Jo” për Partinë Nacionalsocialiste. Të gjithë kishin frikë se i përgjonin kur votonin dhe të gjithë e dinin se votimet do të dilnin ashtu si i dëshironte qeveria. Ata që në mënyrë demonstrative refuzonin të votonin, arrestoheshin. Prania e nazistëve dhe trupave SA në qendrat e votimit e shtonte presionin ndaj qytetarëve për të votuar për regjimin dhe për të votuar pa u futur në kabinat e fshehta të votimit. Në disa raste kabinat e fshehta të votimit hiqeshin fare, ose para tyre qëndronin trupa SA me pankarta ku shkruhej “Vetëm tradhtarët futen këtu”, ndërsa kutia e votimit vendosej jashtë. Për të sëmurët dhe për ata që lëngonin në shtrat ishin krijuar qendra të lëvizshme votimi që u shkonin në shtëpi. Kundërshtarë të njohur të regjimit arrestoheshin paraprakisht para zgjedhjeve dhe mbaheshin ashtu deri sa kalonte dita e votimit.

Me ligjet që dolën në vitet 1934 dhe 1935, kërkohej që çdo punonjës të kishte librezën e tij të punës, ku do të shënoheshin punët e bëra, specializimet, karakteristikat dhe vërejtjet për punën e kryer të cilat e kishte për detyrë t’i vinte qendra e punës. Librezat e punës i mbante qendra e punës. U nxorën ligje që punonjës të padëshiruar të largoheshin nga punët që kishin dhe të çoheshin në vende të tjera.

Veprimet e para antisemite naziste filluan me shpronësimin e hebrenjve dhe me likuidimin e supertregtoreve (supermarketet) të cilat ishin krijuar në Gjermani që në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Shumica e atyre që i kishin hapur këto supertregtore ishin hebrenj. Në programin e Partisë Naziste, në pikën 16 kërkohej: “Shtetëzimi i shpejtë i supertregtoreve dhe dhënia e tyre me qira tregtarëve të vegjël”. Çifteve të reja që u jepeshin hua pas martese, u kërkohej që paratë të mos shpenzoheshin në ato supertregtore. Supertregtoreve u ndalohej përdorimi i gazetave për të nxjerrë reklama. Trupa SA rrinin para këtyre dyqaneve me pankarta në duar në të cilat thuhej se ata që hynin në to ishin tradhtarë të racës gjermane. Me kalimin e kohës ato dyqane u mbyllën.

Për të filluar zgjidhjen e problemit të papunësisë, në mars të vitit 1933, Hitleri nisi programin “Ndihma për fshatin”. Sipas atij programi, të rinjtë e papunë të qytetit do të shkonin të punonin në fshat, ku do t’u sigurohej banesa, të ngrënit dhe njëfarë pagese. Deri në gusht, në këtë mënyrë u punësuan 145000 të papunë.

Më 7 prill të vitit 1933, u nxor ligji për “Rivendosjen e Shërbimit Civil Profesional”. Sipas atij ligji, largoheshin nga punët të gjithë ata që nuk kishin formim profesional të përshtatshëm, ata që nuk ishin me origjinë ariane, apo që kishin bashkëshortin jo arian, si dhe të gjithë ata që aktiviteti politik i mëparshëm i bënte të pabesueshëm për shtetin e ri. Drejtues jo nazistë të niveleve të ndryshme, ose detyroheshin të jepnin dorëheqjen, ose të futeshin në parti. Për të ruajtur vendin e punës, shumë nëpunës u bënë anëtarë të Partisë Naziste. Midis janarit të vitit 1933, deri më 1 maj të atij viti, Partisë Naziste iu bashkuan 1.6 milion njerëz.

Më 14 korrik të vitit 1933, u dha ky njoftim për likuidimin e sistemit demokratik në Gjermani: “Partia Nacional Socialiste e Punëtorëve Gjermanë përbën të vetmen parti politike në Gjermani. Cilido që orvatet të mbajë strukturat organizative të një partie tjetër, apo të formojë një parti të re, do të dënohet me rreptësi”. Gjermania u kthye në diktaturë njëpartiake. Të gjitha institucionet u vunë nën kontrollin e nazistëve.

Nga 5000 profesorë universitetesh që ishin deri në vitin 1934, 1600 profesorë u pushuan nga punët. Ishin vetë studentët që, në bashkëpunim me profesorët nazistë, dëbuan profesorët dhe studentët hebrenj. Në këtë kohë, 960 profesorë, duke përfshirë edhe filozofin Haideger, bënë deklarata publike në mbështetje të Hitlerit, regjimit nazist dhe të politikës së tyre për arsimin.

Nazistët treguan interes të veçantë për nazifikimin e arsimit. Arsimtarët u deklaruan shërbyes civilë, iu kërkua të aderonin në Ligën Nacional Socialiste të Mësuesve dhe të betoheshin për besnikëri absolute ndaj Hitlerit.

Brenda partisë së tij, Hitleri forcoi kontrollin dhe eliminoi rivalët. Brenda pak më shumë se një viti, nga marsi i vitit 1933 deri në gusht të vitit 1934, Hitleri mori fuqi të plotë. Ai përvetësoi makinerinë e shtetit, mbyti opozitën dhe partitë e tjera, vuri autoritetin e tij kudo në parti dhe në ushtri, u bë president, kancelar dhe kryekomandant i ushtrisë. Ai do të thirrej Fyhrer, pra udhëheqës, komandant

Propaganda naziste ndikoi edhe në gjuhën e përdorur nga gjermanët. Fjalë që në një shoqëri normale do të kishin kuptim negativ, në shoqërinë e Gjermanisë Naziste morën kuptim pozitiv. Fjalë të tilla si fanatik, brutal, i pamëshirshëm, intransigjent, u bënë fjalë lavdërimi. Gjuha gjermane u bë gjuha e superlativave, çdo gjë që bënte regjimi ishte më e mira, më madhështorja, arritjet e saj të pashembullta, unike, historike, të pakrahasueshme. Lavdërimet për Hitlerin ishin nga gjuha e fesë. Gjuha gjermane u bë agresive dhe militariste. Vetë gjuha përgatiste njerëzit për luftë. Fjala betejë futej kudo: beteja për punën, beteja për ekzistencën, beteja për kulturën.

Shënim: Materiali i këtij shkrimi është marrë kryesisht nga libri im ende i pabotuar: “Antisemitizmi – Nga zanafilla fetare te Holokausti nazist”.

 

Fëmija perfekt për posterat e nazizmit

Gerhard Bartels: Nazizmi më përdori për propagandë

Me sytë blu dhe flokët biondë, Gerhard Bartels ishte fëmija perfekt për posterat e nazistëve.

Për shkak se xhaxhai i tij ishte mik me Adolf Hitlerin, ai u bë fëmija-imazh i nazizmit.

Në kartolina, postera, libra e në çdo fushatë të regjimit, vogëlushi ishte aty. Tetë dekada më vonë, Bartels, 83 vjeç, ka folur për herë të parë. “Isha katër vjeç, kur prindërit më veshën me rrobat më të mira dhe më thanë se do takoja Fyhrerin. Nuk më lejohej të luaja me fëmijët e tjerë, pasi mund të bëja rrobat pis”. “Hitleri ishte një gangster. Nazistët më përdorën për propagandë. Më përdorën për të treguar se Hitleri i donte fëmijët. Por çdo diktator bën të njëjtën gjë. Më zgjodhën sepse përshtatesha me atë që mendonte Hitleri për fëmijët arianë. Edhe pse isha i vogël, thellë në vete e ndjenja se po manipulohesha”. “Në atë kohë më premtuan një copë kek. Si çdo premtim i Hitlerit, dukej i mirë, por nuk u bë kurrë realitet. Pas 80 vjetësh po e pres akoma atë copë keku”.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko