Meqë nuk mund të duhemi mes vetes

0
288

 Elena Prendjova

Lucian Freud girl-with-a-kitten-1947Elena Prendjova (Shkup, 1985) është autorja që çel për vitin 2015 rezidencën për shkrimtarë dhe përkthyes letrarë “Tirana in Between” – organizuar nga POETEKA dhe mbështetur nga TRADUKI dhe Ministria e Kulturës. Ajo shkruan dhe performon poezinë slam (slam poetry) e njohur kudo në botë si art oratorik, si forma e sotme e poezisë së protestës, e kritikës dhe e kërkesës për ndikim në shoqëri përmes tekstit letrar

 

 VRIMA E ZEZË

të kaluarën e kemi të ndërtuar me gjak,

kurse të nesërmen e ndërtojmë mbi eshtrat

që ende s’janë shpërbërë

 

e tashmja kundërmon nga lëkura e mishi i kalbur

dhe asnjë parfum nuk mund ta freskojë kundërmimin,

kurrfarë silikoni nuk mund t’i rianimojë skeletet

 

jetojmë në një varrezë

më të madhe edhe nga varret e luftërave,

më luksoze edhe nga pallatet më të stolisura të sundimtarëve

 

e vrimë e zezë jemi –

s’e dimë se çfarë ka brenda nesh,

çfarë përthithim nga jashtë

dhe çfarë rrezatimi shpërndajmë rreth nesh

 

vrimë e zezë jemi –

e gëlltisim vetveten

 

vrimë e zezë jemi –

e kapërdijmë historinë

dhe e gogësijmë të ardhmen

por në kushtore

 

vrimë e zezë jemi –

po të mos kishin ditur për ne

nuk do të ekzistonim nga vetvetja

 

vrimë e zezë jemi –

dhe kurrfarë e vërtete

iluminizmi

stabilizimi

materieje

përfundimi

nuk do të na e plotësojë zbrazëtinë

 

 SHKUPJANI

shkupjan

të takoj gjithmonë në një terren të huaj

asnjëherë në terren të vendit të shkupit

në stacione hekurudhore dhe vende të huaja

në vende me pak mirëseardhje e shumë ndarje

atje na takohen jetët

dhe së bashku na vazhdojnë shtigjet

duke na shpjerë deri në stacionin e fundit

që na ndan në veri e perëndim

 

shkupjan

të takoj gjithmonë në terren të huaj

asnjëherë në terren të vendit të shkupit

në stacione hekurudhore dhe vende të huaja

në vende me pak buzëqeshje gazmore

dhe shumë lot ndarjeje

atje na takohen jetët

dhe së bashku na vazhdojnë shtigjet

ne jemi vetëm aktorë të shfaqjeve të huaja

ti e luan pjesën tënde

unë rolin tim

regjinë e bën fati

ose Ai të cilin nuk e besojmë

 

shkupjan

të takoj gjithmonë në terren të huaj

asnjëherë në terren të vendit të shkupit

në stacione hekurudhore dhe vende të huaja

pa pritur e pa kujtuar pa ndonjë shpresë

në pauza midis disonancave të dashurisë

në dhomat e hoteleve me krevate bashkëshortore

nga çarçafët nuk rrjedh gjak i bardhë e farë e bardhë

por shumë TV dhe doza të tepruara vere të bardhë

unë femër në masë të pamjaftueshme

ti tepër xhentëllmen (ose boll gej)

dhe të dytë të dozuar përpikërisht me miqësi

shumë respekt shumë admirim

hiç dashuri hiç pasion

kështu është më së miri kjo është përkryerje

po të mos kishe qenë aq inteligjent me finesë

dhe i kujdesshëm e galant

sa je tmerrësisht i bukur

do t’ia merrnim virgjërinë miqësisë

po hyjmë nga një tregim në tjetrin

krijojmë kujtime për vete

të tilla që nuk fshihen dot

sepse janë filmike të rralla

dhe të rrënjosura në qelizat tona

pasqyrohen si pamje fotografish

kumbojnë si rruzare fjalësh tingëlluese

ke hequr dorë nga arti

jam bashkuar me artin

të pyes ku i paske pajisjet

i paske shitur më thua

më pyet ku i kam fjalët

t’i recitoj vargjet

të pëlqejnë

ose së paku pohon se të pëlqejnë

atë që me të vërtetë e mendon s’e thua

nuk mund të t’i lexoj mendimet

ti lexon fytyra

sepse krijon piktura

neve pak na jepen raste

prandaj me shkathtësi mësuam t’i rrëmbejmë

dhe gjithashtu pa dhembje të heqim dorë prej tyre

kur të vijë koha

ose thjesht

kur udhëtimi të na përfundojë në shkup

 

shkupi

ka shumë shtigje e udhëkryqe

atje na presin moshatarët tanë

të pyes sa shpesh udhëton

t’i llogaris matematikisht shanset

për takimin tjetër me ndarje të paevitueshme

ta tregoj destinacionin tim të ardhshëm

dhe menjëherë refuzoj

nga frika se përsëri do të të takoj

dhe nuk do të mundem të duroj

ngase i ke shitur pajisjet

dhe ke hequr dorë nga arti

je bërë i kujdesshëm financiarisht

menaxher banke

kurse unë renxher i pazbutshëm rebel

fle me miqtë e tu

hooop territor i ndaluar

rregulli themelor në teorinë miqësore të meshkujve

dhe ne jemi miq

(por nga dy gjini të ndryshme)

dhe sa më rrallë që të shihemi

aq më shumë respektohemi

dhe sa më rrallë takohemi

aq më shumë gëzohemi

aq më shumë na rrjedhin kujtimet

ty si piktura mua si fjalë

unë në tungjatjeta ti në çao

pra me të vërtetë bravo

ngado që të nisemi shkojmë vetëm drejt

se shkupi është si roma

të gjitha udhët shpijnë atje

dhe të gjitha ndarjet ndodhin atje

 

shkupjan

të takoj gjithmonë në terren të huaj

asnjëherë në terren të vendit të shkupit

në stacione hekurudhore dhe vende të huaja

e udhëtoj shpesh

nëpër autostrada të gjera e udhë të pafund

atje është vendi im

dhe nëse ndonjëherë kërkon gjini të kundërt

për këmbim qetësish e fjalësh

kah paanësia e rrugëve shiko

dhe në të ftofshin nëpër to urdhëro nisu

mbath këpucë të reja

merri me vete kujtimet e vjetra

rrugës do t’i gjesh ndryshimet e njëjta

do të jem ajo por më ndryshe

e ndryshme po e njëjta

dhe historia do të përsëritet

dhe largësia afërsinë midis nesh do ta hapë

dhe pasi t’ia themi replikat njëri-tjetrit

e t’i ngjallim imazhet

do të përshëndetemi

kinse një takim të sërishëm kemi caktuar

ndonëse e dimë se edhe koha e vendi kanë hequr dorë prej nesh

miq jemi … jemi në tel … flemë

 

MEQË NUK MUND TË DUHEMI MES VETES

pasi të na i gërvishtin zemrat

sërish do t’i kthehemi njëri-tjetrit

dhe pasi të na derdhin gjak

gjak do të dhurojmë

dhe secili për vete luftërat e veta i bën

dhe sa herë trupat t’i bëjmë bashkë

dhe sa herë shpirtrat e përvëluar

heshtazi edhe t’i ndajmë

me zjarr e flakë

njëri nga tjetri do të ndahemi

si një gacë e vogël e fundit

dashurinë do ta djegim lehtas

qetë-qetë do të tretemi në zjarr

derisa mos ta djegim përfundimisht veten

nga brenga djega dhe halli

nxitojmë drejt fundit duke rënë pa fener në dorë

dhe atje shpirtzbrazur do të takohemi

dhe dhembje e britma do të përjetojmë

dhe me një kore mëkati për kungatë do të takohemi

dhe me një shportë mllefi do ta përcjellim njëri-tjetrin

dhe sërish

verbërisht e me inat

premtimeve të rreme dhe fjalëve të zbrazëta

do t’u kthehemi

ngase nuk mund ta kuptojmë

se kohën s’mund ta kthejmë dot prapa

se nga shkaku që nuk mund ta duam njëri-tjetrin

prandaj dergjemi qajmë dhe vuajmë

 

KOHA

e shpikën për të pasur arsyetim për vdekjen

prandaj e matin si pulsin e gjakut

ngushëllohen se është relative

se absolutisht askush nuk mundet

të rrotullohet rreth diellit

për një minutë 365 herë në muaj

 

kurse mua nuk më duhet koha

por me vendosmëri e egërsisht ma caktojnë

detyrimisht

si bar të hidhur

si grim në fytyrë të femrës

si tatuazh në trupin e motoçiklistit

si virgjëri të murgeshës

si syze të mëdha të zeza të një hipsteri

si cezarian i një nëne binjakësh

 

më prridh

më helmon

ma përvëlon fytin

m’i zë hundët

më bën të qaj

më rrëqeth

më alarmon

 

më shkel koha

më ikën koha

nuk kam më kohë

nuk kam kohë për të pritur

tërësisht më ka kapluar

meqë fare nuk ka domethënie për mua

as nuk e ndjej

 

m’i numërojnë vitet

kur unë i shtoj

s’qëndruakam mirë me matematikën

 

shesin orë

për të blerë para

të fitojnë rini dhe vlerë

 

mbaj orë dore

për modë

për fetish

i kombinoj me çanta dhe me këpucë

që të jenë të sigurt se jam femër

 

e klasifikojnë si

të kaluar të tashme dhe të ardhme

të parën e fshehin që të harrohet

të dytën e korruptojnë që të shkojë kot

të tretën e vjedhin të mos lindet e të mos ekzistojë

 

kanë jahte diamante aksione

por asgjë nuk e kanë më me vlerë se kohën

të cilën s’e kanë

e aq shumë e dëshirojnë

dhe përpiqen ta blejnë

dhe të këmbehen

dhe e shesin dhe e stërshesin

 

kohën

e tyre

tonën

vetanake

të huajën

 

kohë

kohë

kohë

 

e ndërroj kohën me përjetësi

 

 Përktheu nga origjinali maqedonisht Adem Abdullahu

 

 

Poezitë slam të Elena Prendjovës, protesta e maqedonases

Elena Prendjova (Shkup, 1985) është autorja që çel për vitin 2015 rezidencën për shkrimtarë dhe përkthyes letrarë “Tirana in Between” – organizuar nga POETEKA dhe mbështetur nga TRADUKI dhe Ministria e Kulturës. Ajo shkruan dhe performon poezinë slam (slam poetry) e njohur kudo në botë si art oratorik, si forma e sotme e poezisë së protestës, e kritikës dhe e kërkesës për ndikim në shoqëri përmes tekstit letrar.

Mes leximit të zakonshëm dhe dëgjim-shikimit të poezive slam të Elena Prendjovës, zgjedh të dytën, dëgjim-shikimin, mediumin që pasuron marrëdhënien dhe që mesazhit, metrikës apo mjeteve të tjera stilistikore u shton edhe gjuhën e aktrimit skenik. Tekstet poetike të Elena Prendjovës këshillohet të lexohen, por për një organizim të gjithanshëm të të mendjes dhe vëmendjes, të shqisave dhe imagjinatës, këshillohet dëgjimi dhe shikimi me prani në performancë.

Kjo pasi fjalët që përdor Elena Prendjova në poezitë e saj, megjithëse e kanë prejardhjen në fjalor, marrin vlerë të posaçme nga interpretimi. Fjalët e saj (edhe kur ato janë po ato që ne përdorim rëndom, fjalë mashkullore dhe femërore, dhanore dhe thirrore, të tilla si eshtrat, shtretërit e zbrazët bashkëshortorë në hotele,lodhja prej zbrazëtisë, pasqyrat, silikoni, shigjetat, jahti, sjelljet politikisht, çarçaf,ishkupjani në ikje, iluminizmi, dashuria, çantë dhe këpucët, mëkatet dhe helmi, pështymë dhe buzëkuq në qafë burri, nëna, udhëkryqi,gabimet, sundimtari, moshatarët dhe emigrantët matematika dhe vrimë e zezë, gjenda e çmendur është gjithçka, përkryerjet, stacionet hekurudhore, krimi, respekti, burri me gjithë përemër pronor, apo kur autorja shkruan për shtatë pika limoni dhe parfum), fjalët e poezive të saj janë njësi të hapura, ku gjithçka ruan vlerën, jo vetëm tingullin dhe kuptimin, por edhe ngjyrë,ku çdo fonemë e përdorur mirë, madje me kursim, shndërrohet në forcë kuptimore, në përcjellës emocionesh, kur edhe pse nuk e dimë gjuhën, njohim përfytyrimet e përbashkëta, fshehur nën lëkurën tonë që nga koha kur s’kishin lindur fjalët. Ndaj edhe fjala, shoqëruar me gjestet plotësuese, mimikën dhe tonet shton mënyra interpretimi të ngjashme me mjetet që përdor muzika për të arritur efekte të plota ndikuese mbi publikun.

Por krijimtaria e Elena Prendjovës nuk është muzikë, ajo e përdor muzikën, përdor elementet e saj, ritmet, recitativin me fare pak melodi, përdor ngjyrimet. Krijimtaria e Elena Prendjovës, poezia slam dhe pjesa tjetër e poezive të saj, i shmanget sentimentalizmit tradicional, poetizimit, duke kërkuar mënyra më të gjera shprehjeje,mundësi për poezinë e ‘të përplasurit’ përballë, siç edhe quhet ndryshe ky lloj angazhimi letrar më pak i mërzitshëm se leximet klasike.

Vëzhgime të mprehta,që na vendosin përballë njeriun me ndjesi fillestare, joshëse në dukje, shpesh i afërmi ynë. Ato na tregojnë jo të bukurën klasike, as të madhërishmen e romantizmit dhe as njeriun-hero të realizmit socialist. Na tregojnë për frikën që kemi nga realiteti i ri, nga ky realitet që na kërkon të jemi me çdo kusht të pëlqyer, të suksesshëm dhe të kushtëzuar nga pëlqimi dhe suksesi dhe që pikërisht për këtë na bën të ndihemi të frustruar përballë tij. Kjo poezi e realiteteve të vështira të bën ta mendosh veten të përfshirë në vorbullën e lojës që autorja krijon me strukturat klasike të poezive që ndërthuren me ato postmoderne, me ironi ndaj trashëgimisë emocionale, konvencionale dhe një hapje ndaj shqetësimeve që nuk kërkohen, por mbërrijnë.

Elena Prendjova e ka pasuruar skenën përgjithshme letrare në Maqedoni dhe në rajon me natyrat ndryshe dhe moderne të poezisë me stil të sofistikuar. Nuk janë stoli që u vishen duarve dhe qafës për të plotësuar look-un, është slam poetry.

Nuk janë as thjesht ngjyra që plotësojnë natyrën e zbehur humane. Ky art i komunikimit përmes poezisë ka si shenjë të vet barazinë dhe respektin mes autorit-lexues dhe auditorit, ku gjatë leximit nuk imponohen as shijet dhe as bindjet.

Gjithçka i ngjan dialogut, herë-herë një monologu të thyer, ku autorja shpreh veten, bindjet, siç edhe shfaqet dukshëm në këto poezi me vargje të forta, të drejtpërdrejta, ku portretet, kujtimet apo pamjet i shmangen qëllimshëm figuracionit të lodhur duke mos lënë dilema kur shprehet se sidoqoftë “iluminizmi nuk do të na e plotësojë zbrazëtinë”.

Krijimtaria e Prendjovës është vlerësuar me 3 çmime kombëtare për librat me poezi Elena Prendjova është autore e gjashtë librave me poezi si dhe hartuese e një antologjie të poetëve të rinj të slam (Karamanov 2014, Makedonska knizevna avangarda 2012, Beli mugri 2011) si dhe me 3 çmime të tjera ndërkombëtare (Poetja më e mirë e edicionit të parë të Festivalit ndërkombëtar në Brchko – Bosnjë&Hercegovinë 2012 Çmimi i parë për librin më të mirë poetik të vitit në 2011 dhe Çmimin special Irin Pirin për librin më të mirë poetik të vitit 2007 në Melnik, Bullgari. Në vitin 2014, një poezi e saj u vlerësua me Çmimin kombëtar Praznik na lipite National Award, ofruar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Maqedonisë. Poezia e saj është përfshirë në antologji të ndryshme si dhe është botuar në anglisht, boshnjakisht, bullgarisht, kroatisht, rusisht, serbisht dhe shqip. Ajo shkruan dhe boton rregullisht poezi dhe kritikë arti mbi poezinë, teatrin dhe filmin në revista të ndryshme. Që nga viti 2012 Elena Prendjova është anëtare aktive e Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë dhe nga viti 2013 edhe anëtare e bordit redaktorial të revistës letrare Sovremenost.

Silvana Leka

  

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here