Gëzim Saliu
Kryeministri sulmon kandidatin e PD-së në Dibër: Krosi si hu gardhi, u plak në karrige. Po deshët pehlivan votoni demokratin, po deshët shërbëtor votoni kandidatin e majtë
Kryeministri Rama u ndal ditën e djeshme në Dibër dhe më pas në Burrel ku prezantoi kandidatët e koalicionit të majtë për këto bashki. Në prezantimin e kandidatit të së majtës për Dibrën, Shukri Xhelili, Rama tha se në gjithë këto vite nën drejtimin e të djathtëve kjo Bashki nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Ashtu si edhe në takimet e shkuara, në deklaratat e kreut të qeverisë nuk ka munguar sulmi ndaj kandidatit të së djathtës, ku ai e cilësoi kryetarin aktual të Bashkisë si një njeri që u plak në karrige pa bërë asgjë për qytetin. “A ka ardhur ndonjëherë kryetari i Bashkisë e të thotë kam nevojë për mbështetje se kam nevojë për mbështetje për këtë apo atë projekt në Peshkopi. Nuk ka sjellë asnjë projekt në tryezën e komisioneve që ne i çojmë për miratim. Për çfarë u duhet ky kryetar qytetarëve? Ka 3 mandate, u plak në karrige. Ai plaku e Peshkopia plaku më keq. Unë që kur kam ardhur në Dibër e Peshkopi për herë të parë, unë po këtë vend kam parë. Ndryshimet janë vetëm ato që kanë bërë vetë qytetarët”, – tha Rama. Më tej, Kryeministri deklaroi se PD-ja nuk e ka mendjen tek problemet e mëdha të vendit si plehrat, mungesa e ujit të pijshëm dhe gjendja e rënduar e transportit publik. “Ata merren vetëm me politikën e madhe. Thonë do ulim taksat e do bëjmë taksën e sheshtë. Këto nuk kanë lidhje me bashkitë. Duan të vendosin në krye të bashkisë një hu gardhi, i cili merret vetëm me ankesat që na ka blloku qeveria për këtë apo për atë. Shukri Xhelili nuk është aq pehlivan sa ai i PD-së, ndaj po deshët pehlivan mbani atë, po deshët shërbëtor zgjidhni Xhelilin”, – deklaroi Rama.
Në Burrel
Ndërkaq, në Burrel, ku prezantoi kryetaren aktuale të Bashkisë Mat, Adelina Farrici, Rama tha se vota e 21 qershorit nuk është për partitë partiake, por për të pasur një Bashki edhe më të fortë. Edhe në këtë takim, Kryeministri i dha rëndësi kandidates grua duke theksuar se vota për to bën të mundur drejtimin e duhur. “Adelina është shembull suksesi kombëtar, jo vetëm këtu në Burrel, por shembull për t’u dhënë më shumë mbështetje grave… Po qe puna për drejtimin e duhur, gratë nuk gabojnë. Nuk thotë kot populli do për muhabet shko ulu me burra, do punë, vetëm me gratë. Gra dhe vajza, nëpër shtëpi mos i lini burrat në drejtimin e gabuar”, – theksoi Rama. Duke iu drejtuar banorëve të Burrelit, kreu i qeverisë pohoi se para Farricit në Mat ishin kryebashkiakët e mëparshëm, të cilët, sipas tij, nuk bënë asgjë për të ndryshuar këtë njësi. “Kjo nuk është votë me mbajt me gajret SHQUP-in në Tiranë, por vota ku të ketë më shumë punë, mirëqene dhe investime për qytetin dhe qytetarët. Ata nuk e kanë haberin se çfarë punësh duhen bërë për qytetin dhe mjafton të shihni komunat që qeveris PD-ja dhe ikni me vrap”, – cilësoi ai. – 18 muaj kemi ne dhe kryetarja Adelina Farrici ka ardhur disa herë dhe ka komunikuar për mbështetje për të investuar në qytetin e saj dhe ne do ta mbështesim. Ne do te investojmë për Matin dhe ju premtoj se pas dy vitesh ne zgjedhjet e përgjithshme do të ketë përfunduar infrastruktura për kanalet kulluese dhe vaditëse. Projekti është gati dhe do ta financojmë menjëherë, që ta bëjmë model bashkinë e Burrelit”, – deklaroi Rama.
Rama në Dibër: PD ju mashtroi për Rrugën e Arbrit. Berisha: Ndërtuam 34 km
Në takimin e zhvilluar në Dibër, kreu i qeverisë akuzoi demokratët se për shumë vite kanë premtuar ngritjen e Rrugës së Arbrit e ndërsa do të jetë, sipas tij, mazhoranca e majtë që do të bëjë të mundur ngritjen e saj. “Bashkia e Dibrës mund të kthehet në një motor zhvillimi ekonomik, bujqësor e blegtoral. Ata kanë premtuar Rrugën e Arbrit, por nuk e bënë. U desh 23 qershori që të merrte drejtim Rruga e Arbrit. Brenda pak muajve do të hapet kantieri i madh i punimeve për Rrugën e Arbrit. Projekti i tyre për Rrugën e Arbrit ishte një paçavure e madhe. Një projekt i tillë kombëtar është themelor, sepse lidh shqiptarët të gjithë bashkë në pjesën lindore të kufirit të Shqipërisë”, – pohoi Rama. Ndërkaq, përmes një reagimi në rrjetin social “FB”, ish-kreu i qeverisë, Sali Berisha, deklaroi se Kryeministri Rama mashtroi dje në takimin e Dibrës, pasi, sipas tij, gjatë qeverisjes së PD-së u ndërtuan rreth 34 km rrugë. “Në Rrugën e Arbrit, e shpallur si rruga e dyte e kombit, u ndërtuan nga qeveria e PD rreth 34 km. Mbeti pa ndërtuar segmenti tjetër prej 26.4 km, në të cilin ndodhet edhe Ura e Vashës (ure me lartësi rreth150 m) dhe tuneli i Qafë-Murrizit prej 2.2 km. Vonesa e fillimit te punimeve ne segmentin e dyte erdhi sepse projekti për ndërtimin e tunelit u desh te behej dhe një here nga e para pasi u provua se ne kuotën e parashikuar për shpimin e tunelit struktura gjeologjike nuk e lejonte një gjë te tille. Pas përfundimit te projektit për se dyti, ne pranvere te vitit 2013, kompania gjigante e ndërtimeve e Republikës Popullore te Kinës paraqiti një oferte për ndërtimin e rrugës. Pas shqyrtimit dhe negocimit te saj, oferta u pranua nga qeveria e PD dhe u la çdo gjë gati për fillimin e punimeve te segmentit te dyte te Rrugës se Arbrit qe ne vjeshtën e vitit 2013”, – sqaroi Berisha.
Takimi me të rinjtë/ Veliaj: Askush s’do që nëna t’i përgojohet se si lindi, programe të posaçme për rininë
Kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi pasditen e djeshme takimin elektoral me votuesit 18-vjeçarë të cilët do të votojnë për herë të parë në 21 qershor. Duke ftuar të rinjtë të votojnë për koalicionin e majtë, Veliaj theksoi se askush nuk ka nevojë për një kryetarë bashkie që shkon jahstë shtetit dhe tek partia. Në këtë takim ai prezantoi një seri pikash ku do të bazohet programi i administratës së ardhshme të Bashkisë së Tiranës për rininë. “Do të themelojmë Këshillin e Rinisë për Tiranën. Do të hartojmë buxhetin për rininë, për të cilin deri më sot nuk ka menduar askush. Do të mundësojmë kartën e të rinjve, përfshirë këtu gjimnazistët dhe jo vetëm studentët, sepse të gjithë duan të përfitojnë nga shërbimet. Do të rikthejmë qendrat komunitare, do të ndërmarrim një iniciativë për sipërmarrësit e rinj që duan të krijojnë një biznes të vetin dhe duan ndihmë nga bashkia. Ju premtoj se vitin e parë do të kemi 100 biznese rinore. Siguria në shkollë është një tjetër pikë, sepse prindërit duhet t’i kenë fëmijët të sigurt në shkollat ku i çojnë”, tha ai. Ndërkohë ai nuk nguroi të komentonte edhe takimet e kandidatit të djathtë ku tha se,: “modeli i barcaletave të çdo nëne se si lindi e si nuk lindi nuk është i duhur, nuk jemi nga këta lloj njerëzish. Asnjë i djathtë nuk do që nëna e vet t’i përgojohet si lindi në sallën e lindjes”. Po ashtu, në këtë bashkëbisedim, Veliaj tha se Hollivudi po e bën film se si u vranë 26 veta në Gërdec, duke shitur predh. “Ka dy modele të të rinjve sot, njëri është modeli i Maries, një vajzë e re emigrante, e cila i arrin gjërat me punë, e cila shkon me familjen në emigracion dhe bën çdo punë për sa kohë është punë e ndershme. Ajo vjen nga një familje punëtorësh, emigrantësh e jo nga ndonjë familje VIP-ash. Është edhe modeli i Shkëlzenit, siç e patë sot në lajme, Hollivudi po bën një film për Shkëlzenin, se si u vranë 26 veta duke shitur predha, gjë që ata mundohen ta shesin si sukses. Këta mundohen të na thonë mos ndiqni modelin e Maries, këta mundohen të na shesin modelin tjetër, atë që po i shtype, po i trajtove njerëzit me arrogancë dhe po i vrave, je i famshëm”, – pohoi Veliaj.