Artan Cena
Me bluza ku shkruhej “Jam krenar që jam mysliman”, Policia e Burgjeve nuk i ka lejuar ata të hyjnë në sallë. Pas kësaj edhe të pandehurit kanë lënë sallën e gjyqit
Mbështetësit e 9 imamëve shqiptarë që janë në gjyq për vepra me qëllime terroriste kanë dashur të qëndrojnë në procesin gjyqësor, veshur me bluza me mbishkrimin “Jam krenar që jam mysliman”, por Gjykata e Krimeve të Rënda nuk i ka lejuar, duke u dhënë urdhër forcave të sigurisë, që mbështetësit që ishin paraqitur me bluza me mbishkrime t’i nxirrnin jashtë, edhe duke përdorur forcën. Sipas gjyqtarëve, nuk është e ligjshme që mbështetësit të paraqiten në gjykatë me bluza me mbishkrime të tilla. Të ndodhur në këtë situatë edhe të pandehurit janë larguar nga salla e gjyqit, duke e braktisur seancën. Gjatë largimit ata kanë thënë se “nuk u besojnë gjykatave, por Allahut”. Sipas Gjykatës, moslejimi i familjareve të të pandehurve nuk është vendim i tyre, po i Policisë së Burgjeve që ka për detyrë ruajtjen e sigurisë. Ndërkohë, ditën e djeshme, ishin forcuar edhe masat e sigurisë ne ambientet e Gjykatës.
Dështon seanca
Gjykata e Krimeve të Rënda e ka pasur të pamundur edhe këtë të martë të zhvillojë seancën e radhës në ngarkim të 9 të pandehurve, imamët e akuzuar se kanë dërguar luftëtarë në Siri. Shkak është bërë sërish moslejimi nga Policia e Burgjeve për hyrjen brenda në Gjykatë të familjarëve të të pandehurve, të cilët ashtu si një javë më parë, kishin veshur bluza me mbishkrimin “Jam krenar që jam mysliman”. Megjithëse u është kërkuar të heqin bluzat, të afërmit e të akuzuarve, nuk kanë pranuar ta bëjnë një gjë të tillë, e për pasojë ata nuk janë lejuar të ndjekin procesin. Për punonjësit e policisë së burgjeve, bluza është cilësuar si veshje jo e përshtatshme dhe serioze. Këtë argumentim, policia e mbështet në këtë rregullore të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të publikuar në korridorin e Gjykatës. Aty thuhej ndër të tjera se “palët e tjera pjesëmarrës në proces apo personat e pranishëm në gjykim duhet të mbajnë veshje të natyrës serioze dhe që vlerësohen të përshtatshme për ambientin e Gjykatës”. Referuar kësaj rregullore, familjarët u ndaluan të marrin pjesë në sallën e gjyqit. Brenda sallës, edhe të pandehurit kishin veshur të njëjtën bluzë por që për shkak të moslejimit të të afërmve të tyre ata u larguan nga salla e gjyqit, duke lëshuar akuza dhe mallkime ndaj togave të zeza.
Kallëzim penal
Në dalje të Gjykatës, avokati tha se do të ruajmë qetësinë dhe do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore, duke bërë edhe kallëzim penal ndaj kryesueses së trupës gjyqësore. Edhe përfaqësuesi i besimtarëve myslimanë, që nuk u lejuan të ndiqnin procesin gjyqësor, tha se kjo është diskriminuese. 9 të pandehurit në këtë proces gjyqësor nuk pranuan gjithashtu edhe avokatët e caktuar nga shteti, duke refuzuar njohjen e ligjeve shqiptare. Ata akuzohen për rekrutimin dhe dërgimin e mbi 70 familjeve myslimane drejt luftës në Siri si dhe për akuzën e nxitjes së urrejtjes fetare.
Dërgonin njerëz në SHBA, 7 persona përfundojnë në gjyq
Prokuroria për Krime të Rënda mbylli hetimet dhe dorëzoi për gjykim dosjen penale ndaj 7 të pandehurve, të akuzuar për dërgimin e klandestinëve shqiptarë drejt Amerikës. Sipas dosjes, të pandehurit në role të ndryshme dhe bashkëpunim me njëri-tjetrin dërgonin shtetas shqiptarë kundrejt shumës nga 20 deri në 25 mijë dollarë. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, personat e akuzuar kanë dërguar në mënyrë klandestine në SHBA shtetas shqiptarë nëpërmjet kalimit transit nga Maqedonia në Bullgari, ku pajiseshin me dokumente bullgare. Më pas, nga aty, udhëtonin për në Spanjë dhe më tej në vendet e Amerikës Qendrore, kryesisht në Nikaragua, Honduras, Guatemalë, Meksikë dhe në fund, në destinacionin final, SHBA. Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin për këtë skemë trafiku personash në bazë të informacionit të mbërritur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe në bashkëpunim me autoritetet amerikane. Nga informacioni i përfituar gjatë hetimit, rezulton se vetëm gjatë vitit 2013, kanë hyrë në mënyrë klandestine në territorin e SHBA-së nëpërmjet kufirit me Meksikën rreth 480 shtetas shqiptarë. Të arrestuarit janë: Enver Karaj, 61 vjeç banues në Tiranë; Fatmir Bakalli, 66 vjeç banues në Tiranë; Nertil Previzi, 41 vjeç, banues në Strugë; Fatos Fasko, 56 vjeç banues në Tiranë; Durim Koxha, 57 vjeç, banues në Tiranë; Nikoll Kolaj, 40 vjeç, banues në Tiranë; dhe Fatmir Flaga, 60 vjeç, banues në Tiranë. Të gjithë të akuzuarit janë hetuar me masën e sigurisë “Arrest në burg”. Këta persona janë të akuzuar për veprat penale të “Grupit të strukturuar kriminal”, “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit”.
TË PANDEHURIT:
Enver Karaj
Fatmir Bakalli
Nertil Previzi
Fatos Fasko
Durim Koxha
Nikoll Kolaj
Fatmir Flaga
Sherr te Rruga e Kavajës, i riu qëllon edhe ndaj policisë
Konflikti mes tre personave ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit në Rrugën e Kavajës. Fatmirësisht, nga të shtënat, të regjistruara në orët e pasdites së djeshme, nuk ka asnjë person të lënduar. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, ku prangosi një 21-vjeçar me inicialet E. K. nga rrethi i Pukës. I riu, që i ka bërë rezistencë patrullës së policisë, dyshohet se është pjesë e 3 personave, që mendohet se janë përfshirë në konfliktin e lartpërmendur. Për momentin nuk bëhen me dije shkaqet e konfliktit mes tre personave, por policia thotë se po punon për zbardhjen e tyre dhe për këtë pritet të ndihmojë dëshmia e 21-vjeçarit të ndaluar.
Nuk ka leje për të dënuarit gjatë fushatës së zgjedhjeve
Asnjë i dënuar nuk do të përfitojë leje shpërblyese, që nga 21 maji deri në 1 korrik, ndërsa lejet e veçanta do të jenë vetëm për raste emergjente. Vendimi është bërë i ditur nga ministri i Drejtësisë, i cili ka mbledhur gjatë ditës së djeshme në një takim të gjithë drejtorët e këtyre institucioneve. Sipas Naços, asnjë i dënuar, nuk do të privohet nga e drejta e votës dhe për këtë janë marrë të gjitha masat për pajisjen e tyre me dokumente identifikimi. Në të gjithë vendin, ndodhen 5600 të dënuar dhe të paraburgosur.
Adoleshentët kërcënojnë dhe i marrin lekët një të miture
Tre adoleshentë kanë mashtruar një të mitur, duke i marrë një sasi lekësh. Ngjarja është regjistruar në qytetin e Elbasanit, ku edhe është bërë denoncimi. Sipas bluve të këtij qyteti, pas kësaj ngjarjeje janë ndaluar 15-vjeçarët me inicialet G. B., G. P. dhe S. P. Ata u ndaluan pas kallëzimit të nënës së 12-vjeçares me inicialet V. H. nga Elbasani. Sipas saj, nëpërmjet kanosjes, të rinjtë i kanë marrë një sasi lekësh vajzës. Policia që ka ndaluar të miturit i ka marrë në pyetje ata, ndërsa ende nuk është vendosur nëse do të mbahen në qeli apo jo.