Gëzim Saliu
Takimet në Lagjen e Trimave, Blushi: Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë përfaqësimin e duhur
Deputeti socialist, njëkohësisht anëtar i Kryesisë i forcës më të madhe në pozitë, ishte dje në Kumanovë ku zhvilloi takime me banorët e Lagjes së Trimave, e cila u shkatërrua 10 ditë më parë nga ushtria dhe policia. Duke sfiduar politikën në Tiranë dhe atë në Maqedoni, Blushi ishte i pari politikan shqiptar që vizitoi Kumanovën pas ngjarjeve të ndodhura atje, duke përcjellë njëkohësisht edhe qëndrimin e tij lidhur me to. Sipas ligjvënësit të majtë, ngjarja në Kumanovë ishte e frikshme jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë Maqedoninë. “Kanë vuajtur një padrejtësi dhe një pabesi se kur shteti është i pabesë, ky është fundi i shtetit. Megjithatë, kam një besim dhe një shpresë se kjo quhet Lagjja e Trimave dhe nëse lagjja nuk është më, trimat do të mbeten”, – tha ai.
Takimet
Në takimet e zhvilluara me banorët, duke u ndalur në shtëpitë e rrënuara, deputeti socialist tha se shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë përfaqësimin e duhur. “A do të ketë mundësi Republika e Maqedonisë të na njohë si qytetarë me të drejta të barabarta? Kjo është pikëpyetja e të gjithë shqiptarëve dhe një pikëpyetje tjetër është a përfaqësohemi siç duhet? A kanë sot shqiptarët e Maqedonisë përfaqësimin e duhur? Shumë thonë që jo… pra duhet që partitë shqiptare të Maqedonisë të ngrenë zërin, të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe të jenë demokratë”, – tha Blushi. Pamjet e Lagjes së Trimave deputeti i PS-së i krahasoi me konfliktet e përgjakshme në Ballkan, ku theksoi se i vetmi kujtimi i tij ishte një gëzhojë. “Kujtimi i vetëm që kam… kujtim i dhimbshëm, por i bukur (tregon një gëzhojë)”. Për ngjarjet e ndodhura në Kumanovë Blushi e shprehu qëndrimin e tij në seancën parlamentare të së enjtes së kaluar, ku e cilësoi Maqedoninë një vend pa demokraci. “Ajo që ndodhi në Kumanovë, është e frikshme. Maqedonia sot ka një problem delikat me demokracinë e vet. Nuk është një shtet demokratik, por autokratik. Rasti i Kumanovës dëshmoi se shqiptarët kanë një krizë përfaqësimi në raport me qeverinë që e drejtojnë, por edhe tek partitë shqiptare. Ne s’mund t’u themi se kujt duhet t’i besojnë, por si shtet dhe si Parlament duhet të mbështesim demokratët mes shqiptarëve të Maqedonisë. Duhet të mbështesim demokratët ndër shqiptarët e Maqedonisë”, – deklaroi deputeti i PS-së. Për dy ditë me radhë banorët e Lagjes së Trimave përjetuan një makth, ku forcat ushtarake maqedonase luftuan grupin e armatosur, sipas tyre, të fshehur pikërisht në këtë lagje. Konflikti përfundoi me 14 të vdekur nga grupi i armatosur dhe tetë viktima nga forcat maqedonase. Por ngjarja e Kumanovës tronditi qeverinë “Gruevski”, ku dy ministra të kabinetit dhanë dorëheqjen. Ndërkaq, vetëm dy ditë më parë u zhvillua një protestë me më shumë se 100 mijë qytetarë, të cilët kërkuan largimin e Gruevskit si Kryeministër i vendit. Nga ana tjetër, takimet mes krerëve të partive kryesore në vend nuk kanë sjellë rezultat e ndërsa partitë shqiptare BDI dhe PDSH duket se kanë arritur marrëveshje mes tyre. Ahmeti dhe Thaçi po veprojnë bashkërisht në negociatat për tejkalimin e krizës politike, ku një nga modelet është propozimi i bërë nga BDI-ja. Sipas këtij propozimi, plani është rikonstruimi më i gjerë i qeverisë dhe mundësia e bashkëngjitjes së PDSH-së, por edhe modeli i qeverisë së zgjeruar ku do të ishte edhe LSDM.
Kosova, notë proteste Maqedonisë: Mungesë informacioni për shtetasit tanë
Kosova u dërgoi dje një note proteste autoriteteve maqedonase për mungesë informacionesh në lidhje me përfshirjen e shtetasve kosovarë në incidentin që la pas 22 viktima. Sipas mediave vendase, menjëherë pas ngjarjeve në Kumanovë, autoritetet kosovare kanë ngritur edhe një komision ndërinstitucional për të ndjekur zhvillimet në Maqedoni, i cili ka adresuar zyrtarisht shqetësimin për mungesën e informacioneve në përfshirjen e shtetasve të Kosovës në betejën e Lagjes së Trimave. Ambasada e Kosovës në Republikën e Maqedonisë është duke bërë çdo gjë që është e mundur, në kuadër të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, për të ndihmuar shtetasit kosovarë dhe familjet e tyre, por që bashkëpunimi nga ana e autoriteteve maqedonase lë shumë për të dëshiruar. Autoritetet e Kosovës kanë ftuar përfaqësuesit e organizatës Human Rights Eatch të hetojnë incidentin dhe trajtimin e të burgosurve dhe viktimave të Kumanovës.
Meta: Deklaratat e Erdoganit morën përgjigje, shqiptarët në Maqedoni të kenë të drejta të barabarta
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha dje se deklaratat e Presidentit Erdogan për mbylljen e shkollave të ish-aleatit të tij Fetullah Gylen në Shqipëri, nuk kanë lidhje me marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë. Sipas tij, përgjigjja e ministres së Arsimit, Nikolla, e cila theksoi se shkollat e hapura në vend nuk kanë asnjë rrezik ishte përgjigja zyrtare e qeverisë ndaj kërkesës së Presidentit turk. “Raportet midis Shqipërisë dhe Turqisë janë historike dhe janë me shumë të ardhmen. Në këtë drejtim unë besoj se duhen ndarë ato që janë prioritete të përbashkëta të bashkëpunimit të cilat ne i mbështesim dhe i inkurajojmë edhe në vijim të traditës së shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve me qëndrime të caktuara, të cilat në fakt nuk kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me marrëdhëniet mjaft solide midis dy vendeve. Ndërsa për çështjen në fjalë besoj se përgjigjja e ministres së Arsimit është përgjigja më adekuate”, – pohoi Meta. Nga ana tjetër, kreu i Kuvendit foli edhe për situatën e tensionuar politike në Maqedoni dhe ngjarjen në Kumanovë, ku bëri thirrje që forcat politike shqiptare në Shkupin zyrtar të bashkëpunojnë. “Shqiptarët në Maqedoni kanë bërë gjithnjë përpjekjet e tyre në këtë drejtim dhe mesazhi ynë për të gjitha forcat politike shqiptare në Pogradec, por edhe në vijimësi, është që përmes një procesi të vazhdueshëm bashkëpunimi dhe konsultimi midis tyre të potencojnë më tej rolin e tyre si faktor stabilizues, demokratizues dhe evropianizues të Maqedonisë, në mënyrë që përmes këtij procesi politik shqiptarët në Maqedoni të kenë të drejta krejtësisht të barabarta me gjithë qytetarët e tjerë të Maqedonisë”, – deklaroi Meta.