Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave kallëzon penalisht Dritan Priftin për fshehje pasurie.
Përmes një njoftimi për mediat, ILDKPKI bën me dije se pasi ka lauar në sitë deklaratën e pasurisë së Priftit për periudhën 2003-2013 kur ai ushtronte funksionet si deputet dhe Ministër, është vërejtur fshehje pasurie në vlerën 4.6 mln euro.
“Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar, përfundoi kontrollin dhe rikontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Dritan Prifti, për funksionet Ish-Ministër dhe ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për periudhën kohore 2003 – 2013, nga ku rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme, kontrata fiktive pasurish, transferta bankare të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash, brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 4.600.000 euro”.
ILDKPKI ka dërguar kallëzimin penal në Prokurorinë e Përgjithshme, duke insistuar që hetimet paraprake të shtrihen më tej, me qëllim për të zbuluar nëse ndodhemi edhe para veprave të tjera penale.