Ervin Kaduku
– Fushata zgjedhore dhe zbatimi i reformës së re administrativeterritoriale kanë dhënë efektet e para negative për sezonin turistik
Komisioni Teknik i Ministrisë së Ekonomisë ka miratuar kërkesat për ndërtimin e dy fshatrave turistike në Ishëm të Durrësit dhe në Palasë në Bashkinë e Himarës.
Komisioni vendosi pranimin e kërkesës së shoqërisë “Edonil Konstruksion” sh.p.k. dhe “XH & M” shpk., objekt marrjen e lejes së ndërtimit (zhvillimi) për projektin “Kompleks turistik “Delta Bay Resort”, me vila 2-3 katëshe dhe hoteleri, në plazhin e Dralleos, Palasë, Bashkia Himarë.
Burimet zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë bëjnë me dije se, është, paraqitur kërkesa edhe nga zhvilluesi EDIL AL me nr. 2473 prot. date 27.03.2015 “Për leje ndërtimi/zhvillimi “Kompleks turistik, fshat turistik dhe hoteleri”, në Komunën Ishëm, Durrës. Kjo kërkesë ka si objekt marrjen e lejes së ndërtimit për “Kompleks turistik, fshat turistik dhe hoteleri”.
Këto kërkesa u shqyrtuan nga Ministria e Ekonomisë në zbatim të Udhëzimit të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes nr. 217, datë 28.03.2014 “Për rregullat dhe procedurat e shqyrtimit të kërkesave për leje zhvillimore që miratohen në KKT si dhe për ngritjen e komisionit për shqyrtimin e tyre”. Gjithashtu sot pritet te bëhet shpallja e fituesve për projektet e konkursit për Produktin Turistik inovativ.
Projekti “Risi Turistike”ka ftuar të gjitha kompanitë e interesuara që të dorëzojnë një propozim dhe plan biznesi për të zhvilluar dhe zbatuar një produkt të ri turistik në rajonet e Beratit apo Shkodrës. Afati i fundit për dorëzimin e propozimit që ishte data 13 maj 2015.
RisiAlbania organizon konkursin e parë kombëtar të quajtur “Risi Turistike” për rajonin e Beratit dhe Shkodrës, në mënyrë që të nxisë zhvillimin e produkteve të reja turistike.
Produktet e reja inovative të turizmit do të ndihmojnë për të krijuar itinerare të reja ose gjeneruar vlerë të shtuar të atyre ekzistuese, duke siguruar një përvojë të pasur dhe autentike për turistët në këto dy rajone
Efekte negative në turizëm
Fushata zgjedhore dhe aplikimi i reformës së re administrativeterritoriale kanë dhënë efektin e parë negativ për sezonin turistik. Një prej detyrimeve kryesore i njësive vendore bregdetare, ai i pastrimit të bregdetit, këtë vit nuk është realizuar nga shumë njësi duke rrezikuar që çelja e sezonit turistik ta gjejë bregdetin të papastër. Për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike, qeveria ka miratuar një vendim të posaçëm, duke shtuar 300 punonjës të përkohshëm në strukturën e Agjencisë së Bregdetit. Detyra e këtyre punonjësve të rinj do të jetë pastrimi i vijës bregdetare të vendit. Kontrata e punës për ta është 4 mujore, nga Maji deri në Shtator, sa zgjat edhe sezoni turistik. Për këtë qëllim, Agjencisë Kombëtare të Bregdetit i janë shtuar edhe 38 milion lekë, për mbulimin e shpenzimeve për pastrimin e bregdetit. Vendimi ishte paralajmëruar edhe më herët nga kreu i Agjencisë së Bregdetit, Auron Tare. Tare ka shpjeguar edhe nevojën e këtij vendimi, në kushtet kur shumë njësi vendore që shkrihen apo që janë përfshirë në fushatë nuk e kanë realizuar detyrimin e tyre për sezonin turistik. Pritshmëritë janë që këtë vit, Shqipëria të presë 25 për qind turistë më shumë se sezonet e mëparshme.
Zonat e lira
Komisioni i Ekonomisë diskutoi dje projektligjin për krijimin e zonave të lira ekonomike. I prezantuar nga ministri i MZHETTS, Arben Ahmetaj, ky projektligj synon sipas tij, thithjen e sa më tepër investitorëve. “Në të gjithë botën janë 4300 zona të lira ekonomike. Sa i përket zonave tonë, duhet që të ofrojnë lehtësi fiskale dhe procedurale”, – ka thënë Ahmetaj.
Ahmetaj ripërsëriti shpalljen e tre zonave të lira ekonomike në vendin tonë, atë në Durrës, Vlorë dhe Koplik dhe njoftoi se tenderi për shfrytëzimin e tyre do të njoftohet pas 2 muajve, ndërsa përgjigjja për kompanisë fituese do të lajmërohet në tetor.
Një ndër lehtësitë fiskale që po parashikohet, sipas ministrit, do të jetë ulja e tatim-fitimit në 50% për 7 vitet e para të menaxhimit të një zone.
Gjatë akuzave nga deputeti i opozitës Ridvan Bode për uljen e nivelit të investimeve të huaja, Ahmetaj deklaroi se ky pr.ligj pritet të nxisë investitorët dhe të hapë vende të reja pune, deri në 17 mijë të parashikuara, sipas tij.
Burra/gra, ja si po ndryshojnë raportet e popullsisë dhe punësimit
Emigracioni i vazhdueshëm dhe rënia e numrit të lindjeve janë dy arsyet që popullsia në Shqipëri vazhdon të ketë rritje negative.
INSTAT bëri të njohur dje studimin “Gratë dhe burrat në Shqipëri 2015″, sipas të cilit, bazuar në një llogaritje gjatë periudhës 2001-2011, kur janë kryer dy censuset e fundit, emigracioni u vlerësua përafërsisht 480.000 emigrantë, ku shumica janë burra.
Numri i lindjeve pësoi rënie nga afërsisht 39 mijë lindje në vitin 2005, në rreth 35 mijë në fund të vitit 2014, me një rënie prej 8%. Ndërsa vërehet qëndrueshmëri për vdekshmërinë, ku ndaj totalit burrat vdesin më shumë se gratë, ose 54% më shumë. Në dy vitet 2013-2014 jetëgjatësia llogaritet 76,4 vite për burrat dhe 80,3 vite dhe për gratë.
Për vendbanimet rezultojnë se gratë janë më prezente se burrat në zonat urbane dhe në vitin 2014, gratë përfaqësonin 51,3% të popullsisë në zonën urbane dhe 48,7% burra.
Mosha mesatare e popullsisë banuese është rritur nga 31,5 vjeç në vitin 2005, në 37 vjeç në vitin 2014, ku gratë kanë moshë mesatare më të lartë se burrat përgjatë viteve 2005-2014. Ndërsa në vitin 2014 llogaritet 37 vjeç për gratë dhe 36 vjeç për burrat.
Pas vitit 2011 vihet re një tendencë në rënie e numrit total të martesave, ndërsa mbisundon martesa në moshë mesatare më të madhe.
Informacioni i bazuar mbi statistikat vitale për moshën mesatare në martesë tregon rritje të lehtë nga 27,7 në vitin 2007, në 29,5 vjeç në vitin 2014 për burrat dhe nga 22,4 në 24,0 vjeç për gratë. Gjatë periudhës 2007-2014 vihet re tendenca në rritje për moshën mesatare në martesë të grave, ndërsa për burrat ka paqëndrueshmëri.
Numri gjithsej i divorceve në Shqipëri ka pësuar rritje nga 3,9 mijë në vitin 2001, në 4,2 mijë në vitin 2014.
Numri i të diplomuarve në arsimin e lartë për vitin 2014 ishte rritur dyfish ndaj vitit 2009, ku peshën kryesore sipas fushave të studimeve e zënë shkencat shoqërore, biznesi dhe juridiku, me 40,8% të të diplomuarve.
Femrat kryesojnë shkollimin në fushat e mësuesisë, shëndetësi, sociale, artet nga 76-82% të totalit. Në të kundërt, fusha më e dominuar nga meshkujt me arsim të lartë janë shërbimet dhe bujqësia, inxhinieritë e përpunimit dhe ndërtimit, nga 61-74%.
Punësimi
Sipas të dhënave të Anketës së Forcave të Punës, meshkujt janë më aktivë në tregun e punës nga femrat.
Në vitin 2014 popullsia në moshë pune 15-64 vjeç është 1.991 mijë persona, ku 48,9% e popullsisë në moshë pune janë meshkuj dhe 51,1% janë femra.
Sipas INSTAT, forca e punës e moshës 15-64 vjeç është 1.225 persona, nga të cilët 57,4% janë meshkuj dhe 42,6% janë femra.
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë e meshkujve të moshës 15-64 vjeç është 72,2%, ndërsa për popullsinë e femrave është 51,3%. Mes meshkujve
dhe femrave ka një hendek prej 20,9 pikë përqindje në shkallën e pjesëmarrjes në forcat e punës.
Gjatë vitit 2014, të punësuarit e moshës 15-64 vjeç zunë 50,5% të popullsisë në moshë pune, ku shkalla e punësimit për meshkujt 58% ndërsa për femrat 43,4%.
Struktura e punësimit sipas statusit në punësim tregon se 42,6% e të punësuarve ishin punësuar me pagë, 31,8% punëtorë pa pagesë të familjes dhe 25,6% të vetë-punësuar. Ndër të vetë-punësuarit dhe të punësuarit me pagë mbizotërojnë meshkujt me përkatësisht 57,2% dhe 70,5%.
Femrat kanë 1,3 herë më shumë gjasa sesa meshkujt për të punuar si punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.
Sipas aktiviteteve ekonomike, në vitin 2014 në punësim rezulton se sektori bujqësor punëson 42,7% e të punësuarve, pasuar nga sektori i shërbimeve (të tregut dhe jo të tregut) me 49,4%.
Pesë në dhjetë gra të punësuara janë të angazhuara në aktivitete të bujqësisë dhe sektori i dytë që zë peshën më të madhe në punësimin e tyre pas bujqësisë është ai i shërbimeve jo të tregut, ku përfshihen aktivitete si administrimi publik, shërbimet sociale dhe aktivitete e shërbime të tjera.
Për popullsinë e meshkujve të moshës 15-64 vjeç punësimi mbizotëron në sektorin e bujqësisë, por në shkallë më të ulët sesa për femrat. Meshkujt kanë 1,4 herë më pak
gjasa sesa femrat për të punuar në aktivitete bujqësore, ndërsa 40,6% janë të punësuar në sektorin e shërbimeve dhe 11,1% në sektorin e ndërtimit.
Ligji i ri: Bizneset dalin me detyrim në tregun e liberalizuar në fund të vitit
Ligji i ri për liberalizimin e tregut të energjisë i detyron klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV të dalin në tregun e liberalizuar jo më vonë se data 31 dhjetor 2015. Por Ministria e Energjetikës në planin e veprimit për zhvillimin e sektorit të energjisë në tre vitet në vijim pohon se njësitë tregtare dhe industriale do të përballem me rritje të çmimeve.
“Plani supozon që konsumatorët e rrjetit 35kV dhe 10 kV të lënë tarifat e rregulluara dhe të paguajnë çmimet bazuar në çmimet e importit. Kjo do të rezultojë në një rritje për disa konsumatorë duke i ekspozuar ata ndaj rreziqeve që do të paraqesin çmimet rajonale të energjisë në të ardhmen”, referon dokumenti i dikasterit të Gjiknurit.
Gjithashtu në dokument lajmërohet se grupet e interesit bizneset e mëdha që preken nga ky fakt do të ushtrojnë presion politik për të mbetur si konsumator normal dhe kjo duket se, mund të cenojë thelbësisht zbatimin e ligjit.
Klientët e lidhur në tension 20 kV, do të shkëputen nga rrjeti i OSHEE jo më vonë se data 31 dhjetor 2016, ndërsa klientët e lidhur në nivelin e tensionit 10 kV dhe 0,6 kV, jo më vonë se data 31 dhjetor 2017.
Deri në vitin 2018, 40% e tregut synohet të liberalizohet në këtë mënyrë
Afatet nuk japin shumë kohë, ndërkohë ligji që është miratuar nuk jep modelin e tregut që do të ndiqet. Këtë kompetencë e ka qeveria, e cila, një vit pasi të ketë hyrë ligji në fuqi, do të përcaktojë edhe specifikat. Metodologjitë dhe rregulloret që e bëjnë ligjin funksionues do të miratohen një vit pasi ligji të ketë hyrë në fuqi, por ndërkohë kanë mbetur vetëm 7 muaj nga fillimi i liberalizimit të tregut.
Pagesat e detyrimeve
Në total janë rreth 90 mijë kontrata debitore ndaj OSHEE nga subjekte private, me vlerë rreth 14 miliardë lekë, ku afro 85 mijë kontrata janë të subjekteve që furnizohen në linjën Tension i Ulët. Deri tani, kur nisi procesi më 2 mars, bizneset kanë lidhur marrëveshje të pagesës me këste në OSHEE për 8000 kontrata, me vlerë 600 milionë lekë të paguara.
Bizneset që furnizohen në Tension të Mesëm 35kv – 6 kv
Këto janë biznese të sektorit industri dhe detyrimin duhet ta paguajnë deri me 6 këste të barabarta. Ky proces duhet të mbyllet brenda datës 31 dhjetor 2015.
Me ligjin e ri, që pritet të miratohet në Kuvend, kjo kategori biznesi nuk do të furnizohet nga OSHEE pas kësaj date (parimi i liberalizimit të tregut për klientët e kualifikuar).
Bizneset që furnizohen në tension të mesëm 20/10/6 kv
Këto janë biznese të mëdha, (kryesisht si atë që ndodhen përreth autostradës Tiranë-Durrës). Këstet e pagesës së detyrimeve janë deri në 12 muaj (këst për muaj në shuma të barabarta). Bizneseve u jepet afat t’i likuidojnë me këste detyrimet, brenda periudhës, të ndarë, si:
- bizneset që furnizohen në linjat 20/10 kv brenda 31 dhjetor 2016;
- bizneset që furnizohen në linjat 6 kv brenda datës 31 dhjetor 2017.
Bizneset që furnizohen në tension të ulët
- Janë kategoria e bizneseve të tjera, shërbim dhe prodhim, me 12 këste
- Objektet e kultit, me 12 këste
- Serat dhe pompa uji vaditëse, me 24 këste
Kriteret
Më qellim që të përftohet nga skema e mësipërme subjektet duhet të paraqesin pranë sportelit:
Personat fizikë
- Në rast së nuk paraqitet mbajtësi i kontratës, duhet autorizim me shkrim për hyrjen në AKM (aktmarrëveshje)
- Kartë ID e Mbajtësit të Kontratës
- Kartë ID e personit të Autorizuar
- Ekstraktin e QKR që vërteton llojin e aktivitetit sa më lart
- Kopje e kontratës së pikës së lidhjes për vërtetimin e mënyrës së lidhjes
Shoqëritë me kapital (Shpk dhe SHA)
- Autorizim nga aksioneri i vetëm ose administratori i Shoqërisë për hyrjen në AKM
- Karta ID e aksionerit ose Administratorit sipas Autorizimit
- Karta ID e personit që do të lidhë AKM
- Ekstrakti i QKR që vërteton llojin e aktivitetit sipas produkteve këtu më lart
- Printout në System Billing i llojit të Biznesit (kodi i Tarifës)
- Kopje e kontratës së pikës së lidhjes për vërtetimin e mënyrës së lidhjes
Greqia sfidon kreditorët: Nuk paguajmë këstin më 5 qershor!
Greqia nuk do të jetë në gjendje të shlyejë pagesën ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar që pritet më 5 qershor, pa arritjen e marrëveshjes me kreditorët e saj ndërkombëtarë, deklaroi sot kryetari i parlamentit të qeverisë.
Athina po përballet me disa pagesa që arrijnë në rreth 1.5 miliard euro (1.7 miliard dolarë) në muajin e ardhshëm ndaj FMN-së dhe është në proces bisedimesh me Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar për të përfunduar marrëveshjen para-per-reforma përpara se ‘të mbetet trokë’.
“Aktualisht është momenti që negociatat kanë arritur në një pikë kritike. Tani është momenti i së vërtetës, 5 qershori, ‘referoi kryetari i parlamentit Nikos Filis, nga partia Syriza në pushtet për televizionin ANT1.
‘Nëse nuk ka marrëveshje deri në afatin e caktuar, kjo do të trajtojë problemin aktual të financimit, ata nuk do të përfitojnë asnjë pare,’ tha ai.
Pa qasje në tregjet e borxhit ose ndihmë, qeveria është mbërthyer ‘në ngërcin’ e negociatave të vështira teksa arkat ‘po zbrazen’.
Pagesa prej rreth 750 milion euro ndaj FMN-së javën e kaluar u krye vetëm pasi u shfrytëzua llogaria e mbajtur në Fond.
Bisedimet me Bashkimin Evropian dhe huadhënësit e Fondit Monetar Ndërkombëtar janë zvarritur për katër muajt e fundit. Një përfundim i suksesshëm do të emetonte rreth 7.2 miliard euro ndihmë, por bisedimet kanë ngecur mbi reformën e pensioneve dhe punës propozuar nga kreditorët dhe kundërshtuar nga Athina.
“Nuk ka para për të huajt (huadhënësit), ndërsa ata nuk na kanë dhënë asnjë fonde për një vit, – tha Filis. – Ne nuk kemi pse ta kryejmë pagesën dhe kjo është pjesë e diskutimit”.
Ai tha se qeveria do të sigurohet se ka para për të paguar pensionet dhe pagat përpara kryerjes së pagesave të borxhit ndaj FMN-së.
Të martën huadhënësit evropian të Greqisë zbehën shpresat e Greqisë për përfundimin e shpejtë te negociatave te marrëveshjes së ndihmës dhe thanë se bisedimet duhet të përshpejtohen përpara se vendi të ‘mbetet trokë”.