Kategoria e Parë/ Turbina braktis ndeshjen me Besën, Erzeni mund Tomorin

0
159

 

Turbina braktis ndeshjen me BesënPas kartonit të kuq të Bajramit, Turbina ka braktisur ndeshjen në formë proteste që deri në ato momente ishte duke u fituar nga Besa me rezultatin 2-0

Shijakasit kanë fituar me beratasit e Tomorit, duke i dërguar në Kategorinë e Dytë

Sfida emocionuese për garën se kush do të qëndrojë në Kategorinë e Parë. Besa-Turbina, një ndeshje e vlefshme për një biletë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë, por që nuk u konsumua deri në fund. Skuadra kavajase dhe Turbina u ndeshën në një sfidë të nxehtë në “Niko Dovana” të Durrësit për sfidën play off ku ekipi nga Cërriku braktisi fushën e lojës pas tensionit të shfaqur gjatë pjesës së dytë. Në minutën e 60-të, arbitri kryesor akordoi një penallti për skuadrën e Besës, por verdhezinjtë nuk arritën të shënonin. Gjithsesi, kavajasit realizuan dy herë pak minuta më vonë, por në fushë situata u tensionua. Gjyqtari Lorenc Jemini nxori me karton të kuq dy lojtarë, Dimon e Besës dhe Bajramin e Turbinës, por skuadra nga Cërriku zgjodhi ta braktiste ndeshjen duke u tërhequr nga fusha e lojës. Tashmë fjalën e ka Federata Shqiptare e Futbollit që pritet të marrë një vendim në lidhje me këtë ngjarje. Në këtë mënyrë, Besa pret vetëm zyrtarizimin e vendimit për qëndrimin në Kategorinë e Parë, duke i shpëtuar rënies në të dytën që do të ishte edhe një nga momentet më negative të historisë së futbollit kavajas.

 

Erzeni eliminon Tomorin

Erzeni i Shijakut feston, Tomori i Beratit nuk arrin të qëndrojë në Kategorinë e Parë. Në ndeshjen play out të luajtur në “Qemal Stafa” mes dy skuadrave, ishin djemtë e drejtuar nga Orman Vora ata që arritën të shënonin një gol për ta mbyllur këtë sfidë me vetëm një rrjetë e cila i jep suksesin Erzenit që rikthehet kështu në Kategorinë e Parë pas disa viteve mungesë. Ishte Pasha ai që zhbllokoi sfidën 4 minuta nga fundi duke ngrirë skuadrën beratase. Lojtari i Erzenit u gjend i vetëm në zonë dhe me një goditje të shpejtë arriti të kalonte Vashakun. Kjo sfidë nuk kaloi e qetë dhe pa episode të dhunshme pasi tifozët e ekipit të Erzenit hodhën sende të forta në fushë, por pas ndërhyrjes së forcave të rendit situata u qetësua dhe ndeshja rifilloi sërish. Dhuna verbale e dy tifozerive vazhdoi pothuajse gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa në pankina situata ishte gjithashtu shumë e tensionuar. Gjatë pjesës së dytë, trajneri i Tomorit, Mile dhe ndihmesi i tij e ndoqën ndeshjen nga tribuna e “Qemal Stafës” pasi u ndëshkuan me karton të kuq. Rrëzimi i Tomorit në Kategorinë e Dytë shënon një nga pikat më të ulëta të futbollit beratas gjatë viteve të fundit, ndërsa Erzeni e prek Kategorinë e Parë pas 7 viteve mungesë.

 

Kontroll për dy skuadrat që ngjiten në Superiore

Ndërkohë që një kontroll i rreptë po zhvillohet për dy skuadrat që ngjiten më lart nga Kategoria e Parë. Dy skuadrat që siguruan në fundjavë biletën për t’u ngjitur në nivelin në të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, në Kategorinë Superiore, Bylisi dhe Tërbuni, do t’u nënshtrohen kontrolleve nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Fillimisht janë stadiumet e këtyre dy skuadrave, që pak ditë më parë zyrtarizuan ngjitjen në Kategorinë Superiore, që do të inspektohen imtësisht nga organizmi që qeveris futbollin shqiptar. Sipas një njoftimi të botuar në faqen zyrtare të FSHF-së në internet, të dërguarit e këtij organizmi ishin të pranishëm në stadiumin “Ismail Xhemali” te Pukës dhe të mërkurën do të zbarkojnë në “Adush Muça” të Ballshit. Në njoftimin e Federatës theksohet se sektori i Licencimit do të kryejë kontrollin e infrastrukturës, kushteve ligjore dhe administrative për të dyja klubet që do të ngjiten në Kategorinë Superiore dhe, më pas, do të caktojë detyrat dhe kriteret që duhen plotësuar për licencimin e plotë për në Kategorinë Superiore për sezonin 2015-2016.

 

Tifogrupi Tirona Fanatics u lë stafetën të rinjve

Ndërkohë që përveç trajnerit, ndryshim do të ketë edhe drejtuesit e tifozerisë. Kjo, pasi do të ketë ndryshim brezash në drejtimin e “Tirona Fanatics”. Tifogrupi më i organizuar në vend ka dalë me një komunikatë për shtyp ku bën të ditur vendimin e drejtuesve të tij, për t’u hapur rrugën njerëzve dhe ideve të reja në drejtimin e “Fanatics” gjithmonë në mbështetje të Tiranës. Protagonistët që themeluan “Tirona Fanatics” në 8 janarin e 2006, duke qenë njëkohësisht edhe pionierët e mentalitetit “Ultras” në vendin tonë, duke dhuruar koreografi spektakolare në shkallët e stadiumeve, duke mbështetur pa kufi e pa kushte skuadrën bardheblu, bëjnë të ditur në komunikatën për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të tifo-grupit se sot ata që ndërmorën 10 vjet më parë nismën për themelimin e tij, bëjnë një hap pas me kokën lart për t’ia lënë këtë trashëgimi të paçmuar brezave të rinj. Në këtë mënyrë themeluesit e “TF’06” japin dorëheqjen nga drejtimi, organizimi dhe menaxhimi i tifo-grupit me besimin e plotë se e ardhmja e dhe vazhdimësia e tij është në duar të sigurta. Ata do të jenë gjithmonë aty, në shkallët e stadiumit për të mbështetur si gjithmonë ngjyrat bardheblu, por tashmë jo si organizatorë apo vendim marrës të gjithë veprimtarisë. Drejtuesit e “Tirona Fanatics” bënë të ditur se ky hap i tyre nuk ka të bëjë me ecurinë e skuadrës për këtë sezon apo ngjarjet e fundit, por me nevojën për t’u hapur rrugën ideve të reja dhe brezit të ri për të vijuar përkrahjen ndaj 24 herë kampionëve, në mënyrë që mbështetësit bardheblu të jenë gjithmonë, “City side, City Pride”.

 

 

Mourinho: Barcelona dhe Reali, të vështirë në Premier

Jose Mourinho insiston se Barcelona dhe Real Madridi do ta kishin shumë të vështirë të fitonin Premier Leaguen e Anglisë. Futbolli spanjoll nuk e ka kënaqur trajnerin portugez të Chelseat, Mourinho, edhe pse ai kishte fituar La Ligan me Realin e Madridit me rekord të pikëve 100 sosh dhe të golave 121 në vitin 2012, siç thotë ai, për mungesë të konkurrencës”. Chelsea ka siguruar titullin e Premier Leagues së Anglisë tri xhiro pa përfunduar stinori, por prapë Mourinho ndien se klubi e ka pasur shumë të vështirë, pasi që Premier League nuk ofron fitore të garantuara si La Liga. “Unë isha në Spanjë, por nuk e shijova”, – ka thënë Mourinho. “Nuk e shijova pasi e fitova titullin me rekord në Spanjë me 100 pikë e 121 gola, por luajtëm vetëm tri-katër ndeshje të forta gjithë stinorin. Humba titullin me 92 pikë, por sërish luajta vetëm katër-pesë ndeshje të vërteta gjithë stinorin. Ndien presionin për të fituar çdo ndeshje, pasi nëse nuk e bën këtë atëherë nuk je kampion. Duhet të fitosh, fitosh dhe fitosh. Por ka dallim të madh mes gjigantëve dhe të tjerëve. Mendoj se dallimi mes Premier Leagues dhe La Ligas është i madh. A do të fitonte Barcelona apo Real Madridi, Premier Leaguen? Ndoshta po, ndoshta jo”, përfundon tekniku portugez. Mourinho u shpall kampion i Anglisë me Chelsean për sezonin 2015/2016.

 

Atletiko në kërkim të Nainggolanit dhe Ibarbos

Atletiko Madrid edhe këtë verë është në kërkim të lojtarëve cilësorë, pasi ekipi spanjoll dëshiron të jetë një konkurrent serioz me Barcelonën dhe Real Madridin për titullin e sezonit të ardhshëm. Trajneri Diego Simeone është i etur për suksese të reja me Atletiko Madridin, dhe këtë është duke e kërkuar me anë të blerjeve të reja që mendon t’i bëjë gjatë verës. Sipas “TuttoMercatoWeb”, klubi nga Madridi ka vendosur të hedhet në sulm për dyshen Radja Nainggolan dhe Victor Ibarbo, të cilët momentalisht janë lojtarë të ekipit të Romës, por janë të lidhur edhe me Kaljarin. I pari është në bashkë-pronësi, kurse i dyti është si huazim.

 

Pedro drejt Arsenalit

Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, është i bindur se gjatë kësaj vere mund ta transferojë sulmuesin e Barcelonës, spanjollin Pedro Rodriguez. Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja britanike “Daily Mirror”. Bëhet e ditur se Wenger është i gatshëm t’i paguajë Barcelonës një dëmshpërblim prej 15 milionë eurosh për Pedron, i cili ka një klauzolë lirimi prej 25 milionë eurosh. Ai më herët pati deklaruar se ka gjasa të mëdha që edicionin e ardhshëm të mos jetë pjesë e Barçës për shkak të minutazhit së vogël që ka pasur këtë edicion. 27-vjeçari ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2017, kurse këtë edicion ka shënuar gjashtë gola në 34 paraqitje në La Liga. Krahas Arsenalit, interesim për transferimin e Pedros ka treguar edhe skuadra tjetër nga Premier League, Mançester Siti.

 

Klop shumë afër Realit të Madridit

Tekniku gjerman, Jurgen Klopp, do të jetë trajneri i ri i skuadrës së Real Madridit, njoftoi gazeta spanjolle “AS”. Klopp 47-vjeçar, në fund të këtij edicioni do të largohet nga Borusia e Dortmundit dhe në postin e trajnerit te Reali, do ta zëvendësojë Carlo Ancelottin që pritet të shkarkohet. Mësohet se Klopp tashmë është pajtuar të jetë në krye të Realit dhe gjithçka do të zyrtarizohet pas ndeshjes finale të Kupës së Gjermanisë ndërmjet Dortmundit dhe Volfsburgut. Klopp me skuadrën e Real Madridit, do të firmosë kontratë trevjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Paga vjetore e tij te skuadra spanjolle do të jetë tetë milionë euro.

 

Galliani: Në kontakt me Ancelottin

Drejtori ekzekutiv i Milanit, Adriano Galliani ka konfirmuar se ka kontakte me menaxherin aktual të Real Madridit, Carlo Ancelotti, shkruan Sport. Largimi i Inzaghit nga skuadra kuqezi është pothuajse i sigurt në fund të edicionit, kurse Ancelotti konsiderohet si një nga kandidatët e mundshëm për ta zëvendësuar atë. “Gjithmonë kemi thënë se duam të përfundojmë sezonin me Pippon e pastaj të shohim”, – deklaroi fillimisht Galliani. “Edhe pak ditë ka deri më 1 qershor. Do presim deri atëherë e të shohim se çfarë vendime do të marrim”, – shtoi ai. “Gjithmonë e dëgjoj Ancelottin. Jam në kontakte me ish-trajnerët e skuadrës, përfshirë Ancelottin, Kapellon e Sacchin”, – theksoi Galliani.

 

Hamilton rinovon me Mercedesin

Lewis Hamilton u ka dhënë fund spekulimeve për të ardhmen duke vazhduar kontratën e tij me skuadrën Mercedes. Kampioni në fuqi i Formula 1 ka nënshkruar edhe zyrtarisht kontratën e re trevjeçare me Mercedes nga e cila do të fitojë në total 100 milionë paund. Lajmin e ka zbuluar vetë skuadra gjermane, duke i dhënë fund spekulimeve disa mujore se Hamilton mund të largohej e ndoshta mund të përfundonte te Ferrari. “Mercedes është shtëpia ime dhe nuk mund të jem më i lumtur se kaq që do të qëndroj edhe 3 vite të tjera. Edhe pas suksesit të vitit të shkuar, uria për fitore është më e madhe se kurrë dhe e njëjta gjë vlen edhe për mua. Makina Mercedes me të cilën garoj për momentin është më e mira që kam pasur në karrierë”, – ka thënë Hamilton për faqen zyrtare të skuadrës.

Anglezi iu bashkuar Mercedesit në vitin 2013 dhe që atëherë ka fituar 15 nga 43 gara, ndërsa sezonin e kaluar arriti kulmin e suksesit me titullin e dytë kampion.

 

Stoichkkov: Barcelona e mposht Juven

Ish-sulmuesi i Barcelonës, Hristo Stoichkov, mendon se Barcelona do ta mposhtë bindshëm Juventusin në finalen e Ligës së Kampionëve më 6 qershor. “Barcelona do ta mposhtë Juventusin me së paku dy gola avantazh për shkak të sakrificës që ata kanë bërë gjatë gjithë sezonit dhe për shkak se ata kanë më shumë talent”, – ka thënë Stoichkov për “OndaCero”. “Ata po ashtu e kanë Lionel Messin, i cili vjen nga tjetër botë dhe është dikush që gjithmonë do të jetë një nga më të mirët. Po ashtu, përveç Messi, Neymar dhe Luis Suarez janë edhe tetë lojtarë të tjerë që e bëjnë Barcelonën një ekip që funksionon”, – ka shtuar bullgari.

 

Simone: Casillas duhet të largohet

Trajneri i Atletiko Madridit, Diego Simeone, e ka këshilluar Iker Casillasin që më mirë të largohet vet sa më shpejt nga Reali i Madridit, para se ta largojë klubi. Iker Casillas refuozi të largohej këtë sezon nga klubi mbretëror përkundër moshës dhe Simeone mendon se në rast të formës së dobët për shkak të moshës, ai edhe mund të detyrohet nga klubi që të largohet. “Ne të gjithë kemi afat kohor, koha na zë të gjithëve dalë ngadalë”, – ka thënë fillimisht Simeone. “Unë shpresoj që ai ta kuptojë këtë. Unë e kuptova këtë kur isha te Atletico, u largova vetë para se të më thoshte dikush”, – u shpreh Simeone.

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here