Krimet e Rënda/ Korrupsioni dhe pasuria e fshehur, 9 vite burg kërkohet për Genc Dritën

0
132

Artan Cena

Genc Drita2Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lexuar dje pretencën ndaj kryekomunarit të Bërzhitës i cili u arrestua disa muaj më parë. Akuza kërkon edhe dënimin e kryetatimorit të Komunës

Kryetari i Komunës së Bërzhitës në Tiranë, Genc Drita, rrezikon që të dënohet me 9 vite burg. Kjo është kërkesa që ka bërë gjatë ditës së djeshme Prokuroria e Krimeve të Rënda në pretencën e saj. Në fakt, Komuna e Bërzhitës pas zgjedhjeve të 21 qershorit do t’i bashkëngjitet Bashkisë së Tiranës, sipas ndarjes së re territoriale. Kryekomunari Genc Drita është i vënë nën dy akuza, atë të “Korrupsionit pasiv” si dhe të “Fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë”. Drita është vënë në pranga në flagrancë pasi kishte marrë shumën prej 4500 eurosh në këmbim të një leje shfrytëzimi për një hapësirë publike. Ndërkaq, Prokuroria ka kërkuar edhe dënimin me 5 vite burg të Armando Burrit, përgjegjës i zyrës së Taksave në këtë komunë. Të dy të pandehurit janë gjykuar nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

 

Pretenca e Prokurorisë

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 9 vjet burg dhe 5 vjet heqje të të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për shtetasin Genc Drita, me funksion kryetar i Komunës Bërzhitë, Tiranë, i akuzuar për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe të “Fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë”. Gjithashtu, gjatë pretencës së saj, institucioni i akuzës ka kërkuar edhe dënimin me 5 vjet burg dhe 5 vjet heqje të të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike edhe për Armando Burrin, i cili mban përgjegjës i zyrës së Taksave në këtë Komunë, i akuzuar gjithashtu për “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda, i nisur në bazë të referimit të Drejtorisë së Policisë Tiranë, dhe më tej gjatë gjykimit, rezultoi se dy të pandehurit i kanë marrë një shtetasi shumën 4500 euro në këmbim të dhënies së lejes së përdorimit të një hapësire publike në territorin e Komunës Bërzhitë. Të pandehurit janë arrestuar në flagrancë, fillimisht shtetasi Armando Burri, të cilit iu gjet shuma 1500 euro (pjesa e fundit e parave dhënë nga personi që kërkonte lejen e përdorimit). Pak më vonë u arrestua edhe kryetari i Komunës, Genc Drita, pasi shtetasi Armando Burri, pak momente para arrestimit e kishte njoftuar kryetarin se kishte marrë paratë për dhënien e lejes së përdorimit.

 

Kallëzimi për pasurinë

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë të ditur se gjithashtu, ndaj Genc Dritës, dy ditë pas arrestimit të tij në flagrancë për “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka dorëzuar një kallëzim penal për “fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë”. Sipas kallëzimit të ILDKPKI-së, kryekomunari Genc Drita ka fshehur kontratën e sipërmarrjes për blerjen e dy apartamenteve, me vlerë totale rreth 125.280 euro, si dhe ka fshehur sipërfaqen e truallit 1000 metra katrorë me kufizim në rrugën automobilistike Tiranë- Elbasan. Gjatë hetimit dhe më tej në gjykim, shtetasi Genc Drita ka deklaruar se ka nënshkruar një kontratë fiktive me subjektin ndërtues “M…..” me qëllim të merrte një kredi tek një bankë e nivelit të dytë në shumën prej 100.000 eurosh, ku ka lënë si kolateral një sipërfaqe prej 6.000 metra katrorë tokë. Në lidhje me akuzën e fshehjes së 1.000 m2 truall Genc Drita ka shpjeguar se ka harruar ta deklarojë atë dhe se nuk ka dëshiruar ta fshehë. Në këto kushte, Prokuroria kërkon shpalljen fajtor të shtetasit Genc Drita edhe për akuzën e “fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë…”

 

Lushnjë, përplasen “kokë më kokë” dy makina, 3 të plagosur

 Një aksident automobilistik ka ndodhur pasditen e djeshme në qytetin e Lushnjës. Aksidenti ka ndodhur në lagjen Karbunarë e Madhe tek ish-zdrukthëtaria. Në këtë aksident janë përfshirë një fugon pasagjerësh me 7 persona brenda, me targë AA 551 DR, që drejtohej nga Jonil Çela, 24 vjeç dhe mjeti tjetër tip “Ford”, me targë AA 883 FU me shofer Bardhyl Manko, me detyrë agjent i policisë së Bashkisë Lushnjë. Të dyja mjetet janë përplasur kokë më kokë me njëra-tjetrën. Si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të plagosur 3 persona, konkretisht dy drejtuesit e mjeteve dhe një nga pasagjerët e fugonit. Të tjerët kanë marrë vetëm dëmtime të lehta. Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Lushnjës. Sipas mjekëve, më i dëmtuari rezulton shoferi i autoveturës Bardhyl Manko, i cili ka pësuar dëmtime në pjesën e brinjëve dhe të kraharorit. Policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje, nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti. Nga hetimet e para doli që të dy drejtuesit e mjeteve nuk kanë zbatuar rregulloren në këtë pjesë të rrugës, duke i zënë kalimin njëri-tjetrit.

 

Rrahën Strazimirin, 20 muaj burg Arben Ndokës e Pjerin Ndreut

Grushtet ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, mund t’u kushtojnë 20 muaj burg ose 250 orë pune dy deputetëve të PS-së, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu. Kjo është kërkesa që Prokuroria e Përgjithshme i ka bërë Gjykatës së Lartë në lidhje me këtë çështje. Institucioni i akuzës në këtë mënyrë ka kërkuar dënimin me burg për dy deputet Ndreu dhe Ndoka, të cilët janë të akuzuar se kanë goditur për “shkak të detyrës”, deputetin demokrat Gent Strazimiri. Kërkesa u bë në seancën e djeshme nga dy prokurorët, Adnand Xholi dhe Artur Selmani, gjatë konkluzioneve përfundimtare. Ata kanë kërkuar shpalljen fajtor të dy të pandehurve. Për Ndokën u kërkua dënimi me 1 vit burg i konvertueshëm në 150 orë pune në interes të publikut, ndërsa për kolegun e tij, Ndreu u kërkua 8 muaj burg, e konvertuar me 100 orë pune. Por në kërkesën e tij, institucioni i akuzës u kujdes të theksonte se nëse ky dënim refuzohet të kryhej nga deputetët, atëherë të zbatohet dënimi me burg. Dy deputetët, nuk ishin të pranishëm në Gjykatë, ndërsa avokatet e tyre u shprehën se nuk ishin dakord me kërkesën e prokurorisë, por qëndrimin do ta bëjnë publik në konkluzionet e mbrojtjes. Luçiano Boçi, ishte i vetmi deputet demokrat që ndoqi seancën. Sipas tij, kërkesa e Prokurorisë është e drejtë. Seanca e radhës ku Gjykata do të dëgjojë mbrojtjen dhe pastaj do të shprehet me vendim, është lënë për datën 29 maj. Çështja penale ndaj dy deputeteve Ndoka e Ndreu, nisi menjëherë pas ngjarjes se ndodhur në ambientet e Kuvendit, në seancën e datës 10 korrik të vitit të kaluar, kur ata goditën deputetin Strazimiri. E gjithë ngjarja u fiksua nga kamerat e sigurisë, duke qenë kështu një provë e pakontestueshme para Gjykatës. Në seancën e kaluar, deputeti socialist Pjerin Ndreu pranoi se e kishte qëlluar Strazimirin por sipas tij, nuk ka qenë për shkak të detyrës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here