Gëzim Saliu
Kryeministri: Vota e 21 Qershorit nuk është votë as për të ulur dritat dhe as për të grisur hartën territoriale
Kryeministri Rama shpërndau dje leje legalizimi në Rrashbull të Durrësit, zonë e cila njihet si një bastion i Partisë Demokratike. Duke kërkuar votën për mazhorancën e majtë dhe kandidatin Vangjush Dako, kreu i qeverisë tha se në 8 vite qytetarët e kësaj zone arritën të merrnin vetëm 59 leje legalizimi. “Ne do të shpërndajmë këtu 1200 leje legalizimi falas, të gjitha shtëpi. Praktikisht, me këtë ditë, ne kalojmë 7 mijë legalizime vetëm në bashkinë e re të Durrësit. Në të gjitha zonat informale, ne do të bëjmë legalizimin e shtëpive falas. Shikoni Durrësin e ri dhe kaloni edhe tek Këneta e PD-së, për të kuptuar se çfarë do të ndodhë këtu dhe në gjithë komunat e tjera. Ne kemi një vizion, kemi një program dhe një vendosmëri të madhe që të transformojmë jetën e komuniteteve”, tha Rama.
Takimi
Në takimin me banorët, Rama kërkoi votën për Vangjush Dakon më 21 Qershor dhe akuzoi opozitën dhe kandidatët e saj se nuk kanë alternativë për qeverisjen vendore. “Ndërkohë që kur ka ardhur fjala për legalizimet dhe për shërbimet tuaja, ju e dini më mirë se unë, që nuk keni marrë absolutisht asgjë mbrapsht nga gjithë ai investim i madh që keni bërë, duke votuar PD, PD dhe PD. Më 21 Qershor keni mundësinë që të jeni pjesë e një historie krejt të re, që nis falë ndarjes së re administrative. Kushdo që nuk sheh me mend e SHQUP-it, sheh që ajo që ka ndodhur në Durrës, patjetër që do të shtrihet edhe deri këtu. Nëse për banorët e qytetit të Durrësit, Durrësi është sot më i bukur, më i pastër dhe më shpresëdhënës se asnjëherë në këto 20 vite, patjetër që do të jenë edhe këto komuna. ”- deklaroi kreu i mazhorancës. Më tej duke komentuar deklaratat e kreut të PD-së Basha në fushatë, Rama tha se vota e 21 Qershorit nuk është votë as për të ulur dritat dhe as për të grisur hartën territoriale. “Këto nuk janë probleme që i trajton bashkia, nuk janë çështje që i zgjidh bashkia. Vota e 21 Qershorit është: Sa më shumë legalizime do bëhen; Sa kanale ujitëse do pastrohen dhe do kthehen në dispozicion të atyre që duan të punojnë tokën, por nuk e punojnë dot se nuk vjen uji dhe pastaj përmbyten se nuk ka kanale kulluese kur bie shi me tepricë; Sa çerdhe, kopshte, shkolla do të ndërtohen dhe sa nga ekzistueset do të përmirësohen; Po qendrat shëndetësore do shtohen apo do bëhen më të mira; Po transporti si do të jetë, apo të gjithë në fugonin e vet;”, pohoi ai.
Veliaj: Nuk kam lindur nga Kosova, Meta mbështet kandidaturën time
Kandidati i mazhorancës për bashkinë e Tiranës Erion Veliaj deklaroi dje në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla se ka shumë punë për të bërë në Tiranë, pasi sipas tij, në katër vite nuk është bërë asgjë. “ Duhet të bëjmë dyfish punë për të rikuperuar edhe katër vitet e humbura”. Nga ana tjetër Veliaj hodhi poshtë deklaratat e bëra nga rivali Kosova se ka asistuar në lindjen e tij, duke i cilësuar si të pavërteta. “ Nuk kam lindur me Halim Kosovën, por me Vjiollca Bushatin, mamanë e deputetit të PS-së Ervin Bushati. Kjo është fyese. Është fyese që cdo grua dhe ccdo nënë e këtij qyteti po tregohet si barcaletë. Ne shqiptarët jemi shumë dinjitozë kur flasim për nënën, gruan apo motrën. Po i ndodh e njëjta gjë si me Lulin me tramin”. Nga ana tjetër Veliaj i ka kërkuar Kosovës që të shprehet se c’mendon ai për tragjedinë e Gërdecit, për qeverisjen e Berishes, për atë që ai e cilësoi si faljen e detit si edhe për demonstratën e 21 janarit. I pyetur nga gazetari nëse kandidatura e tij mori mbështetjen e kreut të LSI-së Ilir Meta, Veliaj tha se,: “Ilri Meta ka qenë kyç për disa vendime që kaluan në kohë rekord në parlament. Jam i sigurt që Ilir Meta ka qenë dakord dhe e mbështet kandidaturën time”.
Mazhoranca rrëzon dekretin e Presidentit: Ligji i shërbimit të jashtëm hap debat në Kuvend
Maxhoranca në Kuvend ka rrëzuar për herë të dytë Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, për ligjin e shërbimit të jashtëm duke mos votuar ndryshimet e propozuara ne dekretin e Kreut të Shtetit. Por ndërkaq dekreti i Presidentit, shërbeu për të rikthyer debatin për heqjen e kuotave për emërimin e Ambasadorëve jashtë sistemit. “Nuk po e bëjmë këtë punë as për të thënë që këtu do jenë vetëm njerëz jashtë shërbimit apo të shërbimit. Jo mo jo, prioritet ka shërbimi dhe shërbimi ka një standard dysheme, këshilltar. Jo atashe, jo futesh nga rruga dhe bëhesh direkt Ambasador”- tha ministri i jashtëm. Më parë deputeti i PS-së Ben Blushi tha se shërbimi i jashtëm është në nivel amator, ku përmendi edhe emërime nepotike. “Partitë politike nuk është se nuk e kanë infektuar sistemin e shërbimit diplomatik, duke futur militantë. Kam parë diplomatë që nuk meritonin të ishin Ambasadorë. I kemi kaluar duke mbyllur hundët”. Ndërkaq nënkryetari i komisionit të jashtëm, deputeti demokrat Aldo Bumçi theksoi se,: “ Ky ligj është kazma që i vihet shërbimit tonë të jashtëm, por nuk është e para herë që shikojmë kazmën që i vendoset këtij shërbimi”.
Ministri i jashtëm gjerman: Nuk fola për hetim ndërkombëtar në Maqedoni
Qeveria shqiptare përmes kryeministrit Rama dhe Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati deklaroi dje se Gjermania ka bërë kërkesë për një hetim ndërkombëtar në Kumanovë. Ndërkaq zyra e shtypit të Ministrit të Jashtëm gjerman, Frank Ëalter Steinmeier e hodhi poshtë këtë gjë e cila pas kërkesës së Tvklan dërgoi transkriptin e plotë të deklaratës së Ministrit të Jashtëm gjerman Frank-Ëalter Steinmeier për Maqedoninë, ku i kërkohet Shkupit një hetim transparent dhe jo ndërkombëtar për Kumanovën. “Kemi biseduar për situatën aktuale në Maqedoni. Incidenti që ndodhi javën e fundit ka tronditur Evropën por e ka bërë gjithashtu që t’a shohë më afër situatën atje. Unë shpresoj që ajo çfarë ne kemi parë, të mos jetë një nisje e përshkallëzimit të situatës, por të kërkojmë përgjegjësit në Maqedoni. Autoritetet në Maqedoni duhet të bëjnë përpjekje sa më shumë të jetë e mundur për një hetim transparent në lidhje me incidentet dhe për të siguruar, se nuk do të ketë incidente të tjera të kësaj natyre. E kam diskutuar këtë me kolegun tim maqedonas në buzë të takimit të NATO-s në Antalia. Dhe i thashë homologut tim: E vetmja mënyrë për të larguar dyshimet, është një sqarim i hapur dhe transparent i ngjarjeve që ndodhën. Ne tani do të shohim nëse do të ndodhë”.
Zëvendëson Veliaj, Klosi emërohet ministër i Mirëqenies Sociale
Pas më shumë se një muaji, kryeministri Rama ka vendosur lidhur me emrin e pasardhësit të Erion Veliajt në ministrinë e Mirëqenies Sociale. Deputeti socialist Blendi Klosi është emri i përzgjedhur nga ana e kreut të qeverisë për këtë post, duke zëvendësuar Veliajn i cili do kandidojë për Bashkinë e Tiranës në garën elektorale të 21 Qershorit. Lajmi për zgjedhjen e Klosit u be publik nga vete kryeministri Edi Rama i cili zgjodhi ta shpërndajë me qytetaret përmes rrjetit social FB ku tha se ai do te çojë para reformat e nisura nga Erion Veliaj, siç është ajo e pensioneve, arsimit profesional, ndihmave sociale e te tjera. Po ashtu ish-ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinise Erion Veliaj ka uruar personalisht Klosin për postin e ministrit. I zgjedhuri i koalicionit te majte për Bashkine e Tiranes, e cilësoi detyrën e re te deputetit socialist Blendi Klosi një mundësi për t’i shërbyer njerëzve. Klosi është deputeti i Partisë Socialiste në Parlamentin e Shqipërisë, çka do të thotë se me zgjedhjen e tij ministër sipas rregullores së mazhorancës së majtë ai do të lërë mandatin e deputetit. Në këto kushte, Kuvendit të Shqipërisë do t’i shtohet një deputet i ri nga lista e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 23 Qershorit të 2013-ës.