Gëzim Saliu
“Të flakim me votë varfërinë, pasigurinë dhe papunësinë që ka gjunjëzuar shumicën dërmuese të shqiptarëve”
Partia Demokratike dhe aleatët e saj në koalicion e djathtë çelën dje zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 21 qershorit të 2015. Në Pallatin e Kongreseve, kandidatët e opozitës për 61 Bashkitë e vendit njeri pas tjetrit prezantuan platformat e tyre elektorale. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, deputeti Arben Ristani, në fjalën e hapjes, u kërkoi qytetarëve që në zgjedhjet e 21 qershorit të zgjedhin punën dhe dinjitetin. Ndërkaq skenografia e takimit hapës elektoral të demokratëve ishte e mbështetur mbi sloganin punë dhe dinjitet. Në qendër të sallës ishin vendosur të rinj me pankarta në duar ku mbi to ishte shkruar slogani i PD-së e ndërsa në qendër ishte ekrani i madh i cili pasqyronte kandidatët e propozuar nga PD në të gjitha bashkitë e vendit.
Fjala e kryedemokratit
Pasi morën fjalët kandidatët për baskitë, ku i fundit prej tyre ishte ai për Tiranën Halim Kosova, në podium u ngjit kryedemokrati Basha, i cili gjatë ngjitjes në skenë u ndesh me atë që e cilësoi si pasardhësin e denjë në detyrën e kryebashkiakut . “Halim Kosovës në rast se jeni kurioz të dini se çfarë i thashë te shkallët, i thashë kështu e ka kjo jetë. Kësaj radhe flas unë pas teje, me 21 qershor ti pas meje Kryebashkiak i Tiranës”, u shpreh kreu i PD-së. Në diskutimin e tij në hapjen e fushatës së demokratëve, Basha kërkoi votën e qytetarëve shqiptarë për ti kthyer mazhorancës së majtë mbrapsht të gjitha ato që i quajti si mashtrime dhe gënjeshtra të qeverisë. “Në demokratet dhe aleatët tanë nisemi sot për zgjidhjen dhe me zgjidhjen që meritojnë qytetarët, punë, mirëqenie, dinjitet dhe respekt. Me votë, me votë, me votë, kjo është thirrja për të gjithë shqiptarët të djathtë dhe të majtë që ndajnë me ne shqetësimet për paaftësinë, papërgjegjshmërinë flagrante të qeverisë Rama-Meta. Me votë t’i ndalim, me votë tu kthejmë reston e gënjeshtrave dhe mashtrimeve, me votë tu japim hakun e merituar që tjetër premtuan dhe tjetër bënë. Me votë t’ua shfryjmë arrogancën dhe arbitraritetin që ua ka sjellë njerëzve në majë të hundës. Me votë të krijojmë një pol fuqie të opozitës dhe qytetarëve”- tha lideri i opozitës. Sipas Bashës në 21 qershor shqiptarët kanë mundësi me votë të hapin një kapitull të ri për më shumë mirëqënie dhe dinjitet. “Nisemi sot drejt zgjedhjeve të 21 qershorit plot me besim dhe bindje për një punë të madhe, të ndalim me votë marshimin e së keqes, të flakim me votë varfërinë, pasigurinë dhe papunësinë që kanë pllakosur dhe gjunjëzuar shumicën dërmuese të shqiptarëve. Të kthejmë në jetë me votë të lirë shpresën e tyre të plagosur rëndë, të çelim me votë një prespektivë të re të ringritjes dhe përmirësimit ekonomik për çdo familje. Të fitojmë me votë dhe të fillojmë me votë një histori të re të demokracisë së re, të qeverisjes me qytetarët, pranë qytetarëve dhe për qytetarët”, u shpreh ai. Në këtë kontekst, kreu i demokratëve tha se problemet e mëdha që ka vendi mund të marrin zgjidhje përmes votës. “Ka shpëtim dhe shpëtim ofrojmë, ka rrugëdalje dhe rrugëdalje propozojmë. Ka zgjidhje dhe zgjidhje do të japim. Papunësia, varfëria , pasiguria, eksodet dramatike, largimi i investimeve e kapitalit si të ketë rënë zia e luftës janë damka e qeverisë Rama-Meta. E kemi treguar dhe prapë do ta tregojmë se dimë ti japim vendit zhvillim dhe mirëqënie”- deklaroi Basha.
Halim Kosova: Me këtë garë s’dua karrierë politike, oferta ime integritet, punë e ndershmëri
Kam tolerancë zero për atë që vjedh e përfiton. Nuk ka askush shanse të jetë me mua, nëse dëmton qytetarin, nëse i kërkon diçka në këmbim të shërbimit. Nuk jam në këtë garë për të bërë karrierë politike. Nuk po synoj një trampolinë për të shkuar më lart. Edhe nëse ma kërkojnë këtë, përgjigja ime është Jo. Ambicia ime është të jem kryetari i Bashkisë së vijave të bardha kur janë fshirë nga konsumi, kryetari i Bashkisë së ndriçimit të rrugës në errësirë për shkak të poçit të thyer, kryetari i Bashkisë së pusetës që mungon, i trotuarit të dëmtuar, i koshit të mbeturinave. Ky jam unë, nuk di të mbaj fjalime të gjata, të zhytem në replika, të kacavirrem pas fjalëve, të udhëheq militantët. Oferta ime është, integritet, ndershmëri, punë, punë pa ndalim, shërbim ndaj secilit qytetar të Tiranës.
Enkelejd Alibeaj: Modeli im, njeriu që punon e përmes punës fiton dinjitet
Modeli im është njeriu që punon dhe që nëpërmjet punës fiton dinjitet. Tek këto vlera kam besuar kur kam drejtuar në Këshillin e Ministrave, Departamentin Antikorrupsion. Tek puna, nderi dhe dinjiteti besova edhe si Ministër i Drejtësisë. Ne do të shkurtojmë taksat për biznesin e vogël për të krijuar vende të reja pune. Do të hapim parqe dhe kënde lojërash ku fëmijët do të luajnë dhe ne do të shtrojmë rrugët. Do të rrisim orët e furnizimit me ujë të pijshëm dhe do te përmirësojmë sistemin e ujërave të zeza e do të sigurohemi që uji që do të përdoret te jete i sigurt.
Voltana Ademi: Do jem kryebashkiak që dëgjon e sigurohet se qeveria punon për ju
Shkodra është shtëpia ime, ku jam rritur, jetoj dhe kontribuoj prej vitesh. Kam shancin e madh që përvojën time si Zëvendës Kryebashkiake e Shkodrës e si Prefekte qarku ta vazhdoj sërish nëpërmjet një programi tejet të detajuar për mirëmenaxhimin e administratës lokale. Unë do të jem Kryebashkiake e cila dëgjon dhe që sigurohet që qeveria është duke punuar për ju. Sepse ju e meritoni një Bashki e cila është më afër qytetarit dhe për qytetarin.
Aridan Turku: Koha për një qasje të re për ElbasaninPo kandidoj përsëri për kryebashkiak sepse unë besoj se Elbasani ka nevojë për metalitet, vision dhe aftësi menaxheriale që aktualisht i mungonjnë qytetit aftësi të cilat I kam demonstruar mëparë. Është koha për një qasje të re në Elbasan. Qytetarët duhet të votojnë për punë dhe dinjitet. Të votoj nëpër ta bërë më të lehtë jetesën e tyre, mbylljen e muajit.Votoni për të ardhmen e Elbasanit.
Gjergji Mero: Dera e bashkisë do jetë dera e hapur e një shtëpie të madhe
Korça na përket të gjithëve dhe familja nuk bën dallim për anëtarët e saj. Unë do të jem ai që do të dëgjoj dhe do t’i përgjigjem gjithkujt dhe dera e bashkisë do të jetë dera e hapur e një shtëpie të madhe. Prioritetet e bashkisë do të jenë: Korça e harruar, e periferisë, e varfërisë, që është rritur në kufijtë e skamjes, e taksave lokale që rrënojnë ekonominë familjare dhe mbyllin bizneset e vogla, e korçarëve të papunë që më së shumti janë të rinjtë me potenciale të mëdha, shkollat, rrugët….
Genc Deromemaj: Atë që kryeministri s’na e jep do ia marrim sipas ligjit
Mos kini frikë. Votoni alternativën tuaj! Atë që ky Kryeministër nuk do të na e japë se nuk i don qejfi, ne dot ‘ia marrim sepse kështu thotë ligji. Nuk na ka më në dorë një njeri i vetëm dhe as një qeveri, por fryma e ligjit, diktati i tij. jam gati ta takoj këtë Kryeministër kur të jem administratori i Bashkisë së Vlorës: në zyrën time, në zyrën e tij, a kudo. Nuk kam pse fshihem, nuk do të fshihem, sepse unë jam nga Vlora, jam vlonjat, jam lindur e rritur në Vlorë dhe përfaqësoj zërin dhe interesat e Vlorës.