Vazhdojnë reagimet pas sulmit në Maqedoni. Familjarët e 9 qytetarëve të Kosovës kanë shkuar në Shkup për të tërhequr trupat e pajetë të tyre
Kanë përfunduar të gjitha procedurat për transferimin e trupave të pajetë të 9 shtetasve kosovarë të vrarë në përleshjen e armatosur në Kumanovë. Rreth orës 15 familjarët janë nisur drejt Shkupit ku në prani të ambasadorit të Kosovës Ylber Hysa kanë shkuar në morgun e Butelit dhe kanë bërë edhe identifikimin fizik si fazë përfundimtare dhe për ti marrë kufomat të cilat deri në pikën kufitare të Bllacës do të shoqërohen edhe nga policia e Maqedonisë. Ndërkohë mediet në Kosovë përkujtojnë se Ligji për Veteranët e UÇK-së u mundëson familjeve që të kërkojnë varrosjen e viktimave me nderime më të larta ushtarake, si pjesë e beneficioneve për ish ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ishte ndërhyrje ushtarake
Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu e ka konsideruar sulmin në Kumanovë si një ndërhyrje ushtarake dhe jo policore. Në konferencën ‘Faktori shqiptar dhe perspektiva e Maqedonisë’, Moisiu tha se situata në Maqedoni është shqetësuese, ndërsa theksoi se qeveria me atë që bëri në Kumanovë donte të tregonte forcën e saj ushtarake. Alfred Moisiu tha se “situata në Maqedoni shqetësuese për rajonin dhe shqiptarët. Ajo që ndodhi në Kumanove nuk ishte ndërhyrje policore por ushtarake. Ishte një beteje që bëhet rrugë më rrugë në qytet. Të marrësh një operacion të tillë mbi një qendër të banuar tregon se ishte qeveria e Maqedonisë që ka dashur të tregojë forcën ushtarake për tu pasuar me miting për të demonstruar forcën politike që i duhet atyre që janë në pushtet për të forcuar pozita e tyre. Marrëveshja e Ohrit është shumë e mirë, por nuk është zbatuar asnjëherë plotësisht. Ka qenë një marrëveshje që pala maqedonase nuk ka qenë korrekte me atë që ka nënshkruar. “Mesa duket qoftë presionet e brendshme nacionaliste qofte të jashtme nga Serbia apo Rusia ka çuar në këtë gjendje. Aty gjithmonë ka pasur probleme për një trajtim jo te përshtatshme për shqiptarët. Gjykoj se situata në Maqedoni është shqetësuese dhe ka përgjegjësi”, ka thënë, ish-presidenti, Alfred Moisiu.
Banorët të zhgënjyer
Familjarët e Besnik Ajdinit, i arrestuar në ditën kur u zhvillua aksioni policor në Kumanovë, i kanë mësuar tashmë arsyet e arrestimit të kryefamiljarit të tyre. Ata e vizituan Besnikun, në ambientet e paraburgimit. Ai është njohur me arsyet e arrestimit, tre ditë pas mbajtjes në paraburgim. Sipas familjarëve, Besniku është arrestuar për shkak të gjetjes së një arke me fishekë dhe armëve në shtëpi. “Ky është vendi i cili i është sugjeruar si strehim familjeve shqiptare nga Kumanova, shtëpitë e të cilëve u demoluan si pasojë e aksionin policor. Kjo ndërtesë gati një dekadë, nuk gëzon as kushtet elementare për jetesë”. Ende nuk është ndërmarrë asnjë hap nga Qeveria. Familjarët vazhdojnë të enden nëpër shtëpi të ndryshme, kryesisht tek të afërmit. Ata apelojnë që t’ju gjendet vendstrehim dhe t’u paguhet qiraja, ashtu sikurse premtoi qeveria në vendimin për kompensim. Ditë më parë, kreu i Komisionit për verifikimin e dëmeve Ejup Alimi njoftoi se raporti është dorëzuar në Qeveri dhe pritet të miratohet brenda dy ditësh. Lidhur me sugjerimin që familjet të strehohen në objektin që po shihni, kreu i komisionit Alimi sot ishte i pakapshëm për prononcim.
Deklarata e Ramës, Maqedonia hesht
Qeveria e Maqedonisë ka heshtur pas deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama se “pa të drejtat e shqiptarëve Maqedonia jo në NATO”. Mediat vendase maqedonase kanë insistuar që të marrin një reagim nga Shkupi zyrtar, por nuk ka pasur komente as nga Qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Presidenca. Nga Qeveria bëjnë të ditur se, po analizojnë deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe se pritet ndonjë reagim lidhur me të, ka informuar portali Meta. Edhe nga kabineti i presidentit Gjorgje Ivanov nuk kanë përgjigje. Kryeministri shqiptar Edi Rama paralajmëroi se Maqedonia nuk mund të jetë pjesë e NATO pa respektuar dhe plotësuar të drejtat e shqiptarëve sipas Marrëveshjes së Ohrit. Ndryshe, ky është kërcënimi i tretë për veto pas Greqisë për shkak të Emrit dhe Bulgarisë për shkak të marrëveshjes për fqinjësi të mirë.
Defekt në avionin e Nikolas Gruevskit
Një defekt teknik në avionin, me të cilin kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski kthehej nga Strasburgu në atdhe, e ka detyruar pilotin e tij të bëjë ulje të detyruar në Zyrih të Zvicrës. Zëdhënësi i qeverisë, Aleksandër Gjorgjiev konfirmoi lajmin, duke sqaruar se kryeministri dhe delegacioni qeveritar që e shoqëronte nuk kanë pësuar dëmtime. Piloti u ul në aeroportin më të afërt ne Zvicër pas një zhurme të konstatuar dhe problemeve me presionin. Sipas medieve maqedonase, avioni me të cilin udhëtonte shefi i qeverisë kryen fluturime prej tetë vitesh.
A ka dhënë dorëheqjen kreu i spiunëve të Maqedonisë, Mijallkov
Dhjetë ditë pas dorëheqjes, Sasho Mijalkov është ende Drejtor i Sigurisë dhe Kundërzbulimit. Një gjë e tillë mund të verifikohet edhe në faqen e internetit të policisë sekrete, por edhe në gazetën zyrtare. Konkretisht, nga 12 maji deri më tani, nuk ka vendim qeveritar të publikuar, që të përmbajë shkarkimin e drejtorit të vjetër dhe emërimin e drejtorit të ri të DSK-së. Burime jozyrtare pohojnë se Mijallkov akoma vjen rregullisht në punë. Drejtori i DSK-së emërohet nga qeveria, por në bazë të ligjit për punët e brendshme propozimi vjen nga Ministri i Brendshëm. Ende nuk dihet nëse pasardhësi i Gordana Jankullovskës, Mitko Çavkov ka dërguar një letër të tillë në Qeveri. Policia nuk mund ta konfirmonte një gjë të tillë. Mijallkovi e dorëzoi dorëheqjen, në të njëjtën ditë me ministren e Brendshme, Gordana Jankullovska dhe atë të Transportit, Mile Janakieski. Reagimi fillestar nga kryeministri ishte se ai i kishte pranuar që të tre dorëheqjet. Në dy ministritë, u emëruan ministra të rinj. Por kjo nuk ndodhi me postin e drejtorit në policinë sekrete, dhe as në Byronë e Sigurimit Publik, ku drejtor ishte pikërisht Mitko Çavkov, tashmë në postin e ministrit të Brendshëm. /Alsat-M
Lunaçek: Të hetohet se a i ka inskenuar konfliktet Gruevski me Moskën
Deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar hetim ndërkombëtar për ngjarjet në Kumanovë, ndërsa deputetja austriake Ulrike Lunaçek ka qenë e prerë në kërkesën për hetimin e rolit të kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski dhe të Moskës në këto ngjarje. “Duhet të bëhet një hetim i pavarur për atë çfarë ka ndodhur atje. Duhet të hetohen akuzat se Nikolla Gruevski, me përkrahjen e Rusisë, i ka inskenuar konfliktet e armatosura”, ka thënë Lunaçek, e cila është shprehur e tronditur me vrasjet në Kumanovë. Gjatë seancës së djeshme plenare eurodeputetët kanë ftuar Parlamentin Evropian që të mbështetë Maqedoninë në rrugën drejt BE-së, por kërkuan edhe respektim të të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj. Debati filloi me leximin e deklaratës së përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, në të cilën shprehet pikëllim i thellë për konfliktin dhe viktimat në Kumanovë, që nuk duhet parë si konflikt etnik, por si vepër e grupeve kriminale. Përfaqësuesi i grupimit më të madh, atij PPE, Eduard Kukan ka thënë se “është e nevojshme të bëhet një hetim i pavarur për ngjarjet në Kumanovë dhe për aferat që po tronditin liderët politikë maqedonas’. Sipas deputetit slloven, Ivo Vajgl, beteja etnike në Kumanovë dhe problemet kufitare janë tipike për këtë pjesë të Ballkanit. ‘Maqedonia është nën ndikim të madh të Rusisë”, ka thënë ai.