Miratohen rregullat e reja për mënyrën se cfarë mund të ndërtojnë me leje ose pa leje, qytetarët. Dokumentat për aplikim
Është publikuar ditën e djeshme rregullorja nga Ministria e Zhvillimit Urban e cila përcakton kriteret se kush mund të ndërtojë pa kërkuar leje. Pranë çdo njësie bazë të qeverisjes vendore ngrihet sporteli i shërbimit me një ndalesë për veprimtaritë ndërtimore, i cili kujdeset për të gjitha marrëdhëniet ndërmjet palës së interesuar, autoritetit vendor të planifikimit dhe organeve të tjera të administratës publike që kanë detyrimin të japin mendimin e tyre në lidhje me punimet, objekt i kërkesës për leje ndërtimi apo deklaratës për punime paraprake. Sporteli i shërbimit përbën pikën e vetme të kontaktit të palës së interesuar me administratën publike në lidhje me kërkesën për leje ndërtimi dhe ndërhyrjen përkatëse në territor. Autoriteti vendor i planifikimit është përgjegjës për bashkërendimin e punës me të gjitha institucionet shtetërore dhe operatorët e shërbimeve publike, që mbulojnë fushën përkatëse të veprimtarisë në territorin ku kryhet zhvillimi, për t’u siguruar se projekti, për të cilin kërkohet pajisja me leje, nuk ndërhyn apo dëmton zonat e mbrojtura, monumentet e kulturës, trashëgiminë kulturore apo rrjetet e infrastrukturës. Për këtë qëllim, sporteli i shërbimit merr sipas rastit aktet e pëlqimit, sido që të jenë të emërtuar nga legjislacioni në fuqi, nga autoritetet që kanë përgjëgjësi për mbrojtjen e mjedisit, të trashëgimisë kulturore e historike, të shëndetit dhe të sigurisë publike.
Ndërhyrje që nuk kërkojnë pajisjen me leje ndërtimi
Pa përjashtuar detyrimin e respektimit të dispozitave të parashikuara nga kuadri ligjor në fuqi për veprimtaritë ndërtimore, përfshirë, në mënyrë të veçantë, sa i përket qëndrueshmërisë antisizmike, mbrojtjes kundër zjarrit, ruajtjes së sigurisë dhe higjienës shëndetësore, ndërhyrjet e mëposhtme kryhen pa pajisje me leje ndërtimi: a) Ndërhyrje të mirëmbajtjes së zakonshme, të kësaj rregulloreje, që përfshijnë: i) ndërhyrje të jashtme për riparimin dhe zëvendësimin e rifiniturave të jashtme të ndërtesave, me kusht që të ruhen karakteristikat origjinale të tyre, si vijon: – rifreskimi i lyerjes, suvatimit dhe veshjes së fasadave me materiale që kanë karakteristika dhe ngjyra të njëjta me ato ekzistuese; – pastrimi i fasadave; – riparimi dhe zëvendësimi i dritareve dhe dyerve, qepenave dhe vitrinave (duke përfshirë përdorimin e materialeve të ndryshme), pa ndryshuar karakteristikat e tilla si forma, ngjyra, dizajni dhe dimensionet e pjesëve të hapura dhe transparente; – zëvendësimi i pjesshëm i mbulesës së çatisë, pa ndonjë ndryshim të formës, pjerrësisë dhe karakteristikave të veshjes; – riparimi dhe zëvendësimi i ulluqeve dhe oxhakëve, edhe me materiale të ndryshme; – riparimi i ballkoneve, tarracave dhe basamakëve apo barrierave mbrojtëse; – vendosja e hekurave mbrojtës në dritare; – vendosja e tendave të diellit dhe rrjetave kundër mushkonjave; – lëvizja e shtresave të sipërme të oborreve; – riparimi i rrethimeve ekzistuese. ii) ndërhyrje të brendshme: – riparimi dhe rinovimi i dyshemeve; – riparimi dhe restaurimi i suvasë, veshjeve dhe ngjyrave; – riparimi dhe rinovimi i dyerve dhe dritareve, përfshirë vendosjen e xhamave të dyfishtë. iii) ndërhyrje në impiante higjieno-sanitare: – veprat e riparimit dhe zëvendësimit të pajisjeve higjieno-sanitare dhe riparimet e impiantit; b) Punimet për eliminimin e barrierave arkitektonike dhe përshtatjen e ndërtesave për personat me aftësi të kufizuara; c) Lëvizjet e dheut që lidhen, në mënyrë të posaçme, me ushtrimin e veprimtarisë bujqësore ose blegtorale, përfshirë ndërhyrjet në impiante hidraulike bujqësore.
Punime që kryhen me deklaratë paraprake punimesh
Pa përjashtuar detyrimin e respektimit të dispozitave ligjore të parashikuara nga kuadri ligjor në fuqi për veprimtaritë ndërtimore, përfshirë, në mënyrë të veçantë, sa i përket qëndrueshmërisë antisizmike, mbrojtjes kundër zjarrit, ruajtjes së sigurisë dhe higjienës shëndetësore, punimet e mëposhtme kryhen pa pajisjen me leje ndërtimi, pas njoftimit të deklaratës paraprake të fillimit të punimeve pranë autoritetit kompetent të planifikimit dhe zhvillimit: i) Punime të jashtme, si: – ndërhyrjet e mirëmbajtjes së zakonshme kur sjellin ndryshime të karakteristikave, formave dhe ngjyrave ekzistuese; – punimet mirëmbajtëse për mbulesat; – vendosja e shtresave për rritjen e efiçencës energjetike të ndërtesave ekzistuese. ii) Punime të brendshme, si: – përforcimi i strukturave mbajtëse të brendshme; – hapja dhe mbyllja e dyerve të brendshme; – krijimi, eliminimi ose ndryshimi i mureve ndarëse (jombajtëse) të brendshme, i mjediseve për shërbime higjienike; – realizimi i impianteve të reja higjieno-sanitare dhe të ngrohjes/ftohjes; – punimet për ndërtimin e rampave për përshtatjen e ndërtesave për personat me aftësi të kufizuara; – struktura që instalohen për nevoja të çastit dhe të përkohshme, pa themele dhe që hiqen në çdo rast brenda një afati kohor maksimal 150-ditor; – vendosja e paneleve diellore, fotovoltaike, në shërbim të ndërtesave, jashtë zonave të trashëgimisë historike, kulturore apo zonave të mbrojtura mjedisore, ku vendosja e tyre është e ndaluar; – punime riparimi, zëvendësimi dhe mirëmbajtje e rrjeteve të infrastrukturës publike, që nuk prekin sistemin konstruktiv të tyre, nuk ndryshojnë përdorimin dhe përmasat e infrastrukturës si dhe kushtet e zhvillimit në zonën përreth; – punime riparimi, mirëmbajtje dhe rehabilitimi të infrastrukturës së ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja; – vendosja e tendave të diellit dhe pergolateve, në përputhje me ligjin që rregullon bashkëpronësinë në ndërtesat e banimit dhe rregulloren arkitektonike të qytetit; – ndërhyrjet me qëllim ruajtjen apo rritjen e efiçencës energjetike dhe akustike në një strukturë ekzistuese, që nuk prekin sistemin konstruktiv të ndërtesës (p.sh. ndërhyrje në themele, mure mbajtëse, tra-kolonë etj.); – serra të çmontueshme, pa themele të vazhduara, në shërbim të aktiviteteve bujqësore; – vendosja e reklamave në fasadat e jashtme për qëllime të promovimit të aktivitetit ekonomik privat. Vendosja e tyre rregullohet sipas rregullores specifike të secilit autoritet vendor të planifikimit. Vendosja e reklamave jashtë territoreve urbane, si p.sh., rrugë interurbane, hekurudha, mjedise aeroportuale, pika doganore rregullohen me akte të ministrive përgjegjëse.
Dokumentacioni për punime me deklaratë paraprake
Dokumentet që duhet të depozitojë personi i interesuar, në letër dhe CD (format pdf), për njoftimin e deklaratës paraprake për kryerje punimesh janë: a) Formulari i deklaratës, të kësaj rregulloreje, në dy (kopje, dhe, sipas rastit; b) Dokumenti që vërteton pronësinë e tij apo të drejta të ligjshme për pasuri private apo publike për strukturën që ka në përdorim, në përputhje me legjislacionin në fuqi; c) Projekti teknik i realizimit të punimeve, i firmosur nga projektues të licencuar. Dokumentet, janë dokumentet e vetme që duhet të paraqesë aplikuesi për kryerjen e punimeve.
Leja e zhvillimit, dokumentat
Dokumenti i lejes së zhvillimit përmban, në nivel njësie: a) përdorimin e tokës; b) intensitetin e ndërtimit; c) koeficientin e shfrytëzimit të tokës për ndërtim; ç) lartësinë maksimale në metra; d) distancat; dh) gjelbërimin publik; e) parkimin. 2. Për rastet kur leja e zhvillimit del si rezultat i një PDV-je, ajo përmban edhe kufijtë e pronës në bazë të planit të detajuar vendor dhe, sipas rastit, volumetrinë e së drejtës së zhvillimit dhe truallin ose ndërtimin ku do të ushtrohet ajo. Autoriteti i planifikimit mund të përcaktojë në lejen e zhvillimit edhe rregulla arkitektonike dhe instrumente të zbatueshme të drejtimit të zhvillimit, ndër ato të parashikuara. Dokumentacioni për pajisjen me leje zhvillimi Dokumentet që duhet të paraqesë personi i interesuar për të marrë informacion mbi të drejtat e zhvillimit janë: Kërkesa për leje zhvillimi, e cila përmban: i) të dhëna identifikuese të pasurisë së paluajtshme dhe pronarëve; ii) NUIS-in e subjektit aplikues, në rast se është person juridik. Taksa e aplikimit.
Kushtet për lëshimin e lejes së ndërtimit
Leja e ndërtimit lëshohet në përputhje me përcaktimet e dokumenteve të planifikimit, të rregulloreve të zhvillimit dhe ndërtimit, si dhe dispozitave ligjore që rregullojnë veprimtarinë ndërtimore në Republikën e Shqipërisë. Dhënia e lejes së ndërtimit kushtëzohet nga ekzistenca e infrastrukturës kryesore dhe dytësore në njësinë ku kërkohet ndërtimi. Ndërtimi i infrastrukturës mund të realizohet, sipas marrëveshjes me autoritetin e planifikimit dhe zhvillimit, me kontribut financiar ose në natyrë, sipas formave të përcaktuara në këtë rregullore. Lejet e ndërtimit jepen vetëm pasi janë marrë lejet dhe autorizimet përkatëse për ndërtimin në fjalë, në zbatim të legjislacionit të posaçëm në fuqi.
Shqyrtimi i kërkesave për leje nga autoriteti vendor
Kërkesa për leje ndërtimi paraqitet për shqyrtim: a) përmes ngarkimit on-line të saj dhe dokumentacionit shoqërues në portalin përkatës, sipas procedurës së përcaktuar në të; ose b) përmes depozitimit të saj dhe të dokumentacionit shoqërues pranë sportelit të shërbimit; Në këtë rast, detyrimi i ngarkimit on-line të dosjes së aplikimit është përgjegjësi e këtij autoriteti dhe kryhet menjëherë me paraqitjen e kërkesës në sportel dhe në prani të vetë aplikuesit. Në përfundim të ngarkimit në portal, sporteli i dorëzon aplikuesit numrin e identifikimit të kërkesës në regjistër, që mundëson ndjekjen e ecurisë së saj. Autoriteti i planifikimit shpall kërkesën për leje në mjediset e tij publike. Njoftimi qëndron i shpallur deri në vendimmarrjen mbi kërkesën për leje. Autoriteti përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës verifikon nëse dokumentacioni është i plotë brenda 5 ditëve nga paraqitja e tyre. Brenda këtij afati shqyrton: a) identitetin e nënshkruesit dhe faktin nëse është personi i legjitimuar për të paraqitur kërkesën; b)plotësimin e plotë dhe të saktë të të gjitha të dhënave të detyrueshme të kërkuara në formular; c) paraqitjen e të gjitha dokumenteve shoqëruese të detyrueshme; ç) pagesën e tarifës së shërbimit/aplikimit. Autoriteti vendos mospranimin e kërkesës nëse nuk përmbush një nga përcaktimet.
Shqyrtimi i kërkesave për leje ndërtimi nga autoriteti vendor
Shqyrtimi teknik fillon nga përfundimi i afatit. Brenda 35 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për leje, zyra/organi përgjegjës i planifikimit pranë autoritetit vendor kryen shqyrtimin teknik dhe merr kryesisht, përmes sportelit të shërbimit, të gjitha opinionet dhe aktet e pëlqimit/ miratimit që mund të jenë të nevojshme, sipas rastit. Në përfundim të shqyrtimit teknik mbi përputhshmërinë e projektit me legjislacionin në fuqi, zyra/organi përgjegjës i planifikimit dhe zhvillimit përgatit raportin e vlerësimit teknik. Raporti i vlerësimit teknik botohet në regjistër. Në rast se zyra/organi përgjegjës i planifikimit dhe zhvillimit vlerëson se është e nevojshme që të kryhen ndryshime në projektin fillestar, ka të drejtë që, brenda afatit të përcaktuar të kërkojë kryerjen e këtyre, duke dhënë edhe arsyet përse i vlerëson të nevojshme. Pala e interesuar është e detyruar të kryejë ndryshimet brenda 15 ditëve nga marrja dijeni e kërkesës. Afati i përcaktuar në mund të ndërpritet vetëm një herë nga zyra/organi përgjegjës, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës dhe vetëm bazuar mbi kërkesën e arsyetuar të dokumenteve që plotësojnë ose saktësojnë dokumentacionin e paraqitur dhe që nuk zotërohen/disponohen nga administrata publike. Në këtë rast, afati rifillon nga data e dorëzimit të dokumentacionit plotësues.
Procedura e përshpejtuar
Autoriteti përgjegjës vendos brenda 10 ditëve nga data e dorëzimit të aplikimit për leje ndërtimi me procedurë të përshpejtuar për rastet: a) e punimeve që kanë vëllim të kufizuar ndërtimi ose impakt të ulët në territor, si: i) shkallë; ii) rrethime; iii) struktura me materiale të lehta e të çmontueshme; iv) ndryshime fasade etj. b) kur aplikuesi paguan tarifë aplikimi të barabartë me dhjetëfishin e tarifës së parashikuar për leje ndërtimi; c) kur punimet janë me vëllim të kufizuar dhe impakt të ulët ne territor, si : i. shtëpi banimi deri në 2 kate, në bazë të rregullave të përcaktuara në dokumentet e planifikimit; ii. struktura në funksion të aktiviteteve bujqësore dhe blegtorale. ç) e ndryshimit të aktivitetit apo funksionit. Autoriteti vendor, në rregulloren vendore të kontrollit të zhvillimit, mund të përcaktojë raste të tjera shtesë që i nënshtrohen procedurës së përshpejtuar.