Takimi i bashkëpunimit rajonal në Tiranë/ Raportet e tensionuara, mungon ministri i Jashtëm grek e ai maqedonas. Daçiç i Serbisë në tryezë

0
174

Gëzim Saliu

takimiBushati: Bashkëpunim rajonal dhe promovim i fqinjësisë së mirë. Daçiç: Serbia ka kontribuar në stabilitetin në rajon

Raportet e tensionuara dhe ulje-ngritjet e shfaqura së fundmi në rajon nuk mund të mos pasqyroheshin dje në takimin vjetor të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Në konferencën e mbajtur në Tiranë në kuadër të mbylljes së Presidencës Shqiptare të procesit të vendeve të Evropës Juglindore, vetëm Bullgaria, Serbia dhe Mali i zi u përfaqësuan në nivel kryediplomatësh, ndërsa Greqia u përfaqësua në nivelin më të ulët në takim me sekretarin e përgjithshëm për çështjet evropiane e Maqedonia me zv.ministrin e Jashtëm Fatmir Besimi. Mungesa e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në kryeqytetin shqiptar vjen pas tensionit të krijuar mes dy vendeve, për shkak të notës së protestës së diplomacisë shqiptare për kërkimet për naftë në detin Jon. Ndërkaq, mungesa e kryediplomatit maqedonas Nikolas Poposkvi në këtë takim erdhi pas ngjarjeve në Kumanovë dhe qëndrimit të Tiranës zyrtare përmes Kryeministrit Rama, i cili kërkoi zbatimin pikë për pikë të Marrëveshjes së Ohrit nga Shkupi, pasi në të kundërt, Shqipëria mund të përdorë edhe veton për hyrjen në NATO. Ndërkaq, Serbia të paktën për këtë takim duket se i kishte lënë pas qëndrimet për “Shqipërinë e Madhe” apo për deklaratat provokative të Kryeministrit Rama në Beograd, ku edhe përfaqësimi ishte në nivel ministri të Jashtëm. Prania e Ivica Daçiçit në takim nuk mund të mos dallohej nga të tjerat, kjo edhe për shkak se ishte i vetmi ministër në konferencë që shoqërohej me truproja.

 

Takimi

Në konferencë, ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, e vuri theksin tek rëndësia e bashkëpunimit mes vendeve të Evropës Juglindore. “Vendet anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ndajnë të njëjtat objektiva. E para dhe më e rëndësishmja, mbështesim anëtarësimin e plotë në BE dhe NATO. Kjo mund të arrihet falë rritjes së bashkëpunimit rajonal, promovimit të fqinjësisë së mirë dhe rritjes së stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, – tha ai. E ndërsa ministri Bushati po mbante fjalën e tij hapëse në takim, homologu i tij serb u ndal në korridor t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve të vendit të tij. Daçiç ndryshe nga deklaratat e mëparshme dukej më i qetë dhe nuk përdori as termat “Shqipëria e Madhe” apo “provokim”. “Mendoj se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë nuk kanë rëndësi vetëm për këto dy vende, por edhe për të gjithë rajonin. Ndaj, para së gjithash, pavarësisht nga problemet e ndryshme dhe nga fakti se jo gjithnjë marrëdhëniet si fqinjë kane qene të mira, interesi ynë është që ta zhvillojmë këtë bashkëpunim. Pikërisht për këtë arsye, vizita e Kryeministrit Rama në Beograd ishte shumë e dobishme. Po ashtu jam i sigurt se vizita e Kryeministrit Vuçiç do të jetë me shumë rëndësi, mbi të gjitha për çuarjen përpara të marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe për stabilitetin e rajonit, për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Rajoni ynë e di shumë mire se cili është prioriteti në këto momente, kur të gjithë së bashku shkojmë drejt Bashkimit Evropian, duke e ditur se kemi rrugë të gjatë për të bërë”, – tha ai. Aleksandër Vuçiç është i pari Kryeministër serb që zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Ai do të pritet në Pallatin e Brigadave dhe protokolli do të jetë i njëjtë më atë që u ndoq në Beograd për Kryeministrin Rama.

 

Emërimi i Idrizit/ Greqia: Person irredentist, nuk promovohet miqësia dhe bashkëpunimi

Greqia reagoi dje ndaj emërimit të Shpëtim Idrizit në postin e nënkryetarit të Parlamentit të Shqipërisë. Në përgjigje të pyetjeve të disa gazetarëve, Ministria e Jashtme greke reagoi me anë të një deklarate ku shpreheshin një sërë akuzash ndaj kreut të PDIU-së. “Zgjedhja e personave irredentistë që lidhen me të shkuarën e tmerrshme fashiste e naziste të Evropës, në pozitat më të larta të institucioneve më të larta shtetërore, nuk promovon miqësinë, bashkëpunimin, stabilitetin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mes vendeve të Evropës Juglindore dhe as kontribuon në perspektivën evropiane të Shqipërisë”, – theksohej në deklaratë. Votimi i Idrizit në Parlament në postin e nënkryetarit të Kuvendit u pasua me dorëheqjen e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili tha se institucionet po përdoren si plaçkë.

 

Ambasadorja e BE-së/ Mesazhi i Vlahutinit: Kërkoni në Google për kandidatët dhe pastaj votoni

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin, dha dje mesazhe të forta për të rinjtë që do të votojnë për herë të parë në 21 qershor. Ajo u ka kërkuar atyre të kërkojnë në motorin e kërkimit në internet Google për emrat e kandidatëve, përpara se të zgjedhin përfaqësuesin. “Kjo është zgjedhja jua dhe liria juaj për të votuar në mënyrë individuale, pa u ndikuar nga familja. Ju lutem të denonconi çdo rast që vëreni se po ju manipulojnë apo tentojnë t’ju blejnë votën. Është shumë e rëndësishme të ushtroni të drejtën e votës pa ju cunguar liritë, sepse kjo është e drejta juaj. Ndaj do ju kërkoja të njiheni më mirë për ata që do të votoni, mund të kërkoni për kandidatë edhe në Google për të lexuar më shumë për ta dhe programet e tyre, për të zgjedhur më pas ata që ju përfaqësojnë më mirë”, – theksoi ambasadorja e Bashkimit Evropian gjatë një takimi që ajo pati ma maturantë të gjimnazit “Arben Broci” në kryeqytet. Mesazhet e Vlahutinit vijnë pas debateve mes palëve politike lidhur me dekriminalizimin dhe përmendjen e disa kandidatëve që kanë rekorde kriminale. Më herët ambasadorja e BE-së kishte deklaruar se po u linte kohë partive deri në 13 maj, në mënyrë që të pastronin listat nga kandidatët me rekorde kriminale dhe pas kësaj date ajo do të zbardhte emrat e personave me të shkuar të dyshimtë. Por deri më sot nga BE-ja ende nuk ka publikim të emrave.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here