Në Librazhd e Mallakastër/ Rama: Opozita pa alternativë, SHQUP-i do kthimin aty ku ishim 2 vjet më parë

0
160

Gëzim Saliu

rama ne mallakasterNë Patos, Rama: Kemi rënë dakord me kompaninë për dëmshpërblim të plotë, kemi nisur një dokument me rezervat tona dhe presim që kompania të japë përgjigje një për një për të gjitha ato

Kryeministri Edi Rama prezantoi pasditen e djeshme kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Evropiane për Bashkinë e Librazhdit, Kastriot Gurra, ku gjatë takimit u ndal tek opozita, duke ritheksuar se ajo nuk u ofron asgjë shqiptarëve. “Çfarë pune? Çfarë mirëqenieje pret nga një parti që ka dalë në zgjedhjet vendore dhe nuk thotë asgjë për kandidatët se çfarë do të bëjnë ata?! Që nuk flet për ujitjen, transportin, plehrat e kështu me radhë?! Thonë vetëm një gjë, na votoni ne që të kthehemi aty ku ishim se nuk shtyhet më duke paguar drita, duke ndërtuar me leje…”, – tha Rama. Sipas kreut të qeverisë, ASHE ka njerëzit që janë të gatshëm të çojnë përpara punët e qytetit, ndërkohë që tha ai, opozita nuk ka as njerëzit dhe as modelin. Ndërkaq duke vlerësuar kandidatin Gurra, kryeministri theksoi se zgjedhjet e 21 qershorit nuk janë për të zgjedhur mes kandidatëve, por për të çuar projektin e ASHE-së para. “Vendi kishte nevojë për reformën territoriale, ku më në fund i dhamë fund një copëzimi të territorit dhe shërbimesh. Dua ta them shumë qartë ne jemi aleancë e madhe. Një koalicion që shtrihet në një spektër të gjerë, por në bosht ka partneritetin strategjik PS- LSI, dy parti por një forcë e vetme udhëheqje. Kjo është arsyeja që ne në të gjithë Shqipërinë kemi kandidatë që janë kandidatët tanë pa dallim pavarësisht se janë propozuar nga LSI apo PS”, deklaroi Rama. Më tej, ai kërkoi votën e gjithë simpatizantëve të Partisë Socialiste dhe partive të tjera të koalicionit të gjerë për kandidatin e majtë, por edhe për këshillat bashkiakë. “Nga ana tjetër këto zgjedhje janë edhe për kuvendin vendor. Që këshillat bashkiak të kthehen në forume përfaqësuese. Për këtë arsye nëse vota për kandidatin është një votë e bashkuar, ajo për këshillin është për partinë. Zgjedhjet e 21 qershorit nuk janë zgjedhje mes Kastriotit dhe kush është tjetër përballë se as nuk e di as më intereson, por zgjedhje për të çuar para projektin tonë”, – u shpreh ai.

 

Mallakastër

Më herët gjatë prezantimit të Shyqyri Kapllanit për Bashkinë e Mallakastrës, kryeministri nuk ngurroi t’u rikthehej akuzave ndaj opozitës ku pohoi se të djathtët e kërkojnë votën për të sulmuar qeverinë. “Po të shikoni fushatën e tyre, çfarë thonë ata? I keni dëgjuar ndonjëherë të flasin për ato probleme që flasim ne? I keni dëgjuar ndonjëherë të flasin se si do t’i zgjidhin problemet e kopshteve, të shkollave, të ujësjellësit, të kanalizimeve, të plehrave, të transportit? Ata thonë: “Rama-Meta, Rama-Meta”. Çfarë doni ju? Doni një kryetar bashkie që të vijë këtu dhe të flasë me vete në rrugët e Ballshit: Rama-Meta, Rama-Meta? Ç’ju duhet? Ata thonë votoni për SHQUP-in se nuk vazhdohet më kështu. Duhet të kthehemi aty ku ishim, që gjysma të paguajë drita, gjysma të mos paguajë?”- pohoi Rama. Ndërsa në Patos ku prezantoi Rajmonda Balili, kryeministri foli edhe për ndotjet si edhe problematikën me shpërthimet të kompanisë që punon për nxjerrjen e naftës.“Ndërkohë që ne jemi në një proces që, për arsye ligjore dhe të ligjeve ndërkombëtare, është një proces i mbyllur. Ne i kemi vënë përpara kompanisë një dokument shumë të gjatë me rezervat tona. Presim që kompania të japë përgjigje një për një për të gjitha ato që i kemi vënë përpara. Kemi rënë plotësisht dakord për dëmshpërblim të plotë, por nuk na mjafton dëmshpërblimi se nuk do të presim prapë të bëhet ndonjë gjë e prapë do të presim dëmshpërblim. Nuk duhet të përsëriten më ato që ndodhën”, – deklaroi kreu i qeverisë Rama.

 

Në kopshtin botanik/ Veliaj: Gjelbërim mjediseve të Tiranës dhe pastrim të lumenjve

Kandidati i majtë për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, zgjodhi dje kopshtin botanik për të folur në lidhje me hapësirat e gjelbra në Tiranë ku tha se ajo ishte e vetmja hapësirë që nuk ishte betonizuar në këto 4 vite. Sipas Veliajt, është për të ardhur keq kur dëgjon raporte se çdo vit në Tiranë vdesin 500 njerëz nga sëmundjet e mushkërive. Në këtë kontekst ai bëri 5 zotime duke paraqitur 5 projekte për Tiranën, për ti kthyer sipas Veliajt asaj pastërtinë dhe gjelbërimin e munguar. 1. Rehabilitim dhe gjelbërim i 6000 m2 hapësira publike të çliruara nga ndërtimet informale gjatë 2 viteve të fundit në Tiranë; 2. Rigjenerim dhe transformim i ish-zonave industriale të Tiranës në hapësira të gjelbra dhe në shërbim të komunitetit; 3. Aplikim i projektit “Fasadat e Gjelbra” me qëllim krijimin e hapësirave të gjelbra vertikale; 4. Identifikim dhe shndërrim i hapësirave potenciale brenda blloqeve të banimit në hapësira të gjelbërta në partneritet me komunitetin dhe bizneset e zonës; 5. Pastrim nga mbetjet i lumenjve në territorin e Bashkisë së Tiranës përgjatë gjithë rrjedhës së tyre. Po ashtu kandidati i majtë premtoi rehabilitimin dhe gjelbërimin e 6000 m2 hapësira publike, të cilat janë çliruar nga ndërtimet informale gjatë 2 viteve të fundit në Tiranë, si dhe rigjenerimin e ish-zonave industriale të Tiranës në hapësira të gjelbra dhe në shërbim të komunitetit. Një tjetër projekt ishte edhe ai i quajtur “Fasadat e Gjelbra”, i cili synon krijimin e hapësirave të gjelbra vertikale. “Niveli i ndotjes së ajrit në Tiranë arrin në 63.88 µg/m3, krahasuar me kufirin maksimal prej 40 µg/m3 për vendet e BE. Ne jetojmë në një qytet që është tërë kohën në alarm. Madje, disa zona si 21 Dhjetori, janë më rëndë se kaq. Ja në ç’gjendje jemi sot, kurse këta thonë na jepni edhe 4 vjet se do jemi ndryshe. Po si? Sot Tirana urbane ofron vetëm 1 m2 hapësirë të gjelbër për banor, krahasuar me standardin minimal evropian prej 7 m2 për banor. Por, si çdo mall i vjedhur, Tirana këto 4 vjet as është dashuruar dhe as respektuar”, – deklaroi Veliaj.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here