Ervin Kaduku
– Banka Botërore kritikon formulën e adoptuar nga qeveria shqiptare, në të gjitha vendet e zhvilluara burim për rritjen ekonomike janë investimet
Sipas parashikimeve të Bankës Botërore, vetëm pas shumë vitesh ekonomia shqiptare mund të largohet gradualisht nga burimet e nxitura nga kërkesa e brendshme dhe të shtrihet me ritëm vjetor prej 3 për qind. Ndërsa modeli i rritjes i Shqipërisë ndryshon ngadalë, kontributi i konsumit tek rritja pritet të ulet, nga më shumë se tre të katërtat në vitin 2008, në rreth 1/2 në vitin 2019, për shkak të një shtrirjeje më të ngadaltë të konsumit privat, teksa rritja e remitancave mbetet e moderuar. Këto të fundit kanë shërbyer për dekada si motori gati i vetëm i konsumit të shqiptarëve, krahas edhe me të ardhurat që vinin nga trafiqet dhe rrugë të tjera të paligjshme.
Por, në të njëjtën kohë, që rritja ekonomike të bëhet e qëndrueshme investimet private duhet të rriten falë përmirësimit të besimit, rritjes së prurjeve të investimeve të huaja të direkte dhe përmirësimit të ndërmjetësimit financiar, analizon Banka Botërore në raportin e fundit të ekonomisë shqiptare, pas miratimit të një huaje 5-vjeçare prej 1.2 miliardë dollarësh në total.
Që pas krizës së vitit 2008 Shqipëria ka bërë përpjekje për orientuar modelin e rritjes ekonomike nga konsumi tek prodhimi. Mirëpo vështirësitë që erdhën nga mungesa e kreditimit të ekonomisë dhe një orientim i qartë i prioriteteve drejt sektorëve prodhues po e ngadalësojnë transferimin e burimeve të rritjes ekonomike. Banka e Shqipërisë e ka vlerësuar se, potencialet për rritjen ekonomike të vendit deri në vitin fund të vitit 2017 nuk do të jenë më shumë se 3%. Kjo shifër është shumë më e vogël se ajo e arritur gjatë bumit të investimeve publike – gjatë të cilit u realizua edhe Rruga e Kombit, p.sh.
Pengesat
Çfarë e pengon realisht ekonominë shqiptare që të zhvillohet me ritme të shpejta?
Së pari, mungesa e stabilitetit politik dhe institucione të pasigurta dhe joelastike në zbatim të sistemit ligjor (pronësia fizike dhe intelektuale, sistemi financiar, taksat), korrupsion i përhapur politik, menaxhim i dobët makroekonomik, liri ekonomike e kufizuar dhe hapje e kufizuar ndaj tregjeve. Ulja e tarifave doganore (barrierat tregtare) janë një kusht i domosdoshëm në favor të rritjes ekonomike, nëpërmjet efektit në funksion të zgjerimit të tregjeve dhe rritjes së depërtimit të produkteve midis vendeve (veçanërisht vendet kufitare).
Nga ana tjetër, një nivel i ulët i aftësive të fuqisë punëtore, mungesë e njohurive ndaj teknologjisë së kohës, mungesë kulture politike, kulturore dhe shoqërore, treg i kufizuar i punës.
Po kështu, pengesë serioze mbetet një teknologji e vjetër dhe investime të pakta për zhvillimin e saj, orientim i ekonomisë që përjashton teknologjinë (drejt tregtisë, drejt modelit të turizmit pa model), investime jo në favor të zhvillimit afatgjatë, infrastrukturë e dobët.
Faktorët
Çfarë do të bënte të mundur zhvillimin e shpejtë, por që nuk po arrihet?
- Burimet natyrore minerare dhe energjetike, si dhe një sistem agro-bujqësor e blegtoral i zhvilluar janë elementët që përfshihen te ky faktor mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë. Burimet natyrore të kombinuara me pozicionin gjeografik dhe faktorët e tjerë zhvillues i japin ekonomisë frymëmarrjen e duhur për zhvillimin me kosto të ulët.
- Investimet në zhvillimin e aktiveve afatgjata, (infrastruktura, zhvillim industrish) janë një faktor afatgjatë për zhvillim, pasi ulin koston e aktiviteteve ekonomike. Bashkëlidhur zhvillimit të industrisë nuk duhet ndaluar asnjëherë faktori i zhvillimit teknologjik të orientuar nga programet qeverisëse. Është akumulimi dhe formimi i kapitalit që rrit produktivitetin industrial, të bashkëshoqëruar me fuqi punëtore me aftësi të larta në drejtim të përdorimit të saj. Roli më i madh u mbetet investitorëve të huaj, por pa nënvlerësuar investitorët brenda vendit, që duhet të ndiejnë hapjen e ekonomisë.
- Rritja e sasisë dhe cilësisë (vlerës) së fuqisë punëtore (kapitali njerëzor) dhe specifikisht ajo pjesë që investohet në rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e cilësisë së saj është një faktor domethënës me ndikim direkt në rritjen ekonomike. Natyrisht që rreziku nga mungesa e ndërhyrjes së qeverisjes mund të krijojë probleme me uljen e nivelit të punësimit.
- Një ambient politik demokratik me kuadër institucional bashkëkohor, konsiderohet si një faktor ndikues direkt nëpërmjet parimit të qeverisjes së mirë, që ndërhyn në rregullimin e ekonomisë sipas ligjeve dhe rregullave. Secili institucion qeveritar ka rolin e tij në ekonomi, sipas funksioneve për të cilat është krijuar. Stabiliteti makroekonomik redukton riskun e investimeve dhe në këtë kontekst shihet si një kusht i domosdoshëm në favor të rritjes ekonomike.
Ecuritë
Rritja më e madhe është në vitin 2008 (rritje 7.5%) dhe menjëherë në vitin pasardhës rritja u ngadalësua dhe ishte më pak se gjysma (rritje 3.3%), pa ndryshuar as faktorët e jashtëm, por edhe ata të brendshëm. E vetmja që nuk ndodhi më ishte efekti i menjëhershëm në ekonomi nga moskoordinimi i faktorëve. Ekonomia shqiptare ka pasur një nivel rritje dhe rënie, në kah të njëjtë me modelet dhe profilet politike të vendit. Sipas raporteve vjetore të Bankës së Shqipërisë, për vitet 1980 deri në 1990, rritja mesatare ekonomike ka qenë në nivelin 0.9%. Viti me rënien ekonomike më të madhe është 1990, në nivelin -10%. Viti me rritjen ekonomike më të madhe është 1989 në nivelin 9.8%.
Për vitet 1991 deri në 2000, rritja mesatare ekonomike ka qenë në nivelin 1.3%. Viti me rënien ekonomike më të madhe është 1991 në nivelin -28%. Viti me rritjen ekonomike më të madhe është 1999 në nivelin 13.5%. Për vitet 2001 deri në 2011, rritja mesatare ekonomike ka qenë në nivelin 5.3%. Viti me ngadalësimin më të madh të rritjes ekonomike është 2011-a, në nivelin 3.1%. Viti me rritjen ekonomike më të madhe është 2001, në nivelin 7.9%.
Zhvillimi ekonomik për tre dekadat e fundit të ekonomisë shqiptare ka një ritëm mesatar rritje në nivelin 2.5%.
Shqipëria, bilanc vazhdimisht negativ në tregtinë me Serbinë
Ardhja për herë të parë e një kryeministri serb në Tiranë jep rastin për të bërë një bilanc lidhur me atë se si janë raportet tregtare dypalëshe. Në fakt, Shqipëria është një vend që bilancin e shkëmbimeve tregtare e ka negativ. Kjo do të thotë se vendi ynë është i varur nga importet, ku volumi i tyre është më i lartë se mallrat që eksportojmë. Ky tregues është më se i qartë edhe me një vend si Serbia. Duke qenë se të dy vendet janë anëtare të marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor CEFTA, lehtësitë e shkëmbimit të mallrave janë të shumta. Por, Shqipëria është një vend i varur fort nga energjia elektrike, duke qenë se prodhimi hidroenergjetik arrin të mbulojë vetëm 60% të nevojave të vendit për konsum. Nga ana tjetër, Serbia është një vend që, e ka të zhvilluar së tepërmi këtë sektor, edhe për faktin se, arrin të prodhoi energji elektrike nga impiante të djegies së qymyrit të gurit. Për më tepër, Serbia është vendi më i fuqishëm në rajon për sa i përket infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike, duke kontrolluar linjat e interkonieksionit thuajse në të gjithë Ballkanin. Në këtë mënyrë, ky vend arrin të ketë një epërsi të dukshme ndaj vendeve të tjera për sa u përket marrëdhënieve tregtare edhe në ato raste kur energjia nuk prodhohet në Serbi. Taksat e aplikuara për transmetimin nga Enti Rregullator i Energjisë në Serbi penalizojnë së tepërmi vende si Shqipëria, duke e dyfishuar çmimin e energjisë së blerë.
Referuar të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, në 5 vitet e fundit, kohë kur mes dy vendeve është aplikuar marrëveshja e tregtisë së lirë CEFTA, eksportet shqiptare drejt Serbisë janë deri 20 herë më të vogla në vlerë monetare se importet. Kjo situatë është më se e logjikshme duke marrë në konsideratë se artikujt kryesorë të eksportuar drejt këtij vendi janë fruta dhe perime, ndërsa importi është energji elektrike në vlerën e 80% dhe pjesa tjetër lëndë e parë për industrinë ushqimore. Kështu, në vitin 2010, eksportet shqiptare kapnin një vlerë prej 1 miliard e 951 milionë lekë, ndërsa importet në vlerën e 17 miliard e 707 milionë lekë. Kështu me radhë deri në vitin 2014, ku vlera e eksporteve arrin në 1 miliard e 608 milionë lekë, ndërsa ajo e importeve në 23 miliard e 664 milionë lekë.
Viti që sapo lamë pas shënon edhe vlerën më të lartë monetare të importeve nga ana e Serbisë drejt Shqipërisë. Ndërsa në përqindje, mallrat shqiptare drejt Serbisë arrijnë në 0.7% të volumit të eksporteve, ndërsa mallrat serbe 3.8% të volumit të importeve.
Shmanget edhe këtë vit kalimi me pagesë në Rrugën e Kombit
Rruga e Kombit me pagesë duket se nuk do të funksionojë të paktën edhe për gjashtë muaj. Kjo, për shkak se gara për dhënien me koncesion të mirëmbajtjes e planifikuar për t’u finalizuar në këtë periudhë do të zgjatet edhe për gjashtë muaj të tjerë.
Burimet zyrtare nga Ministria e Transportit sqaruan se, me 6 prill janë hapur ofertat në garën për dhënien me koncesion të rrugës së Kombit. Nga katër kompani pjesëmarrëse në garë janë kualifikuar dy prej tyre të cilat automatikisht përfshihen në fazën e dytë të kualifikimit e cila sipas të njëjtave burime shtrihet në pesë muajt në vijim.
Ministria e Transportit kishte planifikuar të finalizonte koncesionin herët në pranverë. Por me një urdhër të posaçëm të Ministrit u vendos që afati i dorëzimit të ofertave të shtyhej nga data 23 mars në datën 6 prill. Ndërkohë që gara për fazën e dytë kualifikuese, nëse do të jetë e suksesshme nuk ka gjasa të mbyllet para fundit të vitit.
Dhënia me koncesion e mirëmbajtjes së rrugës së Kombit ka kaluar nëpër disa dështime për shkak se trafiku real nuk është sipas pritshmërisë që kompanitë kanë shfaqur për të kryer mirëmbajtjen.
INSTAT: Konsumojmë më pak ushqime dhe më shumë pajisje joushqimore
Ushqimet, karburantet udhëhoqën tregtinë me pakicë në vitet 2005-2014, por ndërsa indeksi në volum në këtë tregti gjatë harkut kohor 2011-2014 u rrit mesatarisht 5.7 % në vit, u vu re se ushqimet i lanë vendin artikujve jo ushqimorë, ku kryesojnë kompjuterat. Sipas statistikave, nëngrupet kryesore të saj që patën ritëm rritjeje në nëngrupin “Tregti me Pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me 14.9%, “Artikuj jo ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me 2,9% ne vit, “Produktet ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me 0,7% në vit.
Në harkun kohor 2005-2010 rritjen më të madhe mesatare të shitjeve e pësoi nëngrupi “Produkte ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”. Por ky trend, në periudhën e dytë 2011-2014 u përmbys dhe ritmin mesatar të rritjes kryesore e zuri nëngrupi “Artikuj jo ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, cka tregon se shqiptarët u drejtuan më shumë me shpenzime drejt artikujve jo ushqimorë.
Në vitin 2014 në tregtinë me pakicë vazhdoi të kontribuojë kryesisht nëngrupi “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”. Nga 134,6 %që ishte ICK në vitin 2011, arriti në 170.6% në vitin 2014.
Rritje të dukshme, gati në dyfishim pësuan blerjet e kompjuterave, ku nga 72.6% Indeksi i blerjeve në sektor në vitin 2011, u rrit në 132,9% gjatë vitit të kaluar. Po ashtu me rritje të ndjeshme rezultojnë librat, duke treguar se shqiptarët po i kthejnë sytë përherë dhe më shumë nga leximi.
Në 4 vitet e fundit, 2011-2014 janë rritur blerjet e ilaçeve, kozmetikës, pajisjeve për shëndetin etj.
Athina duhet të mbetet në eurozonë
Greqia duhet të mbetet anëtare e eurozonës, por ajo duhet të mos humbasë kohë dhe të bëjë gjithçka që mundet për të shmangur dështimin për të paguar borxhet e saj ndaj FMN-së, referoi kreu i panelit të ekspertëve ekonomikë që këshillojnë qeverinë gjermane.
“Greqia duhet të qëndrojë në zonën e euros. Topi’ është ende në gjykatën e qeverisë greke, edhe pse gjendja është tensionuar më tej”, – tha Schmidt, i cili drejton një grup ‘burrash të mencur’ që këshillojnë qeverinë e Kancelares Angela Merkel. “Ajo që është e rëndësishme tani janë faktet dhe jo zhurmat”, – tha ai.
Me përjashtimin nga tregjet e obligacioneve dhe bllokimin e paketës së shpëtimit, Greqia po ‘mbetet trokë’ për të paguar faturat e saj. Ajo duhet të paguajë katër kredi që arrijnë në 1.6 miliard euro për Fondin Monetar Ndërkombëtar muajin e ardhshëm, duke filluar me një pagesë prej 300 milion eurosh më 5 qershor që perceptohet si pika tjetër kritike e arkave të shtetit.
Schmidt tha se Athina ishte ‘zvarritur’ dhe krijoi një situatë panevojshmërisht të rrezikshme, por ai shtoi se ai refuzon të besojë se Greqia thjesht do e lejojë veten që të dështojë.
“Situata është vështirësuar edhe më tej, sepse qeveria e Athinës la në mënyrë të panevojshme të kalojë shumë kohë. Fusha bazë e betejës nuk ka ndryshuar aspak. ”
“Unë nuk mund të imagjinojë se qeveria greke do e lejojë me vetëdije (të mos paguajë FMN-në) të ndodhë ‘dështimi’”, – tha ai.
Greqia tha se ka ndërmend të përmbushë detyrimet e borxhit, por ajo ka nevojë për ndihmë urgjente në mënyrë që të jetë në gjendje për ta bërë këtë, pasi disa zyrtarë të lartë këmbëngulin se Athina nuk kishte para për të paguar këstin e kredisë që pritet javën e ardhshme.
Një numër gjithmonë e në rritje i anëtarëve të lartë të qeverisë kanë thënë haptazi se Athina nuk ka mjetet për të paguar FMN-në, dhe do të vërë në prioritet në vend të kësaj pagesat e nëpunësve civilë dhe pensionistëve. Zyrtarët grekë kanë kërcënuar shpesh për dështim gjatë javëve të fundit, duke argumentuar se vendi nuk zotëron kesh, gjë të cilën zyrtarët e eurozonës e kanë hedhur poshtë si një taktikë e bisedimeve për të rritur presionin ndaj kreditorëve për dhënien e ndihmës.