Artan Cena
Prokuroria e Tiranës vazhdon hetimin për zbulimin e megamashtrimit në rimbursimin e recetave të ilaçeve. Zbardhen emrat e mjekëve dhe farmacisteve të përfshira
Zbulohen emrat e 4 farmacive që përfituan shuma marramendëse nga skema e vjedhjes së parave të rimbursimit të ilaçeve. Burime nga Prokuroria thanë se farmacitë me emrin “Bërzhita”, “Lundër”, “Adelina” dhe “Nutrimed 2012” falsifikuan receta dhe me pas tërhoqën nga fondi i rimbursimit të ilaçeve mbi 430 mijë euro vetëm për 5 muaj. Parregullsitë e gjetura tek këto farmaci fantazmë, kanë qenë të shumta thanë hetuesit dhe dyshimet janë se pronaret e këtyre kompanive fantazmë bashkëpunonin me drejtuesit e Fondit të Sigurimeve të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor.
Farmacitë e përfshira
Farmacia “Lundër” dhe “Bërzhita” kishin të njëjtin NIPT të regjistruar në QKR thanë hetuesit. Për me tepër, kishin të njëjtën adresë në Farkë, që pas verifikimit rezultoi se ishte një shtëpi banimi, ku nuk ekzistonte asnjë shërbim farmaceutik. Për llogari të këtyre dy farmacive fantazmë, recetat për t’u rimbursuar u dorëzuan në emër të shtetases Mimoza Tufa. Nga dokumentet e sekuestruara rezultoi se për disa muaj me radhë, recetat e dorëzuara nga Mimoza Tufa janë shlyer menjëherë në shuma të mëdha parash. Me të njëjtën skemë përfitoi edhe farmaci “Adelina”, recetat e së cilës i ka dorëzuar shtetasja Adelina Manaj. Pas verifikimit, rezultoi se me këtë emër nuk ekziston asnjë farmaci. Madje hetuesit thanë se “Adelina” nuk ekziston e regjistruar në QKR dhe nuk ka asnjë aktivitet biznesi në Shqipëri me këtë emër. Pavarësisht këtyre shkeljeve flagrante, zyrtarët e Fondit të Sigurimeve të kujdesit të detyrueshëm shëndetësore vazhduan te kalojnë në llogarit bankare të Adelina Manaj shuma të mëdha parash, pasi ajo dorëzonte recetat e falsifikuara. “Nutrimed 2012” është farmacia e katërt që ka përfituar në këtë skemë. Drejtues i saj rezulton shtetasi me emrin Nikollaq Thanasi. Në recetat e dorëzuara, sipas prokuroreve janë përdorur vulat e falsifikuara dhe firmat e rreth 80 mjekëve të ndryshëm, kryesisht për fshatrat e Bërzhitës, Lundër, Farkë dhe fshatra të tjerë të kësaj komune.
Skema e falsifikimit
Vulën e kësaj qendre shëndetësore me numrin 10 në Tiranë dhe të mjekes me inicialet L. R., mbajnë një sërë recetash të tilla për barna që rimbursohen nga shteti. Recetat janë ekzekutuar nëntorin e vitit të shkuar në farmacinë Ekspres e cila për to ka përfituar nga Fondi i Sigurimeve të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësore rreth 14 milionë lekë. Por sipas raportit të departamentit të Antikorrupsionit numrat e recetave nuk korrespondojnë me ato të regjistrit të mbajtur nga mjekja si dhe shkrimi e nënshkrimi nuk janë të sajat dhe paratë nga shteti, farmacia i përfituar përmes një dokumentacioni fiktiv pa tregtuar barna. Recetat janë lëshuar për ilaçe që kurojnë sëmundje të kockave, syve, diabet, dhe dozat e dhëna për pacientin janë më të larta se ajo që përcaktojnë protokollet e mjekimit. Por megjithëse këto kanë rritur në mënyrë fiktive përqindjen e rimbursimit dhe nuk përputhen me përqindjen e sëmundjes dhe kategoritë e pacienteve të mjekut të familjes Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka bërë pagesat ndaj farmacisë.
Falsifikimi i recetave
Vjedhja e fondeve publike përmes falsifikimit te vulave dhe përdorimit të recetave fiktive është vetëm njëra nga mënyrat, tjetra ka të bëjë me marrjen e parave nga Fondi i Sigurimeve pa pasur kontrate me të. Këtë skeme sipas raportit të departamentit antikorrupsion e ka përdorur kjo farmaci, “Geni dhe Lori”, me drejtues teknik Loredana Skurën bashkëshorten e vëllait të zëvendësdrejtorit të Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor Sokol Skura i përfshirë këto zgjedhje në listat e këshillit bashkiak në Librazhd. Ndërpret kontratën e lidhur me Fondin ne 1 dhjetor 2014 dhe e rilidh sërish në 29 dhjetor 2014. Megjithëse me kontratë të zgjidhur subjekti ka vazhduar të ekzekutojë receta. Vlera e rimbursimit është rreth 7 milionë lekë. Ndonëse në rastet e zgjidhjes së njëanshme të kontratës nga ana e farmacisë asaj nuk i rimbursohet vlera e recetave dhe farmacia nuk mund të rilidhë kontratë më shpejt se një periudhe kohore një vjeçare nga zgjidhja e saj.
Rastet e zbuluara
Fondi i Sigurimeve në këtë farmaci dhe në atë me emrin “Coli’s” në pronësi të Elida Gogut, bashkëshortes së Skurës sipas raportit nuk ka ushtruar asnjëherë kontrolle megjithëse rregullorja e detyronte pasi përqindja e rimbursimit i ka kaluar 2 milion lekë ashtu siç përcakton rregullorja. Këto janë vetëm tre raste, por prokuroria dyshon se në këtë aferë janë përfshirë 47 farmaci dhe janë falsifikuar vula të 80 mjekëve. Skemat sipas raportit të departamentit të Antikorrupsionit janë të ndryshme ndërsa vlera e dëmit që përllogaritet nga hetimi është 1.5 miliardë dëm, por dyshimet janë për shifra edhe më të larta.
Drejtori i Kontrollit Farmaceutik merret në pyetje
Mesditën e së mërkurës, drejtori i Kontrollit Parësor Farmaceutik, Halit Bilali, dhe dy inspektorë të Drejtorisë Rajonale u morën në pyetje për kontrollin e kryer ndaj rimbursimit të ilaçeve. Ende nuk ka të dhëna për dëshminë e këtyre zyrtareve, por hetuesit thanë se abuzimet janë kryer pa asnjë përpjekje për t’u fshehur nga ndonjë kontroll i mundshëm. Sipas akuzës, sasia e ilaçeve të rimbursuara nga këto farmaci, është e tillë që korrespondon me idenë e një epidemie të sëmundjeve kancerogjene në fshatrat e Tiranës.
KLSH, Leskaj: Për paratë e fushatës mund të hetojë vetëm KQZ
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, ka mohuar idenë se institucioni që drejton ka lidhje me politikën. Sipas kreut të KLSH-së, Leskaj, ky institucion është i depolitizuar dhe nuk është përfshirë ndonjëherë në fushata zgjedhore. Kjo deklaratë e Leskaj erdhi nga Shkodra në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. “Natyrisht që KLSH qëndron larg fushatave zgjedhore. Ne jemi një institucion i depolitizuar dhe i departizuar dhe në asnjë rast nuk kemi lejuar dhe nuk lejojmë që të përfshihemi në fushata zgjedhore apo fushata të përgjithshme”, – tha Leskaj dje në Shkodër. I pyetur për partitë politike dhe kontrollet mbi shpenzimet marramendëse të tyre, kryetari i KLSH nuk nguroi të shprehet se Kontrolli i Lartë i Shtetit sipas ligjit ka vetëm fondet që jepen nga buxheti i shtetit për partitë ndërsa shumat e parave që përdoren në fushata elektorale nga partitë sipas kreut të KLSH-së, Leskaj, është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që duhet t’i auditojë. “Unë dua të jem i sinqertë. Ligji mbi organizimin dhe funksionimin e kontrollit të lartë të shtetit dhe kushtetuta na lejon ne t’i auditojmë partitë politike vetëm për fondet që u jep buxheti i shtetit. Auditimi tjetër i fushatës janë institucione të tjera që duhet ta bëjnë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucioni që duhet t’i kontrollojë dhe të gjejë se nga burojnë paratë e partive politike gjatë fushatës. Sa i përket sugjerimeve, ne jemi siç thashë institucion i depolitizuar dhe i departizuar dhe nuk mund të japim këshilla. Sidoqoftë dua të them se për mua Shkodra është e bukur vetëm me flamurin kombëtar”. Kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj, mori pjesë në qytetin e Shkodrës gjatë një ceremonie për dhënien e titujve “Qytetar Nderi” nga Këshilli i Qarkut Shkodër për Ivan Klesiç auditues i Përgjithshëm i Kroacisë dhe Milan Daboviç president i Senatit të Audituesve në Malin e Zi.