Edhe njëherë tjetër për Muzeun Etnografik në Krujë se e kam merak !

0
241

Nga Artan Fuga

Nga Artan FugaSa herë më vijnë miq dhe kolegë të huaj për vizitë, filozofë, sociologë, politologë, gazetarë, etj., nuk mungoj t’i çoj te Muzeu Etnografik i Krujës.

E kam merak.

Eshtë nga të paktat vende rretherrotull Tiranës, që me një vizitë të shpejtë, mund të shkosh dhe të nderohesh. Duket si frymezim i tepërt, por aty mund të paraqesësh një kulturë të vërtetë autentike.

Marka e një vendi nuk shihet te imitimet e standardeve të huaja sikurse janë këngët në Eurovizion, të gjitha njësoj, identiteti ynë është veçansia jonë.

Duhet thënë se vitet e fundit drejtori i talentuar, punëtor, i kulturuar, dhe i respektuar i këtij institucioni, si edhe bashkëpuntorët e tij kanë bërë një punë kolosale, të kujdesshme, profesionale, për ta pasuruar me objektet, për një ekspozim më të mirë të vlerave, vendosjen e pamjeve digjitale dhe të instrumentave të sigurisë, për një pastërti shembullore, për mirëmbajtjen e asaj shtëpie fisniku krutan që paraqet elitat e asaj kohe por edhe kulturën e kohës, pasurinë tonë kombëtare.

E dini sa e vështirë është konservohet një shtëpi e vjetër dhe objekte muzeale si ato? Dhe në kushtet e një teknologjie disi të kufizuar kjo mund të bëhet vetëm me dashuri.

E gjithë shtëpia dhe objektet flasin, por duhet të dish t’i lexosh.

Pra, nuk kam sesi mos i uroj e falenderoj.

Pavarësisht që me lidhjet e sotme në Internet, këtyre muzeve u duhet dhënë më shumë autonomi, më shumë liri, që të prenotojnë vizitat anembanë Mesdheut, direkt me krocieret dhe agjencitë e udhëtimit.

Ato duhet të kthehen në sipërmarrje autonome që duke qenë publike dhe nën kujdestarinë e dikasterit, të gjenerojnë iniciativa dhe financa vetë për t’u rinovuar e modernizuar.

Me internet, muzeu të kthejë nga rruga turistët që prenotojnë në mënyrë dixhitale vizitat.

Janë të pakët muzetë si ai në Europë, dëgjomëni mua!

Mjaft me administrimin autoritar të vlerave kulturore.

Jam i bindur që këtë dëshiron edhe ministria jonë e kulturës, por duhet ta lënë të veprojë. Ajo do të dijë të bëjë atë që duhet.

Nuk menaxhohet kultura me forma feudale, pra jashtë tregut.

Sigurisht, po të ishte për mua, do të duhej që aty të punësoheshin edhe komunikues marketingu, marketues vlerash kulturore etj. Ne në departamentin e komunikimit të Universitetit publik të Tiranës formojmë të tilla profesione.

Po të ishte për mua, rrëfimin për shtëpinë dhe objektet, për kohën dhe pasurinë që ka aty do ta bëja shumë ndryshe dhe në mënyrë me kënd tjetër, por tjetër punë kjo.

Cdo dritare e brendshme, çdo odë, çdo vendosje makine prerëse duhani, çdo lahutë, çdo kat duhet të zhbirilohet mirë në kuptimin e vet simbolik dhe në funksionin shoqëror. Ka aty brenda politologji, filozofi, antropologji, sociologji, nuk është e thjeshtë.

Lahuta është media e kohës, dhe çfarë medieve! Biseda dhe kënga janë një ligjërim koherent unifikues dhe sqarues et riprodhues i lidhjeve sociale, shkëmbimi i duhanit një kod i tërë marrëveshjesh dhe mosmarrëveshjesh, etj.

Vlerat tona kulturore nga Jugu në Veri duhen shpjeguar dhe interpretuar me shkencat dhe mendimin e kohës, jo me deskriptivizëm dhe etnocentrizëm, as duke zgjatur e projektuar te e kaluara zakonet e sotme.

Duhen ndihmuar dhe mbështetur guidat, duhen ribërë fletëpalosjet dhe albumet. Duhet transformuar e gjithë baza shpjeguese, dixhitale dhe fizike.

Ministria do të bënte mirë t’i ndihmonte edhe më shumë të gjitha guidat e muzeve tê Shqipërisë duke u shërbyer tekste më kuptimplotë dhe trajnime të shpejta, shkathtë, dhe nisur nga këndvështrime teorike dhe metodologjike shume bashkëkohore.

Gurët kanë mbetur, por është fjala që e ngjall gurin e dikurshëm dhe i jep shpirt.

Departamenti i komunikimit dhe gazetarisë i Universitetit të Tiranës mund ta bëjë shumë mirë këtë punë, me anë të një projekti dhe bashkëpunimi me Ministrinë tonë të Kulturës.

Po kush të dëgjon se… pse facebook-un tim do të ndjekin ata.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here