Shtatë funksionarë të FIFA-s të arrestuar nën dyshimin për korrupsion, përveç kësaj hetime të organeve zvicerane të drejtësisë kundër FIFA-s. Kupa është mbushur, mendon redaktori i sportit i “DW”, Stefan Nestler.
FIFA është e korruptuar deri në kupolën e saj drejtuese. Këtë tashmë duhet ta kenë kuptuar të gjithë. Shtatë funksionarë drejtues të shoqatës botërore i kanë arrestuar pak para kongresit të FIFA-s në Zyrih. Akuza: në bazë të të dhënave të hetuesve të SHBA për shumë vite është bërë pazar dhe janë shitur të drejtat e transmetimit dhe të tregtimit të turneve futbollistike në Amerikën Veriore, Qendrore dhe Jugore dhe janë futur në xhep nga kjo gjithsej 100 milionë dollarë ryshfet. Midis të arrestuarve janë edhe dy nga tetë zëvendëspresidentët e Komitetit Ekzekutiv, të qeverisë botërore të futbollit. Njëri prej tyre, Jeffrey Webb, President i Shoqatave Futbollistike të Amerikës Veriore dhe Qendrore si dhe të Karibikut konsiderohet si person i besuar i rëndësishëm të Presidentit të FIFA-s, Joseph Blatter. Vetë zvicerani nuk shfaqet në listën e personave të akuzuar.
Mantel i padukshëm mbrojtës
Kjo nuk të çudit shumë. Gati gjithmonë në 17 vitet e fundit nën regjencën në FIFA të Blatterit, kur funksionarët e futbollit kanë marrë ryshfet, shefi ka dalë i paprekur, sikur të kishte pasur një mantel të padukshëm përreth vetes. Vetëm njëherë situata për të u bë e vështirë: kur u bë e ditur se në postin e sekretarit të përgjithshëm të FIFA-s ai të paktën ishte i informuar për korrupsionin e funksionarëve të lartë nga partneri i marketingut i FIFA-s, ISL. FIFA e Blatterit i quajti paratë e ryshfetit si “paradhënie”, pagoi një shumë milionëshe dhe e mbylli më 2010 procesin gjyqësor. Përndryshe, Blatteri me buzëqeshje i shpëtoi çdo krize. Dhe kriza ka pasur disa, së fundi kriza e dhënies së diskutueshme të dyfishtë të Kampionateve Botërore më 2018 Rusisë dhe 2022 Katarit. Këtu autoritetet zvicerane tani zhvillojnë hetime zyrtare për shkak të dyshimit për korrupsion.
Mungon vetëpastrimi
Me këtë parashije të paqetë duket gati e çuditshme që Blatteri do të zgjidhet sipas të gjitha gjasave të premten në kongresin në Zyrih në mandatin e tij të pestë si shef i FIFA-s. 79-vjeçari mund t’u besojë gati në mënyrë të verbër duartrokitësve të tij nga Afrika, Azia, Amerika e Veriut, Amerika Qendrore dhe Amerika e Jugut. Ata do të votojnë për të. Evropianët, të cilët në fakt Blatteri donte t’i hiqte qafe, rezultuan në fakt si tigra pa dhëmbë. Në një sipërmarrje të drejtuar në mënyrë korrekte, Blatterit do t’i qe dashur prej kohësh të ngrinte plaçkat. Po të kishte pak dinjitet, do t’i duhej ta bënte vetë. Por ja që FIFA nuk është organizatë e pastër. Çfarë duhet të ndodhë më akoma, që stalla të pastrohet? Një vetëpastrim nuk po ndodh – me gjithë komisionin e etikës të FIFA-s. Mbase dobi do të bëjë vetëm një revolucion. Që të marrë me vete të gjithë sipërmarrjen!