Ambasadori i SHBA-së/ Lu: Kriminelë e zyrtarë të korruptuar ecin rrugëve të Tiranës. Ka gjyqtarë që duhen çuar në burg

0
131

Gëzim Saliu

ambasadori LuAmbasadorja e BE-së, Vlahutin: Reforma duhet të jetë si operacionet në mjekësi, korrupsioni dhe zarfet plot me para nuk duhet të funksionojnë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen me tone kritike për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke vënë theksin te mungesa e dënimeve për zyrtarët e lartë të përfshirë në korrupsion. Kryediplomati i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, i pranishëm dje në tryezën për analizën e sistemit të drejtësisë të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, nuk nguroi të pohonte se në rrugët e kryeqytetit ecin lirshëm kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar, të cilët sipas tij nuk kanë aspak frikë nga procedimi penal. “Në një sistem ku edhe gjykatësit bien dakord se ka korrupsion, kjo nënkupton detyrimisht se gjykatësit, prokurorët dhe avokatët duhet të bashkëndajnë që të gjithë për drejtësinë për dhënien dhe marrjen e ryshfeteve. Sot shumë personazhe të njohura të krimit të organizuar dhe zyrtarë të lartë të korruptuar të institucioneve të ndryshme politike ecin nëpër rrugët e Tiranës pa pasur frikë se do të procedohen. Misioni evropian për efikasitetin në drejtësi e renditi Shqipërinë në vendin e fundit mes 25 vendeve të anketuara sa i përket ndjekjes penale të krimeve të rënda. Në një vend të NATO-s që aspiron anëtarësimin në BE, elitat politike dhe kriminelët nuk mund të veprojnë pa u ndëshkuar”, – u shpreh ai. Më tej, Lu theksoi se sistemi gjyqësor duhet të japë llogari për korrupsionin, por duhet të jetë gjithashtu i pavarur për t’i rezistuar trysnisë politike. “Në sistemin e drejtësisë në Shqipëri disa persona duhet të pushohen nga puna për korrupsion dhe disa të tjerë duhet të çohen në burg. 25% e gjykatësve thanë se sistemi ishte i korruptuar. 58% thanë se ekziston perceptimi publik se sistemi është i korruptuar. Besoj gjithashtu se ka disa profesionistë të ndershëm me përvojë dhe të kualifikuar që duhet të lejohen të punojnë në një sistem të lirë të drejtësisë. Sistemi juaj gjyqësor duhet të jetë i pavarur për t’i rezistuar trysnisë politike. 7% e gjykatësve sistemi i drejtësisë nuk është i lirë prej ndërhyrjeve politike, 50% thanë se është pjesërisht i lirë”, – deklaroi Lu. Në fund të fjalës së tij, duke e vlerësuar si reformën më të rëndësishme pas rënies së komunizmit në vend, kryediplomati amerikan shprehu zotimin e SHBA-ve për të mbështetur këtë proces. “Gjyqtarët e prokurorët e korruptuar duhet ta dinë se ndryshimi po vjen”, – tha ai.

 

Ambasadorja e BE-së

Ndërkaq e pranishme në tryezën për reformën në drejtësi, ambasadorja e Bashkimit Evropian në vend Vlahutin theksoi se reforma duhet të jetë e plotë thellë dhe pa kompromis. Nuk flitet për sistem apo për njerëzit por për të dyja. Reforma duhet të sigurojë që të jetë e pamundur që të kemi një gjyqtar të korruptuar në gjyqësor. Duhet të sigurojë reforma që çdo lloj prokurori të mundet të hetojë çdo aludim dhe ata që janë të korruptuar të mos mendojnë se nuk do të ndiqen penalisht. Duhet të sigurojë që të gjithë janë të jenë të barabartë para ligjit. Korrupsioni apo zarfet plot me para nuk duhet të funksionojnë, apo njerëz që besojnë se ata janë vetë shteti. Prandaj kjo reformë duhet të jetë si një punë si operacionet në mjekësi”, – theksoi ajo. Nga ana tjetër, ambasadorja e BE-së i bëri thirrje opozitës të bëhej pjesë e kësaj reforme, ku në tryezën e djeshme nuk kishte asnjë përfaqësues të saj. “Na vjen keq që opozita nuk është ulur ende në tryezë dhe i bëjmë sërish apel të ulen. Shqipëria nuk mund të ketë zgjidhje që zgjasin 4-8 vjet por ka nevojë për ndryshime të plota”, – tha Vlahutin. Në të njejtën linjë me të, ambasadori Lu pohoi se opozita ka interes politik për të siguruar që sistemi i drejtësisë të mbetet i pavarur prej ndikimeve politike. “Mund të ketë reformë që ruan standardet ndërkombëtare edhe pa opozitën. Po do të ishte më e mirë me pjesëmarrjen aktive të saj”, – u shpreh ambasadori i SHBA-së në vend.

 

Ambasadori i OSBE-së/ Raunig: Keqardhje për mospërfshirjen e opozitës në reformën për drejtësi

Ambasadori i OSBE-së në vend, Florian Raunig, shprehu dje keqardhjen për mospjesëmarrjen e opozitës në diskutimet për reformën në drejtësi, ku theksoi se parimi i parë i procesit demokratik është përfshirja. “Përfshirja është garanci për reforma afatgjata. Përveç ekspertëve kjo do të thotë që të gjithë aktorët të kenë mundësinë e pjesëmarrjes. Mundësia ka dy anë, konsultimet e hapura dhe kohën. Kohën për tu diskutuar dhe përgjigjur propozimeve. Me keqardhje konstatoj se jo të gjitha forcat kanë shfrytëzuar këtë mundësi për të marrë pjesë. Në këtë proces elementi i radhës është shpejtësia. Reforma duhet të vijojë pa vonesa, duhet më ngut, për të zgjidhur probleme”, – deklaroi Raunig. Më tej, ambasadori i OSBE-së pohoi se korrupsioni është një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e vendit. “Plani duhet të identifikojë nevojat për trajnim për avokatët, gjyqtarët që të mësojnë të punojnë me legjislacionin e ndryshuar. Korrupsioni është një nga pengesat më të mëdha në zhvillimin e Shqipërisë. Kjo sëmundje ka prekur shumë shtresa të shoqërisë e institucione publike, përfshirë gjyqësorin. Masat antikorrupsion nuk janë vetëm çështje hetimi e ndjekje penale. Drejtësia duhet të udhëheqë përmes shembullit që jep. Vendimmarrësit kanë detyrimin të jenë transparentë dhe llogaridhënës”, – u shpreh kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

 

Opozita nuk merr pjesë në tryezë, kërkon më parë dekriminalizimin

Në tryezën për “analizën e sistemit të drejtësisë”, e cila u zhvillua pas në përmbyllje të punës njëmujore të komisionit të posaçëm, opozita nuk mori pjesë. Ky vendim i PD-së vjen në kuadër të bërë publike më parë sipas së cilës para reformës në drejtësi, palët duhet të bien dakord për dekriminalizimin e Kuvendit dhe administratës. Duke i kërkuar mazhorancës respektimin e marrëveshjes së dhjetorit të vitit të kaluar për largimin e të inkriminuarve nga politika, opozita ka theksuar se nuk mund të bëhet reformë mbi gjyqësorin nëse më parë nuk “pastrohet” vetë Parlamenti. Nga ana tjetër demokratët kanë vënë theksin më parë tek rëndësia e ekspertizës ndërkombëtare në reformën në drejtësi e cila sipas tyre duhet të jetë parësore. Kjo pasi në të kundërt ka theksuar PD, mazhoranca ka dhënë të gjitha sinjalet se po tenton të kapë sistemin e drejtësisë. Po ashtu opozita ka bërë publike kërkesat e saj për numër të barabartë anëtarësh dhe bashkëdrejtues në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën në drejtës, të cilat ende nuk kanë marrë përgjigje nga mazhoranca.

 

Raporti/ Gjyqtarët paguajnë 300 mijë euro për t’u emëruar në poste të larta

Në raportin “Analiza e sistemit të drejtësisë” që u prezantua dje në sallën e Pallatit të Kongreseve, grupi i ekspertëve pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi konstatoi se cikli i korrupsionit në sistemin e drejtësisë fillon me oficerët e policisë gjyqësore dhe vazhdon me prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. Në këtë raport voluminoz të grupit të ekspertëve të nivelit të lartë theksohet se situata e korrupsionit në sistemin e drejtësisë nuk është e dokumentuar, megjithatë perceptimi i publikut dhe i vëzhguesve pranë sistemit sugjeron për ekzistencën e formave të ndryshme të përfitimeve të paligjshme. Raporti konstaton se “gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë dyshohet se paguajnë 100-300 mijë euro për t’u emëruar në poste të lakmuara. Oficerët e policisë gjyqësore pranojnë ryshfet për të prishur provat në vendin e ngjarjes, prokurorët për të mos filluar një çështje penale, ndërsa gjyqtarët zvarrisin caktimin e seancës së parë ose kushtëzojnë vendimin përfundimtar në pritje të ryshfetit. Në çdo rast, palët në transaksionin korruptiv shmangin telefonatat. Pagesat bëhen me para në dorë. Shpesh përfitimet e paligjshme dërgohen jashtë vendit ose iu jepen të afërmve/familjarëve të gjyqtarit/prokurorit, ose personave të tretë të besuar,” thuhet në raport. Komisioni i Posaçëm Parlamentar për reformën në sistemin e drejtësisë u ngrit më 27 nëntor 2014 dhe drejtohet nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Me ndihmën e grupit të ekspertëve, ky Komision pritet të hartojë reformën e shumëpërfolur për sistemin e drejtësisë, ku duket se kjo çështje do të hapë një debat të fortë mes palëve politike në vend.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here