Tekniku italian është shprehur se sfida ndaj Francës është shumë e rëndësishme, sepse është prova para asaj vendimtares, shtatorit, ndaj Danimarkës
Në 13 qershor kombëtarja kuqezi rikthehet të na japë spektakël në një miqësore luksi ndaj Francës. Një sfidë shumë e rëndësishme që i shërben shumë De Biazit për të parë se si duhet ndërtuar skuadra për sfidën e vlefshme eliminatore ndaj Danimarkës.
Por një ditë përpara sfidës miqësore do të mësohet edhe vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Luzanë, KAS, për sa i përket ankimimit të FSHF për vendimin e dhënë nga UEFA për ngjarjet e ndodhura më 14 tetor në mbrëmjen e Beogradit. De Biasi me humor shpreh bindjen se skuadra do të zbresë njësoj në fushë ndaj Francës. “Vendimi i KAS-it nuk varet nga ne. Nëse do të jetë vendim negativ atëherë lojtarët do të zbresin në fushë të mbushur me inat, nëse do të jetë vendim pozitiv do të jemi të karikuar 100%”. Me sytë nga vendimi i në Luzanë pritet që De Biasi të provojë futbollistët e rinj apo të rikthyerit në Kombëtare. 59-vjeçari pavarësisht mungesave të shumta, thekson se ndaj “gjelave” të Francës do të provojë dicka të re. “Besoj se do të bëjmë diçka ndryshe taktikisht. Kam ide në kokë të cilat i kam bluar gjatë kësaj periudhe që nuk kemi pasur ndeshje. Do të shohim gjatë javës në seancat stërvitore dhe më pas do të vendosim se çfarë do të bëjmë në fundjavë”. Më pas De Biasi ndalet edhe tek lajmet e fundit që vijnë nga merkato, si transferimi i Abrashit në Bundesligën II tek Freiburg dhe ai i Cikalleshit në Turqi tek Instabul Basaksehir. “Është një hap përpara për Abrashin dhe Cikalleshin. Futbolli gjerman është i fortë dhe Abrashi ka mundësinë të rritet akoma më shumë aty. Cikalleshi ka bërë mirë teksa kujtojmë që para pak kohësh ishte pjesë e kampionatit shqiptar dhe tani gjendet në një kampionat shumë të fortë”. Nuk mungojnë risitë në listën e Gianni de Biasit për sfidën miqësore me Francën, ku përveç numrit të lartë të futbollistëve që aktivizohen në kampionatin shqiptar, bie në sy grumbullimi për herë të parë i Arbnor Fejzullahut dhe Afrim Takut. Italiani në konferencën për shtyp ka publikuar listën e futbollsitëve që janë grumbulluar për miqësoren me Francën. Etrit Berisha, Alban Hoxha dhe Orges Shehi janë tre gardianët e kësaj sfide. Në mbrojtje mungon Mërgim Mavraj i dëmtuar teksa rikthehet Renato Arapi pas një periudhe të gjatë. Këtë repart e plotësojnë emrat e tjerë si Naser Aliji, Arlid Ajeti, kapiteni Lorik Cana, Elseid Hysaj, Amir Rrahmani dhe debutuesi Arbnor Fejzullahu. Në mesfushë e reja është Afrim Taku si dhe rikthimi i Sabien Lilaj, për të vijuar me Migjen Bashën, Ergys Kace, Andi Lila, Ledian Memushaj, Odise Roshi, Ermir Lenjani dhe Herolind Shala. Në sulm janë grumbulluar Bekim Balaj, Sokol CIkalleshi, Armando Sadiku dhe Valdet Rama. Plot 6 janë futbollistët e lënë jashtë kësaj listë, lojtarë të cilët u aktivizuan ndaj Armenisë. De Biasi jep arsyet e zgjedhjes së bërë. “Është një periudhë e rëndësishme e vitit pasi janë mbyllur të gjitha kampionatet. Lojtarët presin të shkojnë me pushime duke qenë se vijnë të lodhur nga aktivitetet. Kjo është e njëjtë si për ne dhe për kundërshtarin. Për këtë arsye kam bërë shumë ndryshime krahasuar me sfidën e luajtur në Rëne. Agolli ka luajtur në Kupën e Azerbajxhanit dhe e ka fituar. Ai së bashku me futbollistët që aktivizohen tek Bazeli apo skuadrat e tjera në Zvicër duke përjashtuar Sadikun do të nisin përgatitjet në 18 Qershor. Nuk i kam grumbulluar këta futbollistë pasi dëshiroj që të karikojnë bateritë dhe t’i kem në formën optimale në muajin Shtator, atëhere kur kemi ndeshje shumë të rëndësishme”. Megjithatë Gianni de Biasi nuk e nënvlerëson këtë miqësore pavarësisht zgjedhjeve të bëra në grumbullimin e lojtarëve. Ky është i vetmi test për kuqezinjtë në prag të dy sfidave të rëndësishme në muajin Shtator me Danimarkën në transfertë dhe Portugalinë në Elbasan. “Kjo është një ndeshje e rëndësishme për ne sepse është e vetmja provë përpara sfidave të Shtatorit. Rezultati është i rëndësishëm sepse dëshirojmë të rritemi dhe të shohim futbollistët e rinj që nuk i kemi provuar më parë. Një ndeshje e tillë është e rëndësishme të kuptoj se sa forcë ka skuadra të përqendrohet ndaj një kundërshtari të tillë. Ata u mundën ndaj Belgjikës të dielën dhe ndaj nesh do të vijnë me dëshirën për të fituar”.
Avdiaj nuk dëshiron të luajë me ne
Lojtari me origjinë shqiptare i lindur në Osnabruck të Gjermanisë dhe produkt i shkollës së famshme të futbollit Schalke 04, prej kohësh ka përfunduar në dëshirat e tifozëve të Kombëtares Shqiptare. Sulmuesi që ka luajtur me Kombëtaret e moshave të Gjermanisë, për muaj të tërë ka përfunduar në axhendën e drejtuesve të futbollit në Shqipëri. Më parë 19-vjeçarit i është bërë një kërkesë nga trajneri i 21-vjeçarëve Skënder Gega t’i bashkohet skuadrës që ai drejton, por Donis Avdijaj vendosi si kusht për të veshur fanellën e skuadrës A. Me huazimin e tij tek Sturm i Gracit në kampionatin austriak dhe lojën e zhvilluar aty, Avdijaj është rikthyer në vëmendjen e kuqezinjve, teksa De Biasi vendosi ta grumbullojë për këtë test miqësor shumë të rëndësishëm. Përgjigja e futbollistit ka qenë negative dhe gjithçka e sqaron me pak fjalë vetë trajneri kuqezi në konferencën për shtyp. “Avdijajn e kam thërritur për këtë ndeshje pasi dëshiroj ta integroj me grupin dhe ambientin. Menaxheri i tij më tha që është i lodhur nga sezoni pasi ka pasur probleme fizike gjatë edicionit dhe nuk mund të vijë në këtë grumbullim. Këtë më tha menaxheri i tij por mendoj se ai nuk dëshiron të vijë me ne”. Mjafton kjo përgjigje e De Biasit për të kuptuar se Avdijaj nuk po tregohet shumë i sinqertë për sa i përket faktit nëse është i vendosur për të përfaqësuar Shqipërinë në të ardhmen.
Alves: Ëndrra me Barcelonën mund të mbarojë
Mbrojtësi brazilian, Dani Alves, ka deklaruar se ëndrra e tij me Barcelonën mund të përfundojë shumë shpejtë. 32-vjeçari ka luajtur rol kyç në fitimin e tripletës këtë edicion, por në qershor do t’i skadojë kontratë dhe shumë klube të mëdha evropiane janë të interesuara për të, pasi ai nuk ka gjetur mirëkuptim me drejtuesit e klubit katalanas për të vazhduar kontratën. Përderisa po festonte trofetë e klubit me bashkëlojtarët e tij në paradën e organizuar në Barcelonë, Alves u shpreh me shumë emocione se nuk e di çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt. “Falënderoj të gjithë bashkëlojtarët e mi, stafin dhe të gjithë ata që më bëjnë të lumtur në klub. Unë nuk e di se sa shumë do të zgjasë kjo ëndërr dhe nuk e di nëse kjo ëndërr tash ka përfunduar, por shpresoj që të jetë e përhershme për aq sa zgjatë”, – ka thënë braziliani.
Vidalit i jepet leja të largohet
Arsenali është shumë afër të kompletojë transferimin e parë këtë verë, transmeton “TuttoMercatoWeb”. Sipas kësaj faqeje sportive, presidenti i Juventusit ia ka dhënë dritën e gjelbër Arturo Vidalit për t’u larguar. Kjo lëvizje mendohet se është bërë për të mbajtur së paku edhe për një sezon Paul Pogbanë në Torino. Mesfushori kilian në një deklaratë të mëparshme ka theksuar se nuk dëshiron të largohet, madje duke u shprehur i gatshëm që të luajë në një finale tjetër me fanellën bardhezi. Sido që të jetë, oferta që Arsenali pritet së shpejti ta dërgojë drejt Juventusit, është rreth 29.2 milionë funte.
De Gea: Dua Realin e Madridit
David De Gea e ka informuar Manchester United-in se dëshiron t’i bashkohet Real Madridit. Djajtë e Kuq duhet të vendosin nëse do ta shesin spanjollin gjatë verës, apo mund ta humbin si transferim të lirë në vitin e ardhshëm. Goal njofton se portieri e ka njoftuar klubin se dëshiron të kthehet në Spanjë, për të luajtur me klubin kryeqytetas. 24-vjeçari konsiderohet si zëvendësues i Iker Casillasit në Santiago Bernabeu. Në rast të transferimit, De Gea do të ndjekë rrugën e yjeve, si Cristiano Ronaldo, Ruud van Nistelrooy, Gabriel Heinze e David Beckham, të cilët në të kaluarën janë larguar nga Unitedi për t’iu bashkuar Realit.
Benzema dëshiron qëndrimin te Reali
Agjenti i Karim Benzema thotë se sulmuesi nuk dëshiron të largohet nga Real Madridi, pas raporteve për një takim me drejtuesit e Manchester United. “Karim nuk dëshiron t’i japë fund kontratës me Real Madridin. Ai dëshiron të pensionohet me ta”, – citohet të ketë thënë Karim Djaziri. “Nuk kam qenë në Londër për t’u takuar me ndonjë klub, përfshirë këtu Manchester United. Ne nuk kemi pasur kontakte, me përjashtim të Real Madridit”. “Çfarë do të bënte Karim në Manchester? Nëse ai është i lumtur në Madrid, ai nuk do të dëshironte të largohet. E vetmja mënyrë që Benzema të largohet është nëse Madrid i thotë atij se më nuk e dëshiron”, – ka shtuar agjenti.
Agneli: Finalja e Champions-it vetëm fillimi
Presidenti i Juventusit, Andrea Agneli, beson se disfata në finalen e Ligës së Kampionëve është vetëm fillimi i të ardhmes së klubit të tij. Bardhezinjtë u mposhtën 3-1 nga Barcelona në Berlin gjatë të shtunës, por presidenti vazhdon ta shohë sezonin si të suksesshëm, një sezon që e ka rikthyer Zonjën e Vjetër në mesin e më të mirëve në Evropë. “Finalja e Ligës së Kampionëve është vetëm fillimi jonë për të ardhmen, edhe pse ne e dimë se të arrijmë në finale është e vështirë për secilin”, – ka thënë bosi torinez. “Sigurisht se largohemi me disa ndjenja të përziera për ndeshjen në Berlin. Ne bëmë një paraqitje fantastike, dhe kjo paralajmëron mirë për të ardhmen. Pas ndeshjeve kundër Borussia Dortmund dhe Real Madrid, ne ishim në gjendje të luajmë një ndeshje të hapur edhe kundër Barcelonës”, – ka shtuar pronari i kampionëve të Italisë.
Interi pranë Cuadrados
Interi raportohet se është duke përgatitur një ofertë për të nënshkruar me anësorin e Chelseat, Juan Cuadrado. Kolumbiani kaloi në Londër në afatin kalimtar të janarit, por ka dështuar të tregojë veten gjatë pesë muajve me Blutë dhe besohet se dëshiron të largohet. Sipas Sport Mediaset, agjenti i Cuadrados do të fluturojë në Londër këtë javë për të kompletuar rikthimin e 27-vjeçarit në Itali. Interi fillimisht dëshiron ta transferojë lojtarin si huazim për dy milionë euro, me mundësi për ta blerë kartonin e plotë të tij në fund të sezonit të ardhshëm për 25 milionë euro.
Qorraj nënshkruan me Skënderbeun
Florent Qorraj është lojtari më i ri i skuadrës së Skënderbeut. Mesfushori i talentuar kosovar nënshkroi një kontratë 2-vjeçare, me të drejtë rinovimi edhe një vit tjetër me presidentin e 6 herë kampionëve të Shqipërisë, Ardian Takaj. Lajmi u dha nëpërmet faqes zyrtare të Skënderbeut në Facebook, ku djaloshi që spikati me Besën e Pejës, shfaqet duke shtrënguar duart me numrin një të klubit juglindor. Kësisoj, me firmën e Qorrajt, shkon në pesë numri i futbollistëve kosovarë në kampin korcar, pasi nën urdhrat e Josës janë edhe Latifi, Abazi, Berisha dhe Jashanica. Partizani, Kukësi dhe Flamurtari po studiojnë të gjitha mundësitë për të transferuar në Superiore të tjerë elementë të spikatur në Kosovë, që janë gati të bëjnë hapin e madh në karrierë, duke shpërthyer fillimisht në elitën e futbollit shqiptar.
Vidal, nënshkrimi i ri i Barcelonës
Barcelona përforcohet me Aleix Vidal. Katalanasit siguruan shërbimet e mbrojtësit të Sevillas për shumën e 16 mln Paundve. Lojtari, i cili pasi kaloi me sukses vizitata mjekësore, firmosi kontratën deri në vitin 2020, por do të aktivizohet me blaugranat vetëm në sezonin e vitit 2016, për shkak të pezullimit të merkatos së klubit spanjoll nga UEFA. Vidal u shpreh shumë i lumtur për akordin me Barcelonën, duke deklaruar se gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe se po rikthehet në shtëpi.